Eja, Më Ndiq
19–25 Gusht. 1 Korintasve 1–7: ‘Të Jeni Plotësisht të Bashkuar’


“19–25 Gusht. 1 Korintasve 1–7: ‘Të Jeni Plotësisht të Bashkuar’”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: Dhiata e Re 2019 (2019)

“19–25 Gusht. 1 Korintasve 1–7”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: 2019

Pamja
Korinti

Korinti, Greqia jugore, Forumi dhe Qendra Qytetase, pikturë nga Balage Balogh

19–25 Gusht

1 Korintasve 1–7

“Të Jeni Plotësisht të Bashkuar”

Plaku Xhefri R. Holland dha mësim që shumica e njerëzve “vijnë [në kishë] për të kërkuar një përvoje shpirtërore” (“A Teacher Come from God”, Ensign, maj 1998, f. 26). Teksa i lexoni 1 Korintasve 1–7, merrni parasysh me lutje atë çfarë mund të bëni për të ndihmuar që të krijoni përvoja shpirtërore në orën tuaj mësimore.

Shënojini Mbresat Tuaja

Pamja
ikona e të treguarit

Ftojini të Tregojnë

Merrni parasysh t’i ftoni anëtarët e klasës të shkruajnë se si kanë vepruar sipas asaj që po mësojnë nga shkrimet e shenjta. Kërkojuni disa anëtarëve të tregojnë atë që shkruan.

Pamja
ikona e mësimdhënies

Jepni Mësim Doktrinën

1 Korintasve 1:10–173

Anëtarët e kishës së Krishtit duhet të jenë të bashkuar.

  • Të diskutuarit për disa prej kapitujve të parë të 1 Korintasve mund të jetë një mundësi për të krijuar unitet më të madh mes anëtarëve të lagjes. Ju mund të filloni duke u kërkuar anëtarëve të klasës që të flasin rreth një klubi, grupi apo skuadre, pjesë e të cilës kanë qenë, në të cilën kishte një ndjesi të madhe uniteti. Përse ky grup dukej kaq i bashkuar? Më pas, ju mund t’i analizoni disa prej mësimeve të Palit për unitetin te 1 Korintasve 1:10–13; 3:1–11. Ç’na mësojnë këto vargje, së bashku me përvojat tona, rreth asaj se çfarë ndihmon në krijimin e unitetit dhe se çfarë përbën kërcënim për të? Çfarë bekimesh u vijnë atyre që janë të bashkuar? Historitë e treguara nga Presidenti Henri B. Ajring te “Burimet Shtesë” mund të ndihmojnë gjithashtu për këtë diskutim.

  • Pali te 1 Korintasve 3:9–17, përdor shëmbëlltyrën e një ndërtese për të nxitur unitetin. Si mund ta ndihmojë kjo analogji klasën tuaj që ta kuptojë më mirë unitetin? Për shembull, pasi t’i lexoni këto vargje së bashku, ju mund t’i jepni secilit anëtar të klasës një kallëp ndërtimi dhe të punoni së bashku për të ndërtuar diçka. Në çfarë kuptimi jemi ne “ndërtesa e Perëndisë”? (1 Korintasve 3:9). Si po na ndërton neve individualisht Perëndia? Çfarë jemi duke ndërtuar bashkërisht si bashkëshenjtorë? Çfarë mund të bëjmë si një lagje e bashkuar që nuk do të ishim në gjendje ta bënim si individë?

1 Korintasve 1:17–31; 2; 3:18–20

Për ta përmbushur punën e Perëndisë, ne kemi nevojë për diturinë e Perëndisë.

