2021
Jezu Krishti e Njeh Dhembjen që Ndiejmë nga Paragjykimi
Shtator/Tetor 2021


Jezu Krishti e Njeh Dhembjen që Ndiejmë nga Paragjykimi

Autorja jeton në provincën e Gautengut, në Afrikën e Jugut.

Synimi im është t’i shoh njerëzit ashtu si do t’i shihte Shpëtimtari.

Pamja
people gathered on the Rome Italy Temple grounds

Në shtëpinë e hapur të Tempullit të Romës në Itali, anëtarë dhe miq e rrethojnë statujën Krishti sikurse shihet nga dritarja e qendrës së vizitorëve.

E kam përjetuar paragjykimin ose diskriminimin në një formë ose tjetër për pothuajse 20 vjet.

Pasi iu bashkova Kishës në Mozambik, u shpërngula në Afrikën e Jugut. Ai është një vend i bukur, një nga vendet më të begata në Afrikë. Bukuria e tij shquhet nga larmia e popullit të tij dhe nga një pasuri në kulturë.

Afrika e Jugut është një komb që ende po shërohet nga një histori e mjegulluar nga izolimi racial. Ndonëse aparteidi u shfuqizua zyrtarisht në vitin 1994, shenjat e kësaj rregulloreje të mëparshme të racizmit të zbatuar nga qeveria mbeten ende.

Si një grua shenjtore e ditëve të mëvonshme me ngjyrë nga Mozambiku e që kam jetuar në Afrikën e Jugut gjatë 18 viteve të shkuara, unë përjetoj diskriminim dhe përjashtim, që shpesh paraqiten si sjellje agresive pa paramendim. Racizmi, diskriminimi klasor, fisnor, gjinor dhe ksenofobia janë disa shembuj të të këqijave të izolimit me të cilin përballet ende shoqëria. Ka diçka brenda njeriut të natyrshëm që duket se dëshiron ta ndajë shoqërinë dhe të na bëjë të besojmë se të qenit i ndryshëm është diçka e keqe.

Ajo që Përpiqemi të Bëjmë

A munden anëtarët e Kishës të preken nga kjo mënyrë e të menduarit? Absolutisht. Ne të gjithë duhet ta zhveshim njeriun e natyrshëm në përpjekjen tonë gjatë gjithë jetës për t’u bërë shenjtorë nëpërmjet Shlyerjes së Krishtit (shih Mosia 3:19).

Sa herë që fëmijët e mi dhe unë ndihemi të izoluar, të shpërfillur, të parë si stereotipe ose si kureshti, vijmë në shtëpi dhe bisedojmë rreth kësaj. Themi: “Çfarë ndodhi tani? Le ta analizojmë këtë. Le të bisedojmë rreth arsyes përse njerëzit sillen në këtë mënyrë.” Bisedat rreth kësaj na ndihmojnë t’i ndalim ndjenjat tona që të mos përkeqësohen brenda nesh.

Përpiqem t’u mësoj fëmijëve të mi që madhështia jonë përcaktohet nga mënyra se si i trajtojmë njerëzit që mënjanohen ose veçohen në shoqëri (shih Mateu 25:40). Kjo mund të nënkuptojë që të kërkojmë mënyra për t’iu afruar të tjerëve që të mos i përjashtojmë ata.

Po Përpiqem të Jem si Jezusi

Sado të dhembshme janë disa nga përvojat, mësimet që po marrim, po i bëjnë fëmijët e mi njerëz më të mirë dhe mua gjithashtu. Zhgënjimet tona na kanë ndihmuar të zhvillojmë dhembshuri dhe ndjeshmëri për të tjerët.

Përvojat me paragjykimin më japin një mundësi për të zgjedhur. A do të jem e hidhur dhe të hakmerrem, apo do t’i jap atij personi jo vetëm një mundësi tjetër, por edhe një të dytë, të tretë e të katërt? A do ta shoh shoqërinë si një vend të tmerrshëm apo do të jem një forcë ndryshimi për mirë?

Shpëtimtari u përball gjithashtu me paragjykim për shkak të Atij që ishte, asaj që besonte dhe vendit nga vinte (shih Gjoni 1:46). Prapëseprapë Ai nuk u përgjigj me dhunë, zemërim, hidhësi ose urrejtje. Ai dha mësim kundër këtyre gjërave dhe veproi me dashuri e vërtetësi. Ai dha mësim se fuqia dhe ndikimi vijnë me anë të bindjes, durimit, mirësjelljes, zemërbutësisë dhe dashurisë (shih Doktrina e Besëlidhje 121:41). Ai dha mësim se kur dikush na fyen, duhet të shkojmë te vëllai ynë dhe të bisedojmë për atë gjë së bashku (shih Mateu 18:15). Ai na mësoi të lutemi për ata që na përndjekin (shih Mateu 5:38–48) dhe kur e gjykuan padrejtësisht dhe e varën në kryq që të vdiste, Ai na mësoi të falim (shih Lluka 23:34).

Përfundimisht, është dashuria e Tij që do të na ndryshojë ne dhe botën (shih 2 Nefi 26:24).

Do të Vazhdoj të Përpiqem

Nuk jam njeri i përkryer; nuk fal gjithnjë menjëherë pasi dikush më fyen. Duhet kohë, duhet të shërohem dhe duhet që Fryma e Shenjtë të veprojë tek unë. Nganjëherë zgjedh të fyhem dhe nuk i përqafoj menjëherë nxitjet e Tij por nëse jam e hapur ndaj Tij, Shpirti vepron tek unë me durim derisa të jem në gjendje ta kuptoj se çfarë do të donte Ati Qiellor që të bëja në atë situatë.

Synimi im është t’i shoh njerëzit vërtet ashtu si do t’i shihte Shpëtimtari. Për ta bërë këtë, ne duhet të jemi të gatshëm ta pranojmë se nuk do t’i kemi të gjitha përgjigjet. Kur jemi të gatshëm të themi: “Nuk jam i përsosur; kam shumë për të mësuar. Çfarë mund të mësoj nga këndvështrimet e të tjerëve?” – atëherë është momenti kur jemi vërtet në gjendje të mbajmë vesh. Atëherë është momenti kur jemi vërtet në gjendje të kuptojmë.

Ndërsa e përshkoj këtë rrugëtim, më ndihmon të kujtoj se jam këtu për një qëllim, që sprovat e jetës janë të përkohshme – një pjesë e nevojshme e vdekshmërisë – dhe se nuk jam vetëm. Në të gjithë këtë, po përpiqem të jem si Jezusi! Përpjekja është diçka aktive dhe kur dështojmë, mund të përpiqemi sërish.