2010–2019
Të Kujtojmë në Cilin Kemi Besuar
Tetor 2015


Të Kujtojmë në Cilin Kemi Besuar

Shpresa jonë për të jetuar sërish me Atin varet nga Shlyerja e Jezu Krishtit.

Kur unë isha nëntë vjeç, gjyshja ime flokëbardhë, një metër e gjysmë, nga ana e nënës, erdhi të kalonte disa javë me ne në shtëpinë tonë. Një pasdite ndërsa ajo ishte aty, unë dhe dy vëllezërit e mi më të mëdhenj vendosëm të hapnim një gropë në një fushë në krahun tjetër të rrugës nga shtëpia jonë. Nuk e di pse e bëmë atë; ndonjëherë djemtë hapin gropa. U bëmë pak pis, por gjë që nuk do të na hapte shumë telashe. Djemtë e tjerë në lagje e panë sa emocionuese ishte të hapje një gropë dhe filluan të na ndihmonin. Më pas ne të gjithë u bëmë edhe më pis së bashku. Dheu ishte i fortë, kështu që tërhoqëm një markuç dhe hodhëm pak ujë në fund të gropës që ta zbutnim dheun. U bëmë pak me baltë teksa gërmonim, por gropa vërtet u bë më e thellë.

Dikush në grupin tonë vendosi që ta kthenim gropën në një pishinë, kështu që e mbushëm me ujë. Duke qenë më i vogli dhe duke dashur të përshtatesha, unë u binda të hidhesha brenda dhe ta provoja. Tani unë isha me të vërtetë pis. Unë nuk planifikova që të isha i mbuluar me baltë, por ja që aty përfundova.

Kur filloi të bëhej ftohtë, kalova rrugën, me qëllim që të shkoja në shtëpi. Gjyshja ime më takoi përballë derës kryesore dhe nuk pranoi të më linte të hyja. Ajo më tha se, nëse më lejonte të hyja, unë do të lija gjurmë balte në shtëpinë që ajo sapo kishte pastruar. Kështu që bëra atë që çdo nëntëvjeçar do të bënte nën ato rrethana dhe vrapova te dera e pasme, por ajo ishte më e shpejtë nga sa e kisha menduar. U inatosa, përplasa këmbët dhe kërkova me ngulm të hyja në shtëpi, por dera mbeti e mbyllur.

Isha i lagur, me baltë, kisha ftohtë dhe në imagjinatën time të fëmijërisë unë mendova se mund të vdisja në vetë oborrin pas shtëpisë time. Më në fund, e pyeta atë se çfarë duhej të bëja që të hyja në shtëpi. Përpara se ta kuptoja, e gjeta veten duke qëndruar në oborrin pas shtëpisë ndërsa gjyshja ime më shpëlante me një markuç. Pas asaj që u duk një pafundësi, gjyshja më shpalli të pastër dhe më la të hyja në shtëpi. Ishte ngrohtë në shtëpi dhe unë isha në gjendje të vishja rroba të thata e të pastra.

Me këtë lloj shëmbëlltyre të jetës së vërtetë në mendje, ju lutem t’i merrni parasysh fjalët vijuese të Jezu Krishtit: “Dhe asgjë e papastër nuk mund të hyjë në mbretërinë e tij; prandaj asgjë nuk hyn në pushimin e tij, vetëm ata që kanë larë rrobat e tyre në gjakun tim, për shkak të besimit të tyre dhe pendimit të të gjithë mëkateve të tyre dhe të besnikërisë së tyre deri në fund”1.

Të qëndroja jashtë shtëpisë sime duke u shpëlarë nga gjyshja ime ishte e pakëndshme dhe e sikletshme. Të na mohohet mundësia për t’u kthyer dhe për të qëndruar me Atin tonë në Qiell sepse zgjodhëm të qëndronim brenda një grope apo të qëndronim të ndotur nga një gropë balte e mëkatit do të ishte përjetësisht tragjike. Ne nuk duhet ta gënjejmë veten rreth asaj që duhet për t’u kthyer dhe për të qëndruar në praninë e Atit tonë në Qiell. Ne duhet të jemi të pastër.

