2012
Plaku Leri Eko Houk
Maj 2012


Plaku Leri Eko Houk

i Të Shtatëdhjetëve

Pamja
Plaku Leri Eko Houk

Që nga ajo ditë në 1972-shin kur Plaku Leri Eko Houk dëgjoi të fliste Spenser W. Kimballin (1895–1985), që atëherë ishte Plak, se si i parashikonte amerikanët autoktonë si udhëheqës të arsimuar, ai ia ka përkushtuar jetën “lartësimit të njerëzve”.

Anëtar i kombit pauni, Plaku Eko Houk u lind në Kodi të Uajomingut në SHBA, në gusht të 1948-ës nga Ernest dhe Xhein Eko Houk. Ai u rrit në Farmington të Nju-Meksikos në SHBA, ku atij dhe familjes së tij iu dha mësim dhe u pagëzua nga misionarët shdm në 1962-shin.

Në moshën 17-vjeçare, pasi u godit në sy nga një top bejsbolli, ai i premtoi Zotit se, nëse nuk do ta humbiste shikimin, do të lexonte Librin e Mormonit. Ai rifitoi shikimin e syrit dhe lexoi 10 faqe çdo ditë për afro tre muaj.

“Ishte përvoja më e fuqishme shpirtërore që kam pasur ndonjëherë, kur Fryma e Shenjtë më dëshmoi se Libri i Mormonit ishte i vërtetë”, tha Plaku Eko Houk. “Ajo përvojë më ka dhënë fuqi gjatë gjithë jetës sime për të më ndihmuar të përmirësohem.”

Ai u regjistrua në Universitetin “Brigam Jang” – në Provo me një bursë për futboll amerikan dhe mori diplomë në edukim fizik dhe zoologji. Në vitin 1970, u lirua me nder nga Korpusi i Marinsave të Shteteve të Bashkuara pas dy vitesh shërbimi. Ai u diplomua në Universitetin e Jutas me doktoratën e jurisprudencës në vitin 1973.

Plaku Eko Houk ka shërbyer si përfaqësues ligjor, anëtar parlamenti shteti, prokuror i përgjithshëm shteti, profesor i ligjit në UBJ dhe Ndihmëssekretar i Departamentit të Çështjeve të Brendshme për Indianët – një pozicion nga i cili do të hiqte dorë për të pranuar thirrjen në Kuorumin e Parë të Të Shtatëdhjetëve.

Plaku Kimball kreu shërbesën e martesës së Plakut Eko Houk dhe bashkëshortes së tij, Teri Pris, në Tempullin e Solt-Lejkut në dhjetor të 1968-ës. Ajo ka qëndruar përkrah tij ndërsa ai ka shërbyer si mësues, peshkop, këshilltar i lartë dhe president kunji. Ata janë prindër të gjashtë fëmijëve.