2008
Nderoni Priftërinë dhe Përdoreni Atë Mirë
Nëntor 2008


Nderoni Priftërinë dhe Përdoreni Atë Mirë

Modeli shembullor i përsosur për përdorimin e priftërisë së shenjtë është Shpëtimtari ynë, Jezu Krishti. Ai shërbeu me dashuri, dhembshuri dhe shpirtbutësi.

Pamja
Elder Richard G. Scott

Vëllezërit e mi të dashur, ne jemi mbledhur nëpër botë në vëllazërinë e mrekullueshme të priftërisë së Perëndisë. Sa të bekuar që jemi mes atyre pak burrave në tokë, që u është besuar autoriteti për te vepruar në emrin e Shpëtimtarit për të bekuar të tjerët nëpërmjet përdorimit të drejtë të priftërisë së Tij.

Vëllezër, unë pyes veten se sa prej nesh meditojnë seriozisht për vlerën e paçmueshme të mbajtjes së Priftërisë Aarone dhe Melkizedeke. Kur ne mendojmë se sa pak nga burrat që kanë jetuar në tokë, kanë marr priftërinë dhe se si Jezu Krishti i ka dhënë fuqi këtyre personave për të vepruar në emrin e Tij, ne duhet të ndihemi shumë të përulur dhe thellësisht mirënjohës për priftërinë që mbajmë.

Priftëria është autoriteti për të vepruar në emër të Perëndisë. Ky autoritet është thelbësor në përmbushjen e veprës së Tij mbi tokë. Priftëria që mbajmë është një pjesë e dërguar nga autoriteti i përjetshëm i Perëndisë. Ndërsa qëndrojmë të vërtetë dhe besnik, shugurimi ynë në priftëri do të jetë i përjetshëm.

Sidoqoftë, thjesht përçimi i autoritetit nuk arrin në vetvete të dhurojë fuqinë e detyrës. Niveli në të cilin ne mund të ushtrojmë fuqinë e priftërisë varet nga denjësia vetjake, besimi në Zotin Jezu Krisht dhe nga bindja ndaj urdhërimeve të Tij. Kapaciteti ynë për ta përdorur denjësisht priftërinë shtohet së tepërmi kur mbështetet mbi një themel të sigurt të njohurisë së ungjillit.

Modeli shembullor i përsosur për përdorimin e priftërisë së shenjtë është Shpëtimtari ynë, Jezu Krishti. Ai shërbeu me dashuri, dhembshuri dhe shpirtbutësi. Jeta e tij ishte një shembull i pashoq i përulësisë dhe i fuqisë. Bekimet më të mëdha të përdorimit të priftërisë rrjedhin nga shërbimi i përulur ndaj të tjerëve, pa menduar për veten. Si mbajtës besnik, të bindur të priftërisë, ne mund të marrim fuqi të madhe duke ndjekur shembullin e Tij. Kur na kërkohet, ne mund të ushtrojmë fuqinë e shërimit, e bekimit, e ngushëllimit dhe të këshillimit, ndërsa nxitjet e qeta të Shpirtit ndiqen besnikërisht.

Ju kërkoj që për pak minuta të mendoni sikur ti dhe unë jemi vetëm në një vend të qetë, ku atmosfera lejon udhëheqje nga Shpirti i Shenjtë. Disa prej jush kanë periodikisht intervista të denjësisë vetjake, ndërkohë që të tjerë kanë thirrje për të cilat kjo ndodh rrallë. A do të mendoni, për pak nga minutat pasuese, sikur ti dhe unë kemi një intervistë private priftërie?

Ndërsa ne ndajmë së bashku këto çaste, ju kërkoj të meditoni për denjësinë tuaj vetjake në përdorimin e autoritetit të shenjtë që mbani. Unë do t’ju kërkoja, gjithashtu, të mendoni se sa konsekuent jeni në përdorimin e priftërisë për të bekuar të tjerët. Qëllimi im nuk është të kritikoj por të ndihmoj në rritjen e përfitimeve që rrjedhin nga përdorimi i priftërisë nga ana juaj.

