Eja, Më Ndiq 2024
21–27 Tetor: “Nuk Mund të Kishte një Popull më të Lumtur”. 3 Nefi 27 – 4 Nefi


“21–27 Tetor: ‘Nuk Mund të Kishte një Popull më të Lumtur’. 3 Nefi 27 – 4 Nefi”, Eja Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: Libri i Mormonit 2024 (2023)

“21–27 Tetor. 3 Nefi 27 – 4 Nefi”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: 2024 (2023)

Pamja
Jezusi i Ringjallur duke u dhënë mësim njerëzve

21–27 Tetor: “Nuk Mund të Kishte një Popull më të Lumtur”

3 Nefi 274 Nefi

Mësimet e Jezu Krishtit janë shumë më tepër sesa thjesht një filozofi e bukur për t’u përsiatur. Ato kanë për qëllim të na frymëzojnë që të bëhemi si Ai. Libri 4 Nefi na tregon se sa tërësisht ungjilli i Shpëtimtarit mund t’i ndryshojë njerëzit. Pas shërbesës kohëshkurtër të Jezusit morën fund shekujt e grindjeve ndërmjet nefitëve dhe lamanitëve. Dy kombe, të njohura për mosmarrëveshje dhe krenari, u bënë “një, fëmijë të Krishtit” (4 Nefi 1:17) dhe filluan t’i kishin “të gjitha gjërat e përbashkëta mes tyre” (4 Nefi 1:3). “Dashuri[a e] Perëndisë … jetonte në zemrat e njerëzve” dhe “nuk mund të kishte një popull më të lumtur mes gjithë njerëzve të krijuar nga dora e Perëndisë” (4 Nefi 1:15–16). Kjo është mënyra se si mësimet e Shpëtimtarit i ndryshuan nefitët dhe lamanitët. Si po ju ndryshojnë ato ju?

Ide për të Mësuarit në Shtëpi dhe në Kishë

3 Nefi 27:1–12

Kisha e Jezu Krishtit quhet me emrin e Tij.

Teksa dishepujt e Shpëtimtarit filluan të themelonin Kishën e Tij anembanë vendit, doli një pyetje që për disa njerëz mund të dukej si një çështje e papërfillshme – cili duhej të ishte emri i Kishës? (Shihni te 3 Nefi 27:1–3.) Çfarë mësoni rreth rëndësisë së këtij emri nga përgjigjja e Shpëtimtarit te 3 Nefi 27:4–12?

Shpëtimtari e zbuloi emrin e Kishës së Tij sot te Doktrina e Besëlidhje 115:4. Përsiateni secilën fjalë në atë emër. Si na ndihmojnë këto fjalë të dimë se cilët jemi, çfarë besojmë dhe se si duhet të veprojmë?

Shihni edhe Rasëll M. Nelson, “Emri i Saktë i Kishës”, Liahona, nëntor 2018, f. 87–90; “Jesus Christ Declares the Name of His Church and His Doctrine” [“Jezu Krishti Shpall Emrin e Kishës së Tij dhe Doktrinën e Tij”] (material filmik), Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].

3 Nefi 27:10–22

Kisha e Jezu Krishtit është ndërtuar mbi ungjillin e Tij.

Pasi shpjegoi se Kisha e Tij duhet të “ndërt[ohet] mbi ungjillin [e Tij]” (3 Nefi 27:10), Shpëtimtari përshkroi se çfarë është ungjilli i Tij. Si do ta përmblidhnit atë që tha Ai te 3 Nefi 27:13–22? Në bazë të këtij përkufizimi, çfarë do të thotë për Kishën dhe për ju që të ndërtoheni mbi ungjillin e Tij?

Shënojeni atë që po mësoni. Vini re se çfarë u dha mësim Shpëtimtari dishepujve të Tij te 3 Nefi 27: 23–27. Përse është e rëndësishme të mbajmë shënime për përvojat shpirtërore? Çfarë ndiheni i/e frymëzuar të shënoni ndërsa keni studiuar shërbesën e Shpëtimtarit te 3 Nefi?

3 Nefi 28:1–11

“Çfarë dëshironi?”

Çfarë do të thoshit nëse Shpëtimtari do t’ju pyeste, sikurse i pyeti dishepujt e Tij: “Çfarë dëshironi nga unë?” (3 Nefi 28:1.) Mendoni për këtë teksa lexoni te 3 Nefi 28:1–11. Çfarë mësoni rreth dëshirave të zemrave të dishepujve nga përgjigjet e tyre ndaj pyetjes së Tij? Si po ndryshojnë dëshirat tuaja teksa e jetoni ungjillin e Jezu Krishtit?

Himnet shpesh shprehin dëshirat e çiltra; “Më Shum’ Shenjtëri m’Jep” është një shembulli i mirë (Himne, nr. 69). Merreni parasysh të gjeni një himn që pasqyron dëshirat tuaja.

3 Nefi 29–30

Libri i Mormonit është një shenjë se vepra e Perëndisë në ditët e mëvonshme po përmbushet.

Mendoni rreth shenjave që jua bëjnë të ditur se diçka do të ndodhë. Për shembull, nga e dini se po vjen shiu ose që stinët po ndryshojnë? Sipas vargjeve te 3 Nefi 29:1–3, nga e dini se puna e Perëndisë për mbledhjen e popullit të Tij “ka filluar tanimë të plotësohet”? (Shihni edhe te 3 Nefi 21:1–7.) Mund të vini re edhe te 3 Nefi 29:4–9 gjërat që njerëzit do të mohojnë në kohën tonë. Si e forcon Libri i Mormonit besimin tuaj në këto gjëra?

