2008
Besoj Që e Di, Ne e Patëm Shumë të Vështirë
Nëntor 2008


“Besoj Që e Di, Ne e Patëm Shumë të Vështirë”

Ne e dimë nga shkrimet e shenjta se disa sprova janë për të mirën tonë dhe janë përshtatur për vetë zhvillimin tonë vetjak.

Pamja
Quentin L. Cook

Dimrin e shkuar bija ime pati një përvojë të frikshme kur po i jepte makinës gjatë një stuhie të fortë dëbore. Ajo më kujtoi një situatë të ngjashme që pata bashkë me dy bijtë e mi, shumë vite më parë. Djali im më i vogël, Xho, ishte tre vjeç dhe djali tjetër, Leri, ishte gjashtë vjeç. Ne po udhëtonim me makinë nga San Françisko për në Juta në qershor. Moti kishte qenë shumë i mirë.

Kur filluam ngjitjen tek maja e qafës Doner në malet e Sierra Nevadas, befas dhe pa asnjë paralajmërim, na goditi një stuhi e tmerrshme dëbore. Asnjë nga drejtuesit e automjeteve nuk ishte përgatitur. Një kamion me rimorkio para nesh kishte ngecur në formë V-je nga frenimi i fortë dhe kishte bllokuar dy korsi. Kamionë dhe makina të tjera kishin rrëshqitur jashtë autostradës. Një korsi funksiononte dhe shumë automjete, përfshirë tonin, po përpiqeshin me dëshpërim të mos përplaseshin me mjetet e tjera. Pastaj i gjithë trafiku ndaloi.

Ne nuk ishim përgatitur për këtë stuhi dëbore në qershor. Nuk kishim rroba të ngrohta dhe na kishte mbetur relativisht pak karburant. Unë u kruspullosa bashkë me dy djemtë në një përpjekje për të mbetur ngrohtë. Pas shumë orësh, makinat e shpëtimit, makinat borëheqëse dhe kamionët rimorkiues filluan të lirojnë bllokimin e madh të automjeteve.

Përfundimisht, një kamion rimorkiues na tërhoqi deri tek një pikë karburanti, në anën tjetër të qafës. I telefonova gruas, pasi e dija se ajo do të ishte shqetësuar, meqenëse kishte pritur një telefonatë që mbrëmjen e shkuar. Më pyeti nëse mund të fliste me të dy djemtë. Kur qe radha e trevjeçarit, me një zë të dridhur, ai tha: “Besoj që e di, ne e patëm shumë të vështirë!”

Munda ta kuptoja se, kur trevjeçari ynë i foli të ëmës dhe i tregoi që e patëm shumë të vështirë, ai mori prej saj ngushëllim dhe pastaj qetësim. Lutjet tona janë të tilla kur i drejtohemi Atit tonë në Qiell. E dimë se Ai kujdeset për ne në çastin tonë të nevojës.

Secili Prej Nesh do të Përballet me Sprova dhe Vështirësi në Këtë Jetë

Ndodhia që sapo ju tregova, ndonëse një situatë e vështirë udhëtimi, qe e shkurtër dhe nuk pati pasoja të qëndrueshme. Megjithatë, shumica e sprovave dhe e mundimeve që hasim në jetë janë të ashpra dhe duket të kenë pasoja të qëndrueshme. Secili prej nesh do të provojë disa nga ato gjatë peripecive të jetës. Shumë vetë që po e dëgjojnë këtë konferencë po provojnë situata të një natyre tepër serioze tamam në këto çaste.

Ne e kuptojmë kërkesën e Profetit Jozef Smith, pasi e kishin ngarkuar me akuza të rreme dhe e kishin burgosur për muaj në burgun Liberti. “O Perëndi, ku je ti? Dhe ku është tenda që mbulon vendin tënd të fshehjes?”

