2017
Ta Bëjmë Konferencën Pjesë të Jetës Sonë
maj 2017


Ata na Folën Neve

Ta Bëjmë Konferencën Pjesë të Jetës Sonë

Mbajeni parasysh që t’i përdorni disa nga këto veprimtari dhe pyetje si pikënisje për studim vetjak ose familjar.

Për Fëmijët

  • Faqe 86: Presidenti Tomas S. Monson na ftoi që ta lexojmë Librin e Mormonit çdo ditë, duke premtuar se “Fryma e Shenjtë do [të na e] tregojë [të vërtetën]”. Përveç studimit tuaj vetjak, ju mund ta bëni zakon studimin e Librit të Mormonit çdo ditë me familjen tuaj. Ju gjithashtu mund të aktroni ose të luani lojëra që t’ju ndihmojnë t’i mbani mend vargjet dhe historitë e rëndësishme. Shkoni tek adresa friend.lds.org dhe kërkoni në revistat Liahona për vitin 2016, histori, tabela për lexim nga Libri i Mormonit dhe më tepër.

  • Faqe 117: Plaku Geri E. Stivenson tregoi se si babai i tij e dëgjoi Frymën e Shenjtë dhe e shpëtoi atë nga një gjarpër. Pyetini prindërit tuaj nëse mund të bëni një diskutim si familje mbi pyetjen: Si ju ndihmon Fryma e Shenjtë? Tregoni raste kur Fryma e Shenjë ju ka paralajmëruar, ngushëlluar ose dëshmuar. Ju gjithashtu mund t’i hidhni ato në letër dhe të bëni një libër.

  • Faqe 87: Motra Xhoi D. Xhons dha mësim se ju mund të përgatiteni për të bërë besëlidhje të shenjta më vonë duke mësuar që t’i mbani premtimet tani. Vendosni një synim dhe premtoni që ta zbatoni atë. Kërkojini një shoku/shoqeje që të shikojë ecurinë tuaj dhe të sigurohet që ju po e mbani premtimin tuaj.

  • Faqe 90: Plaku Jun Huan Çoi tregoi disa këshilla nga babai i tij: “Mos shiko përreth, shiko lart!” Ndonjëherë ne shkurajohemi dhe harrojmë të përqendrohemi tek Ati Qiellor dhe Jezu Krishti. Ndaj, kujtohuni që të shihni lart! Ju mund të varni një pikturë të Jezusit në dhomën tuaj. Dilni jashtë dhe shihni qiellin. Gjeni një çast të qetë çdo ditë për të menduar rreth Atit Qiellor dhe Jezusit dhe ndiejeni Shpirtin.

Për Rininë

  • Faqet 93 dhe 117: A e keni pyetur veten: Si mund ta kem gjithnjë me vete Frymën e Shenjtë? Si mund ta dalloj Frymën e Shenjtë? Si më ndihmon Fryma e Shenjtë? Pleqtë Ronald A. Rasband dhe Geri E. Stivenson iu përgjigjën këtyre pyetjeve dhe shumë të tjerave. “Ne kemi përgjegjësinë e shenjtë që të mësojmë ta dallojmë ndikimin e Tij në jetën tonë dhe të reagojmë”, tha Plaku Rasband. Si mund ta përmbushni atë përgjegjësi?

  • Faqe 33: Plaku Ulises Soaresh citoi pjesë nga shkrimi i shenjtë për temën e Aktiviteteve të Përbashkëta: “Kërko me besim, pa dyshuar, sepse ai që dyshon i ngjan valës së detit, të cilën e ngre dhe e përplas era” (Jakob [Bibël] 1:6). Si ruheni ju nga të lëkundurit [prej dyshimit]? Fillojeni duke e forcuar besimin tuaj në Jezu Krisht. Mësoni më shumë rreth Tij. Kujtojini rastet kur e keni ndier dashurinë dhe paqen e Tij.

  • Faqet 86 dhe 9: Presidenti Tomas S. Monson na ftoi: “Nëse nuk po e lexoni Librin e Mormonit çdo ditë, ju lutem lexojeni atë”. Dhe Motra Karol F. Mek-Konki pyeti: “A e lëmë mënjanë telefonin, listën e pafund të ‘gjërave për t’u bërë’ dhe shqetësimet rreth gjërave të botës? Lutja, studimi dhe mbajtja vesh e fjalës së Perëndisë e ftojnë dashurinë e Tij pastruese dhe shëruese në shpirtrat tanë.” Planifikoni çdo ditë një kohë për ta lexuar Librin e Mormonit dhe vini një shënim në bllokun e orarit tuaj ditor ose një alarm kujtues në telefonin tuaj.

Për Të Rinjtë në Moshë Madhore

  • Faqe 62: Çfarë synimesh keni për jetën tuaj? Synime për karrierën, familjen tuaj dhe madje sportet dhe veprimtaritë e parapëlqyera janë të mira, por “synimet tona më të mëdha dhe me më shumë përparësi duhet të përshtaten me planin e përjetshëm të Atit Qiellor”, dha mësim Plaku M. Rasëll Ballard. Si përputhen planet tuaja me planin e Atit Qiellor për ju? Si mund të bëheni më të përqendruar te synimi i të jetuarit përjetësisht me Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin?

