2008
Prova
Nëntor 2008


Prova

As turma dhe as ushtria nuk mund t’i largonin shenjtorët nga ajo që e dinin se ishte e vërtetë.

Pamja
Boyd K. Packer

Qëllimi im është që të tregoj se në kohë të vështira Zoti gjithmonë ka përgatitur një udhë të sigurt përpara. Ne jetojmë në ato “kohë të vështira” për të cilat Apostulli Pal profetizoi se do të vinin në ditët e fundit1. Nëse ne duam të jemi të sigurt individualisht, si familje dhe të siguruar si kishë, kjo do të jetë nëpërmjet “bindjes ndaj ligjeve dhe ordinancave të Ungjillit”2.

Më 24 korrik 1849 mbusheshin plot dy vjet që shenjtorët ishin në luginë. Më në fund ata ishin të lirë nga vitet e grumbullimit të turmave dhe përndjekjes. Kjo kërkonte një festim të madh.

Vetëm disa vite më parë, në kushte të lemerishme, Profeti Jozef Smith kishte vuajtur me muaj në burgun Liberti ndërsa turmat i përzinin shenjtorët nga shtëpitë e tyre. Fjalët liri dhe burg nuk shkojnë mirë me njëra-tjetrën.

Jozefi thirri:

“O Perëndi, ku je ti? Dhe ku është tenda që mbulon vendin tënd të fshehjes?

Për sa kohë do të frenohet dora jote dhe syri yt, po syri yt i pastër, do të shohë nga qiejt e përjetshëm gabimet e popullit tënd e të shërbëtorëve të tu dhe veshi yt të përshkohet nga thirrjet e tyre?”3

Profeti Jozef Smith kishte kërkuar më herët drejtim dhe Zoti u tha shenjtorëve të kërkonin korrigjim nga gjykatësit, guvernatori dhe pastaj presidenti4.

Apelimi i tyre tek gjykatësit dështoi. Gjatë jetës së tij, Jozef Smithin e thirrën në gjyq mbi 200 herë me të gjitha llojet e akuzave të sajuara. Atë nuk e shpallën kurrë fajtor.

Kur ata kërkuan korrigjim nga guvernatori Bogs i Misurit, ai lëshoi një proklamatë: “Mormonët duhet të trajtohen si armiq dhe duhet të shfarosen, ose të përzihen nga shteti, nëse është e nevojshme për të mirën publike.”5 Kjo ndërseu brutalitet dhe ligësi të paimagjinueshme.

Ata apeluan tek Presidenti Martin Van Buren i Shteteve të Bashkuara, i cili u tha: “Kauza juaj është e drejtë, por unë nuk mund të bëj asgjë për ju.”6

Do të lexoj paragrafët e fundit të peticionit të tyre të tretë drejtuar Kongresit të Shteteve të Bashkuara:

“Vuajtjet e hartuesve të këtij peticioni kanë qenë tashmë dërrmuese, tepër të mëdha për njerëzimin, tepër të mëdha për qytetarët amerikanë, që t’i durojnë pa u ankuar. Ne kemi vuajtur nën dorën e hekurt të tiranisë dhe shtypjes gjithë këto vite. Na është grabitur prona jonë në vlerën prej dy milionë dollarësh. Na kanë gjuajtur si bisha të egra të pyllit. Kemi parë etërit tanë të moshuar, që luftuan në Revolucion, dhe po ashtu fëmijët tanë të pafajshëm, të masakroheshin nga përndjekësit tanë. Kemi parë bijat e drejta të qytetarëve amerikanë të fyhen dhe të abuzohen në mënyrën më çnjerëzore, dhe së fundi, kemi parë pesëmbëdhjetë mijë shpirtra, burra, gra dhe fëmijë, t’i përzinin me forcën e armëve, nëpër ashpërsinë e dimrit, nga shtëpitë e vatrat e tyre të shenjta, drejt një toke të huajsh, pa një dyshkë dhe të pambrojtur. Në gjithë këto rrethana vuajtjesh, ne me përgjërim i zgjatim duart drejt këshillave më të lartë të kombit tonë dhe me përulje u bëjmë apel Senatorëve dhe Përfaqësuesve të shkëlqyer të një populli të mrekullueshëm e të lirë, për korrigjim dhe mbrojtje.

