2021
Të Provosh Fuqinë e Priftërisë
Mars 2021


Të Provosh Fuqinë e Priftërisë

Gratë që ndihmojnë për ta drejtuar Kishën, i pyetën rreth asaj se si fuqia e priftërisë ndikon në jetën e tyre. Ja tek janë disa nga mendimet që ato dhanë.

Pamja
cut-paper illustration of various flowers

Ilustrimet nga Matisse Hales

“Burrat dhe gratë kanë përgjegjësi të ndryshme por të barabarta në shtëpi dhe në Kishë. Fuqia e priftërisë mund ta ndihmojë çdo person t’i përmbushë ato përgjegjësi për të mirën e të gjithëve.

Për shkak se fuqia e priftërisë së Perëndisë është në tokë sot, bekime të mëdha janë në dispozicion të të gjithë anëtarëve të denjë të Kishës, qofshin të moshuar apo të rinj në moshë, meshkuj apo femra, beqarë apo të martuar.”

– Presidentja Xhoi D. Xhons, Presidente e Përgjithshme e Fillores

“Shërbimi e zmadhon shpirtin tonë, e zgjeron këndvështrimin tonë dhe na lejon të marrim nga fuqia e Perëndisë me më shumë bollëk. Zoti e di këtë dhe po kështu edhe Satani. Në përpjekjen e tij gjithmonë vigjilente për të na larguar nga fuqia e Perëndisë, kundërshtari do të na ngarkojë mendërisht ose do të na bëjë të mendojmë se ajo që kemi për të dhënë nuk është e mjaftueshme. …

… Asnjëherë mos u mendoni dy herë për një vepër mirësie.

Duke e bërë me qëllim shërbimin ndaj të tjerëve pjesë të jetës sonë, ne do të zbulojmë misteret e Perëndisë. Ne do të zbulojmë paqe, do të gjejmë forcë dhe do të marrim një rritje të fuqisë ndërsa i shërbejmë Shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtit.”

– Presidentja Boni H. Kordën, Presidente e Përgjithshme e Të Rejave

“Shumë shpesh, gratë e krahasojnë veten me gra të tjera. Por asnjëra nga ne nuk ndihet mirë kur bën këtë krahasim. Secila grua ka një gërshetim të pashoq aftësish dhe talentesh dhe të gjitha janë dhurata të dhëna nga Perëndia. Thjesht sepse ju dhe unë nuk jemi të njëjta – apo sado gra të ketë që nuk janë të njëjta – nuk na bën të jemi më pak ose më shumë. Ne kemi nevojë që t’i gjejmë dhuratat tona dhe t’i zhvillojmë, duke kujtuar se kush na i dha ato dhe më pas t’i përdorim për qëllimet e Tij. Teksa i japim dhuratat tona për t’i bekuar të tjerët, ne po përjetojmë fuqinë e priftërisë në jetën tonë.”

– Presidentja Xhin B. Bingham, Presidente e Përgjithshme e Shoqatës së Ndihmës

“Kërkoni shpesh mundësi për ta rritur kuptueshmërinë tuaj për ‘doktrinën e priftërisë’. Secila prej nesh do të ketë nevojë ta kërkojë këtë kuptueshmëri për veten e vet.

Studimi i shkrimeve të shenjta dhe fjalëve të profetëve bashkëkohorë do të sigurojnë një themel të shëndoshë që kjo njohuri të rritet. Të njëjtën gjë do të bëjë edhe bindja ndaj urdhërimeve të Perëndisë dhe të jetuarit me vërtetësi ndaj besëlidhjeve që kemi bërë nëpërmjet ordinancave të priftërisë. Kuptueshmëria na jepet ‘rresht pas rreshti, parim pas parimi’ [2 Nefi 28:30]. Nëpërmjet zbulesës vetjake, ajo ‘piko[n]’ mbi shpirtrat tanë ‘sikurse vesat nga qiejt’ [Doktrina e Besëlidhje 121:45].”

