2008
Kuraja e Krishterë: Çmimi i Qenies Dishepull
Nëntor 2008


Kuraja e Krishterë: Çmimi i Qenies Dishepull

T’i Përgjigjemi Akuzuesve Tanë sipas Mënyrës së Shpëtimtarit

Pamja
Robert D. Hales

Ne jemi mbledhur njësh së bashku, kemi marrë mbi vete emrin e Jezu Krishtit dhe ne jemi të krishterë. Një nga pyetjet që do të bënim është: Përse atëherë, nëse kemi këtë dashuri për Shpëtimtarin, dikush do të dëshironte të ishte kundërshtari ynë ose të na sulmonte?

Kohët e fundit një grup shenjtorësh të ditëve të mëvonshme të rinj, të shkëlqyer, besnikë shkruan disa nga pyetjet që shqetësonin më shumë mendjet e tyre. Një motër pyeti, “Përse nuk mbrohet më aktivisht Kisha kur bëhen akuza kundër saj?

Lidhur me pyetjen e saj unë do të them se, një nga provat më të mëdha në jetën e vdekshme është kur besimi ynë vihet në dyshim apo kritikohet. Në momente të tilla ne mund të duam të përgjigjemi në mënyrë agresive—të “bëjmë gati grushtat”. Por këto janë raste të rëndësishme për t’u tërhequr, për t’u lutur dhe për të ndjekur shembullin e Shpëtimtarit. Kujtoni që Vetë Jezusi u përbuz dhe u flak nga bota. Edhe në ëndrrën e Lehit, ata që shkonin tek Shpëtimtari vuanin gjithashtu “[talljet dhe tregimin me gisht…]” (1 Nefi 8:27). “Bota i ka urryer [dishepujt e mi]”, tha Jezusi, “sepse nuk janë prej botës, ashtu si edhe unë nuk jam prej botës” (Gjoni 17:14). Por kur ne u përgjigjemi akuzuesve tanë siç bëri Shpëtimtari, ne jo vetëm bëhemi më shumë si Krishti, ne i ftojmë të tjerët të ndjejnë dashurinë e Tij dhe ta ndjekin Atë gjithashtu.

Të përgjigjesh në një mënyrë si e Krishtit nuk mund të kopjohet ose të bazohet në një formulë. Shpëtimtari përgjigjej ndryshe në çdo situate. Kur Ai ishte përballë Mbretit të lig Herod, Ai rrinte i heshtur. Kur Ai qëndroi përpara Pilatit, Ai dha një dëshmi të thjeshtë dhe të fuqishme të hyjnisë dhe qëllimit të Tij. Duke u përballur me këmbyesit e parave që po ndotnin tempullin, Ai ushtroi përgjegjësinë e Tij hyjnore për të ruajtur dhe mbrojtur atë që ishte e shenjtë. I ngritur mbi një kryq, Ai shqiptoi të pakrahasueshmen përgjigje të krishterë: “O Atë, fali ata sepse nuk dinë se ç’bëjnë (Lluka 23:34).

Disa njerëz gabimisht mendojnë se qetësia, butësia, zemërgjerësia dhe sjellja e një dëshmie të përulur janë pasive apo të dobëta. Por, të “[duam] armiqtë [tanë], [të bekojmë] ata që [na] mallkojnë, [t’u bëjmë] mirë atyre që [na] urrejnë, dhe [të lutemi] për ata që [na] keqtrajtojnë dhe [na] përndjekin” (Mateu 5:44) kërkon besim, forcë dhe mbi të gjitha kurajë të krishterë.

Profeti Jozef Smith e tregoi këtë kurajë gjatë gjithë jetës së tij. Megjithëse ai “vuajt[i] përndjekje të ashpër nga të gjitha klasat e njerëzve, si fetarë dhe jofetarë” (Joseph Smith—Historia 1:27), ai nuk u hakmor dhe nuk kaloi në urrejtje. Si të gjithë dishepujt e vërtetë të Krishtit, ai qëndroi me Shpëtimtarin duke i dashur të tjerët në mënyrë tolerante dhe me dhembshuri. Kjo është kuraja e Krishterë.

Kur ne nuk hakmerremi – kur ne kthejmë faqen tjetër dhe u rezistojmë ndjenjave të inatit – ne gjithashtu qëndrojmë me Shpëtimtarin. Ne tregojmë dashurinë e Tij, që është e vetmja forcë që mund të nënshtrojë kundërshtarin dhe t’u përgjigjet akuzuesve tanë pa iu kthyer atyre me akuza. Kjo nuk është dobësi. Kjo është kuraja e Krishterë.

