Eja, Më Ndiq 2024
7–13 Tetor: “Vini Re, Gëzimi Im Është i Plotë”. 3 Nefi 17–19


“7–13 Tetor: ‘Vini Re, Gëzimi Im Është i Plotë’. 3 Nefi 17–19”, Eja Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: Libri i Mormonit 2024 (2023)

“7–13 Tetor. 3 Nefi 17–19”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: 2024 (2023)

Pamja
Jezusi u shfaqet nefitëve

The Light of His Countenance Did Shine upon Them [Drita e Fytyrës së Tij Shkëlqeu mbi Ta], nga Gary L. Kapp

7–13 Tetor: “Vini Re, Gëzimi Im Është i Plotë”

3 Nefi 17–19

Jezu Krishti e kishte kaluar ditën duke dhënë shërbesë në tokën Begati, duke e dhënë mësim ungjillin e Tij, duke i lënë njerëzit t’i shihnin e t’i preknin shenjat në trupin e Tij të ringjallur dhe duke dëshmuar se Ai ishte Shpëtimtari i premtuar. Tani ishte koha për t’u larguar. “Koha ime është e afërt”, tha Ai (3 Nefi 17:1.) Ai ishte gati të kthehej tek Ati i Tij dhe e dinte se njerëzve u nevojitej kohë të përsiatnin atë që u kishte mësuar Ai. Kështu, duke premtuar se do të kthehej të nesërmen, Ai e la turmën që të shkonte në shtëpi. Por askush nuk u largua. Ata nuk e thanë se çfarë po ndienin, por Jezusi mund ta ndiente atë: ata shpresonin që Ai do të “rrinte edhe pak me ta” (3 Nefi 17:5). Ai kishte gjëra të tjera të rëndësishme për të bërë, por të treguarit e dhembshurisë për fëmijët e Perëndisë është gjithnjë një përparësi e lartë për Të. Ndaj, Jezusi qëndroi pak më tepër. Ajo që pasoi, ishte ndoshta shembulli më i dhembshur i dhënies së shërbesës, i shënuar në shkrimin e shenjtë. Ata që ishin të pranishëm, mund të thoshin vetëm se ishte e papërshkrueshme (shihni te 3 Nefi 17:16–17). Jezusi Vetë e përmblodhi derdhjen e paplanifikuar shpirtërore me këto fjalë të thjeshta dhe të fuqishme: “Tani vini re, gëzimi im është i plotë” (3 Nefi 17:20).

Ide për të Mësuarit në Shtëpi dhe në Kishë

3 Nefi 17; 18:24–25, 30–32

Shpëtimtari është shembulli im i përkryer i dhënies së shërbesës.

Rreth 2 500 njerëz qenë të pranishëm kur u shfaq Shpëtimtari, prapëseprapë Ai gjeti një mënyrë për t’u dhënë atyre shërbesë një e nga një. Çfarë vini re te mënyra se si dha shërbesë Ai te 3 Nefi 17; 18:24–25, 28–32? Për cilat nevoja dha shërbesë Ai? Cilat tipare e bënë të efektshme dhënien e shërbesës prej Tij? Mund të mendoni edhe rreth mënyrës se si Ai ju jep shërbesë juve. Si mund ta ndiqni shembullin e Tij? (Shihni edhe te 3 Nefi 18:24–25 dhe 28–32.)

Shihni edhe “Jesus Christ Has Compassion and Heals the People” [“Jezu Krishti Ka Dhembshuri dhe i Shëron Njerëzit”] (material filmik), Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].

3 Nefi 17:13–22; 18:15–25; 19:6–9, 15–36

Shpëtimtari më mësoi se si të lutem.

Imagjinoni si do të ishte po ta dëgjonit Shpëtimtarin të lutej për ju. Si do të ndikonte një përvojë e tillë te mënyra si luteni? Përsiateni këtë ndërsa studioni te 3 Nefi 17:13–22; 18:15–25 dhe 19:6–9, 15–36. Çfarë mësoni nga shembulli dhe mësimet e Jezu Krishtit rreth lutjes? Merreni parasysh të kërkoni pikëpamje rreth mënyrës se si, kur, ku, për kë dhe pse të luteni. Çfarë pikëpamjesh të tjera fitoni nga këto vargje?

