Liahona
Rimbjellja e Farës së Besimit
Mars 2024


“Rimbjellja e Farës së Besimit”, Liahona, mars 2024.

Rimbjellja e Farës së Besimit

Mësime nga ata që u rikthyen në besim.

Pamja
trungje dhe gjethe peme

Në një botë që shpesh lavdëron historitë për humbjen e besimit, rrugëtime më të qeta të rikthimit në besim nganjëherë kalojnë pa u vënë re. Por historitë e rikthimit në besim ilustrojnë se si vëllezër dhe motra në ungjill i kapërcejnë dyshimet e tyre edhe pasi largohen nga Kisha. Historitë e tyre ilustrojnë atë që dha mësim Alma rreth mbjelljes së farës. Alma përshkruan një proces besimi që jo vetëm ndihmon në forcimin e atyre që përpiqen ta rritin besimin e tyre, por gjithashtu ndihmon ata që po ndeshen me pyetje dhe shqetësime.

  • Së pari, ne kemi nevojë të kuptojmë se “besim[i] nuk është që të kesh një njohuri të përsosur të gjërave” (Alma 32:21).

  • Më pas, “ushtro[jmë] një pjesëz të besimit” apo madje edhe një “dëshir[ë për] të bes[uar]” (vargu 27).

  • Ne e mbjellim farën – fjalën e Perëndisë – në zemrën tonë (shihni te vargu 28).

  • Përgjatë udhës, ne i ushqejmë rrënjët shpirtërore me durim dhe e pranojmë ndihmën nga miqtë në ungjill për të kultivuar një pemë që është mbjellë në Krishtin, që të “rritet, deri në jetën e përjetshme” (vargu 41).

“Besim nuk është që të kesh një njohuri të përsosur të gjërave; prandaj, në qoftë se keni besim, ju shpresoni për gjëra që nuk shihen, të cilat janë të vërteta” (Alma 32:21).

Pamja
Alba Fonseka

Alba Fonseka, një anëtare e Kishës nga Shtetet e Bashkuara, shikoi materiale në internet që i ngritën shqetësime për bindjet e saj fetare dhe ajo kaloi përmes një humbjeje të shpejtë të besimit. Fillimisht, ajo e nxori jashtë farën e besimit me dyshimet e veta, por më pas filloi të bisedonte me një anëtar të dashur e me njohuri dhe kuptoi se edhe mosbesimi i saj ngrinte pyetje.

“Kuptueshmëria ime për konceptet e ungjillit dhe për historinë e Kishës nuk ishte aq gjithëpërfshirëse sa e kisha hamendësuar” – shpjegoi ajo. “Kjo më përuli dhe më ndihmoi të kuptoja se akoma kisha shumë për të mësuar dhe se besim nuk do të thotë që të arrish te marrja e përgjigjeve për të gjitha pyetjet.” Alba e kuptoi se të tjera “gjëra të çmuara në jetë, të tilla si familja, arsimimi, karriera, përfshijnë rreziqe, sakrificë, pasiguri dhe përpjekje afatgjata. U ktheva në Kishë dhe mund të pohoj se ruajtja e besimit gjithashtu ia vlen shumë që të bëhej kjo lloj përpjekjeje.”

Presidenti Rasëll M. Nelson dha mësim: “Zoti nuk kërkon besim të përsosur që ne të kemi të drejtën e përdorimit të fuqisë së Tij të përsosur”. Prapëseprapë besimi ynë, siç e vë në dukje ai, kërkon përpjekje të vazhdueshme që të vazhdojë të rritet.1 Ndërkohë që themeli fillestar i Tempullit të Solt‑Lejkut shërbeu mirë për më shumë se një shekull, ai tani ka nevojë për riparime të mëdha, shpjegoi Presidenti Nelson. Edhe ne me raste duhet t’i përforcojmë vetë themelet tona shpirtërore “që t’u bëjmë ballë rreziqeve dhe trysnive të ardhshme”2. Kur ndonjëherë ndeshemi me materiale të vështira ashtu siç u ndesh Alba, dëshira jonë për siguri mund të na çojë nga një bindje e thjeshtë te një mosbindje e thjeshtë, duke e anashkaluar përpjekjen e nevojshme për ta forcuar e përforcuar themelin tonë shpirtëror.

