2022
A do të Largohesha?
Mars 2022


“A do të Largohesha?” Liahona, Mars/Prill 2022.

Zëra të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme: Gra me Besim

A do të Largohesha?

Pasi më fyen gjatë një aktiviteti të Shoqatës së Ndihmës, kisha për të marrë një vendim.

Pamja
një grua duke parë një fotografi të Shpëtimtarit

Pozon modelja

Pak pasi u bashkova me Kishën, një udhëheqëse e Shoqatës së Ndihmës po bënte shaka për disa situata qesharake. Papritur filloi të bënte shaka me mua përpara të gjithave. U ndjeva në siklet dhe lejova të fyhesha.

Mendimi i parë që më erdhi, ishte të mos kthehesha më në lagje. Hapa shkrimet e mia të shenjta, duke u përpjekur që të gjeja ngushëllim. Ndërsa lexoja, ndesha një varg ku Jezusi i pyeti ata që ishin fyer nga mësimet e Tij: “A doni edhe ju të largoheni?” (Gjoni 6:67.)

Menjëherë, u përgjigja pa zë: “Jo, nuk do të largohem!”

Mora në telefon presidenten e Shoqatës së Ndihmës, e cila më rekomandoi që ta merrja në telefon motrën që kishte bërë shaka me mua. E mora në telefon dhe i shpreha ndjenjat e mia. E mbyllëm bisedën me mendimin se humori është diçka e bukur, por se nuk duhet të bëjmë shaka me dikë që nuk e njohim përpara një grupi njerëzish. Gjithashtu folëm edhe për të qenit të ndjeshëm ndaj anëtarëve të rinj të lagjes.

Vazhdova ta frekuentoja atë lagje ndërsa jetoja në atë qytet. Pata shumë përvoja të mrekullueshme që pasuan pas kthimit tim në besim tek ungjilli.

Gjatë udhëtimit tim vetjak të mposhtjes së fyerjeve, gjeta këto fjalë të dobishme nga udhëheqësit tanë të Kishës:

“Nëse një person thotë ose bën diçka që e konsiderojmë fyese, detyrimi ynë i parë është të mos pranojmë të fyhemi, dhe pastaj të bisedojmë veçan, me ndershmëri dhe drejtpërdrejt me atë njeri” 1 .

“Unë ju premtoj, ndërsa zgjidhni të mos fyheni …, ju do ta ndieni dashurinë dhe miratimin e [Shpëtimtarit].” 2

Jam mirënjohëse që zgjodha të mos largohesha nga Kisha për një koment të patakt. Dhe jam mirënjohëse që jam anëtare e Kishës së rivendosur, ku marr forcë për të qenë besnike dhe për të vazhduar në shtegun e dishepullimit. E vlerësoj këshillën e profetëve dhe të apostujve, të cilët na mësojnë se si të bashkëveprojmë me vëllezërit dhe motrat tona në ungjill.

Unë mund të vazhdoj të jem besnike dhe të zgjedh që të mos fyhem. Unë mund të përqendrohem te përpjekjet e mia për të qenë si Krishti dhe për të ndier dashurinë dhe miratimin e Shpëtimtarit.

A do të largohem? Jo. Kam një dëshmi se kjo është Kisha e rivendosur e Jezu Krishtit në tokë sot dhe se ajo ka “fjalë jete të përjetshme” (Gjoni 6:68).

Shënime

  1. Dejvid A. Bednar, “Dhe Nuk Ka Asgjë Që Mund t’i Rrëzojë”, Liahona, nëntor 2006, f. 92; konferenca e përgjithshme, tetor 2006, f. 123.

  2. Nil L. Andersen, “Kurrë Mos e Lini Atë”, Liahona, nëntor 2010, f. 41.