Eja, Më Ndiq
23–29 Nëntor. Ethëri 12–15: “Me Anë të Besimit të Gjitha Gjërat Plotësohen”


“23–29 Nëntor. Ethëri 12–15: ‘Me Anë të Besimit të Gjitha Gjërat Plotësohen’”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: Libri i Mormonit 2020 (2020)

“23–29 Nëntor. Ethëri 12–15”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: 2020

Pamja
Ethëri duke u futur në një shpellë

Ethëri Fshihet në Zgavrën e një Shkëmbi, nga Gary Ernest Smith

23–29 Nëntor

Ethëri 12–15

“Me Anë të Besimit të Gjitha Gjërat Plotësohen”

Ndërsa lexoni kapitujt tek Ethëri 12–15, mendoni rreth fëmijëve të cilëve u jepni mësim. Idetë e veprimtarive në këtë përvijim mund t’ju frymëzojnë me ide të tjera që do të ndihmojnë në plotësimin e nevojave të fëmijëve në klasën tuaj.

Shënojini Mbresat Tuaja

Pamja
ikona e të treguarit

Ftojini të Tregojnë

Ndihmojini fëmijët të mendojnë për histori nga shkrimet e shenjta rreth njerëzve që shfaqën besim të madh. Disa shembuj gjenden tek Ethëri 12:11–22.

Pamja
ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Vegjël

Ethëri 12:6–22

Besimi është të besojmë në gjëra që nuk mund t’i shohim.

Moroni tregoi disa shembuj të njerëzve që arritën gjëra të mëdha për shkak të besimit të tyre. Merrni parasysh se si mund t’i përdorni këta shembuj për t’u mësuar fëmijëve se çfarë është besimi.

Veprimtari të Mundshme

  • Lexojuni fëmijëve: “Besimi qëndron në gjërat që shpresohen dhe nuk shihen” nga Ethëri 12:6 dhe kërkojuni atyre ta përsëritin këtë frazë me ju. Tregojuni fëmijëve për gjërat në të cilat ju besoni ndonëse nuk mund t’i shihni ato dhe ndihmojini fëmijët të mendojnë për shembuj shtesë. Kënga “Faith” [“Besimi]” (Children’s Songbook [Libri i Këngëve të Fëmijëve], f. 50) ose një këngë tjetër rreth besimit, mund të ndihmojë.

  • Paraqitni figura që ilustrojnë shembuj besimi tek Ethëri 12:13–15, 20–21 (shih Libri i Figurave Artistike të Ungjillit, nr. 7885 dhe faqen e veprimtarisë së kësaj jave). Lërini fëmijët t’ju tregojnë atë që shohin në figurat dhe atë që dinë për historitë. Flitni me fëmijët për mënyrën se si këta individë shfaqën besim dhe atë çfarë ndodhi për shkak të besimit të tyre.

  • Luani me fëmijët një lojë me hamendësime. Jepuni të dhëna rreth njerëzve besnikë të përshkruar tek Ethëri 12:13–15, 19–20 derisa fëmijët të mund ta gjejnë se cilët janë ata. Pastaj lërini fëmijët ta luajnë përsëri lojën duke e bërë me radhë dhënien e të dhënave rreth të njëjtëve njerëz (ose njerëzve të tjerë besnikë) ndërkohë që pjesa tjetër e klasës i gjen. Tregoni atë që admironi te besimi i këtyre njerëzve.

Ethëri 12:23–27

Jezu Krishti mund të më ndihmojë që të jem i fortë.

Fëmijët ndonjëherë hasin situata kur ata ndihen të dobët, ashtu si bëri Moroni. Ndihmojini ata të mësojnë atë që mësoi Moroni – se Shpëtimtari mund të “bëj[ë] që gjërat e dobëta, të bëhen të forta” (Ethëri 12:27).

Veprimtari të Mundshme

  • Përshkruani për fëmijët një detyrë që do të kërkonte shumë forcë fizike për t’u përmbushur. Ftojini të tregojnë shembuj të gjërave të cilat ata nuk janë mjaft të fortë që t’i bëjnë tani. Si mund të bëhemi mjaft të fortë për t’i përmbushur këto detyra? Shpjegoni se ne gjithashtu kemi punë shpirtërore për të bërë, por ne ndonjëherë ndihemi të dobët shpirtërisht. Moroni u ndie në këtë mënyrë për shkrimet e tij në fletët. Lexojuni fëmijëve vargun tek Ethëri 12:27. Çfarë u premtoi Zoti atyre që ndihen të dobët?

  • Tregoni një përvojë në të cilën Shpëtimtari ju ndihmoi juve ose dikë që e njihni, të bënte diçka që ishte e vështirë. Dëshmojuni fëmijëve se në qoftë se e kërkojnë ndihmën e Tij, Jezusi mund t’i ndihmojë që të jenë të fortë, edhe kur ndihen të dobët.

Pamja
ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Mëdhenj

Ethëri 12:5–6

Besimi është të besojmë në gjëra që nuk mund t’i shohim.

Fëmijët të cilëve u jepni mësim, po ndërtojnë themelin e dëshmisë së tyre. Këshilla e Moronit rreth besimit, që gjendet tek Ethëri 12:6, mund t’i ndihmojë ata.

Veprimtari të Mundshme

  • Shpjegoni se profeti Ethëri u përpoq t’u mësonte jareditëve “gjëra të mëdha dhe të mrekullueshme”, por ata nuk i besuan ato që tha ai. Ftojini fëmijët të lexojnë tek Ethëri 12:5 që të gjejnë arsyen përse nuk besonin. Cilat janë disa gjëra që Ati Qiellor do që ne t’i besojmë ndonëse nuk i shohim ato? Lexoni së bashku tek Ethëri 12:6. Çfarë u mësoi Moroni njerëzve që nuk do t’i besonin të vërtetat shpirtërore pasi nuk mund t’i shihnin ato?

