2021
Emri i Kishës nuk Është i Diskutueshëm
Nëntor 2021


Emri i Kishës nuk Është i Diskutueshëm

Kur me dëshirë ndjekim këshillën e Zotit, siç zbulohet nëpërmjet profetit të Tij të gjallë (veçanërisht nëse bie ndesh me mënyrën tonë fillestare të të menduarit, që kërkon përulësi dhe sakrificë), Zoti na bekon me fuqi shpirtërore shtesë.

Në një konferencë për shtyp më 16 gusht 2018, Presidenti Rasëll M. Nelson tha: “Zoti ka ngulitur në mendjen time rëndësinë e emrit që Ai ka zbuluar për Kishën e Tij, madje Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.1 Kemi punë përpara nesh, për ta sjellë vetveten në harmoni me vullnetin e Tij.”2

Dy ditë më vonë, më 18 gusht, unë isha me Presidentin Nelson në Montreal të Kanadasë. Pas takimit me anëtarët tanë në Palais de Congre-in mbresëlënës, Presidenti Nelson iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve. Ai pranoi se do të ishte “një sfidë të [rivendosej emri i Kishës dhe] prishej [një] traditë prej më shumë se njëqind vjetësh”. Por ai shtoi: “emri i Kishës nuk është i diskutueshëm”3.

Shtatë javë më vonë, Presidenti Nelson foli në konferencën e përgjithshme: “Zoti ka ngulitur në mendjen time rëndësinë e emrit që Ai e dekretoi për Kishën e Tij, madje Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. … Ishte Vetë Shpëtimtari që tha: ‘Sepse kështu do të quhet kisha ime’.” Pastaj Presidenti Nelson përsëriti: “Emri i Kishës nuk është i diskutueshëm”4.

Një Pyetje e Mirë

Një pyetje e mirë doli në pah: “Pse tani?” kur për shumë dekada ne kishim përqafuar nofkën “mormon”? “The Mormon Tabernacle Choir”, materiale të shkurtra filmike “Jam një Mormon”, kënga e Fillores “I Am a Mormon Boy” [“Jam një Djalë Mormon”]?

Doktrina e Krishtit është e pandryshueshme dhe e përhershme. Prapëseprapë, hapat specifikë dhe të rëndësishëm të punës së Shpëtimtarit zbulohen në kohën e tyre të përshtatshme. Këtë mëngjes, Presidenti Nelson tha: “Rivendosja është një proces, jo një ngjarje”5. Dhe Zoti ka thënë: “Gjithë gjërat duhet të ndodhin në kohën e tyre”6. Tani është koha jonë dhe ne jemi duke rivendosur emrin e zbuluar të Kishës.

Identiteti dhe fati i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme kërkojnë që ne të thirremi me emrin e Tij. Kohët e fundit isha në Kirtland të Ohajos, ku Profeti Jozef Smith, me vetëm pak anëtarë të Kishës, profetizoi: “Kjo Kishë do të mbushë Amerikën e Veriut dhe të Jugut – ajo do të mbushë botën”7. Zoti e përshkroi punën në këtë periudhë ungjillore si “një punë të mrekullueshme dhe një çudi”8. Ai foli për një “besëlidhje që do të përmbushe[j] në ditët e mëvonshme”, duke e lejuar “të gjith[ë] … tokë[n] … të je[t]ë [e] bekuar”9.

Fjalët e kësaj konference po përkthehen në kohë reale në 55 gjuhë. Përfundimisht, këto fjalë do të dëgjohen dhe lexohen në 98 gjuhë në më shumë se 220 vende dhe territore.

Pamja
Ardhja e Dytë

Kur Shpëtimtari të kthehet në madhështi dhe lavdi, anëtarët besnikë të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme do të jenë mes të gjitha kombeve, të gjithë njerëzve, të gjitha racave dhe të gjitha kulturave të botës.

Ndikimi në Rritje i Kishës

Ndikimi i Kishës së rivendosur të Jezu Krishtit nuk do të jetë vetëm tek ata që janë anëtarë të Kishës. Për shkak të shfaqjeve qiellore në kohën tonë, për shkak të shkrimit të shenjtë të rivendosur në tokë dhe dhuratës së fuqishme të Frymës së Shenjtë, ne do të jemi një dritë që shkëlqen në kodër ndërsa hijet e zymta të mosbesimit te Jezu Krishti e errësojnë botën. Ndonëse shumë vetë mund ta lejojnë botën ta mjegullojë besimin e tyre te Shëlbuesi, ne “nuk do të lëvize[mi] nga vendi … [ynë]”10. Të krishterët që nuk janë mes anëtarësisë sonë do ta mirëpresin rolin tonë dhe dëshminë tonë të sigurt për Krishtin. Madje edhe ata të krishterë që na kanë parë me skepticizëm, do të na përqafojnë si miq. Në këto ditë të ardhshme, ne do të thirremi me emrin e Jezu Krishtit.

