2019
Të Përgatitur për të Fituar Çdo Gjë të Nevojshme
maj 2019


Të Përgatitur për të Fituar Çdo Gjë të Nevojshme

Bekimet do të vijnë teksa përpiqemi fort ta përmbushim përgjegjësinë tonë individuale për ta mësuar dhe dashur ungjillin e rivendosur të Jezu Krishtit.

Programet dhe veprimtaritë e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, po bëhen gjithnjë e më të përqendruara te shtëpia dhe të përkrahura nga Kisha, sikurse dëshmohet nga një sërë përshtatjesh të lajmëruara në konferencat e përgjithshme të kohëve të fundit. Presidenti Rasëll M. Nelson na ka këshilluar: “Na pret shumë më tepër punë se kaq. … Pini vitamina. Çlodhuni sa duhet. Do të jetë emocionuese!”1

Lutem për ndihmën e Frymës së Shenjtë dhe e ftoj Atë teksa i marrim në shqyrtim së bashku disa rrjedhoja bazë të këtyre përshtatjeve në vazhdim e sipër në Kishën e rivendosur të Zotit.

Mësimi i Ungjillit i Përqendruar te Shtëpia dhe i Përkrahur nga Kisha

Plaku Krejg C. Kristensen ishte shoqëruesi im kohët e fundit në një konferencë të udhëheqjes së priftërisë dhe ai përdori dy pyetje të thjeshta për ta theksuar parimin e të bërit të përqendruar te shtëpia dhe të përkrahur nga Kisha. Ai sugjeroi që në vend që të kthehemi në shtëpi pas mbledhjeve të Kishës të dielën dhe të pyetim: “Çfarë mësuat për Shpëtimtarin dhe ungjillin e Tij sot në Kishë?”, ne duhet të pyetim në mbledhjet tona të Kishës: “Çfarë mësuat rreth Shpëtimtarit dhe ungjillit të Tij këtë javë në shtëpinë tuaj?” Respektimi i duhur i ditës së Shabatit, programi i ri mësimor dhe orari i përshtatur i mbledhjeve, të gjithë së bashku, na ndihmojnë që ta mësojmë ungjillin edhe në shtëpitë tona, edhe në Kishë.

Secili anëtar i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme ka përgjegjësi individuale për t’i mësuar dhe jetuar mësimet e Zotit dhe për t’i marrë ordinancat e shpëtimit dhe ekzaltimit me anë të autoritetit të duhur. Ne nuk duhet të presim që Kisha si organizatë të na mësojë ose të na thotë gjithçka që kemi nevojë të dimë e të bëjmë për t’u bërë dishepuj të përkushtuar dhe për të duruar trimërisht deri në fund.2 Përkundrazi, përgjegjësia jonë vetjake është të mësojmë atë që duhet të mësojmë, të jetojmë ashtu sikurse e dimë se duhet të jetojmë dhe të bëhemi ata që Mësuesi do të donte të bëheshim. Dhe shtëpitë tona janë mjedisi kryesor për të mësuarit, të jetuarit dhe të bërit.

Kur ishte fëmijë, Jozef Smithi mësoi për Perëndinë nga familja e tij. Përpjekjet e tij për të zbuluar vullnetin që Perëndia kishte për të, bënë që Jozefi ta kërkonte të vërtetën në mes të shumë besimeve të ndryshme të krishtera, t’i përsiaste me zell shkrimet e shenjta dhe t’i lutej sinqerisht Perëndisë. Kur i riu Jozef Smith u kthye në shtëpi pas Korijes së Shenjtë, menjëherë pas shfaqjes së Atit dhe Birit, ai foli së pari me nënën e tij. Ndërsa “u përkul drejt vatrës, nëna [e] pyeti se çfarë [e] shqetësonte. [Jozefi] iu përgjigj: ‘Mos u shqetëso, gjithçka është në rregull. Tani jam mjaft mirë.’ Më pas i tha nënës …: ‘Kam mësuar vetë’.”3 Përvoja e Jozefit na jep një model të fuqishëm të të mësuarit që secili prej nesh duhet ta imitojë. Edhe ne kemi nevojë të mësojmë vetë.

