Eja, Më Ndiq 2024
22–28 Prill: “Të Mbushur me Dashuri ndaj Perëndisë dhe ndaj Gjithë Njerëzve”. Mosia 1–3


“22–28 Prill: ‘Të Mbushur me Dashuri ndaj Perëndisë dhe ndaj Gjithë Njerëzve’. Mosia 1–3”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: Libri i Mormonit 2024 (2024)

“22–28 Prill. Mosia 1–3”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: 2024 (2024)

Pamja
Mbreti Beniamin duke i dhënë mësim popullit të tij

Receiving the Teachings of King Benjamin [Marrja e Mësimeve nga Mbreti Beniamin], nga Maria Alejandra Gil

22–28 Prill: “Të Mbushur me Dashuri ndaj Perëndisë dhe ndaj Gjithë Njerëzve”

Mosia 1–3

Kur dëgjoni fjalën mbret, ju mund të mendoni për kurora, shërbëtorë dhe frone. Te Mosia 1–3, ju do të lexoni për një tjetër lloj mbreti. Në vend që të mbahej nga puna e popullit të tij, mbreti Beniamin “pun[oi] me duart e [tij]” (Mosia 2:14). Në vend që t’i vinte të tjerët t’i shërbenin atij, ai i shërbeu popullit të tij “me të gjithë fuqinë, mendjen dhe forcën që Zoti [i] k[ishte] dhënë” (Mosia 2:11). Ky mbret nuk donte që populli i tij ta adhuronte; përkundrazi, ai u mësoi atyre të adhuronin Mbretin e tyre Qiellor, Jezu Krishtin. Mbreti Beniamin e kuptonte se është “Zoti i Plotfuqishëm që mbretëron” (Mosia 3:5), i cili erdhi “poshtë nga qielli” dhe “mes njerëzve, … që shpëtimi të mund të vijë te fëmijët e njerëzve, madje nëpërmjet besimit në emrin e tij” (Mosia 3:5, 9).

Ide për të Mësuarit në Shtëpi dhe në Kishë

Mosia 1:1–7

“Kërko[ji]ni [shkrimet e shenjta] me zell.”

Në këto vargje, vini re se si analet e shenjta e bekuan popullin e mbretit Beniamin. Në çfarë mënyre është më e mirë jeta juaj ngaqë i keni shkrimet e shenjta?

Mosia 2:10–26

Pamja
ikona e seminarit
Kur u shërbej të tjerëve, unë po i shërbej edhe Perëndisë.

Çfarë mendoni që do të thoshte mbreti Beniamin nëse do ta pyesnit se përse shërbeu me të gjithë “fuqinë, mendjen dhe forcën” e tij? (Mosia 2:11.) Përsiateni këtë ndërsa lexoni te Mosia 2:10–26. Çfarë dha mësim mbreti Beniamin që ju frymëzon t’u shërbeni të tjerëve në një mënyrë më kuptimplotë? Për shembull, çfarë do të thotë për ju të dini se kur u shërbeni njerëzve të tjerë, ju po i shërbeni edhe Perëndisë? (Shihni te Mosia 2:17.) Kërkoni frymëzim se si mund t’i shërbeni dikujt këtë javë.

Edhe kur e dimë se duhet t’u shërbejmë të tjerëve, ne nganjëherë përballemi me sfida. Një mënyrë tjetër për t’i studiuar vargjet te Mosia 2:10–26 është të bëni një listë me të vërtetat që dha mësim mbreti Beniamin, të cilat mund t’ju ndihmojnë t’i kapërceni sfidat që mund t’ju pengojnë të shërbeni. Cilat përvoja ju kanë treguar se ajo që dha mësim mbreti Beniamin është e vërtetë?

Presidentja Xhoi D. Xhons dha një përvojë të fuqishme që e ndryshoi mënyrën se si ajo e shihte shërbimin ndaj të tjerëve. Lexoni rreth kësaj te biseda “Për Të” (Ensign ose Liahona, nëntor 2018, f. 50–52) dhe mendoni për mundësitë që keni për t’u shërbyer të tjerëve. Mund edhe të renditni disa dhe të përsiatni se si mesazhi i Presidentes Xhons, së bashku me vargun te Mosia 2:17, mund të ndikojnë te mënyra se si iu qaseni këtyre mundësive. Një himn i tillë si “Një Burr’ të Varfër Plot Pik’llim” (Himne, nr. 20) ose një material filmik si “The Old Shoemaker” [“Këpucari i Moshuar”] (Gospel Library) [Biblioteka e Ungjillit] mund t’ju ndihmojë të mendoni për pikëpamje të tjera.

