2021
Mposhtini Shqetësimet e Botës
Mars 2021


Doktrina e Besëlidhje 37–40

Mposhtini Shqetësimet e Botës

Shqetësimet e botës nuk duhet të më shpërqendrojnë nga bindja ndaj fjalës së Perëndisë.

Pamja
man riding a bicycle in the city

E kalova të gjithë pasditen mbi biçikletë, duke shkuar nga një biznes në një tjetër, për të kërkuar një vend pune.

Ilustrimet nga Liam O’Farrell

Madje edhe kur na premtohen bekime të mëdha, nëse merakosemi për shqetësimet e botës në vend të vullnetit të Zotit, ne do t’i humbasim ato bekime. Kjo tregohet qartë nga përvoja e një burri në ditët e hershme të Rivendosjes.

Xhejms Koveli kishte qenë shërbestar në një fe tjetër për 40 vjet, por pasi dëgjoi për ungjillin e rivendosur, ai “lidhi besën me Zotin se do t’i bindej çdo urdhërimi që Zoti do t’i jepte atij nëpërmjet Joseph Profetit” (Doktrina e Besëlidhje 39, kreu i seksionit). Nëpërmjet Jozefit, Zoti i tha Kovelit: “Do të dëgjosh zërin tim, që të thotë: Çohu dhe ji i pagëzuar e i larë nga mëkatet e tua, duke thirrur emrin tim, dhe ti do të marrësh Shpirtin tim e një bekim kaq të madh, sa kurrë nuk e ke njohur” (Doktrina e Besëlidhje 39:10).

Megjithatë, Koveli shpejt “nuk e pranoi fjalën e Zotit dhe u kthye te parimet dhe njerëzit e tij të mëparshëm” (Doktrina e Besëlidhje 40, kreu i seksionit). Duke folur për Kovelin, Zoti tha se “ai e pranoi fjalën me gëzim, por menjëherë Satani e tundoi atë; dhe frika e përndjekjes dhe [shqetësimet] e botës e bënë ta mohonte fjalën” (Doktrina e Besëlidhje 40:2). Për shkak të merakut të tij për shqetësimet e botës, Koveli e humbi bekimin që i ishte premtuar nga Zoti.

Duhet të Qëndroj apo të Shkoj?

Në vetë jetën time kam mësuar se ne nuk duhet t’i lejojmë shqetësimet e botës të na shpërqendrojnë nga bindja ndaj Zotit. Unë u rrita në një shtëpi të mrekullueshme dhe të dashur ku prindërit na i mësuan mirë ungjillin dhe dashuria e tyre për ne reflektonte dashurinë e Atit Qiellor për fëmijët e Tij.

Në moshën 16 vjeç, më ftuan të punoja në një fermë në Shtetet e Bashkuara, me mundësinë që një ditë atje të ndërtoja vetë shtëpinë time. Kjo gjë më tërhoqi, duke qenë se vendlindja ime, Holanda, është thjesht një vend i vogël, shumë i populluar.

Në fakt, paraardhësit e mi nga ana e babait, të gjithë ndien një dëshirë të ngjashme për të jetuar në një vend tjetër. Ata u shpërngulën në Indonezi, që dikur ishte një koloni holandeze. Munda ta kuptoja plotësisht arsyen. Në Indonezi, koha është e mirë, pamjet të bukura dhe hapësira e bollshme. Gjenet e mia përmbanin të njëjtën frymë aventure që frymëzoi paraardhësit e mi. A duhej që edhe unë të largohesha nga atdheu im në kërkim të suksesit dhe aventurës?

Gjatë asaj kohe vendimmarrjeje, babai më dha një kopje të një letre të shkruar për të dhe motrat e tij shumë vite përpara nga presidenti i tyre i misionit, Donovan van Dami. Presidenti van Dam u kërkoi atyre të qëndronin në Holandë dhe të ndërtonin Kishën atje. Babai më tha se kishte vendosur të bënte pikërisht atë. Dhe duke qenë se emri i familjes Bum ishte në letër, tani ishte radha ime për të zbuluar se çfarë të bëja.