Përgjigja e Zotit është qetësuese:

“Biri im, paqe i qoftë shpirtit tënd; fatkeqësia jote dhe mjerimet e tua do të jenë veçse një çast i shkurtër;

Dhe atëherë, në qoftë se i duron mirë ato, Perëndia do të të lartësojë nga lart.”1

Një nga doktrinat thelbësore të qartësuara nga Rivendosja sqaron se është e nevojshme të ketë një kundërshtim në të gjitha gjërat, që të mund të ndodhë drejtësia2. Jeta nuk është gjithmonë e lehtë, as nuk e kishte për qëllim të ishte; ajo është një kohë për t’u testuar dhe provuar. Ashtu si lexojmë tek Abrahami: “Dhe ne do t’i provojmë me këtë, për të parë nëse ata do t’i bëjnë të gjitha gjërat që Zoti, Perëndia i tyre, do t’i urdhërojë….”3 Plaku Harold B. Li na mësoi: “Nganjëherë, gjërat që janë më të mirat për ne e gjërat që sjellin shpërblime të përjetshme duken në çast sikur janë më të hidhurat dhe gjërat që janë të ndaluara, shpesh janë gjërat që duken më të dëshiruara.”4

Romani “Një Rrëfenjë për Dy Qytete” hapet me një rresht të cituar shpesh: “Ishte koha më e mirë; ishte koha më e keqe.”5 Shkrimet e shenjta e sqarojnë që secili brez ka variantin e vet të kohës më të mirë dhe asaj më të keqe. Ne të gjithë jemi të ekspozuar ndaj konfliktit midis të mirës e të ligës6 dhe kundërshtimit midis dritës e errësirës, shpresës e dëshpërimit. Ashtu si e shpjegoi Plaku Nill A. Maksuell: “Kundërshtimi i mprehtë, krah për krah, midis së ëmblës dhe të hidhurës, është thelbësor deri në fund fare të kësaj përvoje të shkurtër, në vdekshmëri.”7 Ne e dimë nga doktrina jonë që e mira do ta mposhtë të ligën8 dhe atyre që pendohen e shenjtërohen do t’u jepet jetë e përjetshme9.

Gati në të njëjtën kohë kur Dikensi po shkruante romanin e tij, po ndodhnin përpjekjet heroike të shenjtorëve të parë që kolonizuan Perëndimin ndërmalor.

Edhe pse me besimin e tyre të njëjtë, shenjtorët kishin përjetuar shumë vështirësi dhe iu qasën zbrazjes së Navusë me pritshmëri shumë të ndryshme. Disa panë përpara me optimizëm, të tjerë me shqetësim. Dy shembuj të shkëlqyer paraqiten nga Helen Mar Uitni dhe Batsheba Smith. Që të dyja kanë lënë përshkrime mjaft mbresëlënëse të ndjenjave të tyre.

Motra Uitni përshkroi pritshmërinë e saj kur po largohej nga Navuja: “Unë do të paketoj të gjitha shiritat, jakat dhe kordelet e mia të vogla etj. sepse ne po shkojmë atje ku nuk mund t’i blejmë ato. Ne po shkojmë larg botës për të jetuar përtej maleve Roki ku askush tjetër nuk do të dëshirojë të vijë. Nuk do të ketë as të pasur e as të varfër mes nesh dhe nuk do të kemi tjetër përveç njerëzve të ndershëm e të virtytshëm.”10 Fjalët e Motrës Uitni janë të mbushura me një optimizëm idealist.

Ndjenjat e shënuara të Motrës Batsheba Smith janë gjithashtu plot me besim, por tregojnë një farë ankthi. Ajo kishte parë turmat të organizuara kundër shenjtorëve në Misuri dhe kishte qenë e pranishme në vdekjen e Apostullit Dejvid W. Paten.

Ndërsa kujtonte zbrazjen e Navusë, ajo shkroi: “Veprimi im i fundit në atë vend të çmuar ishte pastrimi i dhomave, fshirja e dyshemesë dhe vendosja e fshesës në vendin e vet të zakonshëm pas derës. Pastaj, me emocione në zemër e mbylla butësisht derën dhe eca drejt një të ardhmeje të panjohur, e bëra me besim tek Perëndia dhe jo me më pak siguri për vendosjen përfundimtare të Ungjillit në Perëndim dhe për parimet e tij të vërteta e të qëndrueshme, sesa e kisha ndierë në ato kohë sprovash në Misuri.”11

Që të dyja këto gra pioniere SHDM mbetën të fuqishme në ungjill gjatë tërë jetës së tyre dhe dhanë shërbim të mrekullueshëm për ndërtimin e Sionit, por ato përjetuan shumë sprova e mundime të tjera, të cilat i duruan që të dyja besnikërisht12. Me gjithë optimizmin e Motrës Uitni, tre fëmijët e saj të parë vdiqën gjatë lindjes ose pak pas saj – dy prej të cilëve gjatë eksodit të saj të zgjatur nga Navuja për në Solt Lejk13. Motra Uitni na ka bekuar me shkrimet e saj në mbrojtje të besimit tonë dhe qe nëna e Apostullit Orson F. Uitni.

