2022
Le të Vizitojmë Tempullin
Mars 2022


“Le të Vizitojmë Tempullin”, Liahona, Mars/Prill 2022.

Zëra të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme: Gra me Besim

Le të Vizitojmë Tempullin

Kur u luta për të ditur se si mund ta ndihmoja vjehrrën time, mendja më shkoi te tempulli.

Pamja
Tempulli i Bogotasë, Kolumbi

Fotografi e Tempullit të Bogotasë në Kolumbi nga Ivan Ortiz Ponce

Gjatë pandemisë nga COVID-19, Tempulli i Bogotasë në Kolumbi u mbyll. Për shkak se nuk mund ta frekuentoja më, me raste ecja mendërisht nëpër tempull, duke kujtuar shërbimin që kisha dhënë atje si punonjëse tempulli.

Vjehrra ime u sëmur shumë rëndë pak pasi filloi karantina prej COVID-19 në Kolumbi. Kur u luta që të dija se si mund ta ndihmoja atë, mendova për tempullin.

Ndërsa mendova për tempullin, ndjeva nxitjen nga Fryma e Shenjtë që ta pyesja vjehrrën a do të donte të vizitonte mendërisht “një nga vendet më të bukura në tokë” me mua.

Me zërin e mekur, ajo u përgjigj “Po”.

Ne përfytyruam sikur e filluam nga shtëpia e saj në Medelin, duke udhëtuar për në shtëpinë time në Bogota dhe duke mbërritur më pas në tempull. Përfytyruam sikur u futëm dhe shërbyem në tempull. Përfytyruam sikur u ulëm së bashku në dhomën çelestiale, duke i drejtuar Zotit një lutje mirënjohjeje.

Pas kësaj, iu lutëm Atit Qiellor që vjehrra ime, sipas vullnetit të Tij, të mund të rifitonte shëndetin dhe përfundimisht t’i lejohej të kthehej fizikisht në tempull. Ishte një përvojë e veçantë dhe solemne që e forcoi dhe i dha zemër asaj.

Një nga historitë rreth Shpëtimtarit që më prek më shumë, ndodhi në qytetin e Kapernaumit. Kjo histori na mëson se Zoti mund t’i bekojë dhe shërojë të tjerët nëpërmjet ndihmës nga pjesëtarët e familjes dhe miqtë.

Kur njerëzit në Kapernaum mësuan se Jezusi ishte në një shtëpi të caktuar, ata i çuan një njeri që ishte i paralizuar.

“Por, duke qenë se nuk mund t’i afroheshin për shkak të turmës, zbuluan çatinë në vendin ku ndodhej Jezusi dhe, mbasi hapën një vrimë, e lëshuan vigun mbi të cilin rrinte shtrirë i paralizuari.”

Kur Jezusi e pa besimin e tyre, Ai i tha burrit: “Çohu, merre vigun tënd dhe shko në shtëpinë tënde”. (Shih Marku 2:1–11.)

Ashtu si burri i paralizuar, vjehrra ime u shërua me anë të fuqisë së Shpëtimtarit nëpërmjet një bekimi priftërie dhe nëpërmjet besimit të saj dhe besimit të familjes e miqve.

Në këto kohë pasigurie, unë e di se ne mund të marrim udhërrëfim për t’i forcuar dhe për t’iu dhënë zemër atyre që janë në nevojë. Nëse i drejtohemi Atit Qiellor dhe gjithmonë e kujtojmë Atë dhe Birin e Tij, ne mund të marrim paqe, shpresë dhe shërim.