A ju ndihmojnë mendimet tuaja private, vetjake të keni udhëheqjen e Shpirtit të Shenjtë apo kanë nevojë për një pastrim të plotë të “shtëpisë” për të qenë më ndihmuese? A po e ushqeni mendjen tuaj me materiale dehëse ose a i jeni dorëzuar joshjes së materialeve dhe rrjeteve pornografike të internetit? A e shmangni ndershmërisht përdorimin e simulantëve dhe substancave që bien në kundërshtim me qëllimin e Fjalës së Urtësisë apo keni bërë ndonjë përjashtim me hamendjen tuaj? A jeni më tepër se të kujdesshëm në kontrollimin e asaj që hyn në mendjen tuaj përmes syve dhe veshëve tuaj për t’u siguruar që të jetë e shëndetshme dhe lartësuese?

Nëse jeni i divorcuar, a siguroni për nevojat e vërteta financiare të fëmijëve që keni lindur, jo thjesht për kërkesat minimale ligjore?

Nëse jeni i martuar, a jeni besnik ndaj gruas tuaj mendërisht ashtu si edhe fizikisht? A jeni besnik ndaj besëlidhjeve tuaja të martesës duke mos marrë pjesë kurrë në biseda me ndonjë grua tjetër për të cilën nuk do të doje që gruaja juaj të merrte vesh? A jeni dashamirës dhe a e mbështesni vetë gruan dhe fëmijët tuaj? A e ndihmoni gruan tuaj duke bërë ndonjë punë nëpër shtëpi? A e udhëhiqni familjen në veprimtari të tilla si studimi i shkrimeve të shenjta, lutja familjare dhe mbrëmja familjare e shtëpisë, apo gruaja juaj mbush boshllëqet e mungesës së vëmendjes nga ju në shtëpi? A i thoni asaj që e doni?

Nëse ndonjë nga ju ndihet jo rehat me ndonjë nga përgjigjet që u keni dhënë me mendje pyetjeve të mia, ndërmerrni veprime korrigjuese tani. Nëse ka probleme denjësie, me gjithë butësinë e zemrës time unë ju inkurajoj të flisni tani me peshkopin tuaj ose me një anëtar të presidencisë së kunjit tuaj. Ju keni nevojë për ndihmë. Ato çështje që ju shqetësojnë nuk do të shërohen nga vetvetja. Ka shumë mundësi që pa përkujdesje ato do të përkeqësohen. Mund të jetë e vështirë për ju t’i flisni udhëheqësit tuaj të priftërisë, por unë ju inkurajoj t’i flisni tani, për vetë të mirën tuaj dhe për dobinë e atyre që ju duan.

Vëllezër, unë tani do flas për mënyrën se si priftëria duhet të përdoret ne bekimin e jetës së të tjerëve, veçanërisht të bijave të Atit Qiellor.

Proklamata e familjes pohon se bashkëshortët dhe bashkëshortet duhet të jenë partnerë të barabartë. Unë kam sigurinë që secila grua në Kishë do ta mirëpriste këtë mundësi dhe do ta mbështeste atë. Nëse ndodh apo jo, varet nga bashkëshorti. Shumë bashkëshortë praktikojnë të qenit partnerë të barabartë me bashkudhëtaren [e jetës së] tyre, për të mirën dhe bekimin e fëmijëve të tyre. Sidoqoftë shumë nuk e bëjnë këtë. Unë inkurajoj çdo burrë që ngurron të zhvillojë një bashkëpjesëmarrje të barabartë me gruan e tij, t’i bindet këshillës së frymëzuar nga Zoti dhe ta bëjë atë. Bashkëpjesëmarrja e barabartë i jep të mirat e saja më të mëdha kur si burri edhe gruaja kërkojnë vullnetin e Zotit në marrjen e vendimeve të rëndësishme për veten e tyre dhe për familjen e tyre.