Faleminderit për përpjekjet tuaja fisnike për ta çuar përpara emrin e vërtetë të Kishës. Tre vjet më parë në konferencë, Presidenti Nelson na premtoi “se vëmendja jonë e rreptë, për ta përdorur emrin e saktë të Kishës së Shpëtimtarit … do të [na] ço[nte] në besim më të madh dhe në të drejtë për të përdorur fuqi shpirtërore më të madhe”11.

Ky premtim është përmbushur nga dishepuj të përkushtuar në mbarë botën.12

Vëllai Lori Ahola nga pjesa lindore e Shteteve të Bashkuara e pranon që me raste e ka siklet të tregojë emrin e plotë të Kishës por për shkak të këshillës së profetit, ai ngulmon. Në një rast, ai po vizitonte një mik në një kishë të një besimi tjetër. Këto janë fjalët e tij:

Një i njohuri im pyeti: “A je ti mormon?”

“‘Unë jam anëtar i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, po’, – thashë unë. Ai filloi duke më bërë disa pyetje, secila duke filluar me: ‘A beson Kisha Mormone …?’ dhe çdo herë, unë e filloja përgjigjen time me frazën: ‘Në Kishën e rivendosur të [Jezu] Krishtit, ne besojmë …’

… Kur ai vuri re që nuk po e pranoja titullin ‘mormon’, ai më pyeti në mënyrë të drejtpërdrejtë: ‘A nuk je ti mormon?’

Kështu që e pyeta nëse e dinte se kush ishte Mormoni – ai nuk e dinte. I thashë se Mormoni ishte një profet … [dhe isha] i nderuar që [atë] si figurë e lidhnin me mua.

‘Por’, vazhdova unë, ‘Mormoni nuk vdiq për mëkatet e mia. Mormoni nuk … vuajti në Gjetseman as nuk vdiq [për mua] në kryq . … Jezu Krishti është Perëndia im dhe Shpëtimtari im. … Dhe është me emrin e Tij që unë dua të njihem. …’

… Pas disa sekondash heshtjeje, [i njohuri tha me zë të lartë]: ‘Pra ti je i krishterë!’”13

Pamja
Presidenti Rasëll<nb/>M. Nelson në konferencën e përgjithshme

A ju kujtohen fjalët e Presidentit Nelson? “Ju premtoj që, nëse ne do të bëjmë më të mirën tonë për ta rivendosur emrin e saktë të Kishës së Zotit, Ai, Kisha e të cilit është kjo, do të derdhë fuqinë dhe bekimet e Tij mbi kokat e shenjtorëve të ditëve të mëvonshme, në mënyra të cilat ne nuk i kemi parë kurrë.”14

Zoti Gjithmonë e Hap Udhën

Zoti gjithmonë i mban premtimet e Tij. Ai na e hap udhën kur bëjmë punën e Tij.

Prej vitesh kishim shpresuar të blinim faqet e domeneve të internetit ChurchofJesusChrist.org dhe ChurchofJesusChrist.com. Asnjëra prej tyre nuk ishte në shitje. Rreth kohës së njoftimit të Presidentit Nelson, të dyja ishin papritur në dispozicion. Ishte një mrekulli.15

Zotit i ka rritur përpjekjet tona për rishikimin e emrave që i janë bashkëngjitur Kishës prej kohësh.

Duke shkuar përpara me besim, emri i Mormon Tabernacle Choir u ndryshua në The Tabernacle Choir at Temple Square. Faqja e internetit LDS.org, e cila vizitohet më shumë se 21 milion herë çdo muaj, u ndryshua në ChurchofJesusChrist.org.16 Emri i LDS Business College [Kolegji SHDM i Biznesit] u ndryshua në Ensign College [Kolegji Ensign]. Faqja e internetit Mormon.org kaloi te ChurchofJesusChrist.org. Më shumë se një mijë produkte të cilave u ishin bashkëngjitur emrat “Mormon” ose “LDS” [“SHDM”] janë riemërtuar. Shenjtorët besnikë të ditëve të mëvonshme i kanë rregulluar faqet e tyre të internetit, shpërndarjet përmes internetit dhe llogaritë në Twitter.

Pamja
Simboli i ri i Kishës

Ne miratuam një simbol të ri të përqendruar te Jezu Krishti.

