Eja, Më Ndiq
18–24 Shkurt. Mateu 5; Lluka 6: ‘Lum Ju’


“18–24 Shkurt. Mateu 5; Lluka 6: ‘Lum ju’”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: Dhiata e Re 2019 (2019)

“18–24 Shkurt. Mateu 5; Lluka 6”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: 2019

Pamja
Predikimi në Mal

Predikimi në Mal, nga Jorge Cocco

18–24 Shkurt

Mateu 5; Lluka 6

“Lum ju”

Mbajini shënim mbresat tuaja shpirtërore kur ta studioni Mateun 5 dhe Llukën 6. Zbulesa do të vijë kur përpiqeni të plotësoni nevojat e klasës suaj. Ky përvijim i mësimit mund t’ju ndihmojë të siguroni ide të mëtejshme.

Shënojini Mbresat Tuaja

Pamja
ikona e të treguarit

Ftojini të Tregojnë

Presidenti Jozef Filding Smith tha se Predikimi në Mal është predikimi “më [i] shkëlqyer që u predikua ndonjëherë, për aq sa ne dimë” (Mësime të Presidentëve të Kishës: Jozef Filding Smith [2013], f. 239). Përse mendojnë anëtarët e klasës se kjo është e vërtetë? Çfarë mund të tregojnë ata?

Pamja
ikona e mësimdhënies

Jepni Mësim Doktrinën

Mateu 5:1–12

Lumturia e përhershme vjen nga të jetuarit sipas mënyrës që na mësoi dhe jetoi Jezu Krishti.

  • Predikimi në Mal i Shpëtimtarit, i cili fillimisht iu drejtua dishepujve të Tij më të afërt, fillon me thëniet e njohura si Lumturitë, në të cilat Krishti na ftoi që ta rimendojmë se çfarë kuptimi ka të jetuarit e një jete të bekuar – një jetë lumturie të përhershme. Për të nisur një diskutim rreth lumturisë së përhershme, ju mund t’u kërkoni anëtarëve të klasës që të tregojnë se çfarë i bën ata të lumtur. Sipas Lumturive, çfarë tha Jezusi që e bën një person të “lum[ë]” apo përjetësisht të lumtur? Si janë mësimet e Jezusit të ndryshme nga mënyrat e tjera në të cilat njerëzit përpiqen ta gjejnë lumturinë?

  • Për t’i ndihmuar anëtarët e klasës të kuptojnë fraza të tilla si të past[rit] në zemër ose ata që përpiqen për paqen, ju mund t’i renditni disa prej frazave nga vargjet 3–12 në tabelë. Më pas, ftojini anëtarët e klasës të sugjerojnë të kundërtën e secilës frazë dhe atë çfarë mësojnë rreth secilës frazë duke e bërë këtë. Kërkojuni anëtarëve të klasës se çfarë mund të ndryshojnë me qëllim që të jenë personi i përshkruar në këto vargje. Çfarë i shton 3 Nefi 12:3, 6 të kuptuarit tonë për Mateun 5:3, 6?

  • Një mënyrë tjetër për t’i shqyrtuar këto vargje është që ta ftoni secilin anëtar të klasës të studiojë shkrime të tjera të shenjta rreth një prej Lumturive dhe t’ia tregojnë klasës atë që mësojnë. Në ç’mënyrë dikush që ata njohin, është një shembull i atij parimi?

Pamja
Predikimi në Mal

Predikimi në Mal, nga Frank Adams

Mateu 5:14–16

Dishepujt e Shpëtimtarit duhet të jenë drita e botës.

  • Si ndihen anëtarët e klasës suaj kur lexojnë thënien e Jezusit që ata janë “drita e botës”? Çfarë do të thotë ta fshehim dritën tonë “nën babunë”, dhe përse mund të tundohemi ne që ta bëjmë këtë? Thënia nga Plaku Robert D. Hejls te “Burime Shtesë” mund të japë zemër. Cili person ka qenë si një “drit[ë]” për anëtarët tuaj të klasës?

