Eja, Më Ndiq 2024
14–20 Tetor: “Ju Jeni Fëmijët e Besëlidhjes”. 3 Nefi 20–26


“14–20 Tetor: ‘Ju Jeni Fëmijët e Besëlidhjes’. 3 Nefi 20–26”, Eja Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: Libri i Mormonit 2024 (2023)

“14–20 Tetor. 3 Nefi 20–26”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: 2024 (2023)

Pamja
Krishti u shfaqet nefitëve

Ilustrim i Krishtit teksa u shfaqet nefitëve, nga Andrew Bosley

14–20 Tetor: “Ju Jeni Fëmijët e Besëlidhjes”

3 Nefi 20–26

Kur i dëgjoni njerëzit të përdorin terma si shtëpia e Izraelit, a ju duket sikur po flasin për ju? Nefitët dhe lamanitët ishin pasardhës të mirëfilltë të Izraelit, “një degë e pemës së Izraelit” dhe prapëseprapë ata ndiheshin të “humbur nga trungu i tij” (Alma 26:36; shihni edhe te 1 Nefi 15:12). Por Shpëtimtari dëshironte që ata të dinin se nuk ishin të humbur për Të. “Jeni nga shtëpia e Izraelit”, tha Ai, “dhe jeni nga besëlidhja” (3 Nefi 20:25). Ai mund t’ju thotë diçka të ngjashme juve sot, sepse kushdo që pagëzohet dhe bën besëlidhje me Të, është gjithashtu nga shtëpia e Izraelit, “nga besëlidhja”. Me fjalë të tjera, kur Jezusi flet për shtëpinë e Izraelit, Ai po flet për ju. Udhëzimi për t’i bekuar “të gjitha fiset e tokës” është për ju (3 Nefi 20:27). Ftesa që të “zgjoh[eni] përsëri dhe [të] vish[ni] forcën”, është për ju (3 Nefi 20:36). Dhe premtimi i Tij i çmuar: “Mirësia ime nuk do të largohet prej teje, as besëlidhja e paqes sime nuk do të hiqet”, është për ju (3 Nefi 22:10).

Ide për të Mësuarit në Shtëpi dhe në Kishë

3 Nefi 20–22

Në ditët e mëvonshme Perëndia do të kryejë një vepër të mrekullueshme.

Te 3 Nefi 20–22, Shpëtimtari profetizoi për të ardhmen e popullit të Tij të besëlidhjes (shihni te 3 Nefi 20:30–32, 39–41; 21:9–11, 22–29). Teksa i lexoni këto vargje, mbajeni mend atë që ka thënë Presidenti Rasëll M. Nelson: “Ne jemi midis [popullit] të besëlidhjes së Zotit. I yni është privilegji për të marrë pjesë personalisht në përmbushjen e këtyre premtimeve. Çfarë kohe e mrekullueshme për të jetuar!” (“Mbledhja e Izraelit të Shpërndarë”, Konferenca e Përgjithshme, tetor 2006, f. 106.) Cilat profeci janë veçanërisht emocionuese për ju? Çfarë mund të bëni për të ndihmuar që ato të përmbushen?

Kërkoni fjalë dhe fraza frymëzuese. Ju mund të zbuloni se fjalë dhe fraza të caktuara në shkrimet e shenjta ju lënë mbresë, sikur të ishin shkruar posaçërisht për ju. Merreni parasysh t’i shenjoni ato në shkrimet tuaja të shenjta ose t’i shkruani ato në një ditar studimi.

3 Nefi 2224

Perëndia është i mëshirshëm ndaj njerëzve që kthehen tek Ai.

Te 3 Nefi 22 dhe 24 Shpëtimtari citon fjalë nga Isaia dhe Malakia që janë plot simbole dhe krahasime të gjalla – qymyre në zjarr, argjend i pastruar, martesë, dritare të qiellit (shihni veçanërisht te 3 Nefi 22:7–8, 10–17; 24:10–12, 17–18). Çfarë ju mësojnë këto krahasime rreth marrëdhënies së Perëndisë me popullin e Tij dhe rreth marrëdhënies së Tij me ju? Si janë përmbushur premtimet në këta kapituj në jetën tuaj ose në jetën e familjes suaj?