Shihni edhe te Doktrina e Besëlidhje 10:5.

3 Nefi 18:1–12

Pamja
ikona e seminarit
Unë mund të ngopem me Shpirtin teksa marr sakramentin.

Kur bëjmë diçka shpesh, ajo mund të bëhet e rëndomtë ose rastësore. Ne nganjëherë përfundojmë duke e bërë pa u menduar fare. Si mund ta ndaloni të ndodhë kjo me ordinancën e përjavshme të sakramentit? Ndërsa lexoni vargjet te 3 Nefi 18:1–12, përsiatni se si mund të “ngopen[i]” shpirtërisht sa herë që e merrni sakramentin (shihni edhe te 3 Nefi 20:1–9). Sipas vargjeve 5–7, 11, cilat janë disa gjëra që duhet t’i bëni “gjithmonë” dhe “gjithnjë”? Gjithashtu mund të përsiatni pse na e dha Jezusi ordinancën e sakramentit dhe a po i përmbush sakramenti qëllimet e Tij në jetën tuaj. Përse sakramenti është i shenjtë për ju?

Në mesazhin e tij “Gjithmonë Kujtojeni Atë” (Liahona, shkurt 2018, f. 4–6), Presidenti Henri B. Ajring dha “tri sugjerime mbi atë që mund të kujtoni çdo javë kur i merrni emblemat e shenjta të sakramentit”. Çfarë ju bën përshtypje nga sugjerimet e tij? Çfarë mund të bëni për ta përmirësuar adhurimin tuaj gjatë sakramentit dhe gjatë gjithë javës?

Çfarë mund të bëni tjetër për të adhuruar në mënyrë më kuptimplotë? Mund t’i bëni vetes pyetje si këto: “Si po ndikon flijimi i Shpëtimtarit në jetën time të përditshme?” “Çfarë po bëj mirë si dishepull/e i/e Tij dhe çfarë mund të përmirësoj?”

Shihni edhe te Mateu 26:26–28; Xhefri R. Holland, “Ja Qengji i Perëndisë”, Liahona, maj 2019, f. 44–46; “Kur Sakramentin Ne Marrim”, Himne, nr. 96; “Jezu Krishti Paraqet Sakramentin” (material filmik), Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]; Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Sakrament”, Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].

Lini kohë për të përsiatur. Nganjëherë, studimi i shkrimeve të shenjta bëhet një përzierje leximi, lutjeje dhe përsiatjeje. Kur lini kohë të qetë për të reflektuar dhe folur me Perëndinë rreth asaj që po mësoni, mund ta shtoni fuqinë e fjalës së Tij në jetën tuaj.

3 Nefi 18:22–25

Unë mund ta “mba[j] lart” dritën e Jezu Krishtit.

Supozoni sikur keni një mik ose mikeshë që nuk di asgjë për Jezu Krishtin përveç faktit që ju jeni njëri nga ndjekësit e Tij. Në çfarë përfundimi do të dilte miku ose mikesha juaj rreth Tij, në bazë të veprimeve tuaja? Çfarë do të thotë për ju të “mbani lart dritën tuaj që të ndriçojë tërë botën”? (3 Nefi 18:24.) Çfarë ftesash të tjera bëri Shpëtimtari te 3 Nefi 18:22–25 që ju ndihmojnë ta mbani lart atë dritë?

Shihni edhe Boni H. Kordën, “Që Ata të Shohin”, Liahona, maj 2020, f. 78–80.

3 Nefi 18:36–37; 19:6–22

Dishepujt e Jezu Krishtit e kërkojnë dhuratën e Frymës së Shenjtë.