Nëpër vite ne mësojmë se sfidat ndaj besimit tonë nuk janë të reja dhe ato nuk ka të ngjarë të zhduken shpejt. Por, dishepujt e vërtetë të Krishtit shohin mundësi në mes të kundërshtisë.

Në Librin e Mormonit, Profetin Abinadi e lidhën dhe e sollën përpara Mbretit të lig Noe. Megjithëse mbreti e kundërshtoi me forcë Abinadin dhe më në fund e dënoi me vdekje, Abinadi gjithsesi foli për ungjillin dhe dha dëshminë e tij me guxim. Meqenëse Abinadi përfitoi nga ky rast, prifti i quajtur Alma u kthye në besim dhe solli shumë shpirtra në Krisht. Kuraja e Abinadit dhe e Almës ishte kurajë e krishterë.

Përvoja tregon se periudhat e një reklame negative mbi Kishën mund të ndihmojnë të përmbushen qëllimet e Zotit. Në 1983, Presidencia e Parë u shkroi udhëheqësve të Kishës, “Kundërshtia mund të jetë në vetvete një mundësi. Midis sfidave me të cilat vijojnë të ndeshen misionarët tanë është një mungesë interesi për çështje fetare dhe për mesazhin tonë. Këto kritika krijojnë … interes për Kishën … Kjo u jep një rast [anëtarëve] që ta paraqesin të vërtetën tek ata vëmendja e të cilëve është drejtuar në këtë mënyrë nga ne”1.

Ne mund të përfitojmë nga mundësi të tilla në shumë mënyra: një letër me mirësjellje botuesit, një bisedë me një mik, një koment në një faqe interneti apo një fjalë sigurie dikujt që ka bërë një koment nënçmues. Ne mund të përgjigjemi me dashuri ndaj atyre që kanë qenë ndikuar nga keqinformimi dhe paragjykimi—që “mbahen larg nga e vërteta vetëm ngaqë nuk dinë se ku ta gjejnë atë” (DeB 123:12). Unë ju siguroj se t’u përgjigjesh akuzuesve tanë në këtë mënyrë nuk është kurrë dobësi. Ajo është kuraja e krishterë në veprim.

Kur ne u përgjigjemi të tjerëve, çdo rrethanë do të jetë e ndryshme. Fatmirësisht, Zoti i njeh zemrat e akuzuesve tanë dhe mënyrën si ne mund t’u përgjigjemi atyre më me efikasitet. Ashtu si dishepujt e vërtetë kërkojnë drejtim nga Shpirti, ata marrin frymëzim të përshtatur për çdo përballje. Dhe në çdo përballje, dishepujt e vërtetë përgjigjen në mënyra që ftojnë Shpirtin e Zotit. Pali u kujtoi korintasve se predikimi i tij “nuk u [bë] me fjalë mbushamendëse nga dituria njerëzore, por në dëftim të Frymës dhe të fuqisë” (1 Korintasve 2:4). Sepse ajo fuqi qëndron në Shpirtin e Zotit, ne nuk duhet kurrë të bëhemi grindavecë kur diskutojmë besimin tonë. Ashtu siç mëson gati çdo misionar, argumentimi duke përdorur Biblën gjithnjë e largon Shpirtin. Shpëtimtari ka thënë: “Ai që ka shpirtin e grindjes nuk është i imi” (3 Nefi 11:29). Më dëshpëruese se sa akuzat që i bëhen Kishës se nuk është e krishterë, është kur anëtarët e Kishës kundërveprojnë ndaj këtyre akuzave në një mënyrë jo si e Krishtit! Le të karakterizohen bisedat tona me të tjerët gjithnjë nga frytet e Shpirtit – “dashuria, gëzimi, paqja, durimi, mirëdashja, mirësia, besimi, zemërbutësia, vetëkontrolli.” (Galatasve 5:22-23). Të jesh i butë, siç përcaktohet në fjalorin Uebster, është “të manifestosh durim, shumëvuajtje: t’i rezistosh dëmtimit pa u zemëruar”2. Butësia nuk është dobësi. Ajo është një tipar dallues i kurajës së krishterë.

Kjo është veçanërisht e rëndësishme në komunikimin tonë me anëtarë të besimeve të tjera të krishtera. Sigurisht Ati ynë Qiellor dëshpërohet – dhe djalli qesh – kur ne debatojmë me grindje ndryshimet doktrinore me komshinjtë tanë të krishterë.