Dëgjoni! O, dëgjoni zërin lutës të mijëra qytetarëve amerikanë që tani vuajnë në mërgim … ! Dëgjoni! O, dëgjoni të qarat dhe vajtimet e hidhura të të vejave dhe jetimëve, bashkëshortët dhe etërit e të cilëve janë martirizuar mizorisht në tokën ku shqiponja krenare … fluturon! Mos lejoni të regjistrohet në arkivat e kombit që … mërgimtarët kërkuan mbrojtje dhe korrigjim nga duart tuaja, por i kërkuan më kot. Është nën fuqinë tuaj të na shpëtoni ne, bashkëshortet tona dhe fëmijët tanë, nga një përsëritje e skenave gjakatare të Misurit, dhe të lehtësoni kështu fort frikën e një populli të përndjekur e të fyer, dhe hartuesit e peticionit tuaj do të luten gjithmonë.”7

Nuk pati mëshirë dhe i kthyen pa rezultat.

Në 1844, ndërsa qenë nën mbrojtjen e deklaruar të Guvernatorit Tomas Ford të Ilinoisit, Profetin Jozef Smith dhe vëllanë e tij, Hajrëm, i qëlluan për vdekje në burgun Kartheixh. Fjalët nuk mund të shprehin brutalitetin dhe vuajtjet që kanë duruar shenjtorët.

Tani, në këtë 24 korrik të 1849s, të lirë të paktën nga turmat, ata planifikuan të festojnë8.

Gjithçka zotëronin shenjtorët kishte ardhur përmes 1.600 kilometrash shkretëtire me karroca dore ose karro të mbuluara. Do të duheshin më tepër se 20 vjet përpara se hekurudha të mbërrinte aq larg sa Solt Lejk Siti. Duke mos pasur asgjë që mund ta shfrytëzonin, ata vendosën që festimi të ishte një shprehje e shkëlqyer e ndjenjave të tyre.

Ata ndërtuan një tendë me degë pemësh në Sheshin e Tempullit. Ata ngritën një shtizë flamuri 32 metra të lartë. Ata përgatitën një flamur kombëtar gjigand, 20 metra të gjatë dhe e shpalosën në majë të kësaj shtylle lirie.

Mund të duket e çuditshme, e habitshme gati përtej besimit, që si temë për këtë festë të parë ata zgjodhën patriotizmin dhe besnikërinë ndaj po asaj qeverie që i kishte flakur dhe nuk i kishte ndihmuar. Çfarë mund të kenë menduar ata? Nëse ju e kuptoni arsyen, ju do të kuptoni fuqinë e mësimeve të Krishtit.

Banda e tyre e veglave frymore luajti muzikë ndërsa Presidenti Brigam Jang udhëhoqi një procesion të madh për në Sheshin e Tempullit. Ai pasohej nga të Dymbëdhjetë Apostujt dhe të Shtatëdhjetët.

Pastaj vijonin 24 të rinj të veshur me pantallona të bardha, xhaketa të zeza, me shalle të bardhë në supin e tyre të djathtë, me kurora në kokë dhe me një shpatë në këllëf në anën e tyre të majtë. Në dorën e tyre të djathtë, të të gjitha gjërave, secili mbante një kopje të Deklaratës së Pavarësisë dhe Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara. Deklarata e Pavarësisë u lexua nga një prej atyre të rinjve.

Pastaj vinin 24 të reja të veshura me të bardha, me shalle blu në supin e tyre të djathtë dhe me trëndafila të bardhë në kokë. Secila mbante një Bibël dhe një Libër të Mormonit.

Pothuajse po aq e çuditshme sa dhe zgjedhja e patriotizmit si temë ishte ajo që erdhi më pas: 24 etër të moshuar (siç i quanin ata) të udhëhequr nga patriarku Isak Morli. Ata njiheshin si Gri Argjendët [prej ngjyrës së flokëve] – të gjithë 60 vjeç e sipër. Secili mbante një stap të lyer në të kuq me një shirit të bardhë që valëvitej në majë. Njëri mbante flamurin me yje e shirita. Këta burra ishin një simbol i priftërisë, që ka qenë që “nga fillimi, përpara se bota të ishte”9 dhe që ishte rivendosur në këtë periudhë ungjillore.

Shenjtorët e dinin që Zoti u kishte thënë të ishin “[të nënshtruar] ndaj mbretërve, presidentëve, sunduesve dhe gjyqtarëve, në bindjen, nderimin dhe mbështetjen e ligjeve”10. Ai urdhërim, i zbuluar atëherë, është i vërtetë tani për anëtarët tanë në çdo komb. Ne duhet të jemi qytetarë të denjë, që u bindemi ligjeve.

Zoti u tha atyre: “E kam themeluar Kushtetutën e kësaj toke, prej duarve të njerëzve të urtë, të cilët i ngrita pikërisht për këtë qëllim.”11

Dhe në një varg tjetër, Zoti u kishte thënë se “nuk është e drejtë që ndonjë njeri të jetë nën skllavërinë e një tjetri”12. Ata, si rrjedhim, ishin kundër skllavërisë. Kjo qe një pikë që i shkelte në një kallo shumë të dhimbshme kolonët në Misuri.

