Eja, Më Ndiq
12–18 Gusht. Romakëve 7–16: ‘Munde të Keqen me të Mirën’


“12–18 Gusht. Romakëve 7–16: ‘Munde të Keqen me të Mirën’”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: Dhiata e Re 2019 (2019)

“12–18 Gusht. Romakëve 7–16”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: 2019

Pamja
Roma

12–18 Gusht

Romakëve 7–16

“Munde të Keqen me të Mirën”

Lexojini Romakëve 7–16 dhe shënojini mbresat që merrni rreth mënyrës se si t’i ndihmoni anëtarët e klasës suaj të mësojnë nga shkrimet e shenjta. Në fillim, mbresat tuaja mund të duken si ide të thjeshta, por teksa përsiatni për to, ato mund të bëhen veprimtari mësimore domethënëse.

Shënojini Mbresat Tuaja

Pamja
ikona e të treguarit

Ftojini të Tregojnë

Anëtarët e klasës duhet të ndihen të lirë të tregojnë çdo gjë që i frymëzoi ata gjatë studimit të tyre vetjak apo familjar, por ndonjëherë është e dobishme të kërkoni mendime rreth diçkaje të posaçme. Për shembull, ju mund t’i lexoni Romakëve 10:17 dhe 15:4 dhe t’u kërkoni atyre të tregojnë shkrime të shenjta që ua ngrenë besimin ose që u japin shpresë.

Pamja
ikona e mësimdhënies

Jepni Mësim Doktrinën

Romakëve 8:14–18

Nëpërmjet Jezu Krishtit, ne mund të trashëgojmë gjithçka që ka Ati Qiellor.

  • Si shenjtorë të ditëve të mëvonshme, ne besojmë se fraza të tilla si “trashëgimtarë të Perëndisë” dhe “bashkëtrashëgimtarë të Krishtit” nënkuptojnë që me ndihmën e Jezu Krishtit, ne mund të bëhemi si Ati Qiellor dhe të marrim gjithçka që Ai ka (Romakëve 8:17; shih edhe DeB 132:19–20). Për t’i ndihmuar anëtarët e klasës ta kuptojnë se si kjo doktrinë na mësohet gjatë gjithë shkrimeve të shenjta, ju mund ta ftoni gjysmën e klasës të studiojë disa prej vargjeve nga Bibla të renditura te “Burimet Shtesë”, dhe gjysmën tjetër të studiojë vargjet nga shkrimet e shenjta të ditëve të mëvonshme po ashtu te “Burimet Shtesë”. Më pas anëtarët e klasës mund t’i japin mësim njëri-tjetrit atë që kanë mësuar. Jepuni kohë të diskutojnë rreth arsyes përse kjo doktrinë është kaq e rëndësishme. Për shembull, çfarë ndryshimi sjell në jetën tonë dijenia që ne mund të bëhemi “trashëgimtarë të Perëndisë dhe bashkëtrashëgimtarë të Krishtit”? (Romakëve 8:17).

  • Të kujtuarit që bekime të përjetshme i presin besnikët, mund të na ndihmojë kur përballemi me tundimin apo sprovat (shih Romakëve 8:18). Një mënyrë e thjeshtë për ta ilustruar këtë parim mund të jetë të vizatoni një peshore në tabelë; kërkojuni anëtarëve të klasës të renditin në njërën anë disa sprova me të cilat mund të përballen njerëzit. Pastaj ata mund të shqyrtojnë disa nga shkrimet e shenjta te “Burimet Shtesë” dhe të renditin në anën tjetër të peshores përshkrime të bekimeve të përjetshme të cilat u vijnë atyre që përballen me besnikëri me sprovat e tyre. Si krahasohen sprovat me bekimet e premtuara? Çfarë do t’i thoshim dikujt që do të na pyeste, nëse ia vlen të jesh besnik ndaj urdhërimeve të Zotit?

