2012
Një Thirrje për një të Kthyer në Besim
Prill 2012


Një Thirrje për një të Kthyer në Besim

Unë isha një e kthyer e re në besim dhe nuk kisha aftësi për të luajtur piano. Por, sa mirënjohëse jam për thirrjen time si shoqëruese e degës në piano, që më ndryshoi jetën.

Pak pasi u pagëzova në moshën 10-vjeçare në Lapenranta të Finlandës, unë mora thirrjen time të parë në Kishë. Ishte viti 1960 dhe dega jonë e vogël kishte nevojë dëshpërimisht për dikë që të shoqëronte [në piano] himnet për mbledhjet e sakramentit. M’u kërkua që ta përmbushja këtë detyrë.

Ndërkohë që mamaja ime gjithmonë na ka nxitur vëllanë tim dhe mua që të ushtronim talente artistike, unë nuk dija të luaja në piano, ne nuk kishim një piano. Por unë doja ta përmbushja thirrjen time, kështu që bëmë një plan.

Në mbrëmjen familjare, ne folëm rreth asaj se çfarë do të thoshte kjo thirrje për të gjithë ne. Megjithatë, për shkak se mamaja ime ishte e ve me dy fëmijë të vegjël, ne e dinim se do të ishte një sfidë e madhe për ne që të blinim një piano dhe të paguanim për mësimet. Ne vendosëm se do të ishim të gatshëm për të bërë sakrificat e nevojshme.

Sakrifica e parë që familja ime bëri, ishte financiare. Ne vendosëm që nga pranvera në vjeshtë ne do të ngisnim biçikletat në vend që të merrnim autobusin. Vëllai im, Marti, ishte i guximshëm dhe u bë i zoti veçanërisht në ngarjen e biçikletës – madje edhe në borë e akull. Unë hoqa dorë nga blerja e disa rrobave dhe mësova të qep. Ne gjithashtu mësuam të jetojmë me kursime për të ruajtur për të ardhmen. Ne krijuam një kopsht në fshat, afër shtëpisë së gjyshërve të mi dhe ruajtëm ushqim për dimër. “Pushimet” tona u bënë udhëtimet e mamasë në tempullin në Zvicër ose piknikët dhe ngritja e kampeve afër shtëpisë.

Sakrifica e dytë që familja ime bëri, ishte me kohën. Ne i ndamë punët dhe i riprogramuam aktivitetet tona të tjera e detyrat e shtëpisë, kështu që të kisha kohë mjaftueshëm për të praktikuar pianon. Për shkak të sakrificës tonë dhe punës së vështirë, Mamaja shpesh u shpreh se ne nuk kishim kohë të lirë për t’u marrë me telashet sikurse të tjerët në moshën tonë. Në të vërtetë, thirrja ime u bë një thirrje e familjes shumë kohë përpara se të luaja ndonjë notë.

Unë fillova të merrja mësime me një mësues muzike në shkollën vendore. Unë u ushtrova duke përdorur një tastierë prej letre dhe pianon në kishë. Kur mësuesi im i pianos u largua, ne e blemë pianon e tij dhe unë u pranova për të studiuar me një mësuese të njohur pianoje në zonë.

Unë i mësova himnet në mënyrë të pavarur dhe u ushtrova shumë me drejtuesin e muzikës së degës. Të gjithë më nxisnin – edhe nëse luhej një notë jo e saktë. Mësuesja ime u mahnit pasi zbuloi se unë luaja përballë njerëzve përpara se të kisha mësuar dhe mbajtur mend plotësisht pjesët. Por të luajturit me një dorë ishte më mirë se sa mos të kishte muzikë fare.

I hipja biçikletës për të marrë mësimet e mia dhe, kur dimri afroi, u përpoqa të ecja ose nëse ishte e mundur të bëja ski. Të dielave ecja vetëm për në mbledhjet e Kishës në mënyrë që të arrija një orë përpara dhe të kisha kohë për t’u ushtruar. Unë vendosa që të shkoja me autobus vetëm kur temperaturat arrinin poshtë -15°C (5°F). Shiu dhe bora në të vërtetë nuk më bezdisnin; koha kalonte më shpejt ndërsa ecja, sepse kisha kaq shumë himne të mrekullueshme që më bënin shoqëri. Ndërsa ecja, kaloja fushat me pionierët (shih “Eni Shenjtorë” Himne dhe Këngë të Fëmijëve, f. 2), ecja lart në majën e malit në Sion (shih “Lart në Majën e Malit”, Himne dhe Këngë të Fëmijëve, f. 30) dhe qëndroja me të rinjtë të cilët nuk do të ligështoheshin kurrë (shih “True to the Faith” [“Të Vërtetë ndaj Besimit”] Hymns, nr. 254). Unë nuk do të rreshtja kurrë së qeni e fortë me atë mbështetje – edhe pse unë dhe familja ime ishim të vetmit shenjtorë të ditëve të mëvonshme në komunitetin tonë në Finlandën lindore, afër kufirit rus.