Kjo nuk do të thotë që të bëjmë kompromise mbi parimet tona apo të dobësojmë besimet tona. Ne nuk mund të ndryshojmë doktrinat e ungjillit të rivendosur, madje edhe nëse bindja ndaj tyre na bën jo popullor në sytë e botës. Madje edhe kur ne ndjejmë të shpallim fjalën e Perëndisë me kurajë, ne duhet të lutemi për t’u mbushur me Frymën e Shenjtë (shih Veprat e Apostujve 4:29, 31). Ne nuk duhet kurrë të ngatërrojmë kurajën me kurajën e shtirë të Satanit: arrogancën (shih Alma 38:12). Dishepujt e vërtetë flasin me besim të qetë, jo me krenari mburracake.

Si dishepuj të vërtetë, shqetësimi ynë parësor duhet të jetë mirëqenia e të tjerëve, jo justifikimi vetjak. Pyetjet dhe kritikat na japin një mundësi t’u drejtohemi të tjerëve dhe të tregojmë se ata kanë rëndësi për Atin tonë Qiellor dhe për ne. Qëllimi ynë duhet të jetë t’i ndihmojmë ata të kuptojnë të vërtetën, jo të mbrojmë egot tona ose të fitojmë pikë në një debat teologjik. Dëshmitë tona me zemër janë përgjigja më e fuqishme që mund t’u japim akuzuesve tanë. Dhe dëshmi të tilla mund të lindin vetëm në dashuri dhe modesti. Ne duhet të jemi si Eduard Partrixh, për të cilin Zoti tha: “Zemra e tij është e pastër para meje, sepse ai është si Natanaeli i lashtësisë, në të cilin s’ka mashtrim” (DeB 41:11). Të jesh pa mashtrim është të kesh një pafajësi fëmijërore, të jesh i ngadalshëm në të ndjerit e fyerjes dhe i shpejtë në të falur.

Këto cilësi mësohen së pari në shtëpi e familje dhe mund të praktikohen në gjithë marrëdhëniet tona. Të jesh pa mashtrim është të kërkojmë së pari për gabimin tonë. Kur akuzohemi, ne duhet të pyesim siç bënë Apostujt e Shpëtimtarit: “Mos jam unë; Zot?” (Mateu 26:22). Nëse dëgjojmë përgjigjen e dhënë nga Shpirti, ne mundemi, nëse është e nevojshme, të bëjmë korrigjime, të shfajësohemi, të kërkojmë falje dhe të përmirësohemi.

Pa mashtrim, dishepujt e vërtetë shmangen nga gjykimi i papërshtatshëm i mendimeve të të tjerëve. Shumë prej nesh kanë ushqyer miqësi të forta me ata që nuk janë anëtarë të Kishës—shokët e shkollës, kolegët në punë dhe miq e fqinj kudo në botë. Ne kemi nevojë për ta dhe ata për ne. Siç na mëson Presidenti Tomas S. Monson: “Le të mësojmë të respektojmë të tjerët… Askush prej nesh nuk jeton vetëm – në qytetin tonë, në kombin tonë, në botën tonë”3.

Siç e tregoi Shpëtimtari me Herodin, ndonjëherë dishepujt e vërtetë duhet të tregojnë kurajën e krishterë duke mos thënë asgjë. Njëherë kur po luaja golf, unë paksa u fshika tek një bimë e madhe kaktusi, që duket se lëshon gjemba të mëdhenj si një ferrëgjatë. Gjembat nga ajo bimë u ngjitën në gjithë rrobat e mia, edhe pse thuajse mezi e preka bimën e kaktusit. Disa situata janë si kjo bimë: ato vetëm mund të na dëmtojnë. Në raste të tilla, ne është më mirë që të qëndrojmë jashtë duke mbajtur distancën tonë dhe thjesht të largohemi. Kur bëjmë këtë, disa njerëz mund të përpiqen të na provokojnë dhe të na fusin në debat. Në Librin e Mormonit, ne lexojmë mbi Lehontin dhe njerëzit e tij në një kamp në mal. Amalikia tradhtar e nxiti Lehontin të “zbriste poshtë” dhe e takoi atë në luginë. Por kur Lehonti i la lartësitë, atij iu dha helm “pak nga pak” gjersa vdiq dhe ushtria e tij ra në duart e Amalikias (shih Alma 47). Me argumente dhe akuza, disa njerëz na ndërsejnë ne që të lemë lartësinë. Lartësia është aty ku është drita. Ajo është aty ku shohim dritën e parë në mëngjes dhe dritën e fundit në mbrëmje. Është toka e sigurisë. Ajo është e vërtetë dhe është aty ku ndodhet dija. Ndonjëherë të tjerët duan të zbresim nga lartësia dhe të bashkohemi me ta në një përleshje teologjike në baltë. Këta individë grindavecë janë të vendosur të fillojnë grindje fetare në Internet ose direkt. Ne është gjithnjë më mirë të qëndrojmë në më të lartin vend të respektit reciprok dhe të dashurisë.

