Liahona
Një Mëshirë e Dhembshur 25 Vjet më Vonë
Mars 2024


“Një Mëshirë e Dhembshur 25 Vjet më Vonë”, Liahona, mars 2024.

Zëra të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme

Një Mëshirë e Dhembshur 25 Vjet më Vonë

Jam mirënjohës që Perëndia përdori një letër të harruar për të kryer një nga mëshirat e Tij të dhembshura.

Pamja
baba e bijë te ujëvara e Niagarës

Fotografia me mirësinë e autorit

Ndërsa jepja mësim në seminarin herët në mëngjes në Eureka të Kalifornisë, SHBA, u kërkova nxënësve të mi të mendonin se ku e shikonin veten pas 10 vjetësh në të ardhmen. Më pas u kërkova të shkruanin një letër me dëshminë e tyre për ungjillin dhe çfarëdo gjëje tjetër që do të donin t’ia tregonin vetes së tyre në moshë më të madhe. U thashë se do t’ua postoja letrat pas 10 vjetësh.

Koha kalonte dhe unë kurrë nuk arrita t’i dërgoja letrat. Një ditë, 25 vjet më vonë, bija ime Hejdi i gjeti letrat dhe pyeti për to. Pasi shpjegova atë që kisha planifikuar, ajo kërkoi adresat e ish‑nxënësve të mi duke përdorur mjetet e mediave shoqërore.

Pamja
një dorë duke i kaluar disa zarfe dorës tjetër

Ilustrimi nga Alex Nabaum

Pasi ajo i postoi letrat, ne morëm disa përgjigje të mrekullueshme. Njëra prej ish‑nxënëseve të seminarit shkroi:

“Kam nevojë që babai juaj ta dijë se ai sapo i gjeti ato letra për një arsye. Bija ime 18‑vjeçare ka hasur vështirësi me dëshminë e saj dhe me ndjenjën se të qenit një ‘vajzë e përsosur shenjtore e ditëve të mëvonshme’ nuk është për të. Ajo nuk na i shpreh ndjenjat e saj. Ka qenë e vështirë.”

Ish‑nxënësja ime, tepër e lënduar nga disa gjëra që vajza e saj kishte shkruar së fundmi në një ditar në internet, shtoi:

“E dija se duhej të flisja me të rreth kësaj. Si zakonisht kur i bëjmë këto bashkëbisedime, fytyra e saj ishte e ngurtë dhe sfiduese dhe ajo nuk tha asgjë. Ia dhashë letrën time dhe i thashë se doja që ajo ta lexonte.

E pashë ta rilexonte disa herë paragrafin e parë. Kisha shkruar se nuk e dija nëse kisha një dëshmi, se të qenit një shenjtore e përsosur e ditëve të mëvonshme ishte shumë dhe ndoshta jo për mua.

Bija ime filloi të qajë. Kisha nevojë që ajo të dinte se i kuptoja vërtet vështirësitë e saj. Ajo nuk do ta kishte besuar kurrë këtë gjë pa atë letër! Një pjesë e murit të saj emocional është rrëzuar dhe me të vërtetë ndiej se ardhja e kësaj letre në këtë kohë ishte një mëshirë e dhembshur. Nëse do ta kisha marrë 10 vjet më parë, mund ta kisha hedhur ose mund ta kisha humbur. Ju lutem, falënderojeni babanë tuaj që na bëri t’i shkruajmë letrat dhe që i vuri në vendin e gabuar për gjithë këto vite! Asgjë nuk është rastësi.”

Ati ynë i dashur Qiellor vëzhgon mbi të gjitha delet e Tij dhe në kohën e Tij të mrekullueshme, Ai mund të kryejë mëshira të dhembshura dhe mrekulli nëpërmjet secilit prej nesh për t’i sjellë ata që po enden përsëri në tufë.