2008
Lumturia, Trashëgimí e Juaja
Nëntor 2008


Lumturia, Trashëgimí e Juaja

E drejta jonë pas lindjes – dhe qëllimi i udhëtimit tonë të madh në këtë tokë – është të kërkojmë e të përjetojmë lumturi të përjetshme.

Pamja
Dieter F. Uchtdorf

Motra të mia të dashura, jam mirënjohës për këtë mundësi të parë që unë t’u flas grave të Kishës të mbledhura së bashku në të gjitha anët e botës. Na nderon sot veçanërisht prania e Presidentit Monson dhe e Presidentit Ajring. Kori i ka prekur zemrat tona. Jemi frymëzuar nga mesazhet e Motrës Tompson, Motrës Ollred dhe Motrës Bek.

Qëkur mësova se unë do të isha sot me ju, kam menduar për gratë e shumta të cilat i dhanë formë jetës sime: gruaja ime e mrekullueshme, Harieta; nëna ime; vjehrra ime; motra ime; vajza ime; kunata ime dhe shumë shoqe. Gjithë jetës sime pata përreth gra të cilat më frymëzuan, më mësuan dhe më inkurajuan. Jam sot ky që jam, në një masë të madhe për shkak të këtyre grave të veçanta. Çdo herë që takoj motrat e Kishës, kam përshtypjen se jam mes shpirtrash po ashtu të shquar. Jam mirënjohës që jam këtu, mirënjohës për talentet, dhembshurinë dhe shërbesën tuaj. Mbi gjithçka, unë jam mirënjohës për atë se cilat jeni: bija-thesar të Atit tonë Qiellor, me vlerë të pafundme.

Jam i sigurt që kjo nuk ju befason, por ndryshimet ndërmjet burrave dhe grave shpesh mund të jenë tepër të dallueshme – fizikisht dhe mendërisht, si edhe emocionalisht. Një nga mënyrat më të mira që mund të mendoj për ilustrimin e kësaj gjëje është mënyra si gatuajmë ushqim gruaja ime dhe unë.

Kur Harieta përgatit një vakt ushqimor, ai është kryevepër. Kuzhina e saj ushqimore përfshin një diapazon botëror dhe ajo shpesh përgatit pjata sipas vendeve që ne kemi vizituar. Paraqitja e ushqimit të shtie një frymë nderimi. Në fakt, shpesh duket aq i bukur, saqë të duket krim ta hash. Është po aq gosti për syrin, sa ç’është për ndjesinë e shijes.

Por pa dyshim, sado i përkryer të jetë, të duket apo të shijojë, Harieta do të kërkojë ndjesë për diçka që ajo mendon se nuk është e përkryer. “Kam frikë se i hodha një çikë si shumë erëza”, do të thotë ajo, ose: “Herë tjetër, them se do t’ishte më mirë t’i hidhja pak më tepër erëza pikante dhe një tjetër fletë dafine”.

Më lejoni ta krahasoj këtë me mënyrën time të gatimit. Për qëllim të kësaj bisede, i kërkova Harietës të më thoshte çfarë gatuaja unë më mirë.

Përgjigjja e saj: vezë të skuqura.

Të parrahura.

Por kjo nuk është e gjitha. Unë di një pjatë speciale të quajtur Knuspershen. Emri mund të tingëllojë si delikatesë që mund ta gjenit në një restorant të veçantë. Më lejoni t’jua tregoj si bëhet. Bukën franceze prejeni në feta të vogla dhe thekini dy herë.

Kjo është receta!

Kështu, mes vezësh të skuqura, edhe kur ato janë të yndyrshme, dhe të Knuspershenit, edhe kur këto janë të djegura, kur unë gatuaj, më duket heroizëm i vërtetë.

Ndoshta ky ndryshim ndërmjet gruas sime dhe meje është paksa e zmadhuar, por ilustron diçka që mund të shkojë përtej gatimit të ushqimit.

Mua më duket sikur motrat tona të shkëlqyera nganjëherë i nënvlerësojnë aftësitë e tyre – përqendrohen në atë që mungon ose që është e papërkryer, sesa në atë që është arritur dhe se cilat janë vërtet.

Mbase këtë veçori e dalloni tek ndonjë që ju e njihni fare mirë.