Dhe kështu, në atë ditë festimi në 1849, “Plaku Fineas Riçards doli përpara në emrin e njëzet e katër etërve dhe lexoi fjalimin e tyre besnik e patriotik.”13 Ai foli për nevojën e tyre që t’u mësonin patriotizmin fëmijëve të tyre dhe që të donin e nderonin lirinë. Pasi i renditi shkurt rreziqet përmes të cilave kishin kaluar, ai tha:

“Vëllezër dhe miq, ne që kemi jetuar pesë duzina vitesh, kemi parë qeverinë e Shteteve të Bashkuara në lavdinë e saj dhe e dimë se mizoritë e egra që kemi vuajtur rrodhën nga një administratë e korruptuar dhe e degjeneruar, ndërkohë që parimet e pastra të Kushtetutës sonë të famshme mbeten të pandryshuara. …

… Ashtu si e kemi trashëguar shpirtin e lirisë dhe zjarrin e patriotizmit nga etërit tanë, le t’i lejojmë ata të kalojnë [të pandryshuar] tek pasardhësit tanë.”14

Dikush do të mendonte që, të shtyrë nga forca e natyrës njerëzore, shenjtorët do të kërkonin shpagim, por mbizotëroi diçka shumë më e fuqishme se natyra njerëzore.

Apostulli Pal shpjegoi:

“Dhe njeriu natyror nuk i rrok gjërat që janë të Frymës së Shenjtë; sepse për të janë marrëzi dhe nuk mund t’i njohë; sepse ato gjykohen frymërisht. …

… Ne kemi mendjen e Krishtit.”15

Shpirti i karakterizoi ata anëtarë të hershëm të Krishtit si pasues të Krishtit.

Nëse ju mund të kuptoni një popull kaq të shumëvuajtur, kaq tolerant, kaq zemërbutë, kaq të krishterë pas asaj që kishin vuajtur, ju do të keni zbuluar se çfarë është një shenjtor i ditëve të mëvonshme. Në vend që të digjeshin për shpagim, ata u mbërthyen tek zbulesa. Drejtimi i tyre u vendos nga mësimet që gjenden edhe sot në Dhiatën e Vjetër dhe të Re, Librin e Mormonit, Doktrina e Besëlidhjen dhe Perlën me Vlerë të Madhe.

Nëse ju mund të kuptoni se përse ata do të festonin ashtu si festuan, ju mund të kuptoni se përse ne kemi besim në Zotin Jezu Krisht, në parimet e ungjillit.

Libri i Mormonit na mëson: “Dhe, ne flasim për Krishtin, ne gëzohemi në Krishtin, ne predikojmë për Krishtin, ne profetizojmë mbi Krishtin dhe shkruajmë sipas profecive tona, që fëmijët tanë të mund të dinë se cilit burim t’i drejtohen për heqjen e mëkateve të tyre.”16

Dhe kështu sot, në këto kohë të rrezikshme në mënyrë të pazakontë, në Kishën e vërtetë të Jezu Krishtit17 ne japim mësim dhe jetojmë parimet e ungjillit të Tij.

Tre gjëra në ato festime të 1849-ës qenë edhe simbolike edhe profetike: E para, që të rinjtë mbajtën Kushtetutën dhe Deklaratën e Pavarësisë; tjetra, që çdo e re mbajti Biblën dhe Librin e Mormonit; dhe së fundi, që të moshuarit – Gri Argjendët – u nderuan në paradë.

Pas programit ata bënë një gosti me tavolina të improvizuara. Disa qindra udhëtarë të etheve të arit dhe 60 indianë u ftuan të bashkoheshin me ta.

Pastaj ata iu kthyen punës.

Presidenti Jang ka thënë: “Nëse populli i Shteteve të Bashkuara do të na lërë rehat për dhjetë vjet, ne nuk do të kërkojmë përfitime të veçanta prej tij.”18

Tamam tetë vjet pas festimeve të vitit 1849, shenjtorët kishin shkuar tek Big Kotonud Kenion për të festuar një tjetër 24 korrik. Katër kalorës erdhën në kalërim për të raportuar se një ushtri prej 2.500 ushtarësh qe në rrafshinë. Ushtria e Shteteve të Bashkuara, e komanduar nga Koloneli Albert Sidni Xhonston, kishte marrë urdhër nga Presidenti Xheims Bukanan, të shtypte një rebelim mormon që nuk ekzistonte.