  • Mendoni rreth një mënyre për ta konkretizuar mësimdhënien e Krishtit se ne jemi drita e botës. A mund të tregoni figurën e një qyteti të ndriçuar natën? A mund të sillni një elektrik dore dhe ta fshihni nën një shportë? Përse Shpëtimtari i krahason dishepujt e Tij me dritën? Në ç’mënyrë mund ta përdorim ne këtë kuptueshmëri që të jemi një dritë për të tjerët? (shih DeB 103:9–10). Anëtarët e klasës mund të diskutojnë apo interpretojnë me role mënyrat në të cilat drita e ungjillit mund të ndriçojë në jetën e tyre dhe të bekojë të tjerët.

  • Disa shkrime të tjera të shenjta që mund të kontribuojnë në diskutimin tuaj për dritën përfshijnë 3 Nefin 18:24; Doktrina e Besëlidhjet 50:24; 84:44–47; 88:50, 67; dhe 93:36–40. Anëtarët e klasës mund të kënaqen gjithashtu duke kënduar himne rreth dritës, të tilla si “Zoti më Ësht’ Drit’” dhe “Drit’, më Drejto”, Himne, nr. 45, 50. Çfarë i shtojnë këto himne dhe shkrime të shenjta kuptueshmërisë sonë për Mateun 5:14–16?

Mateu 5:17–48

Jezu Krishti dha mësim një ligj më të lartë që mund të na çojë drejt përsosjes.

  • Situatat e përshkruara te Mateu 5 ishin posaçërisht për kohën e Shpëtimtarit, por parimet që Ai dha mësim janë universale. Për t’i ndihmuar anëtarët e klasës që t’i kuptojnë se si zbatohen ato për jetën e tyre, ftojini të zgjedhin një prej fragmenteve vijuese dhe të mendojnë për një shembull të kohëve moderne që e ilustron atë çfarë po jepte mësim Shpëtimtari: vargjet 21–24; 27–30; 33–37; 38–39; 40–42; dhe 43–44. Ata mund ta bëjnë këtë individualisht ose në grupe dhe t’ia tregojnë shembujt e tyre klasës.

  • Të rinjtë mund të kënaqen me një lojë bashkërenditjeje që i ndihmon ata të kuptojnë se mësimet e Shpëtimtarit që gjenden te Mateu 5:21–48, e zëvendësojnë ligjin e Moisiut. Ju mund të krijoni një grup letrash me frazat që fillojnë me: “[Ju] keni dëgjuar” (të cilat përshkruajnë ligjin e Moisiut) nga Mateu 5:21–44. Krijoni një grup tjetër me fraza nga vargjet që fillojnë me: “Por unë po ju them” (të cilat përshkruajnë ligjin më të lartë të Krishtit). Vendosini të dyja grupet e letrave përmbys dhe lini një anëtar të klasës të zgjedhë një prej letrave “[ju] keni dëgjuar”, pastaj një letër nga grupi tjetër i letrave, duke kërkuar kombinimet. Vazhdoni derisa anëtarët e klasës ta kenë bashkërenditur ligjin e Moisiut me mësimdhënien e re të Krishtit. Për secilin çift letrash, diskutoni arsyen përse mësimdhënia e Shpëtimtarit është e nevojshme për kohën tonë.

  • Si mund t’i ndihmoni anëtarët e klasës ta kuptojnë se urdhri i Shpëtimtarit për të qenë “të përkryer” do të thotë, ashtu siç shpjegoi Presidenti Rasëll M. Nelson, të jesh “i plotësuar” ose i “përfund[uar]”? (Mateu 5:48; “Perfection Pending”, Ensign, nëntor 1995, f. 86–88). Këtu keni një ide: priteni një figurë të Jezusit në formë gjëze formuese [puzzle] dhe ftojini anëtarët e klasës të shkruajnë nga prapa secilës prej copëzave formuese një mësim nga Mateu 5, që ata ndihen të frymëzuar ta zbatojnë në jetën e tyre. Lejojini të punojnë së bashku për ta formuar gjëzën formuese. Si na ndihmon Shlyerja e Jezu Krishtit të bëhemi të “plotësuar” apo të “përfund[uar]”? (shih Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Hir”, [f. 64–65]).