Lajm i mirë është që kjo gjithashtu të tregon për një cilësi të admirueshme: dëshirën e natyrshme për t’i pëlqyer Zotit me të gjithë aftësinë. Për fat të keq, ajo cilësi mund të çojë gjithashtu në zhgënjim, lodhje dhe hidhërim.

Të Gjithë Atyre që Janë të Lodhura

Sot dëshiroj t’u flas atyre që ndonjëherë janë ndier të paplota, të shkurajuara ose të lodhura – shkurt, dëshiroj të flas për të gjithë ne.

Lutem gjithashtu që Fryma e Shenjtë t’i përforcojë fjalët e mia dhe t’u japë atyre kuptim, mprehtësi e frymëzim shtesë.

Ne e dimë se nganjëherë mund të jetë e vështirë ta mbash kokën mbi sipërfaqe të ujit. Në fakt, në botën tonë të ndryshimit, të sfidave dhe listave me detyra, nganjëherë mund të duket pothuaj e pamundur shmangia e ndjenjës së tronditjes emocionale prej vuajtjes dhe pikëllimit.

Nuk dua të them se ne mund të shtypim thjesht një buton dhe t’i ndalim ndjenjat negative që na tensionojnë. Ky nuk është një fjalim motivues apo një përpjekje për t’i nxitur ato që ndodhen të zhytur në ranishte, që të përfytyrojnë sikur po pushojnë në një plazh. Unë e kuptoj se në jetën e ne të gjithëve ka shqetësime të vërteta. E di që këtu sot ka zemra që fshehin trishtim të thellë. Të tjera luftojnë me frikat që u mundojnë shpirtin. Për disa, vetmia është sprova e tyre e fshehtë.

Këto gjëra nuk janë të parëndësishme.

Megjithatë, dëshiroj të flas mbi dy parime që mund t’ju ndihmojnë të gjeni një shteg drejt paqes, shpresës dhe gëzimit – madje edhe në kohë sprove dhe ankthi. Dua të flas për lumturinë e Perëndisë dhe se si atë mund ta shijojë çdokush nga ne pavarësisht ngarkesave që na rrethojnë.

Lumturia e Perëndisë

Më lejoni në fillim të ngre një pyetje: “Cili mendoni se është lloji më i lartë i lumturisë që mund të ketë?” Për mua përgjigjja e kësaj pyetjeje është: “lumturia e Perëndisë”.

Kjo na çon tek një pyetje tjetër: “Cila është lumturia e Atit tonë Qiellor?”

Kësaj mund të jetë e pamundur t’i përgjigjesh, ngaqë udhët e Tij nuk janë udhët tona. “Ashtu si qiejtë janë më të lartë se toka, kështu edhe rrugët e [Perëndisë] janë më të larta se rrugët [tona] dhe mendimet e [Tij] janë më të larta se mendimet [tona].”1

Ndonëse nuk e dimë “kuptimin e të gjitha gjërave”, ne “[dimë] se [Perëndia] i do fëmijët e tij”2, sepse Ai ka thënë: “Vër re, kjo është vepra ime dhe lavdia ime—të bëj të ndodhë pavdekësia dhe jeta e përjetshme e njeriut”3.

Ati Qiellor është në gjendje t’i plotësojë këto dy qëllime të mëdha – pavdekësinë dhe jetën e përjetshme të njeriut – ngaqë Ai është Perëndi krijimi dhe dhembshurie. Të krijosh dhe të jesh i dhembshur, janë dy synime që kontribuojnë në lumturinë e përsosur të Atit tonë Qiellor. Krijimi dhe qenia i dhembshur janë dy veprimtari që ne, si fëmijë shpirtërorë të Tij, mundet dhe duhet t’ua arrijmë.

Vepra e Krijimit

Dëshira për të krijuar është një nga përmallimet më të thella të shpirtit njerëzor. Pavarësisht talenteve, arsimimit, formimeve kulturore apo aftësive tona, ne secili kemi brenda qenies sonë një dëshirë të krijojmë diçka që nuk ekzistonte më parë.

Gjithkush mund krijojë. Nuk ju nevojiten para, pozitë apo ndikim për të krijuar diçka me përmbajtje ose me bukuri.