Përgjatë viteve unë u përmirësova shumë në luajtjen e pianos dhe mund të bëja muzikë në vend që thjesht të luaja notat e duhura. Unë mësova ta përzgjidhja muzikën me lutje në mënyrë që Shpirti të ishte në mbledhje. Dhe më e rëndësishme, dëshmia ime për ungjillin erdhi tek unë nëpërmjet muzikës. Unë mund t’i kujtoja me lehtësi ndjenjat, fjalët dhe mesazhet e himneve nëse ndonjëherë kisha ndonjë dyshim. Unë e dija se parimet dhe ordinancat e ungjillit ishin të vërteta, duke i mësuar ato rresht pas rreshti dhe notë pas note.

Më kujtohet një ditë e veçantë, kur u vu në provë zotimi im ndaj atyre parimeve. Isha 14-vjeçe; e kisha pasion notin dhe ëndërroja të notoja në Lojërat Olimpike. Nuk konkurroja të dielave, por përsëri ecja përpara. Së fundi, kur Lojërat Olimpike në Meksiko-Siti u afruan, një trajnier më ftoi të merrja pjesë në trajnime të veçanta.

Trajnimi, megjithatë, ishte çdo të diel në mëngjes gjatë Shkollës të së Dielës. Unë arsyetova duke menduar se unë mund të shkoja për t’u ushtruar dhe të humbisja orën e Shkollës të së Dielës, sepse mund të kthehesha përsëri në kishë në kohë për mbledhjen e sakramentit në mbrëmje. Unë kurseva para për biletën e autobusit dhe planifikova gjithçka. Të shtunën para trajnimit të parë, i tregova planin nënës sime.

Unë pashë trishtim dhe zhgënjim në sytë e saj, por përgjigjja e saj e vetme qe se vendimi ishte i imi dhe se më ishte mësuar se çfarë ishte e drejtë. Atë natë nuk më hiqeshin nga mendja fjalët e “Choose the Right” [“Zgjidh të Drejtën”] (Hymns, nr. 239). Fjalët më përsëriteshin në mendje si një disk i prishur.

Të dielën në mëngjes, unë kisha çantën e notit në njërin krah dhe çantën e muzikës në krahun tjetër, duke shpresuar që ta bëja mamanë të besonte se po shkoja në kishë. Unë shkova jashtë deri te stacioni i autobusit. Ndodhi që stacioni i autobusit që shkonte për te ndërtesa publike e notit ishte në krahun tim të rrugës dhe tjetri që shkonte për në kishë ishte në krahun e kundërt. Ndërkohë që prita, nisa të pezmatohesha. Në mendjen time vazhdoja të dëgjoja muzikën “Have I Done Any Good?” [“A Kam Bërë Ndonjë të Mirë?”] Hymns, nr. 223) – himni i planifikuar për Shkollën e së Dielës atë ditë. Unë e dija nga përvoja se, me ritmin e vështirë, tekstin e ndërlikuar dhe notat e larta, ky himn do të ishte një katastrofë pa shoqërues të fortë.

Ndërsa po mendohesha për zgjedhjet e mia, të dy autobusët u afruan. Autobusi që të çonte te ndërtesa publike e notit ndali për mua dhe shoferi i autobusit që të çonte për në kishë ndali dhe pa drejt meje, me mëdyshje sepse e dinte që unë gjithmonë merrja autobusin e tij. Ne të gjithë i ngulëm sytë te njëri-tjetri për pak sekonda. Çfarë isha duke pritur? Unë kisha zgjedhur Zotin (shih “Who’s on the Lord’s Side?” [“Kush është në Anën e Zotit?”] Hymns, nr. 260). Unë kisha premtuar të shkoja ku Ai donte që unë të shkoja (shih “Do të Shkoj ku Ti Do që të Shkoj”, Himne dhe Këngë të Fëmijëve, f. 46). Vendimi im për të mbajtur urdhërimet ishte marrë kohë më parë (shih “Keep the Commandments” [“Mbani Urdhërimet”], Hymns, nr. 303).