Motra Smith shënoi varfërinë, sëmundjet dhe mungesat nga të cilat vuajtën shenjtorët gjatë rrugës së tyre për në perëndim14. Në mars 1847 ndërroi jetë nëna e saj dhe muajin tjetër u lind biri i saj i dytë, Xhoni. Shënimi i saj për këtë qe i shkurtër: “Ai qe fëmija im i fundit dhe jetoi vetëm katër orë”15. Më vonë në jetën e saj ajo qe matrona e Tempullit të Solt Lejkut dhe presidentja e katërt e përgjithshme e Shoqatës së Ndihmës.

Ne prekemi thellë nga mundimet që duruan shenjtorët e parë. Brigam Jangu i përshkroi ato me humor në shkurt 1856, kur deklaroi: “Unë do të doja të thosha diçka në lidhje me kohët e vështira. E dini që ju kam thënë se në qoftë se dikush ka frikë se do të vdesë nga uria, lëreni të largohet e të shkojë atje ku ka me bollëk. Nuk mendoj se kemi as rrezikun më vogël të vdesim nga uria, derisa të hamë mushkën e fundit, që nga maja e veshit e deri tek bishti, nuk kam frikë se do të vdesim nga uria.”

Ai vazhdoi më tej dhe tha: “Ka shumë njerëz që tani nuk mund të gjejnë punë, por pranvera do të vijë shpejt dhe do të ketë shumë punë në fusha, dhe ne nuk do të vuajmë më shumë nga sa është për të mirën tonë.”16

Sfidat me të cilat përballemi sot, në mënyrën e tyre janë të krahasueshme me sfidat e të shkuarës. Kriza ekonomike e kohëve të fundit ka shkaktuar shqetësim serioz në mbarë botën. Problemet e punësimit dhe ato financiare nuk janë të pazakonta. Shumë njerëz kanë sfida të shëndetit fizik e mendor. Të tjerë përpiqen me probleme martesore apo me fëmijë të pabindur. Disa kanë humbur njerëz të dashur. Varësitë dhe prirje pavend apo të dëmshme shkaktojnë pikëllim. Cilido qoftë burimi i sprovave, ato shkaktojnë dhembje e vuajtje të rëndësishme për individët dhe ata që i duan ata.

Ne e dimë nga shkrimet e shenjta se disa sprova janë për të mirën tonë dhe janë përshtatur për vetë zhvillimin tonë vetjak17. Ne e dimë gjithashtu se shiu bie mbi të drejtët dhe të padrejtët18. Gjithashtu është e vërtetë se jo çdo re që shohim sjell shi. Pavarësisht nga sfidat, sprovat dhe mundimet që durojmë, doktrina qetësuese e Shlyerjes, e shkruar nga Jezu Krishti, përfshin mësimet e Almës se Shpëtimtari do të marrë mbi vete dobësitë tona dhe do “të ndihmojë popullin e tij sipas dobësive të tyre”19.

Shkrimet e shenjta dhe profetët modernë e kanë bërë të qartë se do të ketë vite zije buke e vite bollëku20. Zoti pret që ne të jemi të përgatitur për shumë nga sfidat që vijnë. Ai shpall: “Nëse jeni të përgatitur ju s’do të frikësoheni.” 21 Një pjesë e tronditjes që provova kur kapërceva Sierrat në atë stuhi dëbore shumë vite më parë u shkaktua ngaqë nuk isha i përgatitur për atë ngjarje të beftë e të papritur. Një nga bekimet e mëdha të shkrimeve të shenjta është që ato na paralajmërojnë për sfidat që janë të papritura, por që ndodhin shpesh. Ne do të bënim mirë të përgatiteshim për to. Një formë e përgatitjes është të mbajmë urdhërimet.

Në shumë vende në Librin e Mormonit, njerëzve iu premtua se do të begatoheshin në tokë, “për aq sa … do të zbatoni[n] urdhërimet”22. Ky premtim shpesh shoqërohet nga paralajmërimi që, nëse ata nuk i mbajnë urdhërimet e Perëndisë, ata do të përjashtohen nga prania e Tij23. Dallueshëm, të kesh bekimet e Shpirtit – shërbesën e Frymës së Shenjtë – është një element thelbësor për t’u begatuar vërtet në tokë dhe për të qenë i përgatitur.