Krijimi sjell kënaqësi dhe plotësim të thellë. Ne zhvillojmë veten dhe të tjerët, kur marrim në duar material të paorganizuar dhe e shndërrojmë në diçka të bukur – dhe nuk po flas për procesin e pastrimit të dhomave të fëmijëve tuaj adoleshentë.

Ju mund të thoni: “Unë nuk jam tip krijues. Kur këndoj, jam përherë gjysmë note më lart ose më poshtë. Nuk heq dot një vijë pa vizore. Dhe i vetmi përdorim praktik i bukës që gatuaj vetë, është si peshë për të fiksuar letrat ose si stopues për derën.”

Nëse kështu ndiheni, mendoni përsëri dhe kujtohuni që jeni bija shpirtërore të Qenies më krijuese në univers. A nuk është e mrekullueshme të mendosh që vetë shpirtrat tanë janë formuar nga një Perëndi pafundësisht krijues e përjetësisht i dhembshur? Mendoni mbi këtë – trupi juaj shpirtëror është një kryevepër, i krijuar me një bukuri, funksion dhe aftësi përtej përfytyrimit.

Por për ç’qëllim u krijuam ne? U krijuam me qëllimin dhe aftësinë e veçantë për të përjetuar një plotësi gëzimi.4 E drejta jonë pas lindjes – dhe qëllimi i udhëtimit tonë të madh në këtë tokë – është të kërkojmë e të përjetojmë lumturi të përjetshme. Një nga mënyrat që ne e gjejmë këtë, është përmes krijimit të gjërave.

Nëse jeni nënë, ju merrni pjesë me Perëndinë në veprën e krijimit – jo vetëm duke u dhënë trupa fizikë fëmijëve tuaj, por edhe duke i mësuar dhe edukuar. Nëse nuk jeni nënë tani, talentet krijuese që ju zhvilloni do t’ju përgatisin për atë ditë, në këtë jetë ose në tjetrën.

Ju ndoshta mendoni se nuk keni talente, por ky është një supozim i rremë, sepse të gjithë kemi talente dhe dhurata, secili prej nesh.5 Kufijtë e krijimit zgjaten mjaft përtej caqeve të një telajoje ose një flete letre dhe nuk kërkojnë penelin, penën apo tastat e një pianoje. Krijim do të thotë të sjellësh në ekzistencë diçka që nuk ekzistonte përpara – kopshte shumëngjyrëshe, shtëpi të harmonishme, kujtime familjare, të qeshura rrjedhëse.

Ajo që krijoni nuk është kusht të jetë e përkryer. Prandaj, çfarë pastaj nëse vezët janë të yndyrshme apo të thekurat janë djegur? Mos lejoni frikën e dështimit t’ju shkurajojë. Mos lejoni zërin e kritikave t’ju paralizojë – qoftë ai zë nga jashtë apo nga brenda jush.

Nëse ende ndiheni të paaftë për krijim, filloni me pak. Provoni të shihni sa buzëqeshje mund të krijoni, shkruani një letër vlerësuese, mësoni një aftësi të re, gjeni një vend dhe zbukurojeni.

Afro një shekull e gjysmë më parë Presidenti Brigam Jang u foli shenjtorëve të kohës së tij. “Ka një punë të madhe për shenjtorët”, tha ai. “Përparoni e përmirësoni dhe bëjeni të bukur çdo gjë përreth jush. Kultivoni tokën dhe kultivoni mendjen. Ngrini qytete, stolisni banesat tuaja, bëni parqe, kopshte frutore e vreshta dhe bëjeni tokën aq të pëlqyer, saqë, kur të vështroni punët tuaja, ta bëni këtë gjë me pëlqim dhe që engjëjt të gjejnë kënaqësi të vijnë e të vizitojnë mjediset tuaja të mrekullueshme. Ndërkohë, vazhdimisht kërkoni të stolisni mendjen me të gjitha hiret e Shpirtit të Krishtit.”6

Sa më shumë vini besimin dhe mbështeteni tek Shpirti, aq më e madhe është aftësia juaj për të krijuar. Kjo është mundësi e juaj në këtë jetë dhe destinimi juaj në jetën që vjen. Motra, besoni dhe mbështetuni tek Shpirti. Ndërsa rrokni mundësitë normale të jetës suaj të përditshme dhe krijoni diçka të bukur e të dobishme, ju përmirësoni jo vetëm botën përreth jush, por edhe botën brenda jush.

