Seminari
1 Korintasve 2


1 Korintasve 2

Të Kuptuarit e Gjërave Shpirtërore

Pamja
Shkrepje Fotografish në Grup në UBJ. Dy gra duke folur.

Çfarë idesh të botës të rrethojnë që ndonjëherë e bëjnë të vështirë ta dallosh të vërtetën? Shenjtorët në Korint ishin të pështjelluar prej ideve të botës dhe Apostulli Pal u mundua t’i ndihmonte ata të kuptonin se si mund t’i mësonin të vërtetat e përhershme shpirtërore. Ky mësim mund të të ndihmojë ta ftosh Frymën e Shenjtë që të të ndihmojë për të mësuar gjëra shpirtërore.

“Më thuaj se si e di”

Presidenti Bojd K. Paker (1924–2015), i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, tregoi ndodhinë vijuese:

Pamja
Portreti i fundit zyrtar i Plakut Bojd K. Paker, President i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, i vitit 2000. Ndërroi jetë më 3 korrik 2015.

“Në aeroplan u ula pranë një ateisti të deklaruar, i cili këmbëngulte kaq fort për mosbesimin e tij në Perëndi, saqë unë i dëshmova atij. ‘E ke gabim’, – i thashë, ‘ka një Perëndi. E di se Ai jeton!’

Ai kundërshtoi: ‘Ti nuk e di. Askush nuk e di këtë! Ti nuk mund ta dish atë!’ Kur [e pa] që nuk po dorëzohesha, ateisti, i cili ishte avokat, bëri ndoshta pyetjen më elementare mbi çështjen e dëshmisë. ‘Shumë mirë’, – tha ai në një mënyrë thumbuese, mospërfillëse, ‘ti thua se e di. Më thuaj se si e di.’”

(Boyd K. Packer, “The Candle of the Lord”, Ensign, janar 1983, f. 51)

  • Si e ke parë këtë lloj marrjeje në pyetje në botë sot?

  • Si mund t’i përgjigjeshe pyetjes së burrit?

Ndërsa studion, përsiat se sa mirë e kupton se si të mësosh të vërteta shpirtërore dhe kërko ide që mund të të ndihmojnë të mësosh më tepër.

Të mësuarit e të vërtetave shpirtërore

Shenjtorët në Korint i kishin ngatërruar idetë dhe praktikat e botës me të jetuarit e ungjillit. Si rrjedhojë, ata bënë shumë gabime. Pali u shkroi atyre për t’i ndihmuar të kuptonin se si t’i mësonin gjërat shpirtërore.

Lexo te 1 Korintasve 2:9–14, duke kërkuar ide që mund të na ndihmojnë të mësojmë të vërteta shpirtërore.

Vër re që “njeriu natyror” te vargu 14 është “një person i cili zgjedh të ndikohet prej pasioneve, dëshirave, orekseve dhe ndjesive të mishit më shumë sesa prej pëshpëritjeve të Shpirtit të Shenjtë” (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Njeri i Natyrshëm”, scriptures.ChurchofJesusChrist.org).

  • Çfarë vargjesh ose frazash të bënë më shumë përshtypje? Çfarë të pëlqeu rreth tyre?

  • Çfarë mësove rreth Atit Qiellor dhe dashurisë së Tij për ty te vargu 9?

  • Çfarë të vërtetash gjete rreth mënyrës se si Ati Qiellor ua zbulon njohurinë fëmijëve të Tij?

Një e vërtetë që jepet mësim në këto vargje, është se ne mund t’i dimë dhe kuptojmë gjërat e Perëndisë vetëm nëpërmjet Shpirtit të Tij.

Si një shembull i mundshëm i të moskuptuarit të mënyrës se si ta mësojmë të vërtetën shpirtërore, lexo se çfarë ndodhi teksa Presidenti Paker u përpoq t’i shpjegonte ateistit në aeroplan se si ai e dinte se Perëndia ishte i vërtetë:

Pamja
Portreti i fundit zyrtar i Plakut Bojd K. Paker, President i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, i vitit 2000. Ndërroi jetë më 3 korrik 2015.

“Kur përdora fjalët Shpirt dhe dëshmi, ateisti u përgjigj: ‘Nuk e di për çfarë e ke fjalën’. Fjalët lutje, aftësi dalluese dhe besim, ishin po ashtu të pakuptimta për të.”

(Boyd K. Packer, “The Candle of the Lord”, Ensign, janar 1983, f. 51)

Të Mësuarit me anë të Shpirtit

1. Krijo një listë me të vërtetat në ditarin tënd të studimit siç udhëzohet në paragrafin vijues. Pastaj përgjigju për dy pyetjet që vijojnë.

Në ditarin tënd të studimit, rendit disa të vërteta shpirtërore që i ke mësuar nëpërmjet Frymës së Shenjtë. Rendit gjithashtu disa të vërteta për të cilat dëshiron të fitosh një dëshmi. Disa shembuj mund të përfshijnë sa vijon: Ati Qiellor është i vërtetë dhe më do, Jezu Krishti është Shpëtimtari im dhe Jozef Smithi ishte një profet i Perëndisë.