Pavarësisht nga sprovat tona, me bollëkun që kemi sot, do të ishim mosmirënjohës nëse nuk do të vlerësonim bekimet tona. Pavarësisht nga natyra e qartë e mundimeve që po përjetonin pionierët, Presidenti Brigam Jang foli mbi kuptimin e mirënjohjes. Ai deklaroi: “Unë nuk di ndonjë mëkat, përveç mëkatit të pafalshëm, që të jetë më i madh se mëkati i mosmirënjohjes.” 24

Mirënjohje për Shpëtimtarin dhe Shlyerjen e Tij

Mirënjohja jonë e parë duhet të jetë për Shpëtimtarin dhe Shlyerjen e Tij. Ne jemi të ndërgjegjshëm se shumë njerëz që po e dëgjojnë këtë konferencë po përjetojnë sprova dhe mundime me një masë të tillë saqë ndjenja kryesore në zemrën e tyre, ndërsa i qasen Atit tonë Qiellor në lutje, është: “Besoj që e di, unë e kam shumë vështirë.”

Më lejoni të ndaj me ju ndodhinë e vërtetë për një motër, Elen Jetis nga Grantsvil, Juta. Nga fillimi i tetorit, 10 vite më parë, ajo përshëndeti burrin e saj Leonin, ndërsa ai u largua për të shkuar në punë në Solt Lejk Siti. Kjo do të ishte hera e fundit që ajo do ta shihte të gjallë Leonin. Atij i ndodhi një përplasje me një të ri 20 vjeçar, që ishte vonë për në punën e tij të parë dhe po përpiqej të parakalonte një automjet më të ngadalshëm, duke sjellë si rezultat një përplasje ballore që i vrau në çast që të dy. Motra Jetis tha se, pasi i dhanë lajmin dy policë zemërdhembshur të trafikut rrugor, ajo u krodh në tronditje dhe pikëllim.

Ajo tregon: “Ndërsa përpiqesha të shihja përpara në jetë, gjithçka mund të shihja ishte errësirë dhe dhembje.” Doli se miku më i mirë i burrit të saj qe peshkopi i lagjes së të riut. Peshkopi i telefonoi Motrës Jetis dhe i tha se nëna e të riut, Zholin Uillmor, donte të fliste me të. Ajo kujton: “Duke qenë e tronditur, sepse isha kaq e përqendruar tek pikëllimi dhe dhembja ime, saqë as që kisha menduar për të riun dhe familjen e tij, befas e kuptova se këtu qe një nënë që kishte po aq, apo më shumë dhembje sesa unë. Shpejt dhashë lejen time … për një vizitë.”

Kur mbërritën Vëllai dhe Motra Uillmor, ata shprehën hidhërimin e tyre të madh që biri i tyre ishte përgjegjës për vdekjen e Leonit dhe i paraqitën asaj një pikturë të Shpëtimtarit që mban një vajzë të vogël në krahët e Tij. Motra Jetis thotë: “Kur jeta bëhet shumë e vështirë për t’u përballuar, unë shoh atë pikturë dhe kujtoj që Krishti më njeh personalisht. Ai e di vetminë time dhe sprovat e mia.” Një shkrim i shenjtë që ngushëllon Motrën Jetis është: “Prandaj, merrni zemër dhe mos u frikësoni, sepse unë, Zoti, jam me ju dhe do t’ju qëndroj përkrah.”25

Çdo tetor, Motra Jetis dhe Motra Uillmor (të cilat që të dyja janë sot këtu së bashku në Qendrën e Konferencave) shkojnë së bashku në tempull dhe ofrojnë falënderime për Shlyerjen e Jezu Krishtit, për planin e shpëtimit, për familjet e përjetshme dhe për besëlidhjet që lidhin së bashku bashkëshortët, bashkëshortet dhe familjen në të dy anët e velit. Motra Jetis përfundon: “Përmes kësaj sprove, unë kam ndier dashurinë e Atit tim në Qiell dhe të Shpëtimtarit tim me bollëk më të madh nga sa e kisha ndier ndonjëherë më parë.” Ajo dëshmon se “nuk ka hidhërim, as dhembje, as sëmundje kaq të madhe saqë Shlyerja e Krishtit dhe dashuria e Krishtit nuk mund ta shërojë” 26. Çfarë shembulli të mrekullueshëm dashurie dhe faljeje kanë treguar këto dy motra. Ato kanë lejuar Shlyerjen e Jezu Krishtit të ketë efekt në jetën e tyre.