Ata që i studiojnë historitë e rikthimit në besim, e kanë parë të dobishme që ta shohim besimin si një udhëtim me hapa të shumtë gjatë gjithë jetës.3 Ne mund ta fillojmë me një bindje të thjeshtë si fëmijë, por në një pikë të caktuar ai besim si i një fëmije përballet me pyetje dhe shqetësime. Ndërkohë që besimi ynë i paprovuar mund të ketë shërbyer mirë si një themel shpirtëror, ne tani duhet të kalojmë përmes ndërlikimeve të jetës nga besimi i thjeshtë te besimi i pjekur që është në gjendje t’u bëjë ballë sfidave të ardhshme.4 Braktisja e besimit mund të duket e lehtë, pothuajse si një çlirim, por shpërblime të pasura i shoqërojnë rrugëtimet e atyre që kthehen te Perëndia dhe vazhdojnë t’i ushqejnë farat e tyre të besimit.

Sprovat e besimit filluan për Samuel Hoglandin nga Suedia kur pjesëtarë të familjes ngritën pyetje. Ai kaloi përmes një faze të “gjetjes së përgjigjes për një pyetje vetëm për t’u përballur me një pyetje tjetër” – shpjegon ai. “Besimi im luhatej nga një gjysmë ore në tjetrën, derisa e kuptova se ky proces dhe nevoja ime për siguri ishin të paqëndrueshme.” Në vend që të përpiqej të zgjidhte çdo pyetje relativisht të vogël, Samueli vendosi të studionte pyetje të rëndësishme, ato që ishin vendimtare për një themel të fortë te Jezu Krishti. I shoqëruar nga lutja dhe studimi i shkrimeve të shenjta, hulumtimi i Samuelit, ashtu si ai i Albës, i mësoi atij se sa shumë kishte akoma për të mësuar dhe e solli te bindje më të pjekura. “Përvoja e forcoi besimin tim pa masë” – thotë ai – “dhe më mësoi gjithashtu se atë që e kërkon me të vërtetë, do ta gjesh.”

“Por vini re, në qoftë se ju do të zgjoheni dhe do të vini në veprim aftësitë tuaja, madje deri në një provë mbi fjalët e mia dhe të ushtroni një pjesëz të besimit, po, edhe në qoftë se ju nuk mund të bëni më shumë sesa të dëshironi të besoni, lëreni këtë dëshirë të veprojë në ju” (Alma 32:27).

“Ushtrimi i besimit mund të duket mbingarkues” – pranoi Presidenti Nelson. “Nganjëherë mund të pyetim veten a mundet që të mbledhim besim të mjaftueshëm sa të marrim bekimet që na nevojiten kaq skajshëm.”5 Por edhe hapa të veckël besimi, duke filluar me një “pjesëz të besimit”, mund të “veproj[n]ë në ju” dhe të fillojnë një rilindje shpirtërore.

Pas endjes shpirtërisht në vitet e saj të kolegjit, Amanda Friberni nga Shtetet e Bashkuara ndërmori hapin e vogël të lutjes, gjë që e shtyu atë të ndiqte një nxitje për të vizituar mjediset rrethuese të tempullit në zonën e saj. “Të ndierit e Shpirtit atje e rindezi besimin tim” – thotë ajo. Rikthimi në Kishë dhe pranimi i një thirrjeje për të dhënë mësim në Fillore e thelloi besimin e saj dhe ajo vazhdoi të ndërmerrte hapa që e bënë atë ta përqafonte plotësisht ungjillin. Përgjatë udhës, Amanda vërejti: “Gjeta përgjigje ndaj pyetjeve që më nevojiteshin kaq shumë”.

Pamja
Den Ellsuorthi

Në një pikë të caktuar, Den Ellsuorthi, gjithashtu nga Shtetet e Bashkuara, nuk ishte i sigurt nëse i kishte ngelur ndonjë grimcë besimi për ta ushtruar. Ekspozimi i tij fillestar kundrejt metodave akademike dhe historike ndaj Dhiatës së Vjetër e dobësoi besimin e tij te Bibla dhe ndikoi në bindjen e tij për të gjithë shkrimin e shenjtë. Por Deni vazhdoi të shkonte në kishë dhe vendosi të eksperimentonte për gjashtë muaj me një plan për t’u lutur, për të agjëruar dhe për të shërbyer në Kishë. Me raste, ai u kërkoi bijave të tij të vogla që të luteshin për besimin e babit të tyre.

Pas pak kohe, Deni filloi të kishte përvoja shpirtërore dhe të gjente përgjigje për disa prej pyetjeve që e bezdisnin më shumë. Një ditë, ndërkohë që ishte në bibliotekë, ai pati nxitjen që të kalonte pranë një radhe librash dhe të zgjidhte njërin prej tyre. Në të, ai gjeti kundërargumenta plot mprehtësi ndaj librit që fillimisht e tronditi besimin e tij te Bibla. Ndërkohë që kjo përvojë nuk i dha zgjidhje çdo pyetjeje, ajo i dha Denit disa mësime të rëndësishme: “Së pari, më nevojitej të isha i përulur rreth sa shumë mund të dija vërtet vetë. Dhe së dyti, së bashku me arsyetimin, ekzistojnë mënyra të tjera për ta gjetur të vërtetën: mbresat shpirtërore, rrjedhojat pozitive nga frytet e Shpirtit dhe idetë që nxitin depërtime të thella intelektuale, të cilat të gjitha çuan drejt bindjeve dhe besimit më të fortë nga sa i kisha pasur më parë.”