Qëllimi gjithëpërfshirës i planit të Atit Qiellor është që fëmijët e Tij të bëhen më të ngjashëm me Të. Në përputhje me këtë plan, Ai na siguron mundësi thelbësore për t’u rritur e për të përparuar. Zotimi ynë për të mësuar dhe jetuar në përputhje me të vërtetën është gjithnjë e më i rëndësishëm në një botë që është “në rrëmujë”4 dhe është përherë e më e pështjelluar dhe e ligë. Ne nuk mund të presim që thjesht të frekuentojmë mbledhjet e Kishës e të marrim pjesë në programe dhe nëpërmjet kësaj të marrim gjithë lartësimin dhe mbrojtjen shpirtërore që do të na mundësojë “të rezisto[jmë] në ditën e mbrapshtë”5.

“Prindërit kanë një detyrë të shenjtë për të rritur fëmijët e tyre me dashuri dhe drejtësi.”6 Udhëheqësit, mësuesit dhe veprimtaritë e frymëzuara të Kishës u vijnë në ndihmë përpjekjeve individuale dhe familjare për t’u rritur shpirtërisht. Dhe ndonëse të gjithë kemi nevojë për ndihmë që të shkojmë përpara në shtegun e besëlidhjeve, përgjegjësia kryesore për zhvillimin e forcës dhe qëndresës shpirtërore i mbetet çdonjërit prej nesh.

Kujtojeni se si Nefi, biri i profetit Lehi, dëshironte t’i shihte, dëgjonte dhe dinte vetë me anë të fuqisë së Frymës së Shenjtë gjërat që i ati kishte mësuar në vegimin e pemës së jetës. Qartas, Nefi kishte nevojë dhe u bekua në rininë e tij nga shembulli dhe mësimet e “prindër[ve] të mirë” të tij7. Prapëseprapë, sikurse Jozef Smithi, ai ishte i etur që të mësonte dhe dinte vetë.

Nëse gjithçka që ju ose unë dimë rreth Jezu Krishtit dhe ungjillit të Tij të rivendosur, është ajo që na mësojnë ose na thonë njerëzit e tjerë, atëherë themeli i dëshmisë sonë për Të dhe për veprën e Tij të lavdishme në ditët e mëvonshme është ndërtuar mbi rërë.8 Ne nuk mund të mbështetemi vetëm te drita dhe njohuria e ungjillit e njerëzve të tjerë ose t’i marrim ato hua nga të tjerët – madje as nga ata që i duam dhe që u mirëbesojmë.

Në mënyrë domethënëse, Profeti Jozef Smith dha mësim se çdo shenjtor i ditëve të mëvonshme ka nevojë t’i kuptojë vetë “projektet e qëllimet e Perëndisë për ardhjen tonë në botë”9.

“Nëse do të mund të lexonim e të kuptonim gjithçka që është shkruar që nga ditët e Adamit, mbi lidhjen e njeriut me Perëndinë e engjëjt në një gjendje të ardhshme, ne do të dinim shumë pak mbi të. Leximi i përvojave të të tjerëve apo zbulesave dhënë atyre, nuk mund të na japë neve kurrë një pamje të plotë të gjendjes sonë dhe lidhjes së vërtetë me Perëndinë. Njohuria për këto gjëra mund të sigurohet vetëm me anë të përvojës përmes ordinancave të Perëndisë të dërguara për atë qëllim.10

Krijimi i mundësive që të arrihet ky objektiv i madh shpirtëror për individët dhe familjet është një nga arsyet themelore përse programet dhe veprimtaritë e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, po bëhen gjithnjë e më të përqendruara te shtëpia dhe të përkrahura nga Kisha, në këtë kohë specifike të periudhës ungjillore të plotësisë së kohëve.

Rrjedhojat e Mësimit të Përqendruar te Shtëpia dhe të Përkrahur nga Kisha

Më lejoni të përmbledh disa rrjedhoja bazë kur mësimi i ungjillit bëhet gjithnjë e më i përqendruar te shtëpia dhe i përkrahur nga Kisha.

Qendra parësore e trajnimit të misionarëve është në shtëpinë tonë; qendrat dytësore të trajnimit të misionarëve gjenden në Provo, Manila, Meksiko-Siti dhe në vendndodhje të tjera. Orët tona mësimore më udhëzuese të Shkollës të së Dielës duhet të jenë gjatë studimit tonë individual dhe familjar në banesat tona; orë mësimore të dobishme, por dytësore të Shkollës të së Dielës zhvillohen në shtëpitë tona të mbledhjeve.

Qendrat e historisë familjare janë tashmë në shtëpitë tona. Ka përkrahje shtesë për punën kërkimore mbi historinë tonë familjare në dispozicion edhe në shtëpitë tona të mbledhjeve.