Shenjtorët i dhanë fund festimeve dhe u drejtuan në shtëpi për të përgatitur mbrojtjen e tyre. Në vend që të merrnin arratinë, këtë herë Presidenti Jang deklaroi: “Ne nuk kemi shkelur ndonjë ligj dhe nuk kemi arsye ta bëjmë këtë, dhe as e kemi ndërmend; por nëse ndonjë komb do të përpiqet të vijë këtu për ta shkatërruar këtë popull, Perëndia i Plotfuqishëm më ndihmoftë, ata nuk mund të mbërrijnë këtu.”19

Stërgjyshërit e mi varrosën një fëmijë gjatë rrugës nga Far Uesti, kur i përzunë drejt Navusë dhe një tjetër në Uinter Kuorters, kur i përzunë drejt perëndimit.

Një tjetër stërgjyshe, adoleshente, shtynte një karrocë dore përgjatë bregut jugor të Plejt Rivërit. Ata këndonin:

Vendin do t’gjejm’. Per’ndia na e dha sot

Fort larg në perëndim,

Atje askush s’na tremb e s’na nget dot’;

Shenjtor’t do ken’ bekim.20

Matanë lumit ata mund të shihnin diellin që pasqyrohej në armët e ushtarëve të ushtrisë21.

Në Seint Luis, stërgjyshja ime bleu një karficë të vogël, të emaluar të flamurit amerikan. Ajo e mbajti në veshjen e saj gjatë gjithë jetës.

As turma dhe as ushtria nuk mund t’i largonin shenjtorët nga ajo që e dinin se ishte e vërtetë. U diskutua një marrëveshje dhe Lufta e Jutas (që më vonë u quajt Gafa e Bukananit) mori fund.

Ne udhëhiqemi nga të njëjtat zbulesa dhe nga një profet. Kur vdiq Profeti Jozef Smith, një tjetër zuri vendin e tij. Rendi i pasimit vazhdon sot.

Gjashtë muaj të shkuar, në konferencën e përgjithshme, Tomas S. Monsoni u mbështet si Presidenti i 16-të i Kishës, vetëm pesë muaj përpara ditëlindjes së tij të 81-të. Ai pasoi Presidentin Gordon B. Hinkli, i cili vdiq në vitin e tij të 98-të.

Udhëheqësit më të lartë të Kishës gati gjithmonë do të fitojnë përvojë nga dekada përgatitjeje.

Presidenti Monson është i pajisur në mënyrë ideale për sfidat e kohës sonë. Ai mbështetet nga dy këshilltarë dhe Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve – të gjithë profetë, shikues dhe zbulues.

I njëjti Lucifer që u përzu nga prania e Atit, ende vepron. Ai, bashkë me engjëjt që e pasuan atë, do t’i sjellën shqetësime veprës së Zotit dhe do ta shkatërrojë atë nëse mundet.

Por ne do të vazhdojmë përpara. Ne do të mbërthehemi, si familje dhe si kishë, tek këto parime dhe ordinanca. Çfarëdo provash të ndodhen përpara, dhe ato do të jenë të shumta, ne duhet të mbetemi besnikë dhe të vërtetë.

Unë jap dëshmi për Perëndinë, Atin, dhe Birin e Tij Jezu Krisht, se Ata jetojnë, se Tomas S. Monsoni është thirrur nga Perëndia me anë të profecisë.

“Standardi i së vërtetës është ngritur; asnjë dorë e pashenjtëruar nuk mund ta ndalojë këtë vepër që të përparojë” (History of the Church, 4:540). Sot dielli nuk perëndon kurrë në bashkësitë e shenjtorëve të ditëve të mëvonshme. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Shih 2 Timoteut 3:1–7.

  2. Nenet e Besimit 1:3.

  3. DeB 121:1–2.

  4. Shih DeB 101:86–88.

  5. History of the Church, 3:175.

  6. Martin Van Buren, cituar në Eliza R. Snow Smith, Biography and Family Record of Lorenzo Snow (1884), f. 77.

  7. Cituar në Biography, f. 152–153.

  8. Shih Biography, f. 95–107.

  9. DeB 76:13.

  10. Nenet e Besimit 1:12.

  11. DeB 101:80.

  12. DeB 101:79.

  13. Biography, f. 100.

  14. Phineas Richards, në Biography, f. 102–104.

  15. 1 Korintasve 2:14, 16.

  16. 2 Nefi 25:26.

  17. Shih DeB 1:30.

  18. Brigham Young, “Remarks,” Deseret News, 23 shtator, 1857, f. 228.

  19. Deseret News, 23 shtator 1857, f. 228.

  20. “Eni Shenjtorë”, Himne dhe Këngë të Fëmijëve, f. 2, vargu 3.

  21. Shih “By Handcart to Utah: The Account of C. C. A. Christensen,” Nebraska History, dimër 1985, f. 342.