Pamja
Zak Marshalli dhe familja

Për Zak Marshallin nga Anglia, hapi i thjeshtë i shikimit të një materiali filmik edukativ rreth Librit të Mormonit ia hapi mendjen ndaj mundësisë që libri mund të ishte i besueshëm. “E kisha lexuar atë më parë në studimin familjar të shkrimeve të shenjta dhe individualisht pa pasur një qëllim real” – shpjegon ai. “Por hoqa dorë nga të qenit aktiv në Kishë kur isha adoleshent, kështu që prova që pashë në materialin filmik, më bëri që për herë të parë ta lexoja Librin e Mormonit me qëllim.” Pasi eksperimentoi me fjalën e Perëndisë, Zaku filloi ta zëvendësonte dyshimin me bindje. Tani ai thotë: “Kishën që dikur e shihja si kufizuese, tani e shoh si çliruese, në të njëjtën mënyrë që Jezusi thotë: ‘E vërteta do t’ju bëjë të lirë’ [Gjoni 8:32]”.

“Por, në qoftë se e lini pemën pas dore dhe nuk mendoni për ta ushqyer, vini re, ajo nuk do të lëshojë ndonjë rrënjë” (Alma 32:38).

Ndërkohë që ndërmarrim hapa të vegjël për ta ushqyer besimin, ne gjithashtu kemi nevojë që të jemi të vetëdijshëm për mënyrat tona të të menduarit, gjë e cila e bllokon dhe e pengon besimin. Në studimin e historive të rikthimit në besim të anëtarëve të Kishës në shtete të ndryshme, Erik dhe Sara d’Evënje, profesorë në Universitetin “Brigham Jang” – Ajdaho, vënë në dukje që “mënyra se si mendojmë mund të jetë po aq e rëndësishme sa ajo se çfarë mendojmë”. Për shembull, pritshmëria se përkushtimi fetar do të na kursejë nga mungesa e rehatisë dhe nga sfidat zemërcopëtuese të jetës, nuk është e vërtetë dhe krijon hamendësime joreale. Jezu Krishti premtoi se nuk do të na braktisë kurrë, por paralajmëroi se “në botë do të keni mundime” (Gjoni 16:33). Prapëseprapë, sfidat e jetës, sipas Sarës, mund të “na shpien që ta shohim ungjillin negativisht. Ndonjëherë ne e hedhim poshtë idealen kur përballemi me ndonjë gjë që është më pak se ideale.”

Autori dhe historiani i pavarur Don Bredli nga Shtetet e Bashkuara u përball me pyetje rreth historisë së Kishës gjatë një kohe kur, shpjegon ai, “unë thjesht nuk isha i lumtur dhe kisha një pikëpamje skeptike. Cinizmi rreth kujtdo do ta ndikonte negativisht një marrëdhënie dhe unë i humba besimin tim dhe marrëdhënien time me Perëndinë.” Vite më vonë, Doni filloi të punonte drejt të qenit plot shpresë dhe mirënjohje në jetën e tij vetjake.

Ai gjithashtu filloi të hulumtonte studime rreth dobive të fesë së organizuar ndaj shëndetit mendor e fizik. “Nuk mund t’i mohoja ato studime” – kujton Doni. “Gradualisht kuptova se e kisha zëvendësuar skepticizmin me të menduarit kritik dhe, me një qëndrim me më shumë shpresë kundrejt jetës, unë e rifitova besimin tim te Perëndia dhe Jezu Krishti.” Doni iu rikthye informacionit historik me të cilin ishte përplasur dikur, por tani i njëjti material e çoi drejt bindjes se Jozef Smithi ishte një profet i Perëndisë.

“Në qoftë se ju do ta ushqeni fjalën, po, do ta ushqeni pemën si të fillojë të rritet, … ju do të korrni shpërblimet e besimit tuaj dhe të zellit tuaj dhe të durimit, dhe të durueshmërisë, duke pritur që pema t’ju japë frut” (Alma 32:41, 43).

