2021
Një Ndikim për Mirë në Mbarë Botën
Nëntor 2021


Një Ndikim për Mirë në Mbarë Botën

Ndërsa profetët dhe apostujt e vazhdojnë shërbesën e tyre, ndikimi i tyre për mirë bekon shumë jetë dhe nxit një frymë shërbimi, bashkëpunimi dhe shprese në mbarë botën. Këtu janë disa çaste kulmore të asaj shërbese gjatë gjashtë muajve të fundit.

Gjatë Lojërave Olimpike Verore në Tokio, Presidenti Rasëll M. Nelson publikoi në mediat shoqërore [diçka] rreth nevojës për t’i shmangur grindjet dhe për vlerën e miqësisë, respektit dhe bashkëpunimit.

Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, u bashkua me një videokonference botërore që nisi në Uindsor të Anglisë. Folësit në konferencë diskutuan për shëndetin mendor dhe emocional të miliona njerëzve në kampet e refugjatëve. Plaku Holland bëri thirrje për përkrahje për t’u lejuar refugjatëve të shprehin “besimi[n] fetar që u jep atyre identitetin vetjak”. Motra Sheron Iubank, Këshilltare e Parë në Presidencën e Përgjithshme të Shoqatës së Ndihmës dhe presidente e Latter-Day Saint Charities [Organizata Bamirëse e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme], gjithashtu mori pjesë në konferencë.

Plaku Kuentin L. Kuk, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, foli në këshillin për bashkëpunimin ndërfetar të zhvilluar në Universitetin e Notre Damit në Indiana, SHBA. Plaku Kuk i sfidoi pjesëmarrësit në takim që të “qëndrojnë si një fener besimi dhe uniteti në një botë që shpesh i zhvlerëson të dyja”.

Plaku Ronald A. Rasband, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, foli në Forumin Ndërfetar të G20-ës të zhvilluar në Bolonjë të Italisë. (Kombet e G20-ës përbëjnë 20 ekonomitë më të mëdha në botë.) “Kur fesë i jepet liria për të lulëzuar, besimtarët ngado kryejnë vepra shërbimi të thjeshta dhe ndonjëherë heroike”, tha Plaku Rasband. Në po atë forum, Motra Iubank foli rreth efekteve të urisë dhe kequshqyerjes në vobekësinë e fëmijërisë. “Ndryshimi mund të … arrihet vetëm nëpërmjet marrëdhënieve vetjake të mirëbesimit”, tha ajo.

Pas një tërmeti që shkatërroi Haitin, Plaku Ulises Soares, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, u foli në një transmetim të takimit shpirtëror anëtarëve që flasin frëngjisht në Karaibe, duke iu kujtuar atyre se “besimi e shkyç fuqinë e Perëndisë në jetën tonë”. Motra Reina I. Aburto, Këshilltare e Dytë në Presidencën e Përgjithshme të Shoqatës së Ndihmës, u bashkua në takimin shpirtëror dhe gjithashtu iu drejtua virtualisht anëtarëve në mbledhjet e udhëheqjes dhe konferencat e kunjit. “Ne mund të qëndrojmë të fortë”, tha ajo, “edhe nëse vijnë erërat dhe toka rreth nesh tundet”. Plaku Soares gjithashtu u foli të rinjve në Karaibe në një transmetim të takimit shpirtëror, duke iu kujtuar atyre se “ne kemi nevojë për ndikimin e Frymës së Shenjtë në jetën tonë”.