  • Analogjia e dhënë nga Plaku Dallin H. Ouks te “Burimet Shtesë” mund t’i ndihmojë anëtarët e klasës të diskutojnë rreth mënyrës se si mund të përgatitemi për t’u bërë “trashëgimtarë të Perëndisë” (Romakëve 8:17). Cilat janë disa nga “ligjet dhe parimet” të cilave iu referohet Plaku Ouks?

Romakëve 8:18, 28, 31–39

“Kush do të na ndajë nga dashuria e Krishtit?”

  • Diskutimi bashkërisht rreth Romakëve 8 mund të sigurojë mundësi për t’i ndihmuar anëtarët e klasës ta ndiejnë dashurinë e Shpëtimtarit. Merrni parasysh të tregoni figurën e madhe sa faqja në përvijimin e mësimit të kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet ose një figurë tjetër të Jezu Krishtit teksa i lexoni Romakëve 8:18, 28, 31–39 si klasë. Çfarë mendimesh apo ndjenjash kanë anëtarët e klasës pasi i lexojnë këto vargje? Ju mund t’i ftoni disa anëtarë të klasës të tregojnë se si i kanë fituar dëshmitë për të vërtetat që gjejnë në këto vargje. Ju gjithashtu mund të këndoni si klasë një himn (ose t’i kërkoni dikujt të luajë një numër muzikor) rreth dashurisë së Perëndisë dhe Jezu Krishtit, të tillë si “Perëndia Ne na Do, aq sa Birin e Tij e Dha” ose “Qëndroj Plot Habi” (Himne, nr. 108, 113). Cilat fjalë apo fraza nga këto këngë i ndihmojnë anëtarët e klasës ta ndiejnë dashurinë e Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit?

Romakëve 13:8–10

Të gjitha urdhërimet e Perëndisë përmbushen tek urdhërimi që të duam.

  • Për t’i ndihmuar anëtarët e klasës të kuptojnë se si të gjitha urdhërimet “përmblidhen në” urdhërimin për ta dashur “të afërmin tënd” (Romakëve 13:9), ftojini që të bëjnë në tabelë një listë të të gjitha urdhërimeve që u vijnë në mendje. Lexojini së bashku Romakëve 13:8–10 dhe Mateun 22:36–40, dhe diskutoni si klasë për marrëdhënien ndërmjet dashurisë për Perëndinë e për të afërmin tonë dhe bindjes ndaj secilit prej urdhërimeve të renditura në tabelë. Si e ndryshon kjo e vërtetë mënyrën se si mendojmë për urdhërimet dhe bindjen?

Romakëve 14

Ne duhet të përmbahemi nga të gjykuarit e zgjedhjeve të të tjerëve dhe nga të qenit pengesa shpirtërore [për ta].

  • Për të siguruar kontekst për Romakëve 14, ju mund të vini në dukje se disa prej shenjtorëve romakë debatuan me njëri-tjetrin rreth zakoneve të ndryshme të së ngrënit, të respektimit të ditës së pushimit dhe të praktikave të tjera kulturore. Me çfarë situatash të ngjashme përballemi ne sot? Ndoshta anëtarët e klasës mund t’i hedhin një sy Romakëve 14 dhe ta përmbledhin në një fjali këshillën e Palit. Çfarë këshille mund t’i japim njëri-tjetrit lidhur me mënyrën se si ta shmangim të qenit paragjykues? Thënia nga Presidenti Diter F. Uhtdorf te “Burimet Shtesë” mund të ndihmojë.

Pamja
ikona e të mësuarit

Nxitni të Mësuarin në Shtëpi

Për t’i frymëzuar anëtarët e klasës t’i lexojnë 1 Korintasve 1–7, ju mund t’u tregoni se ajo përmban këshillën e Palit për anëtarët që jetonin në atë që njihej si një prej qyteteve më imorale dhe idhujtare në lashtësi.