Para se të vinim në këtë tokë, ne morëm pjesë si bij dhe bija shpirtërorë të Perëndisë në një këshill të lartë.2 Secili prej nesh ishte i vëmendshëm dhe asnjërin prej nesh nuk e zuri gjumi. Në atë këshill, Ati ynë në Qiell paraqiti një plan. Për shkak se plani e ruante lirinë tonë të zgjedhjes dhe kërkonte që ne të mësonim nga vetë përvoja jonë dhe jo thjesht prej përvojës së Tij, Ai e dinte se ne do të kryenim mëkat. Ai gjithashtu e dinte se mëkati do të shkaktonte që të bëheshim të papastër dhe nuk do të na lejonte të ktheheshim në praninë e Tij, sepse aty ku Ai jeton është akoma dhe më pastër sesa një shtëpi e pastruar nga gjyshja ime.

Për shkak se Ati ynë në Qiell na do dhe ka si qëllim të Tij “të bëj[ë] të ndodhë pavdekësia [jonë] dhe jeta [jonë] e përjetshme”3, Plani i Tij përfshinte rolin e një Shpëtimtari – dikush që mund të na ndihmonte të bëheshim të pastër pavarësisht se sa të ndotur jemi bërë. Kur Ati ynë në Qiell shpalli nevojën për një Shpëtimtar, unë besoj se të gjithë ne u kthyem dhe pamë nga Jezu Krishti, i Parëlinduri në Shpirt, i vetmi që kishte përparuar deri në pikën e bërjes si Ati.4 Unë besoj se të gjithë ne e dinim se duhej të ishte Ai, që askush tjetër nuk mund ta bënte, por që Ai mund ta bënte dhe se Ai do ta bënte.

Në Kopshtin e Gjetsemanit dhe në kryqin e Golgotës, Jezu Krishti vuajti si në trup dhe në shpirt, u drodh për shkak të dhembjes, i doli gjak nga çdo por, iu lut Atit të Tij që ta largonte kupën e hidhur prej Tij5, por prapë Ai e piu.6 Përse e bëri Ai atë? Me fjalët e Tij, Ai dëshironte ta lavdëronte Atin e Tij dhe të mbaronte “përgatitjet e [Tij] për fëmijët e njerëzve”7. Ai donte ta mbante besëlidhjen e Tij dhe të bënte të mundur kthimin tonë në shtëpi. Çfarë kërkon Ai që ne të bëjmë në këmbim? Ai thjesht na lutet që t’i rrëfejmë mëkatet tona dhe të pendohemi kështu që mos të vuajmë siç vuajti Ai.8 Ai na fton të bëhemi të pastër në mënyrë që të mos lihemi jashtë shtëpisë së Atit tonë në Qiell.

Edhe pse shmangia e mëkatit është modeli i parapëlqyer në jetë, për sa i përket efektshmërisë së Shlyerjes së Jezu Krishtit, nuk ka rëndësi çfarë mëkatesh kemi kryer ose sa thellë jemi zhytur në atë gropë të përfolur. Nuk ka rëndësi që ne jemi të turpëruar apo të zënë ngushtë për shkak të mëkateve që, siç tha profeti Nefi, na “ngacmojnë me kaq lehtësi”9. Nuk ka rëndësi që njëherë e një kohë ne e shitëm parëbirninë tonë për një pjatë çorbë.10

Ajo që ka vërtet rëndësi, është se Jezu Krishti, Biri i Perëndisë, vuajti “dhimbje dhe hidhërime dhe tundime të çdo lloji” që “ai të mund të dijë, sipas mishit, se si të ndihmojë popullin e tij sipas dobësive të tyre”11. Ajo që ka vërtet rëndësi, është se Ai ishte i gatshëm të denjonte12, të vinte në këtë tokë dhe të zbriste “nën gjithçka”13 dhe të vuante “mospajtime nga më të fuqishmet që ndonjë njeri” do të mund të vuante ndonjëherë.14 Ajo që ka vërtet rëndësi, është që Krishti po lutet për çështjen tonë përpara Atit, “duke thënë: Atë, vër re vuajtjet dhe vdekjen e atij që nuk bëri asnjë mëkat, në të cilin ti ishe kënaqur; … si rrjedhim, Atë, kurseji këta vëllezërit e mi që besojnë në emrin tim, që ata të mund të vijnë tek unë dhe të kenë jetë të përhershme”15. Kjo është ajo çfarë me të vërtetë ka rëndësi dhe çfarë duhet të na japë të gjithëve ne shpresë të përtërirë dhe një vendosmëri që të përpiqemi edhe një herë, sepse Ai nuk na ka harruar.16

Unë dëshmoj se Shpëtimtari kurrë nuk do të na largojë kur me përulësi e kërkojmë Atë në mënyrë që të pendohemi; kurrë nuk do ta quajë çështjen tonë të humbur; kurrë nuk do të thotë kurrë: “O mos, jo prapë ti”; kurrë nuk do të na hedhë poshtë për shkak se nuk arrijmë ta kuptojmë se sa e vështirë është ta shmangësh mëkatin. Ai i kupton të gjitha përsosurisht, duke përfshirë ndjenjën e brengës, turpit dhe të ndrydhjes që është pasojë e pashmangshme e mëkatit.