  • Disa njerëz ndihen jo të kualifikuar për të shërbyer në Kishë për shkak se u mungon arsimimi apo trajnimi profesional. Të tjerë ndihen plotësisht të kualifikuar për shkak se ata kanë arsimim apo trajnim profesional. Të dyja pikëpamjet pasqyrojnë një keqkuptim lidhur me atë çfarë na cilëson me të vërtetë për punën e Perëndisë. Ja një ide për ta ndihmuar klasën tuaj të mbështetet te Perëndia: Ndajini anëtarët e klasës në grupe dhe kërkojuni t’i hedhin një sy 1 Korintasve 1:17–31; 2; ose 3:18–20 duke kërkuar fjalë si i/e/të ditur/urtë dhe i/e/të marrë/a. Më pas, ata mund të tregojnë në grupet e tyre se çfarë na mësojnë këto vargje rreth të qenit të ditur në punën e Zotit. Cilat janë ato gjëra rreth ungjillit që mund të duken marrëzi për disa njerëz? Si e tregojnë këto gjëra diturinë e Perëndisë? Ndoshta anëtarët e klasës mund të tregojnë gjithashtu përvoja në të cilat ata i mirëbesuan diturisë së Perëndisë, në vend të diturisë së tyre vetjake, për ta përmbushur punën e Tij.

1 Korintasve 6:9–20

Trupat tanë fizikë janë të shenjtë.

  • Për të filluar një diskutim rreth këtyre vargjeve, ju mund të shkruani në tabelë pyetje të ngjashme me sa vijon: Si e shikon Zoti trupin tonë? Si është kjo e ndryshme nga mënyra se si Satani do që ne të mendojmë për trupin tonë? Çfarë do të thotë që trupat tanë janë tempuj të Frymës së Shenjtë? Ftojini anëtarët e klasës t’i gjejnë përgjigjet e këtyre pyetjeve te 1 Korintasve 6:9–20 (shih edhe DeB 88:15; Moisiu 6:8–9).

  • Diskutimi juaj për shenjtërinë e trupave tanë mund të përfshijë një bisedë rreth ligjit të dëlirësisë. Kjo mund të jetë veçanërisht e dobishme për shkak se si Shenjtorë të Ditëve të Mëvonshme, ne shpesh kemi mundësi t’ua shpjegojmë bindjet tona rreth dëlirësisë njerëzve që mund të mos kenë po ato bindje. Ndoshta mund t’i pyesni anëtarët e klasës suaj për atë çfarë mësojnë nga Pali – si edhe nga burime të tjera të Kishës – që mund t’i ndihmojë t’u shpjegojnë të tjerëve arsyen përse dëlirësia është e rëndësishme. Disa prej këtyre burimeve mund të përfshijnë ato që renditen te “Burimet Shtesë”.

Pamja
ikona e të mësuarit

Nxitni të Mësuarin në Shtëpi

U thoni anëtarëve të klasës se nëse do të donin ide shtesë rreth mënyrës se si të jenë më të bashkuar me bashkëshortin/en, familjen apo lagjen e tyre, tema e unitetit vijon te 1 Korintasve 8–11.

Pamja
ikona e burimeve

Burime Shtesë

1 Korintasve 1–7

Shembuj të unitetit.

Presidenti Henri B. Ajring dha mësim:

“Unë isha ftuar të gjunjëzohesha para se të flinim në një familje kur isha mik në shtëpinë e tyre. Fëmijës më të vogël i kërkuan të bënte lutjen. Ai u lut si një patriark për çdo person në familje, me emër. Unë hapa sytë për një çast që të shihja fytyrat e fëmijëve të tjerë dhe të prindërve. Unë mund të them se ata po bashkonin besimin dhe zemrat e tyre në atë lutje të djalit të vogël.

Disa motra të shoqatës së ndihmës, kohët e fundit, u lutën së bashku kur po përgatiteshin të vizitonin për herë të parë një vejushë të re, bashkëshorti i së cilës vdiq papritmas. Ato donin të dinin çfarë të bënin dhe si të punonin bashkë për të ndihmuar në përgatitjen e shtëpisë për familjen dhe miqtë që do të vinin në kohën e funeralit. … Një përgjigje për lutjen e tyre erdhi. Kur ato arritën në shtëpi, secila motër filloi të plotësonte një detyrë. Shtëpia u përgatit aq shpejt sa disa motra ndien keqardhje që nuk kishin çfarë të bënin më shumë. Fjalët e ngushëllimit u thanë në mënyrë të përkryer. Ato i kishin shërbyer Zotit si një e vetme, me zemër të bashkuar” (“Zemrat Tona Thuren si Një e Vetme”, Ensign ose Liahona, nëntor 2008, f. 68–69).