Shihni edhe te Mateu 25:40; “Faith Murray’s Story: Overcoming Adversity through Service” [“Historia e Fejth Mërejit: Kapërcimi i Fatkeqësisë nëpërmjet Shërbimit”], “King Benjamin Teaches about Serving God” [“Mbreti Beniamin Jep Mësim rreth Shërbimit ndaj Perëndisë”] (materiale filmike), Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]; JustServe.org; Gospel Topics [Tema të Ungjillit], “Service” [“Shërbim”], Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].

Pamja
dy gra duke u përqafuar

Kur u shërbej të tjerëve, unë po i shërbej edhe Perëndisë.

Mosia 2:38–41

Lumturia vjen nga zbatimi i urdhërimeve të Perëndisë.

Si do ta përshkruanit lumturinë që vjen nga bindja ndaj Perëndisë? A ka ndonjë frazë te Mosia 2:38–41 që do t’ju ndihmonte të shpjegonit arsyen pse i zbatoni urdhërimet e Tij?

Mosia 3:1–20

Unë mund të bëhem shenjtor/e nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit.

Mbreti Beniamin, si të gjithë profetët, dëshmoi për Jezu Krishtin me qëllim që populli i tij të “mund të m[errte] heqje të mëkateve të [veta] dhe të gëzo[nte] me gëzim jashtëzakonisht të madh” (Mosia 3:13). Këtu janë disa pyetje për t’i përsiatur ndërsa e lexoni dëshminë e mbretit Beniamin për Shpëtimtarin te Mosia 3:1–20:

  • Çfarë mësoj nga këto vargje rreth Shpëtimtarit dhe misionit të Tij?

  • Çfarë mësoj nga Mosia 3:18–19 rreth asaj se çfarë do të thotë të bëhesh shenjtor/e?

  • Si më ka ndihmuar Jezu Krishti që ta mposht mëkatin, ta ndryshoj natyrën time dhe të bëhem më shumë si një shenjtor/e?

Mosia 3:5–21

“Zoti i Plotfuqishëm … do të vijë poshtë nga qielli.”

Çfarë ju jep mundësinë të bëni energjia elektrike? Si do të ndryshonte jeta juaj pa të? Këto pyetje mund t’ju ndihmojnë të përsiatni për fuqinë edhe më të madhe që Shpëtimtari mund të sjellë në jetën tuaj.

Engjëlli që iu shfaq mbretit Beniamin, iu referua Jezu Krishtit si “Zoti i Plotfuqishëm”, një titull që do të thotë se Ai ka gjithë fuqinë. Çfarë mësoni nga Mosia 3:5–21 rreth mënyrës se si Shpëtimtari e përdor atë fuqi? Si e keni parë fuqinë e Shpëtimtarit në jetën tuaj dhe në jetën e njerëzve përreth jush? Çfarë ju aftëson të bëni dhe të bëheni fuqia e Tij? Si do të ndryshonte jeta juaj pa të?

Për më shumë ide, shihni botimet e këtij muaji të revistave Liahona dhe Për Forcën e Rinisë.

Ide për Mësimdhënien ndaj Fëmijëve

Mosia 2:11–18

Kur u shërbej të tjerëve, unë po i shërbej Perëndisë.

  • Faqja e veprimtarisë së kësaj jave ka një kurorë të thjeshtë që mund ta bëjnë fëmijët tuaj. Ndoshta atyre do t’u pëlqente të qëndrojnë me radhë mbi një karrige ose stol dhe të bëjnë sikur janë mbreti Beniamin, ndërkohë që ju tregoni disa gjëra që mbreti Beniamin ia dha mësim popullit të tij, që gjenden te Mosia 2–3. Mund t’u tregoni edhe pjesën “Kapitulli 12: Mbreti Beniamin” (Tregime të Librit të Mormonit, f. 32–35) për t’u dhënë një vështrim të përgjithshëm të mësimeve të mbretit Beniamin.

