2008
Të Fitosh Luftën Kundër së Keqes
Nëntor 2008


Të Fitosh Luftën Kundër së Keqes

Juve ju besua të vinit në tokë në këto ditë të fundit për të bërë përsëri atë që bëtë më parë – edhe një herë të zgjidhni të mirën mbi të keqen.

Pamja
Elder James J. Hamula

Unë po u flas sonte vëllezërve të mi të Priftërisë Aarone. Është dëshira ime t’ju ndihmoj që të vlerësoni më thellë se cilët jeni, cili është qëllimi juaj në jetë dhe si mund të keni sukses në arritjen e këtij qëllimi.

Ju keni ardhur në botë në një kohë tepër të rëndësishme. Ne po hyjmë në fazat e fundit të një lufte të madhe. Kjo luftë filloi përpara krijimit të botës dhe ka vijuar me pasoja të tmerrshme gjatë gjithë historisë së botës. Unë flas për luftën midis pasuesve të Krishtit dhe të gjithë atyre që e mohojnë Atë si Perëndinë e tyre1.

Gjoni, Zbuluesi, shkroi lidhur me këtë luftë:

“Edhe u bë luftë në qiell: Mikaeli dhe engjëjt e tij luftuan kundër dragoit; edhe dragoi dhe engjëjt e tij luftuan,

por nuk fituan, e nuk u gjet më për ta vend në qiell.

Kështu dragoi i madh, gjarpri i lashtë, që është quajtur djall, edhe Satan, që mashtron gjithë dheun, u hodh mbi tokë; me të u hodhën edhe engjëjt e tij.”2

Ishte Satani që e nxiti këtë luftë paratokësore. Ai veproi kështu duke rebeluar kundra planit të shpëtimit të Atit tonë për fëmijët e Tij dhe duke kundërshtuar Krishtin, që ishte caktuar për ta zbatuar planin. Tragjikisht, një e treta e fëmijëve të Atit tonë ndoqi Satanin3. Por dy të tretat nuk e bënë këtë. Ju, miq të mi të rinj, ishit ndër këta dhe me ta keni ardhur në tokë për të ndjekur planin e lumturisë të Atit.

Fatkeqësisht, lufta e Satanit nuk mbaroi me dëbimin e tij nga qielli. Siç theksoi Gjoni, Satani dhe pasuesit e tij janë “[hedhur] mbi tokë”4 dhe kanë ardhur këtu me “zemërim të madh”5. Fakti i zemërimit të tyre mund të shihet në gjakun dhe tmerrin që ka goditur njeriun qysh nga fillimi i kohërave.

Kaq të thella e të gjera kanë qenë plagët e vuajtura ndërmjet njerëzve, saqë Perëndia Vetë vajtoi kur vërejti gjendjen e njeriut6.

Tani ne e gjejmë veten në ditët e fundit të kësaj historie të përkohshme të tokës. Në një ditë që po vjen, Biri i Atit tonë do të kthehet në tokë, nga e cila Ai nuk u pranua, dhe do ta kërkojë atë si të Tijën7. Në atë ditë, Ai do të nënshtrojë Satanin e legjionet e tij dhe do të hapë epokën e një mijë vjetëve të paqes dhe drejtësisë8. Në parapritje të asaj dite, Perëndia rivendosi mbretërinë e Tij në tokë për herë të fundit. Kjo mbretëri është Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme9.

Ndërsa mbretëria e Perëndisë është vendosur në tokë në kohë të shkuara, njerëzit të cilëve mbretëria iu besua më parë, nuk qenë në gjendje ta mbanin atë. Megjithatë, këtë herë është ndryshe. Premtimi profetik është që këtë herë mbretëria e Perëndisë nuk do të humbasë por do ta mbulojë botën10.

Për të siguruar suksesin e saj përfundimtar, rivendosja përfundimtare e mbretërisë së Perëndisë ka filluar me një forcë shpirtërore të paparë,11 dhe po mbahet nga e njëjta forcë shpirtërore e diçka më tepër. Të zgjedhur për të dalë përpara në këto ditë dhe punë të fundit për Atin dhe Birin e Tij janë disa nga bijtë dhe bijat më të guximshme dhe fisnike të Atit tonë. Guximi dhe fisnikëria e tyre u demonstruan në luftën paratokësore kundra Satanit. Atje, “[të] lënë të lirë të zgjidhnin të mirën ose të keqen,” ata “zgjodhën të mirën” dhe treguan “besim jashtëzakonisht të madh” dhe “vepra të mira”12. Të tilla janë tiparet që nevojiten tani për të mbështetur punën e Perëndisë në tokë dhe për të shpëtuar shpirtra njerëzish nga zemërimi në rritje i kundërshtarit.

