2012
Të Gjithë e Njohin Bllekun
Prill 2012


Të Gjithë e Njohin Bllekun

Për Honora “Bllek” Bonet-in, basketbolli ishte gjithçka që i interesonte. Në moshën 15-vjeçare, Blleku ishte një yll në ngritje në Polinezinë Franceze – një nga lojtarët më të mirë që luante për një nga ekipet më të mira në formacionin më të mirë për të rriturit në vend. Edhe pse pseudonimi i tij qe një gabim drejtshkrimi i fjalës në anglisht black [e zezë], nuk kishte asnjë gabim në talentin e tij.

Por ai dëshironte më shumë. Ai dëshironte të luante si profesionist në Europë. Dhe më shumë se gjithçka, ai dëshironte që të fitonte një medalje të artë në Lojërat e Paqësorit Jugor.

Pengesa e vetme që dukej se i dilte përpara, ishte Kisha.

Një Djalë në Mision

Megjithëse skuadra për të cilën luante Blleku në atë kohë mbështetej nga Kisha, Blleku kishte pak interes për Kishën apo thirrjen e profetit që çdo i ri i denjë dhe i aftë të shërbente në një mision.

Ai i kishte thënë tashmë peshkopit të tij se nuk do të shkonte në mision. Ai nuk e kuptonte se si mund të luante si profesionist nëse largohej për dy vjet.

Për më tepër, Lojërat e Paqësorit Jugor – që mbaheshin çdo katër vjet – do të organizoheshin gjatë misionit të tij dhe Federata e Basketbollit e Tahitit qe e interesuar që ta vinte atë të luante për ekipin kombëtar. Ai më në fund do të kishte një mundësi që t’u jepte fund atyre fjalëve që i thoshte i ati sa herë që Bllekut fillonte t’i hipte vetja në qejf: “Të gjithë e njohin Bllekun, por ai nuk ka një medalje të artë”.

I ati i Bllekut, Zhan-Baptisti, i thoshte ato fjalë me një kuptim të mirë. Por ato e mërzisnin Bllekun. Ato ishin një kujtues që, edhe pse tifozët e basketbollit kudo në Tahiti e njihnin atë, ai nuk kishte një medalje të artë nga ndeshjet. I ati i tij kishte fituar një medalje të artë me ekipin e meshkujve gjatë Lojërave të para të Paqësorit Jugor.

Ishte misioni i Bllekut që të vërtetonte se ato fjalë ishin të gabuara. Ai nuk kishte kohë për ndonjë mision tjetër.

Një Ndryshim Mendjeje, një Ndryshim Zemre

Pavarësisht ndjenjave të tij rreth një misioni, Blleku gjithsesi merrte pjesë në aktivitetet e Kishës. Në një vallëzim të Kishës, kur ishte 16 vjeç, Blleku mori guximin për t’i kërkuar Miranda Mariteraxhit që të vallëzonin. Miranda ishte një lojtare e mirë basketbolli gjithashtu – me ëndrra që të fitonte medaljen e saj të artë. Edhe i ati i saj kishte qenë në ekipin e parë fitues të medaljes.

Pak sekonda pasi ai i kërkoi të vallëzonin, kënga mbaroi. Kështu që ata vallëzuan gjatë këngës vijuese, që rezultoi të ishte e fundit për atë mbrëmje. Në atë kohë, Blleku nuk dëshironte që vallëzimi të mbaronte.

Blleku nuk kishte planifikuar të martohej në tempull e as madje të martohej me një anëtare për aq sa kishte rëndësi. Por kjo filloi të ndryshojë ndërsa ai arriti ta njihte Mirandën më mirë gjatë dy viteve vijuese. Një ditë në shtëpinë e saj, atij ia tërhoqi vëmendjen diçka që ajo kishte bërë te Të Rejat. Aty lexohej: “Unë do të martohem në tempull”.

Interesi i Bllekut për Mirandën dhe zotimi i saj i përkushtuar ndaj martesës në tempull qenë të mjaftueshëm për ta bërë atë t’i rishqyrtonte planet e tij. Ai vendosi që të fillonte ta merrte Kishën seriozisht. Vendimet e tij e çuan në veprime që e lejuan Frymën e Shenjtë të vepronte në jetën e tij.

Vendimi

Një nga ato vendime qe që të përgatitej për të marrë një bekim patriarkal në moshën 18-vjeçare. Kur patriarku tha gjatë bekimit se Blleku do të shërbente në një mision dhe do të martohej në tempull, ai ndieu Shpirtin. “E dija se kjo është ajo që Perëndia dëshironte që unë të bëja”, tha ai.

Edhe pse ekipi kombëtar dukej sikur kishte mundësi për të fituar medalje, Blleku vendosi, me mbështetjen e familjes së tij, se ai do të vendoste atë që dëshironte Perëndia përpara asaj që dëshironte ai. Vendimi nuk qe i lehtë. Presioni për të luajtur ishte i madh. Dhe ai shpejt mësoi që vendimi i tij për t’iu nënshtruar vullnetit të Perëndisë do të vihej në provë më shumë se një herë.