  • Paraqitini njërit prej fëmijëve një figurë pa i lënë fëmijët e tjerë që ta shohin atë, dhe kërkojini fëmijës t’ia përshkruajë figurën pjesës tjetër të klasës. Si ta lejojë koha në dispozicion, lërini fëmijët e tjerë që me radhë të bëjnë të njëjtën gjë me figura të ndryshme. Pastaj ftojini që të lexojnë tek Ethëri 12:6 dhe të gjejnë këtë frazë: “Besimi qëndron në gjërat që shpresohen dhe nuk shihen”. Si e shfaqim ne besimin te Jezu Krishti kur nuk mund ta shohim Atë?

  • Kërkojuni fëmijëve që të lexojnë këtë frazë tek Ethëri 12:6: “Ju nuk do të merrni asnjë dëshmi, deri pas provës së besimit tuaj”. Ndihmojini fëmijët të kuptojnë se kur ne i bindemi një urdhërimi, ne mund ta dimë se ai është i vërtetë. Kërkojuni të mendojnë rreth parimeve të ungjillit për të cilat Perëndia dëshiron që ne të kemi një dëshmi, të tilla si pagimi i së dhjetës, mbajtja e ditës së Shabatit të shenjtë ose të jetuarit e Fjalës së Urtësisë. Pastaj shkruani në tabelë: Në mënyrë që të marrim një dëshmi për , ne duhet . Tregoni se si keni ushtruar besim në mënyrë që të fitoni dëshminë tuaj për këto dhe të vërteta të tjera të ungjillit.

Ethëri 12:4, 32

Shpresa është si një spirancë për shpirtin tim.

Ndihmojini fëmijët të cilëve u jepni mësim, ta kuptojnë se ne mund të “shpresoj[më] … për një botë më të mirë” për shkak të besimit tonë në Krisht (Ethëri 12:4).

Veprimtari të Mundshme

  • Tregojuni fëmijëve përkufizimin për shpresën që gjendet te “Shpresë” (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, scriptures.ChurchofJesusChrist.org). Sipas këtij përkufizimi dhe vargjeve tek Ethëri 12:4, 32, për çfarë duhet të shpresojmë ne? (Shih edhe Moroni 7:40–42.) Ndihmojini fëmijët të mendojnë për fjalë të tjera të ngjashme me fjalën shpresë, së bashku me fjalë që kanë kuptim të kundërt me fjalën shpresë. Tregojuni atyre disa të vërteta të ungjillit që ju japin shpresë dhe ftojini që të bëjnë të njëjtën gjë.

  • Paraqitni (ose vizatoni në tabelë) një figurë të një varke dhe të një spirance. Përse varkat kanë nevojë për spiranca? Çfarë do t’i ndodhte një varke që nuk ka spirancë? Lexoni së bashku tek Ethëri 12:4 dhe pyetini fëmijët se në ç’mënyrë shpresa është si një spirancë. Ftojini fëmijët të vizatojnë vetë figurat e tyre të një varke dhe të një spirance në mënyrë që të mund t’u mësojnë familjeve të tyre rreth shpresës.

Ethëri 12:23–29

Jezu Krishti mund të më ndihmojë që të jem i fortë.

Teksa fëmijët rriten, ata bëhen më të vetëdijshëm për dobësitë e tyre. Përdorini këto vargje për t’u mësuar atyre se si Shpëtimtari mund t’i bëjë “gjërat e dobëta, të bëhen të forta në ta” (Ethëri 12:27).

Veprimtari të Mundshme

  • Kërkojuni fëmijëve të lexojnë vargjet tek Ethëri 12:23–25 për të zbuluar arsyen përse ishte i shqetësuar Moroni. Pyetini nëse kanë pasur ndonjëherë ndjenja të ngjashme. Pastaj ftojini që t’i lexojnë vargjet 26–27 për të zbuluar se si e inkurajoi Zoti Moronin. Çfarë kemi nevojë të bëjmë në mënyrë që Zoti të mund të na ndihmojë të jemi të fortë kur ndihemi të dobët? Tregoni një përvojë kur Shpëtimtari ju ndihmoi të bëheni mjaft të fortë për të bërë diçka që ishte e vështirë.

  • Ftojini fëmijët të vizatojnë një figurë të diçkaje të dobët dhe diçkaje të fortë. Pastaj ftojini t’i shtojnë vizatimit të tyre disa fjalë e fraza nga Ethëri 12:23–29 që u mësojnë për mënyrën se si Shpëtimtari mund të na ndihmojë t’i kthejmë dobësitë tona në forcë. Nxitini fëmijët të mendojnë për një dobësi që mund të kenë dhe pastaj të kërkojnë ndihmën e Shpëtimtarit për t’u bërë të fortë.

Pamja
ikona e të mësuarit

Nxiteni të Mësuarit në Shtëpi

Ftojini fëmijët të shkruajnë një të vërtetë për të cilën do të donin të fitonin dëshmi. Ndihmojini të vendosin një synim për të ushtruar besim në mënyrë që të mund të fitojnë dëshmi për atë të vërtetë.

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Përpiquni t’i kuptoni fëmijët të cilëve u jepni mësim. “Kërkoni mënyra për të kuptuar rrethanat, interesat, talentet dhe nevojat e [fëmijëve], të cilëve u jepni mësim. Bëni pyetje, dëgjoni me kujdes dhe vëzhgoni atë që nxënësit thonë dhe bëjnë në situata të ndryshme. … Kërkoni ide prej prindërve të tyre. Mbi të gjitha, lutuni për kuptueshmërinë që vetëm Shpirti mund ta japë” (Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit, f. 7).