Në vitet pas Luftës II Botërore, shumë anëtarë të Kishës kishin emigruar në Amerikë dhe Kanada. Kjo gjë po vazhdonte ende në vitet 1970, pavarësisht inkurajimit nga udhëheqësit e Kishës që anëtarët të qëndronin në vendet e tyre dhe ta forconin Kishën atje ku jetonin. Me lutje, gjithashtu mora vendimin për të qëndruar dhe ndërtuar Kishën në Holandë, pa e kuptuar plotësisht se çfarë do të thoshte kjo në të ardhmen.

Vendimet, Vendimet

Kur përfundova shkollën e mesme nga fundi i viteve 1970, ekonomia e Holandës ishte e trazuar. Numrat e papunësisë ishin të lartë. Në tërësi, gjërat dukeshin shumë të zymta. Ishte e vështirë që të diplomuarit të vendosnin se çfarë të bënin më pas.

Babai im po shërbente si president dege. Herë pas here ai diskutonte me mua për mundësinë që të shërbeja një mision kohëplotë. Sigurisht që kjo do të ishte një gjë e mrekullueshme për t’u bërë. Mezi e kisha pritur këtë gjithë jetën time.

Por nuk e kuptoja se si shërbimi në një mision mund të më ndihmonte të siguroja të ardhura për familjen time të ardhshme. Që në fëmijëri, përherë kisha një dëshirë të madhe që një ditë të gjeja dashurinë e jetës dhe ta ndërtonim së bashku familjen tonë.

Në atë koha isha 17 vjeç dhe, duke mos e ditur se çfarë të bëja më pas, nisa nivelin tjetër të arsimimit. Por pas disa javësh, zbulova se kjo fushë e studimit nuk do të më bënte të lumtur. Kisha pyetje nëse ajo do të më siguronte një punë të qëndrueshme. Mendova të hiqja dorë nga shkolla.

Prindërit nuk ishin të lumtur për këtë. Ata më thanë se mund të hiqja dorë nga shkolla vetëm po të kisha një punë. Ata me gjasë menduan se nuk do të gjeja kurrë një punë për shkak të krizës financiare. E kalova të gjithë pasditen mbi biçikletë, duke shkuar nga një biznes në një tjetër. Më në fund një kompani më punësoi që të punoja në magazinën e tyre.

Plani Im

Edhe pse e pranova këtë pozicion të përkohshëm, kisha një plan. Do të bëhesha polic. Të punoja për qeverinë do të ishte një mënyrë e qëndrueshme për të siguruar për familjen time të ardhshme dhe çdo gjë do të funksiononte.

Më kujtohet dita kur vajta të bëja provimin për të hyrë në shkollën e policisë. Mora trenin herët në mëngjes dhe e kalova të gjithë ditën duke bërë të gjitha llojet e provave. Në fund të ditës më thirrën në zyrë. Ata më thanë se i kalova të gjitha provimet dhe se do t’iu pëlqente shumë të më punësonin, por për shkak se isha 17 vjeç, isha shumë i ri. Më thanë ta provoja përsëri pas një viti.

M’u shemb bota dhe gjithë rrugës për në shtëpi po mendoja: “Po më pas?” Në shtëpi babai e dëgjoi zhgënjimin tim dhe propozoi të më jepte një bekim. Prisja që Zoti të më thoshte se çdo gjë do të rregullohej dhe se do të pranohesha në akademinë e policisë në një mënyrë të mrekullueshme. Përkundrazi, Zoti më tha se nëse do zgjidhja që ta vija Atë të parin, do të kisha përherë ushqim mbi tryezë dhe mjetet për t’u kujdesur për familjen time të ardhshme.