“Në qendër të simbolit është një figurë e statujës së mermertë të Thorvaldsenit, Kristusi. Portretizon Zotin e gjallë, të ringjallur me duar të shtrira për t’i përqafuar të gjithë ata që do të vijnë tek Ai.

Në mënyrë simbolike, Jezu Krishti po qëndron nën një hark [që] na sjell ndërmend Shpëtimtarin e ringjallur duke dalë nga varri.”17

Pamja
Emri i Kishës në disa gjuhë
Pamja
Emri i Kishës në gjuhë të tjera

Tipografia e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme është përshtatur në më shumë se 50 gjuhë. Emra të rinj të domeneve janë siguruar në mbarë botën.

Vlerësim për Ndihmën nga të Tjerët

Ne i vlerësojmë njerëzit e shumtë të mirë dhe zemërbardhë që e kanë respektuar dëshirën tonë për t’u thirrur me emrin tonë të saktë. Lexova një artikull kohët e fundit që citonte një kardinal katolik, i cili përmendi “shenjtorët e ditëve të mëvonshme”18. Ndërsa vizitova një udhëheqës të një kishe të krishterë një muaj më parë në pjesën lindore të Shteteve të Bashkuara, ai iu referua Kishës në përmendjen e tij të parë me emrin tonë të plotë dhe e pasoi atë më shumë se një herë me “Kisha e Jezu Krishtit”.

Ne e kuptuam se shtimi i gjashtë fjalëve në emrin tonë nuk do të ishte ideale për mediat, por siç e paratha Presidenti Nelson, “mediat e përgjegjshme do të jenë mirëkuptuese për t’iu përgjigjur kërkesës sonë”.19 Faleminderit që na jepni të njëjtin vlerësim që iu jepni organizatave kulturore, atletike, politike ose të komunitetit duke përdorur emrin tonë të parapëlqyer.

Do të ketë disa që, duke shpresuar ta pakësojnë ose zvogëlojnë seriozitetin e misionit tonë, do të vazhdojnë të na quajnë “mormonë” ose “Kisha Mormone”. Me mirësjellje, ne përsëri kërkojmë nga njerëzit e paanshëm në media që ta respektojnë dëshirën tonë për të na thirrur me emrin tonë prej gati 200 vjetësh.

Guximi i Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme

Ka mijëra e mijëra shenjtorë të ditëve të mëvonshme që e kanë shpallur me guxim emrin e Kishës. Ndërsa bëjmë pjesën tonë, të tjerë do të na ndjekin. Më pëlqen shumë kjo histori nga Tahiti.

Dhjetëvjeçarja Iriura Xhini vendosi të ndiqte këshillën e Presidentit Nelson.

“Në klasën e saj në shkollë ata diskutuan për fundjavën e tyre … dhe Iriura foli për … kishën.

Mësuesja e saj, Vaite Pifao, tha: ‘O, pra ti je një mormone?’

Iriura tha me guxim: ‘Jo, … unë jam anëtare e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme!’

Mësuesja e saj u përgjigj: ‘Po, … ti je një mormone’.

Iriura këmbënguli: ‘Jo mësuese, jam një anëtare e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme!’

Zonja Pifao u mahnit nga bindja e Iriurës dhe pyeti veten pse ishte kaq këmbëngulëse për të përdorur emrin e gjatë të kishës së saj. [Ajo vendosi që të mësonte më shumë për Kishën.]

[Më vonë, kur Motra] Vaite Pifao u pagëzua, [ajo shprehu mirënjohje] që Iriura i kushtoi vëmendje këshillës së Presidentit Nelson.”20

Pamja
Motra që mësoi për Kishën për shkak të nxënëses së saj

“Emri i Kishës nuk është i diskutueshëm.” Le të shkojmë përpara me besim. Kur me dëshirë ndjekim këshillën e Zotit, siç zbulohet nëpërmjet profetit të Tij të gjallë veçanërisht nëse bie ndesh me mënyrën tonë fillestare të të menduarit, që kërkon përulësi dhe sakrificë, Zoti na bekon me fuqi shpirtërore shtesë dhe dërgon engjëjt e Tij që të na mbështesin dhe të na qëndrojnë pranë.21 Ne marrim pohimin e Zotit dhe miratimin e Tij.

Unë jam një dëshmitar okular i fuqisë së qiellit që qëndron mbi profetin tonë të dashur, Presidentin Rasëll M. Nelson. Dëshira e tij më e sinqertë është të kënaqë Zotin dhe t’i bekojë fëmijët e Atit tonë Qiellor. Nga përvoja e shenjtë e vetjake, dëshmoj për dashurinë e Zotit për të. Ai është profeti i Perëndisë.