Tani, miq të mi të rinj të Priftërisë Aarone, ju jeni këta bij të guximshëm dhe fisnikë të Atit tonë! Ju jeni forca e shtëpisë së Zotit, luftëtarët e Tij!13. Ju jeni ata që zgjodhën të mirën mbi të keqen dhe që treguan “besim jashtëzakonisht të madh” dhe “vepra të mira”. Dhe në sajë të historisë suaj personale, juve ju besua të vinit në tokë në këto ditë të fundit për të bërë përsëri atë që bëtë më parë – edhe një herë të zgjidhni të mirën mbi të keqen, të ushtroni besim jashtëzakonisht të madh dhe të bëni vepra të mira – dhe për të bërë kështu në emër të mbretërisë së Perëndisë në tokë dhe të njerëzisë!

Me mbretërinë e Perëndisë të rivendosur në tokë dhe ardhjen tuaj në tokë, Satani e di se “ka pak kohë”14. Prandaj, Satani po grumbullon çdo rezervë që zotëron për t’ju shtyrë në shkelje. Ai e di se nëse do të mund t’ju tërheqë në shkelje, ai do të mund t’ju ndalojë të shërbeni në një mision me kohë të plotë, të martoheni në tempull dhe të siguroni fëmijët tuaj në besim, e gjitha kjo ju dobëson jo vetëm ju por Kishën. Ai e di se asgjë nuk mund ta përmbysë mbretërinë e Perëndisë “veçse të jetë shkelja e popullit”15 të tij. Mos gaboni në këtë – lufta e tij tani është e përqendruar mbi ju – ju që përpiqeni t’i “[ruani] urdhërimet e Perëndisë dhe që [keni] dëshminë e Jezu Krishtit”16.

Tani, miqtë e mi të rinj, ju duhet të çmoni se kohët tona sot dhe kohët që do të vijnë, janë “të vështira”17. Lidhur me këtë Presidenti Boid K. Paker ka vërejtur:

“Unë nuk di asgjë nga historia e Kishës ose në historinë e botës që të krahasohet me rrethanat tona të tanishme. Asgjë nuk ndodhi në Sodoma dhe në Gomorra që të kapërcejë poshtërsinë dhe shthurjen që na rrethon neve tani.”18

Duke iu referuar rreziqeve të kohës tonë, unë nuk dua të frymëzoj frikë, por maturi. Të jesh i matur do të thotë të jesh i sinqertë dhe serioz në vlerësimin e rrethanave të tua dhe i vëmendshëm e i kujdesshëm në peshimin e pasojave të veprimeve të tua. Maturia në këtë mënyrë sjell gjykim të mirë si dhe sjellje të matur. Atëherë, nuk është për t’u habitur që profetët i këshillojnë të rinjtë të jenë të matur19. Kujtoni vërejtjen e Mormonit se ajo që i bëri 2.000 luftëtarët djalosharë të Helamanit aq efikas në betejë nuk ishte thjesht guximi, fuqia dhe besueshmëria e tyre, por “[maturia]” e tyre20. Mormoni e vlerësoi një tipar të tillë sepse ai ishte bekuar vetë me atë [tipar]. Ishte Mormoni të cilit iu besuan analet e shenjta të kombit nefit kur ishte vetëm 10 vjeç, sepse ai ishte një “fëmijë i matur” dhe “i shpejtë për të vënë re”21. Dhe ishte Mormoni që, në moshën 15 vjeçare, u “vizit[ua] nga Zoti” dhe “njoh[u] mirësinë e Jezusit” sepse ai ishte “i matur në mendime”22.