Një Plan më i Mirë

Pamja
map showing parts of Europe

Si përgjigje ndaj lutjeve të mia, mora përgjigjen se, për mua, ta vije Zotin të parin do të thoshte të shërbeja në një mision kohëplotë. Përherë e kisha pasur si synim ta bëja atë por nuk e kisha kuptuar se si njëri hap do të çonte tek tjetri. Tani e dija se të shërbeja në një mision ishte ajo që do të bëja dhe doja ta bëja atë sa më shpejt të ishte e mundur.

Në atë kohë, kostoja për një mision ishte 10 000 gulden me monedhën e vjetër holandeze, ose gati paga e një viti. Vazhdova të punoja në magazinë dhe në verën e vitit 1981, i fitova 10 000 guldenat e mi. Gjithashtu kisha mbushur 18 vjeç. Babai im, presidenti i degës, më tha se isha shumë i ri për një mision, ashtu siç më tha edhe presidenti i distriktit dhe presidenti i misionit. Në atë kohë duhej të ishe 19 vjeç. Por në ditëlindjen time të 18 unë vajta te doktori dhe dentisti i vetëm fare dhe iu kërkova të plotësonin pjesët e tyre për kërkesën time për mision.

Në njëfarë mënyre, arrita që t’i bëja udhëheqësit e mi të më intervistonin dhe ta dorëzoja kërkesën time. Pastaj pritëm. Nuk e dija që babai im, si president dege, kishte marrë një letër. Kërkesa iu kthye atij me njoftimin se isha shumë i ri. Por ai nuk donte që të ma tregonte ende atë ndaj e mbajti atë në xhepin e kostumit për javë të tëra pa më vënë në dijeni. Fatmirësisht, ndërkohë ai kishte marrë një njoftim tjetër. Aty thuhej se në disa situata Vëllezërit ishin të gatshëm t’i lejonin djemtë e rinj të shkonin më herët kur ata ishin të përgatitur mirë. Shpejt u thirra që të shërbeja dhe u caktova në Misionin e Anglisë Lindore, Londër. Misioni im u bë bekimi i gjithë jetës sime.

Bekimet nga Zoti

Tre muaj pasi u ktheva nga misioni, takova dashurinë e jetës sime. Një vit më pas u martuam dhe u vulosëm në Tempullin e Londrës në Angli. Ekonomia nuk ishte ende në gjendje të mirë, por kam qenë gjithmonë në gjendje që të kem një punë dhe të siguroj të ardhura për familjen time. Përherë ka pasur bukë mbi tryezë dhe një çati mbi kokë.

Si misionar, ky u bë një nga shkrimet e mia të shenjta të parapëlqyera: “Derisa ti do të zbatosh urdhërimet e Perëndisë, do të përparosh në tokë” (Alma 36:1). Me këtë si udhërrëfyes, unë vendosa të bëja atë që kishte bërë babai im – të qëndroja në Holandë dhe ta ndërtoja Kishën në atdheun tim.

Pamja
photograph of Elder Boom’s family

Familja e Plakut dhe Motrës Bum në vitin 2019. Që nga ajo kohë ka lindur një mbesë tjetër.

Sot dega e vockël ku unë u rrita, tani është një lagje e mrekullueshme ku nipërit dhe mbesat tona gëzohen në shoqërinë e shumë miqve që mblidhen në një Fillore të madhe. Djemtë tanë kanë profesione të mira dhe janë bekuar me bukë mbi tryezë. E shoh që vendimet e mia kanë pasur një ndikim në brezin e ardhshëm, i cili gjithashtu dëshiron ta vendosë Zotin të parin në jetën e vet.

Jam mirënjohës që mësova herët në jetë se vendimi i duhur ishte që t’i mposhtja shqetësimet e botës dhe ta vija Atin Qiellor të parin. Ai më ka dhënë bekime që në të kundërt nuk do t’i kisha njohur kurrë.