4 Nefi 1:1–18

Pamja
ikona e seminarit
Ndjekja e mësimeve të Jezu Krishtit çon në unitet dhe lumturi.

Si do të kishte qenë po të jetonit në vitet pas vizitës së Shpëtimtarit? Ndërsa studioni vargjet te 4 Nefi 1:1–18, merreni parasysh të renditni bekimet që morën njerëzit. Mund të shenjoni ose shënoni edhe zgjedhjet që bënë ata, të cilat i çuan në këtë jetë të bekuar. Çfarë u mësoi Jezusi atyre që mund t’i ketë frymëzuar zgjedhjet e tyre të drejta? Ja tek janë disa shembuj, por mund të gjeni të tjerë: 3 Nefi 11:28–30; 12:8–9, 21–24, 40–44; 13:19–21, 28–33; 14:12; 18:22–25.

Përsiatni se çfarë mund të bëni për t’i ndihmuar familjen, lagjen ose komunitetin tuaj që të jetojnë në unitet e lumturi më të madhe. Çfarë mund të bëni që të ndihmoni të kapërcehen përçarjet dhe të bëheni vërtet “një” me fëmijët e tjerë të Perëndisë? Cilat mësime të Jezu Krishtit ju ndihmojnë që ta përmbushni këtë synim?

Trishtueshëm, shoqëria e Sionit, e përshkruar te 4 Nefi, përfundimisht ra në ligësi. Ndërsa i lexoni vargjet te 4 Nefi 1:19–49, kërkoni qëndrimet dhe sjelljet që i dhanë fund lumturisë dhe unitetit të tyre. Çfarë mund të bëni që të ndihmoni të zhduken këto qëndrime ose sjellje?

Shihni edhe te Moisiu 7:18; D. Tod Kristoferson, “Shoqëritë e Qëndrueshme”, Liahona, nëntor 2020, f. 32–35; Reina I. Aburto, “Me një Mendje të Vetme”, Liahona, maj 2018, f. 78–80.

Për më shumë ide, shihni botimet e këtij muaji të revistës Liahona dhe revistës Për Forcën e Rinisë.

Ide për Mësimdhënien ndaj Fëmijëve

3 Nefi 27:3–8

Unë i përkas Kishës së Jezu Krishtit.

  • Për të paraqitur rëndësinë e emrit të Kishës së Jezusit, bisedoni me fëmijët tuaj për emrat e tyre. Përse janë të rëndësishëm emrat tanë? Më pas mund të lexoni te 3 Nefi 27:3 së bashku, duke kërkuar pyetjen që kishin dishepujt e Jezusit. Ndihmojini fëmijët tuaj ta gjejnë përgjigjen te 3 Nefi 27:5–8. Përse është i rëndësishëm emri i Kishës?

  • Gjithashtu mund t’i ndihmoni fëmijët tuaj të mendojnë për grupet e ndryshme të cilëve u përkasin, të tilla si një familjeje ose një klase të Fillores. Pyetini për atë që u pëlqen lidhur me përkatësinë në secilin grup. Më pas mund të këndoni së bashku këngën “Kisha e Jezu Krishtit” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 48) dhe të bisedoni rreth arsyeve përse jeni mirënjohës/e që i përkitni Kishës së Shpëtimtarit.

3 Nefi 27:13–16

Kisha e Jezu Krishtit është ndërtuar mbi ungjillin e Tij.

  • Shpëtimtari bëri një përmbledhje të ungjillit të Tij te 3 Nefi 27. Mund t’u shpjegoni fëmijëve tuaj se fjala ungjill do të thotë “lajm i mirë”. Çfarë lajmi të mirë gjeni te 3 Nefi 27:13–16? Përdoreni faqen e veprimtarisë së kësaj jave për të dhënë mësim se Kisha e Shpëtimtarit është e ndërtuar mbi ungjillin e Tij.

3 Nefi 27:30–31

Ati Qiellor gëzohet kur fëmijët e Tij kthehen tek Ai.

  • Merreni parasysh të luani një lojë në të cilën dikush fshihet dhe të tjerët përpiqen ta gjejnë atë. Kjo mund të çojë në një bashkëbisedim rreth gëzimit që ndiejmë kur gjendet dikush që kishte humbur. Pas leximit të vargjeve te 3 Nefi 27:30–31, mund të bisedoni për mënyrën se si ta ndihmoni njëri‑tjetrin për të qëndruar pranë Atit Qiellor në mënyrë që të thuhet për ta “asnjë … nuk ka humbur”.

4 Nefi

Ndjekja e Jezu Krishtit më sjell gëzim.

  • Për t’i ndihmuar fëmijët tuaj të mësojnë rreth lumturisë së njerëzve që përshkruhen te 4 Nefi, mund t’u tregoni figura njerëzish të lumtur. Më pas, ndërsa i lexoni bashkë vargjet 2–3 dhe 15–17 (ose te “Kapitulli 48: Paqe në Amerikë”, Tregime të Librit të Mormonit, f. 136–137), ata mund të tregojnë me gisht figurat kur të arrini te diçka në tregim që sjell lumturi.

  • Për t’i ndihmuar fëmijët tuaj ta ushtrojnë atë që jepet mësim te 4 Nefi 1:15–16, mund t’u paraqitni atyre situata në të cilat njerëzit janë të zemëruar me njëri‑tjetrin. Ftojini që të interpretojnë me role se si mund të ishte situata po të kishim “dashuri[n]ë [e] Perëndisë” në zemrat tona.

Për më shumë ide, shihni botimin e këtij muaji të revistës Miku.

Pamja
Jezusi duke folur me tre dishepuj nefitë

Christ with Three Nephite Disciples [Krishti me Tre Dishepujt Nefitë], nga Gary L. Kapp.