  • Mosia 2:17 mund të jetë një varg i mirë për t’u mësuar nga fëmijët tuaj. Mund t’i ndihmoni ata të përsëritin disa fjalë çdo herë. Ose mund ta shkruani vargun, me disa fjalë kyç që mungojnë, dhe t’u kërkoni fëmijëve tuaj t’i gjejnë fjalët që mungojnë. Më pas mund të bisedoni me fëmijët tuaj rreth arsyes pse Perëndia do që ne t’i shërbejmë njëri-tjetrit.

  • Mund t’i ndihmoni fëmijët tuaj të kërkojnë te Mosia 2:11–18 për të zbuluar se çfarë bëri mbreti Beniamin për t’u shërbyer të tjerëve. Më pas fëmijët tuaj mund të shkruajnë në shirita letre disa mënyra se si mund t’u shërbejnë pjesëtarëve të familjes. Vendosini letrat në një mbajtëse, si një trastë ose kavanoz, që fëmijët tuaj të mund të zgjedhin një çdo ditë dhe ta bëjnë atë vepër shërbimi për dikë.

Fëmijët përfitojnë nga përsëritja. Mos kini frikë t’i përsëritni veprimtaritë disa herë, veçanërisht me fëmijët më të vegjël. Përsëritja do t’i ndihmojë fëmijët ta mbajnë mend atë që po mësojnë.

Pamja
fëmijë duke palosur një rrobë

Mbreti Beniamin dha mësim se ne mund t’i shërbejmë Perëndisë duke u shërbyer të tjerëve.

Mosia 2:19–25

Të gjitha bekimet e mia vijnë nga Ati Qiellor.

  • Shërbimi i mbretit Beniamin ndaj popullit të tij u frymëzua nga mirënjohja e tij e thellë për Perëndinë. Si do të frymëzoni ndjenja të ngjashme te fëmijët tuaj? Mund të lexoni së bashku te Mosia 2:21 dhe të filloni një listë me bekimet që na ka dhënë Ati Qiellor. Më pas ndoshta mund të shtoni në listë bekime të tjera që mund të mendojnë fëmijët.

  • Ja një lojë që mund ta luani për t’i ndihmuar fëmijët t’i dallojnë bekimet nga Ati Qiellor. Fëmijët mund të kalojnë dorë më dorë një figurë të Shpëtimtarit ndërsa këndojnë ose dëgjojnë një këngë rreth mirënjohjes (shihni “Mirënjohja” tek treguesi i temave te Libri i Këngëve të Fëmijëve). Herë pas here, ndaloni së kënduari ose ndalojeni muzikën dhe ftojeni këdo që po e mban figurën, të flasë për një bekim për të cilin ai ose ajo është mirënjohës/e. Sipas vargjeve te Mosia 2:22–24, si mund të tregojmë që jemi falënderues për bekimet tona?

Mosia 3:5–10, 19

Jezu Krishti do të më ndihmojë të bëhem më shumë si Ai.

  • Një engjëll i tregoi mbretit Beniamin të vërteta të rëndësishme për jetën dhe shërbesën e Jezu Krishtit. Ndoshta ju dhe fëmijët tuaj mund të kërkoni figura të disa prej ngjarjeve të përmendura te Mosia 3:5–10 (shih, për shembull, Libri i Figurave Artistike të Ungjillit, nr. 30, 41, 42, 5759). Teksa lexoni te Mosia 3:5–10, fëmijët tuaj mund të ngrenë duart kur të dëgjojnë diçka te fragmentet që shfaqet te njëra nga figurat.

  • A kanë ndihmuar ndonjëherë fëmijët tuaj që të përgatitin një ushqim duke përdorur një recetë gatimi? Ndoshta mund të flisni rreth asaj përvoje dhe të përdorni vargun te Mosia 3:19 që të krijoni një “recetë” për mënyrën se si mund të bëhemi si Jezu Krishti. Si na ndihmon Jezusi që të bëhemi si Ai?

Për më shumë ide, shihni botimin e këtij muaji të revistës Miku.

Pamja
Mbreti Beniamin duke i predikuar popullit të tij

King Benjamin’s Address [Fjalimi i Mbretit Beniamin], nga Jeremy Winborg