Madje edhe me gatishmërinë për të eksperimentuar me fjalën e Perëndisë dhe për të pasur një mendësi plot shpresë, rikthimi në besim dhe në frekuentimin e kishës mund të jetë një proces i frikshëm, pothuajse dërrmues. Përpjekja kërkon jo vetëm durim, guxim e përulësi, por edhe dashurinë e miqve dhe pjesëtarëve të familjes. Pranimi i ndihmës së miqve të sinqertë e ushqen farën dhe e lejon të hedhë rrënjë në vend që të tkurret.

Pamja
Leo Uinëgëri

Kur Leo Uinëgëri nga Shtetet e Bashkuara u ndesh për herë të parë me pyetje rreth historisë së Kishës, ai mësoi për rëndësinë e miqve plot dhembshuri. “Dëshmia ime u vyshk”, shpjegon ai, teksa kaloi përmes një periudhe “vetmie dhe dëshpërimi të errët kur kisha vështirësi që të lutesha.” Një ditë Leoja pati mbresën që të vihej në kontakt me një profesor historie të Kishës. Ai jo vetëm që e inkurajoi Leon të rimerrte parasysh shtegun e tij të dyshimit, por gjithashtu u bë një mik i ngushtë. Dëshmia e Leos u rikthye gradualisht me ndihmën e këshilluesit të Leos dhe viteve të studimit plot shpresë. Me kalimin e kohës, ai gjeti përgjigje për shumë pyetje. “Ndihem përjetësisht mirënjohës ndaj Shpëtimtarit tim, Jezu Krishtit, që më udhërrëfeu për t’u kthyer” – shpjegon ai – “dhe për miqtë që e përfaqësuan Atë.”

“Nëse miqtë dhe familjarët … largohen nga Kisha, vazhdoni t’i doni ata” – këshilloi Presidenti Nelson. “Nuk ju takon juve që të gjykoni zgjedhjen e dikujt tjetër, po ashtu siç nuk e meritoni që të kritikoheni ngaqë po qëndroni besnik.”6

Pamja
Letisha Rull

Frika nga një kritikë e tillë e mbajti Letisha Rullin, një anëtare në Angli, larg ungjillit për 20 vjet. Ajo shpesh donte të kthehej, por “kishte frikë të kalonte pragun e derës, se ndihej e gjykuar dhe sikur nuk kishte jetuar siç duhet”. Vetëm një diagnozë kërcënuese për jetën i dha asaj guximin ta bënte atë hap të vështirë. Anëtarët e takuan atë me ngrohtësi e dashuri, duke e ndihmuar që të donte të merrte sërish pjesë në ungjill.

“Mbill[e]ni këtë fjalë në zemrat tuaja dhe posa të fillojë të fryhet, po ashtu, ta ushqeni me besimin tuaj. Dhe vini re, ajo do të bëhet një pemë që rritet në ju, deri në jetën e përjetshme” (Alma 33:23).

Ndërsa Alma e përfundon predikimin e tij, ai e bën të qartë se ndërsa përpjekjet për ta ushqyer farën janë vendimtare, ato nuk janë vetë fara. Në vend të kësaj, ne e mbjellim farën e vërtetë kur “fillo[jmë] të beso[jmë] në Birin e Perëndisë, se ai do të vijë të shëlbejë popullin e tij dhe se ai do të vuajë dhe do të vdesë që të shlyejë mëkatet e tyre” (Alma 33:22).

Majkëll Aurasi nga Gjermania mori mësime të rëndësishme rreth përparësive të ungjillit pasi shkoi në udhë të gabuar kur ishte i ri. “Kaq shumë gjëra dhe marrëdhënie të mira ekzistojnë në ungjill, por vetëm besimi te Jezu Krishti do t’i mbështetë dëshmitë tona” – shpjegon ai. “Babai im dhe unë, që të dy, u lëkundëm në besimin tonë për një periudhë kohe nga pyetje të ndryshme, por u rikthyem kur e bazuam besimin tonë te Jezu Krishti mbi çdo gjë tjetër.”

Presidenti Nelson na siguron: “Shpëtimtari nuk është kurrë më pranë jush sesa kur po përballni ose po i ngjiteni një mali me besim7. Vetë Jezusi premton: “Dhe ja, unë jam me ju gjithë ditët, deri në mbarim të botës” (Mateu 28:20). Ai do të ecë me ne, do të na dojë “me një dashuri të përjetshme” (Jeremia 31:3) dhe do të na japë jetë më me bollëk (shihni te Gjoni 10:10). Ata që dëshirojnë ta mbjellin këtë farë, do të zbulojnë se edhe besimi i tyre i vogël, nëpërmjet Shpëtimtarit, mund të bëhet “një pemë që rritet në ju, deri në jetën e përjetshme” (Alma 33:23).

Autorja jeton në Jutë, SHBA.