  • Ju gjithashtu mund t’i ftoni anëtarët e klasës ta vënë si qëllim që të veprojnë sipas një nxitjeje që morën kur e studiuan Mateun 5. Merrni parasysh mënyrën se si mund ta ndiqni ecurinë në lidhje me këtë ftesë në mësimet e ardhshme.

Pamja
ikona e të mësuarit

Nxitni të Mësuarin në Shtëpi

Për t’i frymëzuar anëtarët e klasës që ta lexojnë Mateun 6–7 gjatë javës së ardhshme, ju mund t’u thoni se Presidenti Harold B. Li e quajti Predikimin në Mal “kushtetut[a] për një jetë të përkryer” (Teachings of Presidents of the Church: Harold B. Lee [2000], f. 200).

Pamja
ikona e burimeve

Burime Shtesë

Mateu 5; Lluka 6

Të qenit një dritë.

Plaku Robert D Hejls dha mësim: “A keni ndaluar ndonjëherë që të mendoni se ju jeni drita e dërguar nga Ati Qiellor për të udhëhequr dikë tjetër të sigurt në shtëpi apo për të qenë një fener në largësi, që t’u tregojë udhën e kthimit për te shtegu i ngushtë dhe i ngushtuar që çon drejt jetës së përjetshme? Drita juaj është një fener dhe nuk duhet të ndalë kurrë së ndriçuari apo t’i largojë nga rruga e drejtë ata që po kërkojnë udhën për në shtëpi” (“That Ye May Be the Children of Light” [mbledhje rreth vatrës e Universitetit Brigam Jang, 3 nëntor 1996], f. 9; speeches.byu.edu).

Të kërkuarit e përsosjes.

Presidenti Harold B. Li dha mësim: “A mendoni se Shpëtimtari po sugjeronte një synim që nuk ishte i mundshëm për t’u arritur dhe si rrjedhim të na tallte në përpjekjet tona për të jetuar që ta arrijmë atë përkryerje? Është e pamundur për ne këtu në vdekshmëri që ta arrijmë atë gjendje përsosjeje për të cilën foli Mësuesi, por në këtë jetë ne hedhim themelin mbi të cilin ndërtojmë në përjetësi; prandaj, ne duhet të sigurohemi që themeli ynë të jetë vendosur mbi të vërtetën, drejtësinë dhe besimin” (Teachings of Presidents of the Church: Harold B. Lee, f. 195).

Presidenti Jozef Filding Smith tha: “[Përkryerja] nuk do të vijë e gjitha menjëherë, por rresht pas rreshti e parim pas parimi, shembull pas shembulli, e madje dhe atëherë jo për aq sa jetojmë në këtë jetë të vdekshme. … Por këtu ne shtrojmë themelin. Këtu është vendi ku na mësohen këto të vërteta të thjeshta të Ungjillit të Jezu Krishtit, në këtë gjendje prove, që të na përgatisin për atë përsosje. Është detyra ime, është e juaja, që të jem më i mirë sot se ç’isha dje dhe që ju të jeni më të mirë sot se ç’ishit dje, dhe më të mirë nesër se ç’ishit sot” (Mësime të Presidentëve të Kishës: Jozef Filding Smith [2013], f. 239).

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Rritni pjesëmarrjen e anëtarëve të klasës. Shumë veprimtari mund të bëhen si klasë, në grupe të vogla, në dyshe ose si një panel diskutimi. Përdorni një larmi metodash për t’i lejuar njerëzit të marrin pjesë, të cilët në të kundërt mund të mos kenë mundësi. (Shih Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit, f. 33.)