Kështu, ndërsa futemi në fazat finale kulmore të luftës kundra Satanit, jini të matur, miqtë e mi të rinj. Kuptojeni që ju nuk mund të përdorni droga, alkool apo duhan. Ju nuk mund të merrni pjesë në pornografi apo në veprimtari të tjera imorale. Ju nuk mund të gënjeni, të mashtroni apo të vidhni. Ju nuk mund të përdorni një gjuhë të shtirur, poshtëruese apo të ndyrë. Ju nuk mund të shtrembëroni trupin tuaj me tatuazhe dhe shpime të tjera. Ju nuk mund t’i bëni këto gjëra dhe të jeni fitimtarë në betejën për shpirtin tuaj, pa le luftëtarë të guximshëm në betejën e madhe për shpirtrat e gjithë pjesës tjetër të fëmijëve të Atit tonë23.

Kuptojeni, miqtë e mi të rinj, se ka vetëm një mënyrë për të fituar luftën kundër Satanit dhe kjo është ta fitosh në po atë mënyrë si u fitua në fillim. Kur fitorja u arrit më në fund në Luftën në Qiell, një zë i fortë u dëgjua të shpallte:

“Tani ka ardhur shpëtimi, dhe forca dhe mbretëria e Perëndisë tonë, dhe fuqia e Krishtit të tij; …

Sepse ata [është fjala për Mikaelin dhe engjëjt e tij] e kanë mposhtur atë [është fjala për djallin] me anë të gjakut të Qengjit, dhe me anë të fjalës së dëshmisë së tyre, sepse ata nuk i deshën jetët e tyre, por e ruajtën dëshminë madje deri në vdekje.”24 Mos e humbisni domethënien e kësaj deklarate. Satani u mposht në fillim me anë (1) të besimit në Zotin Jezu Krisht dhe në sakrificën e Tij shlyese, (2) të dëshmisë për Të, që u ruajt e palëkundur deri në fund fare, dhe (3) të përkushtimit ndaj Zotit dhe veprës së Tij. Nëse ky ishte mjeti për ta mposhtur atë në fillim, mund të jeni të sigurt se kjo është një mënyrë e sigurt për ta mposhtur atë tani25.

Tani, ju mund të vrisni mendjen si ta fitoni besimin, dëshminë dhe kushtimin e shpirtit, të nevojshme për të mposhtur kundërshtarin. Më lejoni t’ju siguroj se këto cilësi janë tashmë brenda jush. Ju thjesht keni nevojë t’i rigjeni ato. Me këtë qëllim, më lejoni të bëj tre sugjerime.

Së pari, bëni ashtu si i riu Jozef Smith. Gjeni një vend të qetë dhe lutjuni Atit tuaj në Qiell.26 Bëjeni këtë rregullisht dhe me zell. Lutja është një parakusht për zbulesë. Sa më e rregullt dhe e zellshme lutja, aq më e shpeshtë është zbulesa. Kur merret, zbulesa siguron provën ose sigurimin për gjërat që nuk shihen, që është themeli i besimit. 27

Së dyti, mësoni të dëgjoni zërin e Zotit. Ai është një zë i qetë, i vogël dhe si një pëshpërimë. 28 Është një zë që më tepër ndihet sesa dëgjohet. Ai vjen në formën e mendimeve, ndjenjave dhe përshtypjeve. Që ta dëgjoni një zë të tillë, ju duhet të jeni të qetë e pa zhurmë në vetë shpirtin tuaj, duke lenë mënjanë qeshjen dhe mendjelehtësinë e tepërt.29 Ndërsa mund të duket si jo e lehtë që ta disiplinoni kështu jetën tuaj, dëgjimi i zërit të çmuar e të dashur të Zotit do t’ju mbështesë në çdo rrethanë dhe si rrjedhim ia vlen çdo përpjekje.

Së treti, bindjuni fjalës së Zotit ashtu si ju jepet juve. Fjala e Tij jo vetëm do të dojë dhe ngushëllojë, por pa ndryshim do të udhëzojë e korrigjojë. Bëni ashtu si Ai ju urdhëron të bëni, pavarësisht sa e vështirë mund t’ju duket, dhe bëjeni atë tani. Është nga kryerja e vullnetit të Zotit që dija për Të dhe dashuria për Të rrjedhin në shpirtin tuaj, gjë që ju udhëheq të jeni gjithmonë e më të gatshëm për të braktisur jetën tuaj e për ta ndjekur Atë.30

Vëllezër të mi të dashur të Priftërisë Aarone, këto janë ditët tuaja! Mos i çoni dëm ato! Jini të matur! Merrni “mburojën e besimit, me të cilën … [do të] mund të shuani të gjitha shigjetat e zjarrta të të ligut”31. Pastaj “lufto luftën e drejtë të besimit”32. Dhe kur t’i keni bërë të gjitha, “qëndro[ni]”33 pa lëvizur dhe shihni “çlirimi do të vijë nga Zoti”34. Unë ju siguroj se shpëtimi i Tij do të vijë, duke ju shpëtuar ju dhe tuajët nga çdo e ligë. Kështu dëshmoj unë, në emrin e Zotit Jezu Krisht, amen.