Pamja
ikona e burimeve

Burime Shtesë

Romakëve 7–16

Marrja e “gjithçka[je] që Ati … ka” (DeB 84:38).

Nga Bibla

Nga shkrimi i shenjtë i ditëve të mëvonshme

Plaku Dallin H. Ouks tregoi shëmbëlltyrën në vijim:

“Një atë i pasur e dinte se, nëse do t’ia jepte [tërë] pasurinë e tij një fëmije, i cili nuk e kishte ende të zhvilluar urtësinë dhe pjekurinë e nevojshme, trashëgimia ndoshta do të shkatërrohej. Babai i tha fëmijës së tij:

‘Gjithçka që e kam, dëshiroj të ta jap ty – jo vetëm pasurinë time, por edhe pozitën dhe vendin tim në mes njerëzve. Atë që unë e kam, mund të ta jap ty me lehtësi, por atë që unë jam, ti duhet ta fitosh për veten tënde. Ti do të kualifikohesh për trashëgiminë tënde duke mësuar atë që kam mësuar unë dhe duke jetuar në mënyrën si kam jetuar unë. Unë do të të jap ligjet dhe parimet me anë të të cilave e kam fituar urtësinë dhe zhvillimin tim. Ndiqe shembullin tim, mjeshtërohu sikurse jam mjeshtëruar unë dhe do të bëhesh si unë dhe gjithçka që unë e kam, do të jetë e jotja’” (“The Challenge to Become”, Ensign, nëntor 2000, f. 32).

Bashkëtrashëgimtarë me Krishtin.

“Shenjtorët e ditëve të mëvonshme i shohin të gjithë njerëzit si fëmijë të Perëndisë në një kuptim të plotë dhe tërësor; ata e shohin çdo njeri si hyjnor në origjinë, natyrë dhe potencial. … Ashtu sikurse një fëmijë mund të zhvillojë tiparet e prindërve të tij ose të saj me kalimin e kohës, natyra hyjnore që qeniet njerëzore e trashëgojnë, mund të zhvillohet për t’u bërë si natyra e Atit të tyre Qiellor. … Burrat dhe gratë kanë potencialin që të ekzaltohen në një gjendje të perëndishmërisë” (“Bërja si Perëndia”, [Esetë mbi] Temat e Ungjillit, topics.lds.org).

Gjykimi i të tjerëve.

Presidenti Diter F. Uhtdorf, dha mësim:

“Kjo temë e të gjykuarit të të tjerëve faktikisht mund të jepet mësim në një predikim dyfjalësh. Kur është fjala për urrejtjen, thashethemnajën, injorimin, përqeshjen, mbajtjen e mërisë apo dëshirën për të bërë keq, ju lutem të ndiqni këtë udhëzim:

Ndalojeni atë!

Kaq e thjeshtë është. Ne thjesht duhet të ndalojmë së gjykuari të tjerët dhe t’i zëvendësojmë mendimet dhe ndjenjat gjykuese me një zemër plot ndjenja dashurie për Perëndinë dhe fëmijët e Tij. Perëndia është Ati ynë. Ne jemi fëmijët e Tij. Ne jemi të gjithë vëllezër e motra. … Një afishe që pashë së fundmi … qe ngjitur në anën e prapme të një makine, shoferi i së cilës dukej sikur qe pak i ashpër, por fjalët në afishe më mësuan një mësim të mprehtë. Aty lexohej: ‘Mos më gjykoni ngaqë mëkatoj në mënyrë të ndryshme nga ju’” (“Të Mëshirshmit Gjejnë Mëshirë”, Ensign ose Liahona, maj 2012, f. 75).

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Gjeni burime për t’i mbështetur parimet. Përveç ideve për mësimdhënien në këtë përvijim të mësimit, ju mund të modifikoni veprimtari nga përvijimi i mësimit të kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet për t’i përdorur në orën tuaj mësimore. (Shih edhe Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit, f. 17–18.)