2019
Motrat Japin Shërbesë, Takohen dhe Paraqitin
maj 2019


Motrat Japin Shërbesë, Takohen dhe Paraqitin

Motra Xhin B. Bingham, Presidente e Përgjithshme e Shoqatës së Ndihmës, dhe Motra Boni H. Kordën, Presidente e Përgjithshme e Të Rejave, paraqitën një përmbledhje të shumë prej programeve humanitare të Kishës, të tilla si uji i pastër, përkujdesja për të porsalindurit dhe vaksinimet, si edhe programe të Kishës për arsimin dhe shkrim‑këndimin, teksa u takuan me udhëheqës të qeverive dhe u dhanë shërbesë anëtarëve të Kishës në Ganë, Nigeri dhe Bregun e Fildishtë.

“Qëllimi i vizitës sonë është të takohemi me shenjtoret, të japim disa udhëzime për motrat, të dëgjojmë sfidat e tyre, t’i ndiejmë zemrat e tyre dhe t’u bëjmë të ditur se ne i duam ato”, tha Motra Bingham.

Motra Bingham dhe Motra Kordën mbajtën një takim shpirtëror me misionarët e misionit të Akrës Perëndimore në Ganë. Ato gjithashtu u takuan me disa anëtare në shtëpitë e tyre. Motra Bingham mori pjesë në një program eksperimental të shkrim‑këndimit nëpërmjet ungjillit, i cili u mëson njerëzve se si të lexojnë ndërkohë që u mëson rreth ungjillit të Jezu Krishtit. Dhe që të dyja motrat morën pjesë në një transmetim trajnimi për udhëheqësit që e kishte fillesën në Akra dhe që iu drejtua më shumë se 100 grumbullimeve në Afrikën Perëndimore; u takuan me Zonjën e Parë të Ganës dhe me Sekretaren e Përhershme të Ministrisë për Çështjet e Grave dhe Lehtësimin e Varfërisë nga Qeveria në shtetin Lagos të Nigerisë.

Pasi u takua me motrat në Bregun e Fildishtë, Motra Kordën tha: “Mirëbesimi dhe të kuptuarit e tyre rreth Perëndisë, se kush është Ai dhe çfarë mund të bëjë Ai me jetën e tyre, është mahnitës për mua”. Ajo tha se kur foli rreth pasjes së një tempulli në Abixhan, një motër derdhi lot gëzimi. “Po largohemi me një këndvështrim afrikan”, tha Motra Kordën. “Po largohemi me zemra të reja.”

Motra Xhoi D. Xhons, Presidentja e Përgjithshme e Fillores, ua dorëzoi fondet e mbledhura nëpërmjet fushatës “Ndriçoje Botën” zyrave të disa organizatave të bamirësisë në Manhatan të Nju‑Jorkut në SHBA. “Ne e nderojmë Shpëtimtarin Jezu Krisht nëpërmjet shërbimit”, tha Motra Xhons, duke vënë në dukje se ishte mbresëlënëse të shihte se çfarë ndodhi “kur njerëzit e kuptuan mundësinë e ëmbël për të dhënë”.

Solt‑Lejk‑Siti të Jutës në SHBA Motra Sheron Iubank, Këshilltarja e Parë e Presidencës së Përgjithshme të Shoqatës së Ndihmës, ua dorëzoi fondet e mbledhura nga “makinat e dhënies” të fushatës “Ndriçoje Botën” një banke ushqimesh, një organizate bamirëse që siguron kujdes pamor për fëmijët, dhe një qendre për refugjatët. Këto ishin vetëm një pjesë e 2,3 milionë dollarëve të mbledhur nga makinat në Arizonë, Nju‑Jork e Jutë të SHBA‑së dhe në Londër të Anglisë e në Manila të Filipineve dhe të cilat iu dhanë organizatave bamirëse në mbarë botën.