2008
Derisa të Takohemi Përsëri
Nëntor 2008


Derisa të Takohemi Përsëri

Qofshim qytetarë të mirë të kombeve ku jetojmë dhe fqinj të mirë në komunitetet tona, duke u shfaqur miqësi njerëzve të besimeve të tjera, po ashtu si atyre të besimit tonë.

Pamja
Thomas S. Monson

Vëllezër dhe motra, e di se ju jeni dakord me mua që kjo ka qenë një konferencë tepër frymëzuese. Ne e kemi ndierë Shpirtin e Zotit me bollëk të madh këto dy ditët e fundit, ndërkohë që zemrat tona u prekën dhe dëshmitë tona për këtë vepër hyjnore u forcuan. Jam i sigurt që përfaqësoj anëtarësinë e Kishës kudo, kur shpreh vlerësimin për vëllezërit dhe motrat që na folën. Mua më kujtohen fjalët e Moronit që gjenden tek Libri i Mormonit: “Dhe mbledhjet e tyre bëheshin nga kisha, sipas mënyrës së shfaqjes së Shpirtit dhe nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë; pasi, sikurse fuqia e Frymës së Shenjtë i bënte ata të predikonin ose të nxitnin, ose të luteshin, ose të kërkonin, ose të këndonin, madje, ashtu bëhej.”1

E mbajtshim mend për shumë kohë atë që kemi dëgjuar gjatë kësaj konference të përgjithshme. Mesazhet që u dhanë do të shtypen në numrat e muajit të ardhshëm të revistave Ensign dhe Liahona. Unë ju nxis t’i studioni ato dhe të meditoni mësimet e tyre.

Juve Vëllezër, që u liruat nga thirrja në këtë konferencë, ne ju shprehim vlerësimin tonë të thellë për vitet tuaja të shumta të shërbimit të përkushtuar. E gjithë anëtarësia e Kishës ka përfituar nga kontributet tuaja të panumërta.

Ju siguroj se Ati Qiellor i di sfidat që hasim sot në botë. Ai e do secilin prej nesh dhe do të na bekojë ndërsa përpiqemi të mbajmë urdhërimet e Tij e ta kërkojmë Atë nëpërmjet lutjes.

Ne jemi një kishë botërore, vëllezër e motra. Anëtarësia jonë gjendet në mbarë botën. Qofshim qytetarë të mirë të kombeve ku jetojmë dhe fqinj të mirë në komunitetet tona, duke u shfaqur miqësi njerëzve të besimeve të tjera, po ashtu si atyre të besimit tonë. Qofshim burra dhe gra me ndershmëri dhe integritet në çdo gjë që bëjmë.

Ka nga ata në mbarë botën që janë të uritur; dhe ka nga ata që janë të varfër. Duke punuar së bashku, ne mund ta lehtësojmë vuajtjen dhe të kujdesemi për ata në nevojë. Përveç shërbimit që jepni ndërsa kujdeseni për njëri-tjetrin, kontributet tuaja në fondet e Kishës, na mundësojnë të përgjigjemi thuajse menjëherë kur ndodhin katastrofa kudo në botë. Ne jemi gati gjithmonë ndër të parët në vendngjarje, për të dhënë çfarëdo ndihme që mundemi. Ne ju falënderojmë për bujarinë tuaj.

Ka vështirësi të tjera në jetën e disa njerëzve. Veçanërisht midis të rinjve, ka nga ata që janë përfshirë tragjikisht në gjëra të tilla si drogat, imoraliteti, bandat kriminale dhe gjithë problemet serioze që i shoqërojnë ato. Përveç kësaj, janë ata që janë të vetmuar, përfshirë të vejat e vejanët, që kanë mall për shoqërimin dhe interesimin e të tjerëve. Qofshim përherë të ndërgjegjshëm për nevojat e njerëzve rreth nesh dhe qofshim të gatshëm për të zgjatur një dorë ndihmëse dhe një zemër dashamirëse.

Vëllezër dhe Motra, sa të bekuar jemi që qiejt vërtet janë hapur, që Kisha e rivendosur e Jezu Krishtit është sot mbi tokë dhe që Kisha është themeluar mbi shkëmbin e zbulesës. Ne e dimë që zbulesa e vazhdueshme është vetë lëngu jetësor i ungjillit të Jezu Krishtit.

Shkofshim, secili prej nesh, të sigurt në shtëpitë tona. Jetofshim së bashku në paqe, harmoni dhe dashuri. U përpjekshim çdo ditë që të ndjekim shembullin e Shpëtimtarit.

Perëndia ju bekoftë, vëllezërit e motrat e mia. Ju falënderoj për lutjet tuaja në emrin tim dhe në emrin e gjithë Autoriteteve të Përgjithshme. Ne jemi thellësisht mirënjohës për ju.

Në një nga pjesët teatrale të Kristofer Marlouit, Historia Tragjike e Dr. Faustit, portretizohet një individ, Dr. Fausti, që zgjodhi të mos pranonte Perëndinë dhe të ndiqte udhën e Satanit. Në përfundim të jetës së tij të ligë dhe duke u përballur me zhgënjimin e mundësive të humbura dhe dënimin që sigurisht do të vinte, ai vajtoi: “[Ka] vuajtje më përcëlluese se zjarri [flakërues] – dëbimi i përjetshëm nga Perëndia.”2

Vëllezërit dhe motrat e mia, ashtu si dëbimi i përjetshëm nga Perëndia mund të jetë vuajtja më përcëlluese, po ashtu jeta në prani të Perëndisë është qëllimi ynë më i çmuar.

Me gjithë zemrën dhe shpirtin tim, unë lutem që ne të mund të vazhdojmë të këmbëngulim në kërkim të këtij çmimi tepër të çmuar.

Unë ju jap dëshmi se kjo vepër është e vërtetë, se Shpëtimtari ynë jeton dhe se Ai udhëheq dhe drejton Kishën e Tij këtu mbi tokë. Ju jap lamtumirën, vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, derisa të takohemi përsëri pas gjashtë muajsh. Në emrin e Jezusit të Nazaretit, Shpëtimtarit tonë, Shëlbuesit tonë, të cilit i shërbejmë, amen.

Shënime

  1. Moroni 6:9.

  2. Shih “Deviled Marlowe,” Time, 16 tetor 1964, f. 77.