Duke Pasur Dhembshuri

Të jesh i dhembshur është një tjetër vepër e madhe e Atit tonë Qiellor dhe një tipar themelor i asaj se cilët jemi si popull. Ne urdhërohemi të “[ndihmojmë] të dobëtit, [të ngremë] duart që varen poshtë dhe [të forcojmë] gjunjët e këputur”7. Dishepujt e Krishtit nëpër të gjitha kohërat e botës janë dalluar nga dhembshuria e tyre. Ata të cilët ndjekin Shpëtimtarin, “[vajtojnë] me ata që vajtojnë… dhe [ngushëllojnë] ata që kanë nevojë të ngushëllohen”8.

Kur shkojmë për të bekuar jetën e të tjerëve, jeta jonë bekohet po ashtu. Shërbimi dhe sakrifica hapin dritaret e qiellit, duke lejuar që bekime të zgjedhura të zbresin mbi ne. Pa dyshim Ati ynë i dashur Qiellor u buzëqesh atyre të cilët kujdesen për më të vegjëlit e fëmijëve të Tij.

Kur ngremë të tjerët, ngrihemi vetë pak më lart. Presidenti Spenser W. Kimball na mësoi: “Sa më shumë u shërbejmë njerëzve të tjerë në mënyra të përshtatshme, aq më shumë substancë ka në shpirtin tonë”. 9

Presidenti Gordon B. Hinkli besonte tek fuqia shëruese e shërbimit. Pas vdekjes së bashkëshortes, ai i dha Kishës një shembull të madh me mënyrën si u zhyt në punë dhe në shërbim të të tjerëve. Tregohet se Presidenti Hinkli i tha një gruaje e cila para pak kohe kishte humbur të shoqin: “Puna do ta mjekojë pikëllimin tënd. Shërbeju të tjerëve.”

Këto janë fjalë të thella. Kur jepemi në shërbim të të tjerëve, zbulojmë jetën tonë dhe lumturinë tonë.

Presidenti Lorenco Snou shprehte një mendim të ngjashëm: “Kur ju gjendeni paksa në mërzi, shihni përreth dhe gjeni dikë që ndodhet në një telash më të keq se ju; shkoni tek ai dhe mësoni çfarë halli ka, pastaj përpiquni t’ia largoni me njohurinë të cilën jua jep Zoti; dhe gjëja e parë që ju njihni, mërzia ju ka ikur, ndiheni të lehtësuar, Shpirti i Zotit është mbi ju dhe çdo gjë duket e ndriçuar.”10

Në botën e sotme të psikologjisë popullore, televizionit pa vlera dhe udhëzuesve të përmirësimit vetjak të ndjenjave, kjo këshillë mund të duket jashtë të menduarit praktik. Nganjëherë na thuhet se përgjigjja për të këqijat tona është të shohim brenda, t’i plotësojmë qejfin vetes, fillimisht të blejmë e të paguajmë më vonë dhe të kënaqim dëshirat tona në kurriz të atyre përreth. Ndërsa ka kohëra kur është diçka e matur të shohim së pari nga nevojat tona, në përfundim kjo nuk të çon në lumturi të përhershme.

Instrument në Duart e Zotit

Unë besoj se gratë e Kishës, pavarësisht nga mosha apo gjendja familjare, kuptojnë dhe zbatojnë më së miri fjalët nga Xhejms Berri, autori i “Piter Panit”: “Ata që sjellin dritë në jetën e të tjerëve, nuk mund ta ndalin atë nga vetvetja”11. Kam qenë shpesh dëshmitar i akteve të heshtura dashamirësie dhe dhembshurie nga gra të cilat u ofruan me bamirësi bujare. Zemra më gufon kur dëgjoj historitë e motrave të Kishës dhe si ato nxitojnë në ndihmë të nevojtarëve.

Ka në Kishë nga ata – burra dhe gra – të cilat në vete thonë se si mund të kontribuojnë për mbretërinë. Nganjëherë gra që janë beqare, të divorcuara ose të veja, thonë me vete nëse ka vend për to. Çdo motër e Kishës është me rëndësi kritike – jo vetëm për Atin tonë Qiellor, por gjithashtu për ndërtimin e Mbretërisë së Perëndisë. Ka një punë të madhe për të bërë.