Shihni edhe “The Refiner’s Fire” [“Zjarri i Rafinuesit”] (material filmik), Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].

3 Nefi 23:6–13

Mbajtja shënim e përvojave shpirtërore mund ta bekojë familjen time.

Çfarë ju bën përshtypje te ndërveprimi i Shpëtimtari me Nefin te 3 Nefi 23:6–13? Po t’i shqyrtonte Shpëtimtari shënimet që keni mbajtur ju, çfarë pyetjesh mund t’ju bënte Ai? Çfarë ngjarjesh të rëndësishme ose përvojash shpirtërore duhet të mbani shënim? Përse është e rëndësishme që ta bëjmë këtë? (Shihni te 3 Nefi 26:2.)

3 Nefi 23; 26:1–12

Shpëtimtari dëshiron që unë të kërkoj te shkrimet e shenjta.

Ndërsa lexoni te 3 Nefi 20:10–12; 23; 26:1–12, përsiatni se si ndihet Shpëtimtari rreth shkrimeve të shenjta. Cili është dallimi mes kërkimit te shkrimet e shenjta dhe thjesht leximit të tyre? (Shihni te 3 Nefi 23:1.)

3 Nefi 24:7–12

Pamja
ikona e seminarit
Pagimi i së dhjetës hap dritaret e qiellit.

Populli i Perëndisë është urdhëruar gjithnjë që ta paguajë të dhjetën (shihni te Zanafilla 14:17–20; Malakia 3:8–11). Ndërsa studioni te 3 Nefi 24:7–12, mendoni rreth arsyes pse Perëndia i kërkon popullit të Tij që ta paguajë të dhjetën. Këto pyetje mund ta udhërrëfejnë studimin tuaj:

  • Çfarë është ligji i së dhjetës? (Shihni te Doktrina e Besëlidhje 119. “Interes” në këtë zbulesë do të thotë të ardhura. Të gjithë anëtarët që kanë të ardhura, duhet ta paguajnë të dhjetën.) Ku ndryshon e dhjeta nga llojet e tjera të dhurimeve?

  • Për çfarë përdoret e dhjeta? Mund të gjeni një listë jo të plotë tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Dhjeta (të), Dhjetë (e)”, (Gospel Library) [Biblioteka e Ungjillit]. Në çfarë mënyrash jeni bekuar ngaqë anëtarët e Kishës e paguajnë të dhjetën?

  • Çfarë bekimesh u vijnë njerëzve që e jetojnë ligjin e së dhjetës? (Shihni te 3 Nefi 24:7–12.) Mund të gjeni disa bekime që përshkruhen në mesazhin e Plakut Dejvid A. Bednar “Pragjet e Qiellit” (Liahona, nëntor 2013, f. 17–20). Kërkoni, në veçanti, për bekime që nuk janë domosdoshmërisht në para. Si i keni parë këto bekime në jetën tuaj?

Nëse dëshironi, mund të shihni edhe materialin filmik “Jesus Teaches about the Widow’s Mite” [“Jezusi Jep Mësim rreth Monedhave të së Vesë”] (Gospel Library) [Biblioteka e Ungjillit] ose lexoni te Marku 12:41–44. Çfarë ju mëson kjo ndodhi?

3 Nefi 25:5–6

Zoti dërgoi Elijan për ta kthyer zemrën time te paraardhësit e mi.

Në kohën tonë, zemrat tona “kthe[hen] … tek etërit [tanë]” nëpërmjet punës në tempull dhe për historinë familjare. Si ka ndodhur kjo për ju? Teksa lexoni te 3 Nefi 25:5–6 dhe Doktrina e Besëlidhje 110:13–16, përsiatni se pse kjo është një pjesë kaq e rëndësishme e planit të Perëndisë.

Shihni edhe “Familjet Mund të Jen’ Bashk’ Përgjithmon’”, Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 98.

Për më shumë ide, shihni botimet e këtij muaji të revistës Liahona dhe revistës Për Forcën e Rinisë.