Pasi kishte shërbyer si misionar në Tahiti për një vit, federata e basketbollit i kërkoi nëse ai mund të kthehej në ekip që të merrte pjesë në ndeshje vetëm për një muaj.

Presidenti i misionit i Bllekut, i shqetësuar për ndikimin që do të kishte përvoja mbi aftësinë e Bllekut që të kthehej dhe të shërbente, u ndie i frymëzuar që t’i thoshte atij: “Ti mund të ikësh nëse dëshiron, por ti nuk mund të kthehesh”.

Blleku e dëshironte atë medalje, por ai nuk e dëshironte atë mbi çdo gjë tjetër. Misioni i tij kishte qenë i mrekullueshëm. Ai nuk qe i gatshëm të hiqte dorë nga viti i tij i fundit, madje as për basketbollin.

Blleku qëndroi.

Ekipi e fitoi medaljen e artë.

Rrethana të Ndryshme, Vendim i Njëjtë

Pasi Blleku e përfundoi misionin e tij me nder, ai u martua me Mirandën në tempullin e Papitit në Tahiti dhe ata krijuan një familje. Ai nisi të luante përsëri për ekipin kombëtar.

Miranda po luante si sulmuese kryesore në ekipin kombëtar të grave dhe po përgatitej për Lojërat e Paqësorit Jugor.

Megjithatë, ndërkohë që lojërat afroheshin, çifti filloi të ndiente fuqishëm se ata duhet të kishin një fëmijë të dytë.

Me ndeshjet e ardhshme që ishin më pak se një vit larg, do të kishte qenë e lehtë ta shtynin një fëmijë tjetër aq kohë sa të mjaftonte që Miranda të luante. Ekipi i vajzave kishte shumë mundësi për të fituar medalje.

Por çifti kishte mësuar nga përvoja se nënshtrimi i vullnetit të tyre ndaj Perëndisë sillte bekime më të mëdha se ç’mund të dëshironte çdokush nga ndjekja e vetë dëshirave të tyre. Pas studimit dhe lutjeve të kujdesshme, ata vendosën të vinin familjen e tyre të parën.

Në vitin 1999, ndërsa Miranda ishte tetë muajshe shtatzënë, ekipi i femrave fitoi medaljen e artë.

Të Gjithë e Njohin Bllekun

Blleku dhe Miranda kanë qenë në gjendje të luanin basketboll në nivelet më të larta në Polinezinë Franceze gjatë dhjetëvjeçarit të fundit – duke fituar kampionate në ligën kombëtare e kupa turnesh si dhe kanë luajtur me ekipin kombëtar gjatë ndeshjeve të viteve 2003 dhe 2007.

Në ndeshjet e vitit 2011, morën pjesë të dy, veçse këtë herë Blleku ndodhej atje në rolin e trajnerit të ekipit të meshkujve. Ndërsa Miranda dhe ekipi i femrave fituan medaljen e artë, ekipi i meshkujve fitoi medaljen e bronzit, duke mos e arritur përsëri ëndrrën e Bllekut për medalje të artë.

Blleku ndonjëherë vriste mendjen se si do të kishte qenë jeta e tij nëse ai do të kishte bërë atë që dëshironte në vend të asaj që dëshironte Perëndia.

“Unë ndoshta do të kisha një medalje të artë”, tha ai. “Ndoshta do të kisha luajtur si profesionist, ndoshta jo.”

Por çifti nuk pendohet për vendimet që ka marrë. Ata nuk janë të sigurt se si mund të kishin qenë më të lumtur.

“U martova në tempull”, tha Blleku. “Unë kam një bashkëshorte të shkëlqyer, katër fëmijë të bukur dhe jam ende në Kishë. Vetëm basketbolli nuk do mund të më jepte asgjë nga këto. Ato janë bekime që kanë ardhur, sepse e vumë Zotin të parin.”

Vënia e Zotit në radhë të parë nuk e ka ndaluar ngacmimin e të atit, por i ka dhënë atyre fjalëve një kuptim të ri. Pak vite më parë, kur federata po merrte në konsideratë t’i planifikonte ndeshjet e ligës të dielave, presidentët e klubit u takuan për të diskutuar rreth kësaj. Dikush pyeti: “A e pyetët Bllekun?”

Propozimi u rrëzua.

Për shkak se Blleku e ka vënë Zotin të parin, jo vetëm që të gjithë e njohin Bllekun – ata e dinë se çfarë beson ai.

Honora “Blleku” dhe Miranda Boneti kanë qenë të angazhuar prej shumë kohësh me basketbollin në Tahiti.

Për Bllekun dhe Mirandën, suksesi në sportin e tyre ka qenë një përparësi më e vogël se suksesi në familjen e tyre.

Fotografitë nga Adam C. Olson, përveçse kur shënohet ndryshe

Fotografi e topit të basketbollit nga Tamara Ratieta © IRI