Një vit më parë, në këtë mbledhje, Presidenti Monson ju mësoi se “ju jeni … të rrethuar nga mundësitë për shërbim… . Shpesh akte të vogla të shërbimit janë gjithçka që kërkohet për të ngritur moralisht dhe bekuar një njeri tjetër”12. Shihni rreth jush. Aty tek mbledhja e sakramentit ndodhet një nënë e re me disa fëmijë – i thoni të uleni me të e ta ndihmoni. Atje në lagjen tuaj është një i ri që duket i shkurajuar – i thoni që ju gëzoheni kur jeni me të, që e ndieni mirësinë e tij. Fjalët e vërteta të inkurajimit kërkojnë vetëm zemër të dashur dhe të vëmendshme, por mund të kenë ndikim të përjetshëm mbi jetën e njerëzve rreth jush.

Ju motra të mrekullueshme u jepni të tjerëve shërbesë të dhembshur për arsye të cilat i zëvendësojnë dëshirat për përfitim vetjak. Në këtë gjë ju ndiqni Shpëtimtarin, i cili, megjithëse mbret, nuk kërkoi pozitë as nuk u merakos a e vinin re të tjerët. Ai nuk u përpoq të konkurronte të tjerët. Mendimet e Tij ishin përherë të harmonizuara për të ndihmuar të tjerët. Ai mësonte, shëronte, bashkëbisedonte dhe i dëgjonte të tjerët. Ai e dinte se madhështia pak kishte të bënte me shenja të jashtme mirëqenieje ose pozite. Ai mësoi dhe jetoi sipas kësaj doktrine: “Më i madhi prej jush le të jetë shërbëtori juaj”13.

Së fundi, numri i lutjeve që themi mund të kontribuojë për lumturinë tonë, por numri i lutjeve që ne u përgjigjemi mund të jetë me rëndësi edhe më të madhe. Le t’i hapim sytë e të shohim zemrat e rënduara, të vëmë re vetminë dhe dëshpërimin; le të ndiejmë lutjet e heshtura të të tjerëve përreth nesh dhe le të jemi instrument në duart e Zotit për t’iu përgjigjur atyre lutjeve.

Përfundim

Motra të mia të dashura, unë kam një besim të thjeshtë. Unë besoj që, kur ju jeni besnike dhe të zellshme në mbajtjen e urdhërimeve të Perëndisë, kur i afroheni më pranë Atij me besim, shpresë dhe dashuri hyjnore, gjërat do të veprojnë së bashku për të mirën tuaj.14 Unë besoj që, kur ju zhyteni në punën e Atit tonë – kur krijoni bukuri dhe kur jeni të dhembshura ndaj të tjerëve – Perëndia do t’ju rrethojë me krahët e dashurisë së Tij15. Ndjenja e shkurajimit, e paplotësisë dhe e lodhjes do t’ia lëshojnë udhën një jete me kuptim, hir dhe përmbushje.

Si bija shpirtërore të Atit Qiellor, lumturia është trashëgimí e juaj.

Ju jeni bija të zgjedhura të Atit tonë Qiellor dhe, nëpërmjet gjërave që ju krijoni dhe nëpërmjet shërbimit tuaj të dhembshur, ju jeni një fuqi e madhe për mirë. Ju do ta bëni botën një vend më të mirë. Merrni zemër; jini besimplote. Perëndia ju do. Ne ju duam dhe ju admirojmë.

Për këtë unë dëshmoj dhe ju lë bekimin tim si Apostull i Zotit, në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Isaia 55:9.

  2. 1 Nefi 11:17.

  3. Moisiu 1:39.

  4. Shih 2 Nefi 2:25.

  5. Shih DeB 46:11–12.

  6. Brigham Young, Deseret News, 8 gusht 1860, f. 177.

  7. DeB 81:5.

  8. Mosia 18:9.

  9. The Teachings of Spencer W. Kimball, red. Edward L. Kimball (1982), f. 254.

  10. Lorenzo Snow, në Conference Report, prill 1899, f. 2–3.

  11. J. M. Barrie, A Window in Thrums (1917), f. 137.

  12. Thomas S. Monson, “Three Goals to Guide You”, Ensign, nëntor 2007, f. 120.

  13. Mateu 23:11.

  14. Shih DeB 90:24.

  15. Shih DeB 6:20.