Ide për Mësimdhënien ndaj Fëmijëve

3 Nefi 23:1, 5

Unë mund të kërkoj te shkrimet e shenjta me zell.

  • Udhëzimet e Shpëtimtarit te 3 Nefi 23 tregojnë se sa të rëndësishme janë shkrimet e shenjta për Të. Për t’i ndihmuar fëmijët tuaj ta zbulojnë këtë, mund të lexoni te 3 Nefi 23:1, 5 me zë të lartë dhe t’u kërkoni atyre të mbajnë vesh një fjalë që përsëritet tri herë. Si ndryshon kërkimi nga thjesht leximi?

  • Mbase ju dhe fëmijët tuaj mund të shkruani një varg të parapëlqyer nga shkrimet e shenjta dhe ta fshihni atë. Pastaj mund t’i gjeni me radhë shkrimet e shenjta të fshehura të njëri-tjetrit, t’i lexoni ato së bashku dhe të bisedoni për arsyen pse këto vargje janë kuptimplota.

3 Nefi 24:8–12

Pagimi i së dhjetës hap dritaret e qiellit.

  • Ndihmojini fëmijët tuaj të shqyrtojnë vargjet te 3 Nefi 24:8–12 për të gjetur mënyra për ta përfunduar këtë fjali: Nëse e paguaj të dhjetën, Zoti do të … . Mundeni edhe të tregoni një përvojë në të cilën u bekuat për shkak se e paguat të dhjetën. Nëse do të ishte e dobishme, merreni parasysh të shkruani disa vlera parash dhe t’i ndihmoni fëmijët tuaj të llogaritin se sa të dhjetë (10 përqind) duhet të japin për secilën shumë.

  • Faqja e veprimtarisë së kësaj jave mund t’i ndihmojë fëmijët tuaj të flasin rreth disa mënyrave sipas të cilave Zoti e përdor të dhjetën për të bekuar anëtarët e Kishës së Tij. Ndoshta ata mund të bëjnë vizatime (ose të gjejnë figura në revistat e Kishës) të mënyrave se si i bekon e dhjeta.

3 Nefi 25:5–6

Ati Qiellor dëshiron që unë të mësoj për paraardhësit e mi.

  • Si do t’i frymëzoni fëmijët tuaj që të bëjnë kërkime për paraardhësit e tyre dhe të mësojnë rreth tyre? Si mund t’i nxitni fëmijët tuaj që të kryejnë ordinanca për paraardhësit e tyre kur të jenë më të rritur në moshë? Merreni parasysh t’i ndihmoni ata të shqyrtojnë vargjet te 3 Nefi 25:5–6 për të gjetur diçka që do të ndodhte në ditët e mëvonshme. Fëmijët më të vegjël mund ta vendosin dorën në zemër sa herë që të dëgjojnë fjalën “zemrat” teksa ju i lexoni këto vargje. Mund të lexoni edhe për faktin se si u përmbush kjo profeci te Doktrina e Besëlidhje 110:13–16 (shihni edhe te Libri i Figurave Artistike të Ungjillit, nr. 95). Tregojuni fëmijëve tuaj se si është kthyer zemra juaj te paraardhësit tuaj. Për shembull, mund të tregoni ndonjë përvojë që keni pasur duke mësuar rreth paraardhësve tuaj dhe duke bërë ordinanca tempulli për ta.

  • Ndihmojini fëmijët tuaj të plotësojnë një pemë familjare me emrat e prindërve dhe të gjyshërve të tyre. Çfarë historish mund të tregoni për njërin nga paraardhësit tuaj? Tregoni fotografi nëse është e mundur. Ju gjithashtu mund të këndoni së bashku “Familjet Mund të Jen’ Bashk’ Përgjithmon’” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 98) dhe të bisedoni me fëmijët tuaj rreth arsyes pse familjet janë të rëndësishme në planin e Atit Qiellor.

Për më shumë ide, shihni botimin e këtij muaji të revistës Miku.

Pamja
Jezusi duke lexuar me Nefin analet nefite

Bring Forth the Record [Sillni Analin], nga Gary L. Kapp.