Dëshmoj se Jezusi është Krishti, Biri i Perëndisë. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Shih 3 Nefi 27:7–9; Doktrina e Besëlidhje 115:4.

  2. Rasëll M. Nelson, në “President Nelson Discusses the Name of the Church”, Newsroom, 16 gusht 2018, newsroom.ChurchofJesusChrist.org.

  3. President Nelson Discusses the Name of the Church”, Newsroom, 21 gusht 2018, newsroom.ChurchofJesusChrist.org.

  4. Rasëll M. Nelson, “Emri i Saktë i Kishës”, Liahona, nëntor 2018, f. 87.

  5. Rasëll M. Nelson, “Gëzimi dhe Mbijetesa Shpirtërore”, Liahona, nëntor 2021, f. 94.

  6. Doktrina e Besëlidhje 64:32.

  7. Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith (2009), f. 142.

  8. 2 Nefi 27:26.

  9. 1 Nefi 15:18.

  10. Doktrina e Besëlidhje 101:17.

  11. Rasëll M. Nelson, “Të Bëhemi Shenjtorë Shembullorë të Ditëve të Mëvonshme”, Liahona, nëntor 2018, f. 113–114.

  12. Shih Henri B. Ajring, “Kështu do të Quhet Kisha Ime”, Liahona, tetor 2021, f. 6–9.

  13. Lori Ahola, “Përdorimi i Emrit të Plotë të Kishës Ishte i Sikletshëm, por ia Vlejti” (vetëm në format elektronik), Liahona, prill 2020, ChurchofJesusChrist.org.

  14. Rasëll M. Nelson, “Emri i Saktë i Kishës”, f. 89.

  15. The Intellectual Property Office [Zyra e Kishës për Pronën Intelektuale] kishte qenë duke e vëzhguar emrin e domenit të faqes ChurchofJesusChrist.org që nga viti 2006, dhe nuk kishte qenë në dispozicion. Ishte mbresëlënëse që u ofrua për shitje pak a shumë në të njëjtën kohë me njoftimin e presidentit Nelson, dhe Kisha e bleu emrin e domenit me një çmim shumë modest.

    Në të njëjtën mënyrë, Kisha kishte filluar të vëzhgonte gjendjen dhe a ishte në dispozicion domeni me emrin ChurchofJesusChrist.com që nga viti 2011. Çuditërisht, edhe ajo u vendos në shitje në gusht 2018 dhe u ble gjithashtu.

  16. Në konferencën e përgjithshme të tetorit 2018, Presidenti Nelson tha:

    “Vëllezër dhe motra, ka shumë argumente nga bota kundër rivendosjes së emrit të saktë të Kishës. Për shkak të botës dixhitale në të cilën jetojmë dhe me përmirësimin e motorëve të kërkimit që na ndihmon të gjithëve ta gjejmë informacionin që na nevojitet thuajse në çast – përfshirë informacionin për Kishën e Zotit – kritikët thonë se në këtë pikë, një korrigjim nuk është gjë e mençur. …

    … Ju premtoj që, nëse ne do të bëjmë më të mirën tonë për ta rivendosur emrin e saktë të Kishës së Zotit, Ai, Kisha e të cilit është kjo, do të derdhë fuqinë dhe bekimet e Tij mbi kokat e shenjtorëve të ditëve të mëvonshme” (“Emri i Saktë i Kishës”, f. 88, 89).

    Që nga kalimi i LDS.org në ChurchofJesusChrist.org, autoriteti i domenit (aftësia dhe fuqia e një faqeje për t’u renditur në motorët e kërkimit) është më i fortë sesa ishte më parë. Për shembull, faqja kryesore në internet ChurchofJesusChrist.org është tani, dhe ka qenë për më shumë se një vit, rezultati më i lartë i kërkimit në Shtetet e Bashkuara në Google kur dikush kërkon për termin “kishë”, ku më parë nuk mund ta pretendonte këtë dallim.

  17. Rasëll M. Nelson, “Hapja e Qiejve për Ndihmë”, Liahona, maj 2020, f. 73.

  18. Shih Tad Walch,“‘If We Can’t Get Along, It’s Downright Sinful’: The Partnership between Catholics and Latter-day Saints”, Deseret News, 1 korrik 2021, deseret.com.

  19. Rasëll M. Nelson, “Emri i Saktë i Kishës”, f. 89.

  20. The Correct Name of The Church: A Tahitian Story”, Pacific Newsroom, 15 shtator, 2019, news-nz.ChurchofJesusChrist.org.

  21. Shih Doktrina e Besëlidhje 84:88.