Eja, Më Ndiq
5–11 Gusht. Romakëve 1–6: ‘Fuqia e Perëndisë për Shpëtimin’


“5–11 Gusht. Romakëve 1–6: ‘Fuqia e Perëndisë për Shpëtimin’”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: Dhiata e Re 2019 (2019)

“5–11 Gusht. Romakëve 1–6”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: 2019

Pamja
Pali duke shkruar një letër

5–11 Gusht

Romakëve 1–6

“Fuqia e Perëndisë për Shpëtimin”

Lexojini me lutje Romakëve 1–6 duke pasur në mendje anëtarët e klasës suaj. Kjo do t’ju ndihmojë të jeni të ndjeshëm ndaj nxitjeve nga Shpirti ndërsa përgatiteni të jepni mësim.

Shënojini Mbresat Tuaja

Pamja
ikona e të treguarit

Ftojini të Tregojnë

Merrni parasysh t’u jepni anëtarëve të klasës disa minuta kohë që të kërkojnë te Romakëve 1–6 një varg që u pëlqen në veçanti. Më pas, ata mund t’ia tregojnë vargun që zgjodhën dikujt që është ulur pranë tyre.

Pamja
ikona e mësimdhënies

Jepni Mësim Doktrinën

Romakëve 1:16–17

“Unë nuk kam turp për ungjillin e Krishtit.”

  • A janë përballur ndonjëherë anëtarët e klasës suaj me tallje për shkak të bindjeve të tyre? Ftojini që t’i lexojnë Romakëve 1:16–17 dhe të mendojnë për rastet nga libri i Veprave të Apostujve në të cilat Pali tregoi që ai nuk kishte turp për ungjillin. Cilat janë disa gjëra që na bëjnë të mos kemi turp që jemi anëtarë të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme? Ftoni anëtarë të klasës të tregojnë përvoja në të cilat ata ose persona të tjerë treguan që nuk kishin turp për ungjillin e Jezu Krishtit.

Romakëve 1:16–17; 2:28–29; 6:1–11

Dishepullimi i vërtetë gjendet te zotimi ynë i brendshëm, jo vetëm te veprimet tona.

  • Si e vlerësojmë ne dishepullimin tonë vetjak? Këshilla e Palit për romakët mund të na ndihmojë të kujtojmë që të mos përqendrohemi te plotësimi i një liste detyrash, por te “zemr[a] [dhe] frym[a]” (Romakëve 2:29). Për ta ndihmuar klasën tuaj ta kuptojë këshillën e Palit, ju mund ta shkruani në tabelë tekstin nga Romakëve 2:28–29. Zëvendësojeni fjalën Jude me Shenjtor i Ditëve të Mëvonshme dhe fjalën rrethprerja me besëlidhja. Çfarë i shton ky ndryshim kuptueshmërisë sonë për mësimet e Palit? Ju mund të diskutoni gjithashtu shembuj të gjërave që i bëjmë si anëtarë të Kishës, që janë më domethënëse dhe të fuqishme kur bëhen prej “zemrës, në frymë” (Romakëve 2:29). Për shembull, shih bisedën e Plakut Xhefri R. Holland rreth mësimeve të shtëpisë, “Emisarë për Kishën” (Ensign ose Liahona, nëntor 2016, f. 61–67), ose bisedën e Plakut Nil L. Andersen rreth punës misionare, “Një Dëshmitar i Perëndisë” (Ensign ose Liahona, nëntor 2016, f. 35–38).

Romakëve 3–6

“Aty ku mëkati është i tepruar, hiri është akoma më i tepërt.”

  • Mund të ketë njerëz në klasën tuaj të cilët kanë nevojë për ndihmë që t’i kuptojnë mësimet e Palit rreth besimit, veprave dhe hirit në këta kapituj (shih edhe përvijimin e mësimit të kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet dhe Përkthimin prej Joseph Smith-it për këta kapituj tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta [f. 234–235] dhe te poshtëshënimet e shtojca në [variantin shdm] të Biblës). Si mund t’i ndihmoni ata të mësojnë nga njëri-tjetri? Merrni parasysh të paraqitni dy skenarët në vijim për t’i ndihmuar anëtarët e klasës ta kuptojnë që ne nuk duhet t’i shohim veprat tona të mira si një mënyrë për të provuar denjësinë tonë, as nuk duhet ta shohim hirin e Krishtit si një arsye për të shfajësuar gabimet dhe mëkatet tona. Ftojini anëtarët e klasës të kërkojnë të vërteta te Romakëve 3:20–31; 5:1–2; 6:1–2, 21–23 që mund ta ndihmojnë Glorian dhe Xhastin. Cilat të vërteta të tjera doktrinore te “Burimet Shtesë” do t’i ndihmonin ata ta kuptojnë rëndësinë edhe të kryerjes së veprave të drejta, edhe të mirëbesimit në hirin e Krishtit? Ju mund t’u kërkoni anëtarëve të klasës ta tregojnë atë çfarë gjetën, ose të interpretojnë me role një bisedë.

Skenari 1

Ju keni një shoqe që quhet Gloria, e cila ndihet e mbingarkuar në përpjekjet e saj për të qenë dishepulle besnike. Ajo punon fort për të bërë gjithçka që ndien se duhet të bëjë, por shpesh shqetësohet se mos përpjekjet e saj janë të pamjaftueshme. “A jam mjaftueshëm e mirë?” pyet veten ajo. “A do të më pranojë Zoti?”