Orët mësimore jetike mbi përgatitjen për në tempull ndodhin në shtëpitë tona; orë mësimore të rëndësishme, por dytësore mbi përgatitjen për në tempull mund të kryhen gjithashtu herë pas here në shtëpitë tona të mbledhjeve.

Në këto ditë të mëvonshme është thelbësore që t’i bëjmë shtëpitë tona shenjtërore ku mund të “qëndroj[m]ë në vende të shenjta”11. Dhe sado i rëndësishëm është mësimi i përqendruar te shtëpia dhe i përkrahur nga Kisha për forcën dhe mbrojtjen tonë shpirtërore sot, do të jetë akoma më jetik në të ardhmen.

Mësimi dhe Përgatitja për në Tempull [që Janë] të Përqendruar te Shtëpia dhe të Përkrahur nga Kisha

Ju lutemi, merreni parasysh se si parimi “të përqendruar te shtëpia dhe të përkrahur nga Kisha” gjen zbatim për përgatitjen dhe denjësinë tonë individuale për të marrë ordinanca dhe besëlidhje të shenjta në shtëpinë e Zotit.

Njëmend, përgatitja për në tempull është e efektshme më së shumti në shtëpitë tona. Por shumë anëtarë të Kishës janë të pasigurt rreth asaj që është me vend të thuhet e të mos thuhet në lidhje me përvojën në tempull jashtë tempullit.

Presidenti Ezra Taft Benson e përshkroi arsyen pse ekziston kjo pasiguri.

“Tempulli është një vend i shenjtë dhe ordinancat në tempull janë të një natyre të shenjtë. Për shkak të shenjtërisë së tij, ne ndonjëherë jemi ngurrues për t’i thënë ndonjë gjë për tempullin fëmijëve dhe nipërve e mbesave tona.

Për pasojë, shumë njerëz nuk zhvillojnë një dëshirë të vërtetë për të shkuar në tempull ose, kur shkojnë atje, ata e bëjnë këtë pa shumë formim që t’i përgatitë ata për detyrimet dhe besëlidhjet në të cilat hyjnë.

Besoj se një kuptueshmëri ose formim i duhur do ta ndihmojë pa masë rininë tonë për tempullin … [dhe] do të ushqejë brenda tyre një dëshirë për t’i kërkuar bekimet e tyre të priftërisë njësoj siç i kërkoi Abrahami të tijat.”12

Dy orientime bazë mund të na ndihmojnë ta arrijmë kuptueshmërinë e duhur që u theksua nga Presidenti Benson.

Orientimi nr. 1. Ngaqë e duam Zotin, ne duhet të flasim gjithnjë me nderim për shtëpinë e Tij të shenjtë. Nuk duhet t’i nxjerrim në pah ose t’i përshkruajmë simbolet e veçanta që shoqërojnë besëlidhjet të cilat i marrim në ceremonitë e shenjta në tempull. Askush nuk duhet ta diskutojë informacionin e shenjtë për të cilin në tempull premtojmë posaçërisht që nuk do ta zbulojmë.

Orientimi nr. 2. Tempulli është shtëpia e Zotit. Gjithçka në tempull na drejton për te Shpëtimtari ynë, Jezu Krishti. Mund t’i diskutojmë qëllimet bazë dhe doktrinën e parimet që i shoqërojnë ordinancat dhe besëlidhjet e tempullit.

Presidenti Hauard W. Hanter na këshilloi: “Le të ndajmë me fëmijët tanë ndjenjat shpirtërore që kemi në tempull. Dhe le t’u mësojmë atyre më me zell dhe më me qetësi gjërat që janë me vend për t’u thënë rreth qëllimeve të shtëpisë së Zotit.”13

Gjatë brezave nga Profeti Jozef Smith deri te Presidenti Rasëll M. Nelson, qëllimet doktrinore të ordinancave dhe besëlidhjeve të tempullit janë dhënë mësim gjerësisht nga udhëheqësit e Kishës.14 Ekziston një rezervuar i pasur në materiale të shtypura, zanore e filmike dhe formate të tjera për të na ndihmuar të mësojmë rreth ordinancave të larjes e vajosjes, dhurimit [indaumentit], martesës dhe ordinancave të tjera vulosëse.15 Në dispozicion ka edhe informacion rreth ndjekjes së Shpëtimtarit me anë të marrjes dhe nderimit të besëlidhjeve për të zbatuar ligjin e bindjes, ligjin e sakrificës, ligjin e ungjillit, ligjin e dëlirësisë dhe ligjin e përkushtimit.16 Të gjithë anëtarët e Kishës duhet të familjarizohen me materialet e shkëlqyera që janë në dispozicion te faqja temples.churchofjesuschrist.org.