Mendoni për Shpëtimtarin në Kopshtin e Gjetsemanit gjatë procesit të Shlyerjes, që vuajti një agoni kaq të madhe saqë i doli gjak nga çdo por27. Thirrja e Tij drejtuar Atit të Tij përfshinte fjalën Abba28. Kjo mund të interpretohet si thirrja e një biri që është në fatkeqësi drejtuar atit të tij: “Ati im, në qoftë se është e mundur, largoje prej meje këtë kupë; megjithatë, jo si dua unë, por si do ti.”29 Unë dëshmoj se Shlyerja e Jezu Krishtit ndikon te të gjitha sprovat dhe mundimet që cilido prej nesh do të hasë në këtë jetë. Në ato çaste kur ne na vjen të themi: “Besoj që e di, unë e pata shumë të vështirë”, mund të jemi të garantuar se Ai është atje dhe ne jemi të sigurt në krahët e Tij të dashur.

Kur Profetin tonë të dashur, Presidentin Tomas S. Monson, e pyetën në ditëlindjen e tij, gushtin që kaloi, se cila do të ishte dhurata ideale që anëtarët në mbarë botën do të mund t’i jepnin atij, ai tha pa asnjë çast ngurrimi: “Gjeni dikë që po kalon çaste të vështira … dhe bëni diçka për të.”30

Unë, bashkë me ju, jam përjetësisht mirënjohës ndaj Jezu Krishtit, shpëtuesit të njerëzimit. Unë jap dëshmi se Ai është Shpëtimtari dhe Shëlbuesi i botës. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. DeB 121:1, 7–8.

  2. Shih 2 Nefi 2:11.

  3. Abrahami 3:25.

  4. Harold B. Lee, The Fall of Man (fjalim i mbajtur në një mbledhje për mësues të seminarit dhe të institutit, 23 qershor 1954).

  5. Charles Dickens, A Tale of Two Cities (Signet Classic, 1997), f. 13.

  6. Shih 2 Nefi 2:15–16.

  7. Neal A. Maxwell, “Enduring Well,” Liahona, prill 1999, f. 12.

  8. Shih DeB 19:2–3; 133:64.

  9. Shih DeB 133:62; 14:7; Gjoni 17:3.

  10. A Woman’s View: Helen Mar Whitney’s Reminiscences of Early Church History, red. Jeni Broberg Holzapfel dhe Richard Neitzel Holzapfel (1997), f. 329-330.

  11. Bathsheba W. Smith, Autobiography, red. Alice Merrill Horne, shtypshkrim, f. 15, siç citohet në Maurine Jensen Proctor dhe Scot Facer Proctor, ese fotografike, “Joseph, Joseph, Joseph: The Temple Has Returned to Nauvoo, Part 4, ‘Lift Up Thine Eyes,’” Meridian Magazine, 2002, http://www.meridianmagazine.com/photoessay/020522nauvoo/020522nauvoo3.html.

  12. Shih Ethëri 12:6.

  13. Shih Whitney, f. 491.

  14. Shih Heidi Swinton, “I Gently Closed the Door,” në Heroines of the Restoration, red. Barbara B. Smith dhe Blythe Darlyn Thatcher (1997), f. 134.

  15. Bathsheba W. Smith, në Heroines of the Restoration, f. 134.

  16. Teachings of the Presidents of the Church: Brigham Young (Melchizedek Priesthood and Relief Society course of study, 1997), f. 177.

  17. Shih DeB 122:7.

  18. Shih Mateu 5:45.

  19. Alma 7:12.

  20. Shih Zanafilla 41:29–31; Gordon B. Hinckley, “To the Boys and to the Men,” Liahona, janar 1999, f. 65.

  21. DeB 38:30.

  22. Shih 2 Nefi 4:4.

  23. Shih Alma 36:30.

  24. Teachings: Brigham Young, f. 177.

  25. DeB 68:6.

  26. Ellen Yates, tregim personal i bërë në konferencën e Kunjit të Grantsvillit, Juta, sesioni i të shtunës në mbrëmje, 16 shkurt 2008.

  27. Shih DeB 19:18.

  28. Marku 14:36.

  29. Mateu 26:39.

  30. Thomas S. Monson, cituar në Gerry Avant, “Prophet’s Birthday: Milestone of 81,” Church News, 23 gusht 2008, f. 4.