  • Faqe 39: Në fillim të këtij viti, Presidenti Rasëll M. Nelson i ftoi të rinjtë në moshë madhore që ta “shenjtëroni[n] një pjesë të kohës [së tyre] çdo javë për të studiuar gjithçka që tha dhe bëri Jezusi siç u mbajt shënim në [veprat standarde]” (“Profetët, Udhëheqja dhe Ligji Hyjnor” [takim shpirtëror mbarëbotëror për të rinjtë në moshë madhore, 8 janar 2017], broadcasts.lds.org). Ai e përsëriti këtë ftesë në konferencën e përgjithshme si një nga katër elementet kyç për ta marrë fuqinë e Shpëtimtarit në jetën tonë. Studiojeni bisedën e Presidentit Nelson për të mësuar se si mund të keni të drejtën e përdorimit të “fuqi[së së] mjaftueshme për të përballuar barrët, pengesat dhe tundimet e kohës sonë”.

  • Faqet 100 dhe 26: A do të donit një hartë rrugore për jetën tuaj? Plaku Dallin H. Ouks dha mësim: “Për shkak se e kemi të vërtetën rreth Kreut-Perëndi dhe marrëdhënies sonë me Ta, qëllimit të jetës dhe natyrës së fatit tonë të përjetshëm, ne kemi hartën më të mirë rrugore dhe siguri për rrugëtimin tonë nëpër vdekshmëri”. Edhe ai edhe Plaku Uidhërford T. Klejton na mësuan se njohuria për planin e shpëtimit mund të na ndihmojë për sfidat tona sot. Studiojini mesazhet e tyre dhe pyeteni Atin Qiellor se si të vërtetat e përjetshme mund të sigurojnë një hartë rrugore në jetën tuaj.

  • Faqe 104: Frika mund të të shtyjë, por Presidenti Dieter F. Uhtdorf na mësoi se frika “kurrë nuk do të na shndërrojë në njerëz të cilët e duan atë që është e drejtë, dhe të cilët duan t’i binden Atit Qiellor”. Si mund të jetë dashuria e pastër e Krishtit “kundërhelmi … [i] caktuar në mënyrë hyjnore” për frikën tuaj?

Për të Rriturit

  • Faqe 86: Presidenti Tomas S. Monson tha se, ndërsa e studiojmë dhe e përsiatim me lutje Librin e Mormonit çdo ditë, “ne do të jemi në gjendje ta dëgjojmë zërin e Shpirtit, t’i bëjmë ballë tundimit, t’i mposhtim dyshimin e frikën dhe të marrim ndihmën e qiellit në jetën tonë”. Më vete dhe si familje, vendosni një synim për ta lexuar Librin e Mormonit çdo ditë.

  • Faqe 39: Merrni pjesë në sfidën që Presidenti Rasëll M. Nelson ua dha të rinjve në moshë madhore (shih më sipër “Për Të Rinjtë në Moshë Madhore”). Si mund ta përshtatni këtë sfidë për veten tuaj dhe për familjen tuaj? Diskutoni për bekimet që vijnë nga të mësuarit më tepër rreth Shpëtimtarit.

  • Faqet 93 dhe 117: Ndërsa i lexoni bisedat nga Plaku Ronald A. Rasband dhe Plaku Geri E. Stivenson, kërkoni mënyra që gjithmonë ta keni me vete Shpirtin dhe se si ju ndihmon Shpirti. Përcaktoni mënyra për ta rritur ndikimin e Tij në jetën tuaj.

  • Faqet 39 dhe 62: Presidenti Rasëll M. Nelson dhe Plaku M. Rasëll Ballard i nxitën anëtarët ta studionin dokumentin “Krishti i Gjallë: Dëshmia e Apostujve” (shih brenda kapakut të përparmë). Plaku Ballard tha: “Vëreni një kopje atje ku mund ta shihni dhe gjeni kohë ta rishikoni secilën prej thënieve që gjenden në këtë dëshmi të frymëzuar për Krishtin”. Si familje, lexojeni dokumentin “Krishti i Gjallë” dhe diskutoni mbi atë që mësoni.

  • Faqet 127 dhe 97: Plaku Kuentin L. Kuk dha mësim se themeli ynë i besimit ngrihet “dalëngadalë – shtresë pas shtrese, përvojë pas përvoje, sfidë pas sfide, pengesë pas pengese dhe sukses pas suksesi”. Plaku L. Uitni Klejton tha: “T[ë krijojmë] zakone [të mira e të përditshme të] besimit, është mënyra e vetme më e mirë për ta forcuar veten tonë ndaj telasheve të jetës, cilado qofshin ato”. Çfarë mund të bëni ju çdo ditë për ta forcuar themelin tuaj të besimit?