2019
Milton Kamargo
maj 2019


Milton Kamargo

Këshilltar i Parë në Presidencën e Përgjithshme të Shkollës të së Dielës

Pamja
Milton Kamargo

U desh afërsisht një vit për Helio da Roha Kamargon, një ish‑shërbestar në një kishë tjetër, që të vendoste për t’u pagëzuar në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Pak kohë më pas, bashkëshortja e tij, Nair Belmira da Roha Kamargo, vendosi që të ndiqte shembullin e bashkëshortit të saj dhe të pagëzohej po ashtu.

Në atë kohë, Naira ishte shtatzënë me djalë, të cilin do ta quanin Milton. Vendimi i përbashkët i Kamargos për t’u bashkuar me Kishën do t’i bekonte përgjithmonë brezat e ardhshëm të familjes së tyre.

Vëllai Milton da Roha Kamargo lindi më 10 mars 1958, në San‑Paolo të Brazilit. Vëllai Kamargo, i mbështetur më 6 prill 2019, si Këshilltar i Parë në Presidencën e Përgjithshme të Shkollës të së Dielës, thotë se është i bekuar që është rritur si anëtar i Kishës.

“Zoti na njeh individualisht”, thotë ai. “Planet e Tij për secilin prej nesh janë më të mëdha nga sa mund t’i përfytyrojmë.”

Vëllai Kamargo e njohu bashkëshorten e tij, Patrisian, ndërkohë që i ati po kryesonte në Misionin e Rio‑de‑Zhanejros në Brazil nga fundi i viteve 1970. Çifti u martua më 4 janar 1980, rreth një vit pasi Vëllai Kamargo u kthye në shtëpi nga shërbimi si misionar kohëplotë në Misionin e Lisbonës në Portugali. Ata kanë tre fëmijë.

Gjatë viteve të para të martesës së tyre, familja Kamargo jetoi në Rio‑de‑Zhanejro, ku Vëllai Kamargo mori diplomën e tij universitare për inxhinieri civile nga Instituti Ushtarak “Engenharia”. Më vonë ai mori një diplomë pasuniversitare për administrim biznesi nga Universiteti “Brigam Jang”.

Gjatë karrierës së tij, Vëllai Kamargo ia ka përkushtuar kohën dhe energjinë e tij edukimit të të tjerëve. Ai ka punuar për disa universitete, që përfshijnë Laureate Brazil Online Education, Universitetin Teknologjik të Meksikos dhe më së fundi si zëvendëspresident për programin mësimor në UBJ–Pathway Mbarëbotëror.

Vëllai Kamargo ka shërbyer si I Shtatëdhjetë Zonal, president i Misionit Jugor të Porto‑Alegres në Brazil (1997–2000), këshilltar në presidencën e Qendrës së Trajnimit të Misionarëve në Brazil (2000–2005), peshkop, president i misionit të kunjit dhe president i kuorumit të pleqve.