Mendoni për lutjet tuaja më të fundit. Çfarë ju mësojnë lutjet tuaja rreth dëshirave tuaja më të thella? Pasi e kaloi një ditë në praninë e Shpëtimtarit, turma e njerëzve “u lut për atë gjë që dëshironin më shumë”, dhuratën e Frymës së Shenjtë (3 Nefi 19:9). Përse dhurata e Frymës së Shenjtë është aq e dëshirueshme? Teksa i lexoni këto fragmente, përsiatni për vetë dëshirën tuaj për shoqërimin e Frymës së Shenjtë. Në ç’mënyrë mund ta kërkoni me zell atë shoqërim?

Për më shumë ide, shihni botimet e këtij muaji të revistës Liahona dhe revistës Për Forcën e Rinisë.

Ide për Mësimdhënien ndaj Fëmijëve

3 Nefi 17:7, 20–25

Shpëtimtari e do secilin prej fëmijëve të Atit Qiellor.

  • Mund të përdorni një figurë si ato në këtë përvijim, ose materialin filmik “Jesus Christ Prays and Angels Minister to the Children” [“Jezu Krishti Lutet dhe Engjëjt u Japin Shërbesë Fëmijëve”] (Gospel Library) [Biblioteka e Ungjillit] që t’i ndihmoni fëmijët tuaj ta përfytyrojnë ndodhinë te 3 Nefi 17. Merreni parasysh të lexoni fraza ose vargje nga 3 Nefi 17 që e vënë theksin te dashuria e Shpëtimtarit për njerëzit (të tilla si vargjet 7 dhe 20–25). Fëmijët tuaj më pas mund të bëjnë një vizatim të vetes së tyre me Jezusin. Ndërsa e bëjnë këtë, ndihmojini ata të mendojnë për mënyrat se si Jezusi e ka treguar dashurinë e Tij për ta.

Pamja
Jezusi duke bekuar fëmijët

Behold Your Little Ones [Vini Re të Vegjlit Tuaj], nga Gary L. Kapp

3 Nefi 18:1–12

Unë mund të mendoj për Jezusin kur marr sakramentin.

  • Mbase mund t’i ftoni fëmijët tuaj t’ju tregojnë se çfarë ndodh gjatë sakramentit. Më pas mund të lexoni te 3 Nefi 18:1–12 dhe t’u kërkoni fëmijëve tuaj të ngrenë dorën kur të dëgjojnë diçka që është e ngjashme me atë që bëjmë sot. Çfarë dëshiron Jezu Krishti që ne të kujtojmë ose të mendojmë gjatë sakramentit? (Shihni te 3 Nefi 18:7, 11.)

3 Nefi 18:15–24; 19:6–9, 15–36

Jezusi më mësoi se si të lutem.

  • Të kënduarit së bashku të një kënge rreth lutjes, të tillë si “Lutja e një Fëmije” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 6–7), është një mënyrë e mirë për t’i ndihmuar fëmijët tuaj të mendojnë për arsyet pse lutemi. Ju dhe fëmijët tuaj më pas mund të lexoni te 3 Nefi 18:18–21 dhe të bisedoni për atë që dha mësim Jezusi rreth lutjes. Ftesa ndaj fëmijëve tuaj që t’ju tregojnë se si ndihen kur luten, mund t’i ndihmojë ata të japin dëshminë e vet për lutjen.

  • Mund të jetë zbavitëse për fëmijët që të dalin në kërkim të disa prej bekimeve të lutjes që i ruani si thesar. Mund t’i shkruani referencat vijuese të shkrimit të shenjtë në fletë letre dhe t’i fshihni ato: 3 Nefi 18:15; 3 Nefi 18:20; 3 Nefi 18:21; 3 Nefi 19:9 dhe 3 Nefi 19:23. Fëmijët tuaj më pas mund t’i gjejnë letrat dhe t’i lexojnë vargjet, duke kërkuar gjërat që dha mësim Jezu Krishti ose dishepujt e Tij rreth lutjes.

Për më shumë ide, shihni botimin e këtij muaji të revistës Miku.

Pamja
engjëjt rrethojnë Jezusin dhe fëmijët nefitë

Angels Ministered unto Them [Engjëjt u Dhanë Shërbesë Atyre], nga Walter Rane.