Shënime

  1. Shih 1 Nefi 14:10, 13 (“Nuk ka veçse dy kisha; njëra është kisha e Qengjit të Perëndisë dhe tjetra është kisha e djallit… që … mblodhi së bashku turmat mbi faqen e të gjithë tokës … për të luftuar kundër Qengjit të Perëndisë”).

  2. Zbulesa 12:7–9.

  3. Shih DeB 29:36.

  4. Zbulesa 12:9.

  5. Zbulesa 12:12.

  6. Shih Moisiu 7:29, 36–37.

  7. Shih Mateu 21:33–44.

  8. Shih DeB 88:110; Moisiu 7:64.

  9. Shih Bruce R. McConki, “The Caravan Moves On,” Ensign, nëntor 1984, f. 82.

  10. Shih Danieli 2:44–45; DeB 38:9–15; 82:24.

  11. Shih Joseph Smith—Historia 1:17–19 (shfaqja e Atit dhe e Birit, Jozef Smithit ishte e para shfaqje e tillë tek njeriu qysh prej Kopshtit të Edenit); 1:30–49 (Moroni); DeB 27:7–8, 12–13 (Gjon Pagëzori, Pjetri, Jakobi dhe Gjoni); 110:11–16 (Moisiu, Eliasi dhe Elija); 128:19–21 (“të engjëjve të ndryshëm, nga Mikaeli ose Adami deri në kohën e pranishme”).

  12. Alma 13:3.

  13. Shih DeB 101:55; 105:16.

  14. Zbulesa 12:12.

  15. Mosia 27:13.

  16. Zbulesa 12:17.

  17. 2 Timoteut 3:1.

  18. Boyd K. Packer, “The One Pure Defense,” (bisedë me mësuesit fetarë të SAK-ut, 6 shkurt 2004), f. 4.

  19. Alma këshilloi secilin nga bijtë e tij – Helamanin, Shiblonin dhe Koriantonin – të “jenë të matur” (shih Alma 37:47; 38:15; 42:31). Pali gjithashtu i këshilloi të rinjtë të jenë “të matur” (Titit 2:6). Veç kësaj, Pali këshilloi të tjerët të jenë të matur, veçanërisht peshkopët (shih Romakëve 12:3; 1 Thesalonikave 5:6, 8; 1 Timoteut 3:2, 11; Titit 1:8; 2:2, 4, 12).

  20. Shih Alma 53:20–21.

  21. Mormoni 1:2.

  22. Mormoni 1:15.

  23. Shih Gordon B. Hincley, “An Unending Conflict, a Victory Assured,” Liahona, qershor 2007, f. 2–7.

  24. Shih Përkthimi i Joseph Smith-it, Zbulesa, 12:9, 11.

  25. Shih DeB 76:53 (ata që trashëgojnë mbretërinë çelestiale “kanë sukses nëpërmjet besimit”); 1 Gjoni 5:4–5 (“kjo është fitorja që e mundi botën: besimi ynë,” dhe “ai që mund botën” është “ai që beson se Jezusi është Biri i Perëndisë”).

  26. Shih Joseph Smith—Historia 1:11–15.

  27. Shih Hebrenjve 11:1; Alma 32:21; Ethëri 12:6.

  28. Zëri i Shpirtit përshkruhet si një zë i ulët, i qetë, me butësi të përkryer, si të ishte një pëshpërimë. Shih 1 Mbretërve 19:12; Helamani 5:30; DeB 85:6.

  29. Shih DeB 88:69, 121.

  30. Shih Mateu 16:24–25; Gjoni 7:17.

  31. Efesianëve 6:16.

  32. 1 Timoteut 6:12.

  33. Shih Malakia 3:2. “kush mund të qëndrojë? (Zbulesa 6:17). Ata që kanë marrë “të gjithë armatimin e Perëndisë” dhe kanë “kryer çdo gjë” (Efesianëve 6:13).

  34. Eksodi 14:13.