– Motra Liza L. Harknes, Këshilltare e Parë në Presidencën e Përgjithshme të Fillores

“Secila prej nesh është në një rrugëtim. … Ne kalojmë përmes sfidave në marrëdhënie, sfidave financiare dhe sfidave me shëndetin mendor dhe fizik. Ne kalojmë përmes detyrave mbingarkuese dhe listës sonë të përditshme me gjërat që duhen bërë. Disa prej nesh mund të jenë duke kaluar përmes hidhërimit, apo edhe vetmisë apo mërzisë. Sfidat tona janë të ndryshme, por ne të gjithë i kemi ato.

Mbajtja e besëlidhjeve tona nuk do të thotë se këto sfida do të hiqen, por do të thotë se Zoti premton të jetë me ne.”

– Motra Mishel D. Krejg, Këshilltare e Parë në Presidencën e Përgjithshme të Të Rejave

“Unë e përfytyroj fuqinë e priftërisë si një fill të vetëm të bardhë, të hollë dhe të lëmuar që vjen nga Perëndia dhe që thuret duke shkuar brenda e jashtë, duke shkuar sipër dhe duke u rrotulluar, që duket sikur ka drejtimin e vet në jetën tonë. Por me kalimin e kohës shpaloset një motiv i ndërlikuar. Ai modelim mbulon altarin e Perëndisë, vendin më të shenjtë ku lidhemi në tokë dhe lidhemi në qiell. …

Kurdoherë që shoh një cohë altari në tempullin e shenjtë, ndiej se është një nga simbolet më të fuqishme të tempullit për mënyrën se si Zoti ia jep fuqinë e Tij fëmijëve të Vet besnikë, me qëllim që t’i mbledhë dhe lidhë së bashku në një modelim të ndërlikuar dhe të shenjtë.”

– Motra Sheron Iubank, Këshilltare e Parë në Presidencën e Përgjithshme të Shoqatës së Ndihmës

“Nëpërmjet përvojave të vetë jetës sime, unë e di se zbatimi i urdhërimeve të Zotit, pasja e besimit dhe mirëbesimit të plotë tek Ai, janë mënyrat se si ne kemi të drejtë përdorimi te fuqia e Tij e priftërisë. …

… Ndërsa qëndrojmë besnikë, ne mund t’i marrim ato fuqi dhe bekime të priftërisë në të gjitha aspektet e jetës sonë. Kjo mund të na sigurojë mbrojtje, ngushëllim, forcë, paqe dhe premtime që arrijnë përjetësitë. Nëpërmjet asaj fuqie të priftërisë, Fryma e Shenjtë gjithashtu më ndihmon të kujtoj përvoja në jetën time që vazhdojnë ta ndërtojnë dëshminë dhe besimin tim në Perëndi.”

– Motra Kristina B. Franko, Këshilltare e Dytë në Presidencën e Përgjithshme të Fillores

“Kanë kaluar vite që kur mora bekimin tim patriarkal, por e mbaj mend përvojën shumë qartë. …

Ajo përvojë i ka brumosur shumë vendime që kam marrë gjatë gjithë jetës sime. E dija se për t’i kuptuar ato bekime të dëshiruara, unë duhej të bëja pjesën time.

Unë tani e shoh se ka edhe më shumë gjëra që Ati ynë dëshiron që unë të marr, madje më shumë nga sa është thënë në bekimin tim patriarkal.”

– Motra Beki Krejvën, Këshilltare e Dytë në Presidencën e Përgjithshme të Të Rejave

“U bashkova me Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme në moshën 26 vjeçe. Edhe pse pata një ndjenjë qetësuese në zemër ndërsa ndoqa dëshirën për t’u bekuar nga Perëndia duke bërë një besëlidhje me Të, unë e di se kuptueshmëria ime për atë besëlidhje në atë kohë ishte njëlloj si një farë e vogël.

Ndërsa vitet kanë kaluar dhe ndërsa kam bërë përpjekje për ta mbajtur atë besëlidhje pagëzimi dhe besëlidhje të tjera që kam bërë me Atin Qiellor, ndiej se Ai më ka bekuar me një kuptueshmëri më të thellë për Të, për Shpëtimtarin tim dhe për rolin tim si një bijë në besëlidhje e Prindërve Qiellorë.”

– Motra Reina I. Aburto, Këshilltare e Dytë në Presidencën e Përgjithshme të Shoqatës së Ndihmës