Jini të ndjeshëm ndaj nxitjeve të Shpirtit, kur përdorni privilegjin suprem të të vepruarit në emrin e Zotit përmes priftërisë tuaj. Jini më të kujdesshëm për mënyrat se si ju mund ta përdorni më shumë fuqinë e priftërisë në jetën atyre që doni dhe u shërbeni. Unë po mendoj veçanërisht për persona të këtillë si vejushat në nevojë, të cilave ka shumë mundësi do t’u sillte dobi ndihma e një mbajtësi të kuptueshëm, të dhembshur të priftërisë. Shumë prej këtyre nuk do të kërkojnë kurrë ndihmë. Jini të kujdesshëm ndaj gamës së sfidave, në shtëpinë e saj, për të cilat mund të ndihmoni të plotësohen, të tilla si çlirimi nga ankthet përmes një bekimi të frymëzuar priftërie ose nevojën për riparime të vogla.

Si peshkop, jini i ndjeshëm dhe i kujdesshëm ndaj motrave që shërbejnë në këshillin e lagjes tuaj. Ato mund të identifikojnë nevojat e grave në lagjen tuaj, të cilat nuk janë të bekuara me praninë e priftërisë në shtëpi. Përmes një vizite shtëpie, Shoqata e Ndihmës mund të dallojë nevojat dhe t’ju rekomandojë zgjidhje. Për çështje përtej qëllimit të Shoqatës së Ndihmës, ju mund t’i kërkoni kuorumit të pleqve ose grupit të priftërinjve të lartë për të siguruar ndihmë në përputhje me nevojën.

Si peshkop, kur ju këshilloheni me një bashkëshort dhe bashkëshorte që janë në vështirësi martesore, a i jepni të njëjtën masë besimi gruas ashtu si edhe burrit? Ndërsa udhëtoj nëpër botë, unë shoh që disa gra kanë ndryshuar në mënyrë të mangët, në atë që mbajtësi i priftërisë bindet më shumë nga një bir se sa nga një bijë e Atit në Qiell. Ky çekuilibër thjesht nuk duhet të ndodhë kurrë.

A marrin motrat beqare vlerësimin dhe vëmendjen që ato meritojnë kur marrin pjesë në lagjet me familje? A kanë ato mundësi të shërbejnë në thirrje me peshë ku t’u jepet mundësia të ndihen të mirëpritura dhe të dëshiruara? A marrin ato mbështetjen e duhur nga priftëria?

Qëllimi i autoritetit të priftërisë është të japi, të shërbejë, të ngrejë lart, të frymëzojë – jo të ushtrojë kontroll apo forcë të padrejtë. Në disa kultura, tradita e vendos një burrë në një rol që të dominojë, kontrollojë dhe rregullojë të gjitha çështjet familjare. Kjo nuk është mënyra e Shpëtimtarit. Në disa vende gruaja pothuajse zotërohet nga burri i saj, sikur të ishte një tjetër nga pronat e tij vetjake. Ky është një kuptim mizor, joproduktiv, i gabuar i martesës, i nxitur nga Luciferi, që secili mbajtës i priftërisë duhet ta refuzojë. Ai është themeluar në premisën që burri është në një farë mënyre superior ndaj gruas. Asgjë s’mund të jetë më larg të vërtetës se sa kjo. Shkrimet pohojnë se Ati në Qiell e ruajti krijesën e Tij më të madhërishme, më të shkëlqyeshme, supreme, gruan, për në fund të krijimit. Vetëm pasi çdo gjë tjetër u plotësua, u krijua gruaja. Vetëm atëherë vepra u shpall e përfunduar dhe e mirë.

Për bashkëshortet, nënat, gjyshet e motrat dhe gratë e tjera të rëndësishme në jetën tonë, Presidenti Hinkli deklaroi: “Nga gjithë krijimet e të Plotfuqishmit, nuk ka asnjë më të bukur, asnjë më frymëzuese sesa një bijë e këndshme e Perëndisë e cila ecën me virtyt duke kuptuar përse duhet të veprojë kështu, e cila nderon dhe respekton trupin e saj si një gjë të shenjtë dhe hyjnore, e cila kultivon mendjen e saj dhe vazhdimisht rrit horizontin e të kuptuarit të saj, e cila e ushqen shpirtin e saj me të vërtetë të përjetshme.”1

Sipas planit hyjnor, një grua është krejtësisht e ndryshme nga burri në shumë mënyra.2 Ajo është e dhembshur dhe kërkon më të mirën për të tjerët rreth vetes. Megjithatë, ajo natyrë e dhembshur mund të bëhet dërrmuese për gratë që synojnë të përmbushin shumë më tepër se sa ato mund të arrijnë, edhe me ndihmën e Zotit madje. Disa humbasin kurajën sepse ato ndjejnë se nuk po bëjnë gjithçka ato duhet të bëjnë. Besoj se kjo është një ndjenjë që shumë gra të denja, të dobishme, të përkushtuara të Kishës e përjetojnë.

