2021
Xhejni Pati Gëzim gjatë Udhëtimit
Mars 2021


Gratë e Hershme të Rivendosjes

Xhejni Pati Gëzim gjatë Udhëtimit

A jemi ne, si Xhejn Mening Xhejmsi, të vendosura për ta përfunduar udhëtimin tonë me besim?

Pamja
illustration of Jane Manning James

Ilustrimi nga Toni Oka

Xhejn Mening Xhejmsi ishte e lodhur nga ecja, por refuzoi të ndalonte.

Djali i saj më i madh, Silvesteri, ishte mjaftueshëm i rritur sa të ecte afër karros. Por foshnja Silas, që kishte lindur gjatë rrugëtimit, ende duhej mbajtur në krahë. Ishte viti 1847 dhe familja Xhejms shpejt do të ishte midis pionierëve të parë që mbërriti në luginën e Solt-Lejkut të Madh.

Xhejni nuk është se nuk i njihte udhëtimet e gjata.

Katër vite më parë, familja e saj ishte larguar nga shtëpia në lindje të një qyteti për t’u bashkuar me shenjtorët në Navu, shumë afër kufirit në perëndim. Udhëtimi duhej të kishte zgjatur vetëm pak ditë përmes lumit. Por për shkak se shumë njerëz me ngjyrë ishte skllevër në atë kohë në Shtetet e Bashkuara, familja e Xhejnit shpesh duhej të tregonte dokumentet që vërtetonin lirinë e tyre. Dhe disa vende kishin rregulla të rrepta që i ndalonin njerëzit me ngjyrë të udhëtonin nëpër zonë – përfshirë gjobën deri në 500 $ për person.

Ndoshta për shkak të kësaj tarife mizore ose ndoshta për shkak të paragjykimeve të tjera, ekuipazhi i varkës së lumit nuk pranoi ta çonte më tej Xhejnin dhe pjesëtarët e saj të familjes. Të paepur, ata lanë pas shumë prej zotërimeve të tyre dhe u nisën në këmbë me çfarëdo gjëje që mund të mbanin.

Familja e Xhejnit eci më shumë se 800 milje (1 287 km). Ata ecën nëpër ditë të lagështa dhe net të errëta sterrë. Një herë ecën të rraskapitur përmes një pylli dhe fjetën në qiell të hapur. Kur u zgjuan, rrobat e tyre ishin zbardhur nga ngrica.

“Ne ecëm derisa këpucët na dolën plotësisht jashtë përdorimit dhe këmbët na u bënë plagë, u çanë dhe rridhnin gjak”, kujtoi Xhejni. “… Ne i kërkuam Perëndisë, Atit të Amshuar, të na i shëronte këmbët dhe lutjet tona morën përgjigje.”1

Ndërkohë që përballonin këtë udhëtim të vështirë, Xhejni këndoi himne me prindërit dhe motrat e vëllezërit e saj, duke lavdëruar Perëndinë. Më në fund, pas afro tre muajsh ecje, ata arritën në Navu. Vite më vonë, kur shenjtorët besnikë u larguan për të kaluar rrafshinat, Xhejni ishte mes pionierëve të parë që filloi rrugëtimin.