Pamja
temples.churchofjesuschrist.org

Presidenti Rasëll M. Nelson e theksoi drejtpeshimin jetik mes natyrës së shenjtë të ceremonive të tempullit dhe informacionit të vlefshëm rreth tempujve të publikuar nga Kisha që është i saktë, i përshtatshëm dhe në dispozicion për mbarë publikun. Ai shpjegoi: “Unë rekomandoj që anëtarët … të lexojnë zërat tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta që janë të lidhura me tempullin, të tilla si ‘Besëlidhje’, ‘Sakrificë’, ‘Tempull’ dhe ‘Vajos’. Dikush mund të dëshirojë gjithashtu të lexojë Eksodin, kapitujt 26–29 dhe Levitikun, kapitulli 8. Dhiata e Vjetër, ashtu si dhe librat e Moisiut dhe Abrahamit tek Perla me Vlerë të Madhe, nënvizon lashtësinë e punës në tempull dhe natyrën e qëndrueshme të ordinancave të saj.”17

Pamja
Materiali filmik “Sacred Temple Clothing” [“Veshjet e Shenjta të Tempullit”]

Ndaj, përfytyroni sikur biri ose bija juaj ju pyet: “Dikush në shkollë më tha se në tempull vishen veshje të çuditshme. Kështu është?” Një material i shkurtër filmik është në dispozicion në faqen temples.ChurchofJesusChrist.org me titull “Sacred Temple Clothing” [“Veshjet e Shenjta të Tempullit”]. Ky burim i shkëlqyer shpjegon se si që nga kohët e lashta burrat dhe gratë kanë përqafuar muzikë të shenjtë, forma të ndryshme lutjesh, veshje, gjeste dhe rite fetare simbolike për të shprehur ndjenjat e tyre më të thella të përkushtimit ndaj Perëndisë. Pra, Kisha e përkrah përgatitjen e përqendruar te shtëpia për bekimet e lavdishme të tempullit nëpërmjet udhëzimit bazë dhe burimeve mbresëlënëse të tilla si ky material filmik. Keni në dispozicion shumë më tepër informacione të dobishme.18

Kur përpiqemi fort të ecim me butësinë e Shpirtit të Zotit19, do të bekohemi duke e kuptuar dhe duke e arritur në shtëpinë tonë drejtpeshimin e domosdoshëm mes asaj që është me vend dhe e pavend për t’u diskutuar rreth ordinancave dhe besëlidhjeve të shenjta tempullit.

Premtim dhe Dëshmi

Dyshoj se disa prej jush mund të jenë duke pyetur veten a mund të bëhet mësimi juaj i ungjillit vërtet i përqendruar te shtëpia dhe i përkrahur nga Kisha. Ndoshta ju jeni i vetmi anëtar i Kishës në shtëpinë tuaj ose keni një bashkëshort/e që nuk ju përkrah, ose jeni një prind i vetëm, ose jetoni vetëm si një shenjtor/e beqar/e, ose i/e shkurorëzuar i/e ditëve të mëvonshme dhe mund të keni pyetje rreth mënyrës se si këto parime gjejnë zbatim për ju. Mund të jeni duke u parë në sy me bashkëshortin ose bashkëshorten dhe duke pyetur: “A mund ta bëjmë ne këtë?”

Po, ju mund ta bëni këtë! Ju premtoj se bekimet e krijimit të mundësive do të rrjedhin në jetën tuaj dhe do të jenë të dukshme në të. Do të hapen dyer. Do të shkëlqejë drita. Do të shtohet aftësia juaj për të ngulmuar me zell dhe durim.

Unë dëshmoj me gëzim se bekimet shpërblyese do të vijnë teksa përpiqemi fort ta përmbushim përgjegjësinë tonë individuale për ta mësuar dhe dashur ungjillin e rivendosur të Jezu Krishtit. Ne me të vërtet mund të “përgatite[mi] për të fituar çdo gjë të nevojshme”20. Unë kështu premtoj dhe dëshmoj në emrin e shenjtë të Zotit Jezu Krisht, amen.