Skenari 2

Ju keni një shok që quhet Xhastin, i cili nuk shqetësohet së tepërmi që të bëjë zgjedhje të drejta. Ai beson te Jezu Krishti, merr pjesë në mbledhjet e tij të kishës dhe ai është një atë i dashur dhe një fqinj i mirë. Megjithatë, ai ka zgjedhur të mos jetojë sipas standardeve që do ta cilësonin atë për një rekomandim tempulli. Kur familja dhe miqtë përpiqen ta nxitin atë që të përgatitet për tempullin, ai përgjigjet: “Unë jam njeri i mirë. Kam besim te Krishti. Ai e ka paguar tashmë çmimin për mëkatet e mia, dhe nuk mendoj se do të më përjashtojë nga mbretëria çelestiale për çështje kaq të vogla.”

Pamja
ikona e të mësuarit

Nxitni të Mësuarin në Shtëpi

Për t’i nxitur anëtarët e klasës t’i lexojnë Romakëve 7–16, ju mund t’u thoni që Pali përshkroi një luftë brenda vetes – dhe brenda të gjithëve ne. Te Romakëve 7–16 ne zbulojmë se çfarë lufte është ajo dhe se si ta fitojmë atë.

Pamja
ikona e burimeve

Burime Shtesë

Romakëve 1–6

Besimi, hiri dhe veprat.

Ndërkohë që ne duhet të përpiqemi t’i zbatojmë urdhërimet, vetëm bindja ndaj ligjeve të Perëndisë nuk do të na shpëtojë (shih Romakëve 3:27–31). Edhe me përpjekjet tona më të mira, ne që “të gjithë mëkatua[m] dhe u privua[m] nga lavdia e Perëndisë” (Romakëve 3:23). Për atë arsye, ne të gjithë kemi nevojë për Jezu Krishtin, hiri i të cilit na lejon të marrim falje për mëkatet tona dhe na mundëson të vazhdojmë të bëjmë vepra të mira. Siç dha mësim Pali: “Aty ku mëkati është i tepruar, hiri është akoma më i tepërt” (Romakëve 5:20).

Presidenti Dejvid O. Mek‑Kei tregoi një analogji për një djalë, i cili filloi të mbytej ndërkohë që notonte me miqtë e tij: “Fatmirësisht, një person gjakftohtë dhe i shpejtë në veprim, shkuli një shkop të gjatë nga një gardh me thupra shelgu dhe e zgjati fundin e tij drejt djaloshit që po mbytej, [i cili] e kapi, u mbajt fort pas tij dhe u shpëtua.

Të gjithë djemtë shpallën që djaloshi aventurier ia kishte jetën borxh djalit që i mundësoi mjetet për shpëtim.

Ky është fakt i pamohueshëm; dhe prapëseprapë, pavarësisht mjeteve që iu mundësuan atij, nëse djaloshi nuk do t’i kishte shfrytëzuar ato, nëse nuk do ta kishte vënë të gjithë mundin vetjak nën urdhrin e tij, ai do të ishte mbytur, pavarësisht aktit heroik të shokut të tij” (David O. McKay, “The Gospel of Work”, Instructor, janar 1955, f. 1).

Duke folur për pyetjen nëse jemi shpëtuar me anë të besimit apo veprave, autori i krishterë C. S. Ljuis shkroi: “Mua më [duket] se është njësoj si të pyesësh se cili krah në një palë gërshërë është më i nevojshmi” (Mere Christianity, f. 148).

Skenari 1

“Shpëtimi nuk mund të blihet me monedhën e bindjes; ai blihet nëpërmjet gjakut të Birit të Perëndisë [shih Veprat e Apostujve 20:28]. …

Hiri është një dhuratë nga Perëndia dhe dëshira jonë për të qenë të bindur ndaj secilit prej urdhërimeve të Perëndisë është shtrirja e dorës sonë të vdekshme për ta marrë këtë dhuratë të shenjtë nga Ati ynë Qiellor” (Diter F. Uhtdorf, “Dhurata e Hirit”, Ensign ose Liahona, maj 2015, f. 109–110).

Skenari 2

“Nëse hiri është një dhuratë nga Perëndia, përse atëherë bindja ndaj urdhërimeve të Perëndisë është kaq e rëndësishme? Përse të shqetësohemi me urdhërimet e Perëndisë – ose pendimin, për sa i përket atij? …

Bindja jonë ndaj urdhërimeve të Perëndisë vjen si një rezultat i natyrshëm i dashurisë dhe mirënjohjes sonë të pafundme për mirësinë e Perëndisë. Ky lloj i dashurisë dhe mirënjohjes së mirëfilltë do t’i ndërthurë mrekullisht veprat tona me hirin e Perëndisë” (Diter F. Uhtdorf, “Dhurata e Hirit”, Ensign ose Liahona, maj 2015, f. 109).

Nevoja jonë e vazhdueshme për hir.

“Përveç nevojës për hir në shpëtimin tuaj të fundit, kjo fuqi aftësuese ju duhet në çdo ditë të jetës. Kur i shkoni pranë Atit tuaj Qiellor me zell, me përulësi dhe butësi, Ai do t’ju lartësojë e do t’ju përforcojë nëpërmjet hirit të Tij (shih Fjalët e Urta 3:34; 1 Pjetër 5:5; DeB 88:78; 106:7–8). Mbështetja mbi hirin e Tij ju krijon mundësinë të përparoni e të zhvilloheni në drejtësi” (Të Vërtetë ndaj Besimit, f. 61).

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Thirrja juaj është e frymëzuar. Si mësues, ju jeni thirrur nga Zoti për t’i bekuar fëmijët e Tij. Zoti dëshiron që ju të keni sukses, kështu që ndërsa jetoni të denjë për ndihmën e Tij, Ai do t’ju japë zbulesën që po e kërkoni. (Shih Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit, f. 5.)