Liahona
E Dija se Isha e Mbrojtur
Mars 2024


“E Dija se Isha e Mbrojtur”, Liahona, mars 2024.

Zëra të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme

E Dija se Isha e Mbrojtur

Lufta vazhdonte me tërbim jashtë, por teksa lexoja Librin e Mormonit, ndjeva paqe dhe nuk kisha frikë.

Pamja
grua duke lexuar një libër

Ilustrimi nga Alex Nabaum

Në vitin 1992, lufta në Jugosllavi vazhdonte me tërbim. Qyteti ynë i Mostarit po bombardohej çdo ditë. Të gjitha shërbimet publike ishin pezulluar, përfshirë shërbimin postar.

Megjithatë, më 1 prill pati një trokitje në derën time. Kur e hapa, një burrë që nuk e kisha parë kurrë, më dha një pako nga bija ime, e cila atëherë jetonte në Malaga të Spanjës, ku ajo ishte bashkuar me Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Brenda ishte një kopje e Librit të Mormonit.

Fillova ta lexoj po atë ditë. Jashtë po bëhej luftë, por ndërsa lexoja, ndieja paqe dhe nuk kisha frikë. Më vonë, mësova se paqja që ndjeva ishte Fryma e Shenjtë. E dija se isha e mbrojtur dhe nuk do të vdisja.

Ndërsa lexoja, mësova për Jezu Krishtin dhe se Ai ishte ende gjallë. Mësova rreth pagëzimit dhe rreth Kishës së Shpëtimtarit. Ndjeva se gjithçka që lexova, ishte e vërtetë. Herë pas here, bija ime u përgjigjej pyetjeve të mia.

Kur bashkëshorti im vdiq në 2019‑ën, vendosa të shkoj në Shtetet e Bashkuara, ku tani jetonte bija ime. Doja ta shihja dhe të mësoja më shumë për Kishën e rivendosur.

Qëndrova në Solt‑Lejk‑Siti në Jutë për katër muaj e gjysmë. Shkoja në kishë çdo javë me bijën time. Pata një ndjenjë që nuk mund ta përshkruaja. Bëra diskutimet me misionarët. E dija që gjithçka ishte e vërtetë. Unë përjetova ditën më të bukur të jetës sime kur hyra në ujërat e pagëzimit dhe u konfirmova anëtare e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme më 27 korrik 2019.

Kur hyra në dhomë për t’u konfirmuar pas pagëzimit tim, të gjithë po qanin. Të qenit e pagëzuar dhe marrja e dhuratës së Frymës së Shenjtë është një dhuratë e madhe nga Ati ynë Qiellor. Pas konfirmimit, ndjeva se qielli ishte hapur dhe se ne ishim të gjithë atje së bashku. Në bekimin tim patriarkal më pas, mora shumë premtime të veçanta, të përjetshme.

Libri i Mormonit është i vërtetë. Duke e lexuar dhe duke u lutur rreth tij, ne mund të fitojmë dëshminë tonë vetjake për të. Me atë dëshmi, ne do të dimë se Jozef Smithi ishte një profet dhe se nëpërmjet tij, Kisha e vërtetë e Jezu Krishtit u rivendos në tokë.