Duke vepruar kështu, ne ndjekim shembullin e profetit Nehemia, i cili ndërtoi një mur përreth Jeruzalemit. Armiqtë e Nehemias iu përgjëruan që ta takonin në fushë, ku “ata mendonin [t’ia] punonin.” Ndryshe nga Lehonti, sidoqoftë, Nehemia me urtësi e kundërshtoi ftesën e tyre me këtë mesazh: “Jam duke bërë një punë të madhe dhe nuk mund të zbres. Pse duhet ta ndërpresim punën, kur unë po e lë për të zbritur tek ju?” (Nehemias 6:2-3). Ne gjithashtu kemi një punë të madhe për të bërë, e cila nuk do të plotësohet nëse i lejojmë vetes të ndalojmë e të debatojmë dhe të shpërqendrohemi. Në vend të kësaj ne duhet të marrim kurajën e krishterë dhe të shohim punën tonë. Siç lexojmë në Psalmet: “Mos ki smirë ata që veprojnë me ligësi.” (Psalmet 37:1).

E keqja do të jetë gjithnjë me ne në këtë botë. Pjesë e provës së madhe të jetës së vdekshme është të jesh në botë pa u bërë si bota. Në Lutjen e Tij Ndërmjetësuese, Shpëtimtari i kërkoi Atit të Tij Qiellor: “Unë nuk kërkoj që ti t’i heqësh nga bota, por që ti t’i mbrosh nga i ligu. (Gjoni 17:15). Por edhe pse Shpëtimtari paralajmëroi për persekutim, Ai premtoi paqe: “Unë po ju lë paqen, po ju jap paqen time… zemra juaj mos u trondittë dhe mos u friksoftë. (Gjoni 14:27). Unë dëshmoj se me bekimin e paqes së Tij mbi ne, premtimi i Presidencisë së Parë do të përmbushet: “Kundërshtimi që mund të duket i vështirë për t’u përballuar do të jetë një bekim për mbretërinë e Perëndisë mbi tokë”4.

Motrës sime që pyeti dhe të gjithë atyre që kërkojnë të dinë se si duhet t’u përgjigjemi akuzuesve tanë, unë u them, ne i duam ata. Të çfarëdo race, kredoje, feje apo bindjeje politike qofshin, nëse ndjekim Krishtin dhe tregojmë kurajën e Tij, ne duhet t’i duam ata. Ne nuk ndjejmë se jemi më të mirë se ata. Më tepër ne dëshirojmë, me dashurinë tonë, t’u tregojmë atyre një mënyrë më të mirë – mënyrën e Jezu Krishtit. Mënyra e tij çon në portën e pagëzimit, në shtegun e ngushtë dhe të ngushtuar të jetës në drejtësi dhe në tempullin e Perëndisë. Ai është “udha, e vërteta dhe jeta” (Gjoni 14:6). Vetëm nëpërmjet Tij, ne dhe të gjithë vëllezërit dhe motrat tona mund të trashëgojmë dhuratën më të madhe që mund të marrim—jetën e përjetshme dhe lumturinë. T’i ndihmosh ata, të jesh një shembull për ta, nuk është punë për të dobëtin. Ajo është për të fortët. Ajo është për ju dhe për mua, shenjtorët e ditëve të mëvonshme që paguajmë çmimin e të qenit dishepuj duke iu përgjigjur akuzuesve tanë me kurajë të krishterë.

Unë përfundoj duke e bërë timen dëshminë e Mormonit: “Vini re, unë jam një dishepull i Jezu Krishtit, Birit të Perëndisë. Unë u thirra prej tij të njoftoj fjalën e tij mes popullit të tij, që ata të mund të kenë jetë të përjetshme. (3 Nefi 5:13). Unë sjell dëshminë time të veçantë për Të – që jeta jonë mund të jetë e përjetshme sepse dashuria e Tij është e përjetshme. Që ne të mund të ndajmë dashurinë e Tij të përjetshme e të pakushtëzuar me vëllezërit dhe motrat tona kudo, kjo është lutja ime me përulje në emër të Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Letër e Presidencisë së Parë, 1 dhjetor 1983.

  2. Webster’s Third New International Dictionary, 1986.

  3. Tomas S. Monson, “In Quest of the Abundant Life,” Ensign, mars 1988, f. 3.

  4. Letër e Presidencisë së Parë, 1 dhjetor 1983.