Prandaj, si bashkëshort ose bir, shprehni mirënjohje për atë që bëjnë bashkëshortja dhe nëna juaj për ju. Shprehni shpesh dashuri dhe mirënjohje. Kjo do ta bëjë jetën shumë më të pasur, më të këndshme e të qëllimshme për shumë nga bijat e Atit në Qiell, të cilat rrallë dëgjojnë ndonjë koment si kompliment dhe nuk falënderohen për morinë e gjërave që bëjnë. Si bashkëshort, kur e ndjeni që gruaja juaj ka nevojë të ngrihet shpirtërisht, shtrëngojeni në krahët tuaja dhe thojini sa shumë e doni. Qoftë secili prej nesh përherë i butë dhe plot vlerësim ndaj gjithë grave të veçanta që pasurojnë jetën tonë.

Shpesh vlera e vërtetë e diçkaje nuk kuptohet derisa të na merret. Për ilustrim, mendoni një burrë që pati humbur të drejtën e përdorimit të priftërisë nga shkelja. Më vonë ajo iu rikthye atij si pjesë e restaurimit të ordinancave që mori përmes pendimit të plotë. Pas restaurimit, unë u ktheva nga bashkëshortja e tij dhe thashë: “A do të doje një bekim?”. Ajo u përgjigj me entuziazëm. Atëherë unë pashë nga bashkëshorti, tashmë i aftë të përdorte priftërinë e tij dhe thashë: “A do të doje t’i jepje gruas tënde një bekim?”. Fjalët nuk mund të shprehin emocionin e thellë të një përvoje të këtillë dhe lidhjet e dashurisë, besimit dhe mirënjohjes që ajo krijoi. Juve nuk ju duhet të humbisni priftërinë tuaj për ta vlerësuar atë më shumë.

Unë e njoh gëzimin dhe lumturinë e pafundmë që vijnë ngaqë e dua, përkujdesem dhe e respektoj bashkëshorten time të çmuar me gjithë zemrën dhe shpirtin tim. Sjelltë përdorimi i priftërisë dhe trajtimi i grave të rëndësishme në jetën tuaj të njëjtën kënaqësi.

Si një prej 15 Apostujve të Zotit Jezu Krisht mbi tokë, unë shpreh vetë ndjenjat e mia në lidhje me priftërinë siç është shprehur përsosmërisht në këtë citim të Presidentit Hauard W. Hanter: “Si dëshmitarë të veçantë të Shpëtimtarit, ne na është dhënë detyra e mrekullueshme e administrimit të punëve të kishës dhe mbretërisë së tij dhe t’u shërbejmë bijave të tij dhe bijve të tij kudo qofshin mbi faqen e tokës. Për shkak të thirrjes sonë për të dëshmuar, qeverisur dhe shërbyer, kërkohet nga ne, që pavarësisht nga mosha, dobësitë, rraskapitja dhe të ndjerit i papërshtatshëm, ta kryejmë punën që Ai na ka dhënë për të bërë, deri në frymën e fundit të jetës tonë.” 3

Perëndia do të na mbajë përgjegjës për mënyrën se si ne i trajtojmë bijat e Tij të dashura. Prandaj, le t’i trajtojmë ato si do të donte Ai të trajtoheshin. Unë lutem që Zoti do të na drejtojë ne për të qenë më të frymëzuar, të ndjeshëm dhe frytdhënës me priftërinë që mbajmë, veçanërisht me bijat e Tij. Në emër të Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Gordon B. Hinckley, “Our Responsibility to Our Young Women,” Ensign, shtator 1988, f. 11.

  2. Shih Moisiu 4:17-19; Moisiu 5:10–11.

  3. Howard W. Hunter, “To the Women of the Church,” Ensign, nëntor 1992, f. 96.