2012
Peshkopi Zherald Kosé
Maj 2012


Peshkopi Zherald Kosé

Këshilltar i Parë në Peshkopatën Kryesuese

Pamja
Peshkopi Zherald Kosé

Qysh nga fëmijëria e tij, Peshkopi Zherald Zhan Kosé, i thirrur së fundi si Këshilltar i Parë në Peshkopatën Kryesuese, gjithmonë gjeti lumturi nga shërbimi në Kishë. Kjo ishte diçka e mirë, tha ai, sepse në degën e tij të vogël në Bordo të Francës, nevojitej gjithkush që njësia të vazhdonte të funksiononte. Përveç shërbimit në kuorumet e Priftërisë Aarone gjatë rinisë së tij, ai shërbeu si pianist i Fillores në moshën 12-vjeçare, si këshilltar në presidencën e Shkollës të së Dielës në moshën 14-vjeçare dhe si president i Shkollës të së Dielës në moshën 16-vjeçare.

“Shërbimi në Kishë më ndihmoi të fitoja dëshminë time”, tha ai. I ati, i cili shërbeu disa herë si president dege dhe peshkop, ishte veçanërisht ndihmues që Peshkopi Kosé të kishte një përvojë pozitive.

“Kur isha adoleshent, ai do të më përfshinte në kryerjen e mësimit të shtëpisë ose në vizitat te familje në nevojë”, tha Peshkopi Kosé. “Të shihja atë ishte me siguri përvoja më e mirë mësimore në përgatitjen për udhëheqjen nga priftëria.”

Më vonë, Peshkopi Kosé shërbeu si nëpunës lagjeje, president i kuorumit të pleqve, udhëheqës i grupit të priftërinjve të lartë, këshilltar peshkopi, këshilltar i presidentit të kunjit, president kunji, i Shtatëdhjetë Zonal dhe më së fundi si anëtar i Kuorumit të Parë të Të Shtatëdhjetëve.

Peshkopi Kosé u lind në Bordo të Francës në maj të 1963-shit, nga Zhan dhe Mari-Blansh Kosé. Ai shërbeu në Forcat Ajrore Franceze për një vit kur ishte i ri, ku u caktua në një agjenci të NATOS.

Në 1987-ën, mori masterin për biznes nga ESSEC. Ai nisi karrierën e vet në këshillimin e strategjive, ku kaloi gjashtë vjet duke punuar për zyrat e Parisit dhe Londrës të një kompanie këshillimi. Më pas punoi për një grup të madh tregtie me pakicë në Europë dhe vetëm pak para thirrjes së tij në Kuorumin e Parë të Të Shtatëdhjetëve në vitin 2008, ai po punonte si administratori i përgjithshëm dhe anëtar i bordit për shpërndarësin më të madh të ushqimeve në Francë.

Ai dhe Valeri Lysien Babën u martuan në gusht të 1986-ës në Tempullin e Bernës në Zvicër. Ata kanë pesë fëmijë.