Pendimi është i vërtetë dhe funksionon. Nuk është një përvojë e trilluar apo produkti “i një mendjeje të ndërkryer”17. Ai ka fuqinë t’i heqë barrët dhe t’i zëvendësojë ato me shpresë. Ai mund të çojë në një ndryshim të fuqishëm të zemrës që bën që ne të mos kemi “më prirje të bëjmë keq, por të bëjmë mirë vazhdimisht”18. Pendimi, për shkak të nevojës, nuk është i lehtë. Gjërat me rëndësi të përjetshme rrallëherë janë të lehta. Por rezultati ja vlen. Siç dëshmoi Presidenti Bojd K. Paker në fjalimin e tij të fundit drejtuar Të Shtatëdhjetëve të Kishës: “Mendimi është ky: shlyerja nuk lë gjurmë, nuk lë shenja. Ajo që rregullon, mbetet e rregulluar. … Shlyerja nuk lë gjurmë, nuk lë shenja. Ajo thjesht shëron dhe çfarë ajo shëron mbetet e shëruar.”19

Dhe kështu është, që shpresa jonë për të jetuar sërish me Atin varet nga Shlyerja e Jezu Krishtit, nga gatishmëria e të vetmes Qenie të pamëkatë për ta marrë mbi Vete, pavarësisht faktit që drejtësia nuk kishte asnjë pretendim mbi Të, peshën e përbashkët të shkeljeve të të gjithë njerëzimit, duke përfshirë ato mëkate që disa bij dhe bija të Perëndisë në mënyrë të panevojshme vendosin vetë që t’i vuajnë.

Si anëtarë të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, ne i ngarkojmë fuqi më të madhe Shlyerjes së Shpëtimtarit sesa disa njerëz të tjerë sepse ne e dimë që, nëse bëjmë besëlidhje, pendohemi vazhdimisht dhe durojmë deri në fund, Ai do të na bëjë bashkëtrashëgimtarë të Tij20 dhe si Ai ne do të marrim gjithçka që Ati ka.21 Ajo është një doktrinë tejet e rëndësishme, por prapëseprapë është e vërtetë. Shlyerja e Jezu Krishtit e bën ftesën e Shpëtimtarit për të qenë “të përkryer, ashtu siç është i përsosur Ati juaj, që është në qiej”22 përsosurisht të mundur në vend të të qenit në mënyrë të ndrydhur larg mundësive tona.

Shkrimet e shenjta japin mësim se çdo individ duhet “të gjykohe[t] sipas gjykimit të shenjtë të Perëndisë”23. Në atë ditë nuk do të ketë mundësi për t’u fshehur mes një grupi të madh njerëzish apo të tregojmë me gisht nga të tjerët si një justifikim për faktin e të qenit vetë të papastër. Fatmirësisht, shkrimet e shenjta gjithashtu na mësojnë se Jezu Krishti, Ai që vuajti për mëkatet tona, i cili është avokati ynë para Atit, i cili na quan miqtë e Vet, i cili na do deri në fund, Ai do të jetë gjykatësi ynë përfundimisht. Një nga bekimet shpesh të anashkaluara të Shlyerjes së Jezu Krishtit është se “Ati … gjithë gjyqin ia dha Birit”24.

Vëllezër dhe motra, nëse ndiheni të shkurajuar ose nëse e pyetni veten a do të dilni dot ndonjëherë nga gropa shpirtërore që keni hapur, ju lutem mbajeni mend se kush qëndron “mes [nesh] dhe drejtësisë”, kush është “i mbushur me dhembshuri ndaj fëmijëve të njerëzve” dhe kush i ka marrë mbi Vete paudhësitë dhe shkeljet tona dhe “[ka] plotësuar kërkesat e drejtësisë”25. Me fjalë të tjera, siç bëri Nefi në çastin e tij të dyshimit në vetvete, thjesht mbajeni mend “në cilin [keni] besuar”26, madje Jezu Krishtin, dhe pastaj pendohuni dhe përjetoni edhe një herë “një ndriçim të përkryer të shpresës”27. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.