Përpara se mënyra ime e të menduarit të mund të drejtohej nga dëshirat e mia, trupi im mori pushtetin. Unë vrapova matanë rrugës dhe ia bëra me dorë shoferit të autobusit. Pagova biletën dhe shkova në pjesën e prapme të autobusit të drejtuar për në kishë dhe u duk sikur ëndrra ime për të qenë një notuese e suksesshme u largua në drejtim të kundërt.

Gjithkush mendoi se qava atë ditë sepse ndieva Shpirtin. Por me të vërtetë qava, sepse kuptova se ëndrra ime e fëmijërisë nuk do të bëhej realitet dhe sepse më erdhi turp se kisha menduar të argëtohesha me idenë e të notuarit në ditën e Shabatit. Por atë të diel, sikurse ato para dhe pas, unë e përmbusha thirrjen time.

Në kohën që unë isha gati të shkoja në universitet, unë kisha trajnuar shumë anëtarë të degës për të drejtuar muzikën dhe për t’i rënë pianos. Në universitet unë vazhdova të luaja në piano dhe të merrja mësime organoje. Mendova se mundësia ime për të shkuar në Amerikën Latine ishte zhdukur përgjithmonë kur hoqa dorë nga konkursi i notit por, pasi përfundova studimet e mia pasuniversitare në Universitetin “Brigam Jang”, unë shërbeva në një mision në Kolumbi. Gjatë misionit tim, unë dhashë mësime pianoje. Unë dëshiroja t’i lija ata shenjtorë me dhuratën e muzikës. Fëmijë dhe të rinj nga Kolumbia ecnin me kilometra në diellin e nxehtë që të kishin mundësinë për të mësuar të luanin në piano. Ata gjithashtu filluan me njërën dorë derisa përparuan për të luajtur me të dyja duart. Dhe ata bënë më shumë sakrifica seç bëra unë në përpjekjet e tyre për të mësuar për të luajtur në piano.

Kanë kaluar më shumë se 50 vjet që kur u pagëzova. Unë kam udhëtuar jashtëzakonisht larg nga shtëpia ime në Finlandë, por pavarësisht se ku kam shkuar, gjithmonë ka qenë nevoja për dikë që të luajë himnet [në piano]. Gjuha e përbotshme e muzikës ka krijuar lidhje mirëkuptimi dhe dashurie në shumë vende.

Tani duart e mia janë të ngadalta dhe të gjymta. Shumë muzikantë më të aftë kanë zënë vendin tim. Mamaja ime shpesh ndihet e trishtuar kur sheh prapa në vitet e mia të para në Kishë dhe sakrificat që kam bërë, kilometrat që kam ecur dhe gjërat që kam sakrifikuar. Ajo ka frikë se i ftohti ndikoi në gjymtimin tim. Megjithatë, unë ndiej gëzim nga shenjat e dukshme të sakrificave të mia. Unë ia kushtova muzikës gjithë gëzimet dhe hidhërimet e mia. Unë mësova të qesh dhe qaj duke përdorur gishtat e mi.

Zemra ime ndien mirënjohje të madhe kur mendoj se Ati Qiellor dhe udhëheqësit e mi u kujdesën mjaftueshëm për t’i kërkuar një vajze të vogël që të përmbushë një detyrë të tillë sfiduese. Ajo thirrje më ndihmoi të fitoj një kuptueshmëri të sigurt të ungjillit dhe më lejoi t’i ndihmoj të tjerët që të ndiejnë Shpirtin përmes muzikës. Unë jam një dëshmi e gjallë se të sapokthyerit në besim kanë nevojë për një thirrje – madje edhe vajzat e vogla pa asnjë aftësi në piano. Nëpërmjet thirrjes time, kam zbuluar se me Perëndinë asgjë s’është e pamundshme dhe se Ai ka një plan dhe qëllim për secilin nga fëmijët e Tij. Dhe nëpërmjet muzikës, unë fitova një dëshmi të palëkundur për ungjillin e rivendosur të Jezu Krishtit.

Ilustrime nga Mike Malm