Bekimet e pastërtisë seksuale.

Në një Takim Shpirtëror për Të Rinjtë në Moshë Madhore, Motra Uendi W. Nelson tha:

“Pastërtia vetjake është çelësi drejt dashurisë së vërtetë. Sa më të pastra të jenë mendimet dhe ndjenjat, fjalët dhe veprimet tuaja, aq më e madhe është aftësia juaj për të dhënë dhe për të marrë dashuri të vërtetë. …

Si një pjesë e rëndësishme e shprehjes së dashurisë së tyre, Zoti do që një bashkëshort dhe bashkëshorte të marrin nga mrekullitë dhe gëzimet e intimitetit martesor. …

… Çfarëdo gjëje që e fton Shpirtin në jetën tuaj dhe në jetën e bashkëshortit/es tuaj/suaj, dhe në martesën tuaj, do ta shtojë aftësinë tuaj për të përjetuar intimitet martesor. … Nga ana tjetër, çdo gjë që e fyen Shpirtin, do ta zvogëlojë aftësinë tuaj për të qenë një me bashkëshortin/en tuaj. …

Intimiteti martesor i miratuar nga Shpirti bekohet nga Zoti dhe është shenjtërues” (“Dashuria dhe Martesa”, Takim Shpirtëror Mbarëbotëror për Të Rinjtë në Moshë Madhore, 8 janar 2017, broadcasts.lds.org).

Plaku Xhefri R. Holland dha mësim:

“Dëshiroj të theksoj që intimiteti njerëzor ruhet për një çift të martuar sepse ai është simboli përfundimtar i një bashkimi të plotë, një plotësi dhe një bashkim i shuguruar dhe i përcaktuar nga Perëndia. …

Por një bashkim i tillë i plotë, një zotim i tillë i palëkundur mes një burri dhe një gruaje, mund të vijë vetëm me afërsinë dhe vijueshmërinë e dhënë në një besëlidhje martesore, me premtime solemne dhe zotimin e gjithçkaje që ata zotërojnë – e vetë zemrës dhe mendjes së tyre, e gjithë ditëve të tyre dhe e gjithë ëndrrave të tyre” (“Personal Purity”, Ensign, nëntor 1998, f. 76).

Plaku Dejvid A. Bednar shpjegoi: “Marrëdhënie[t seksuale] nuk janë thjesht një kuriozitet për t’u zbuluar, një dëshirë për t’u kënaqur, ose një lloj kalimi kohe apo argëtimi për t’u ndjekur me egoizëm. Ato nuk janë një trofe për t’u arritur apo thjesht një veprim për t’u kryer. Përkundrazi, në vdekshmëri ato janë një prej shprehjeve bazë të natyrës e potencialit tonë hyjnor dhe një mënyrë për të forcuar lidhjet emocionale dhe shpirtërore midis bashkëshortit dhe bashkëshortes. Ne jemi veprues, të bekuar me liri morale të zgjedhjes dhe karakterizohemi nga trashëgimia jonë hyjnore si fëmijë të Perëndisë – dhe jo nga sjelljet seksuale ose qëndrimet dhe ligjet bashkëkohore” (“Ne Besojmë në Qenien të Dëlirë”, Ensign ose Liahona, maj 2013, f. 42).

Si të qëndrojmë të pastër seksualisht.

  • “Chastity: What Are the Limits?” [“Dëlirësia: Cilët Janë Kufijtë?”] “I Choose to Be Pure” [“Zgjedh të Jem i Dëlirë”] (materiale filmike), LDS.org

  • “Pastërtia Seksuale”, Për Forcën e Rinisë, f. 35–37

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Jepni dëshmi për Jezu Krishtin. Ndërsa jepni mësim, kujtoni shembullin e Palit: ai “nuk erdh[i] me shkëlqim fjalësh a diturie, që t[ë] shpall[te] dëshminë e Perëndisë” (1 Korintasve 2:1). Dëshmia juaj e thjeshtë për Shpëtimtarin mund të ketë një ndikim të thellë.