Zgjidh një nga të vërtetat që përcaktove, dhe përgjigju për sa vijon:

  • Si do të të thoshte bota që ta zbulosh të vërtetën rreth kësaj teme?

  • Çfarë bëre, ose çfarë mund të bësh, që të arrish ta dish këtë të vërtetë nëpërmjet Frymës së Shenjtë?

Nëse dëshiron të mësosh më shumë rreth të mësuarit të së vërtetës nëpërmjet Frymës së Shenjtë, merre parasysh të studiosh disa nga burimet vijuese:

Të ndihmuarit e të tjerëve që të mësojnë me anë të Shpirtit

Lexo sa vijon për të përfunduar historinë e Presidentit Paker. Kur burri në aeroplan i refuzoi shpjegimet e Presidentit Paker, ky i fundit u ndje i frymëzuar t’i kërkonte burrit t’i përshkruante shijen e kripës:

Pamja
Portreti i fundit zyrtar i Plakut Bojd K. Paker, President i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, i vitit 2000. Ndërroi jetë më 3 korrik 2015.

“Natyrisht, pas disa orvatjesh, ai nuk mundi ta shpjegonte atë. Ai nuk mundi ta përçonte vetëm me fjalë, një përvojë kaq të zakonshme siç është shija e kripës. Unë i dëshmova atij sërish dhe i thashë: ‘E di se ka një Perëndi. Ju u tallët me atë dëshmi dhe thatë që nëse e dija, unë do të mund t’jua tregoja saktësisht se si e di. Miku im, duke folur në mënyrë shpirtërore, unë e kam shijuar kripën. Unë jam në gjendje t’jua përçoj me fjalë se si më ka ardhur kjo njohuri, po aq sa ju jeni në gjendje të më thoni se çfarë shije ka kripa. Por unë ju them sërish se ka një Perëndi! Ai jeton! Dhe vetëm se ju nuk e dini, mos u përpiqni të më tregoni se unë nuk e di, sepse unë e di!’ …

Që prej asaj përvoje e më tej, nuk kam qenë kurrë në siklet apo i turpëruar, që nuk mund ta shpjegoja vetëm me fjalë çdo gjë që unë e di në mënyrë shpirtërore.”

(Boyd K. Packer, “The Candle of the Lord”, Ensign, janar 1983, f. 52)

2. Përgjigju për pyetjet vijuese në ditarin tënd të studimit:

  • Përse është Fryma e Shenjtë një burim më i mirë njohurie sesa dituria dhe arsyetimi i botës?

  • Çfarë mund të bësh për të kërkuar njohuri nga Ati Qiellor?

Merre parasysh të shkruash në ditarin tënd të studimit atë që dëshiron të bësh që të vazhdosh të mësosh të vërtetën me anë të fuqisë së Frymës së Shenjtë.

Fakultative: Dëshiron të Mësosh më Shumë?

Çfarë mund të bëj që të mësoj gjëra shpirtërore?

Plaku Pol V. Xhonson, i Të Shtatëdhjetëve, pohoi:

Pamja
Plaku Pol V. Xhonson, i Kuorumit të Të Shtatëdhjetëve bën një portret zyrtar, në vitin 2021.

“Përgjigjet për pyetjet shpirtërore u jepen atyre individëve që nuk e ngurtësojnë zemrën e tyre; që kërkojnë me besim, duke besuar se do të marrin dhe që i zbatojnë urdhërimet me zell”.

(Paul V. Johnson, “A Pattern for Learning Spiritual Things” [transmetim satelitor për Seminaret dhe Institutet e Fesë, 7 gusht 2012], broadcasts.ChurchofJesusChrist.org)

A mundet që të përdoren vetëm gjëra si metoda shkencore dhe logjika për të kuptuar të vërtetat e ungjillit?

Presidenti Dallin H. Ouks, i Presidencës së Parë, pohoi:

Pamja
Portreti Zyrtar i Presidentit Dallin H. Ouks, i bërë në mars 2018.

“Kur kërkojmë të vërtetën rreth fesë, ne duhet të përdorim metoda shpirtërore të përshtatshme për atë kërkim: lutjen, dëshminë e Frymës së Shenjtë dhe studimin e shkrimeve të shenjta dhe të fjalëve të profetëve modernë. Jam gjithmonë i trishtuar kur dëgjoj për dikë që raporton humbje të besimit fetar për shkak të mësimeve laike. Ata që dikur patën largpamësi shpirtërore, mund të vuajnë nga verbëria shpirtërore e vetëshkaktuar. Siç tha Presidenti Henri B. Ajring: ‘Problemi i tyre nuk qëndron tek ajo që mendojnë se e shohin; ai qëndron tek ajo që ende nuk mund ta shohin’ [Henry B. Eyring, To Draw Closer to God: A Collection of Discourses (1997), f. 143].

Metodat e shkencës na çojnë drejt asaj që ne e quajmë e vërtetë shkencore. Por ‘e vërteta shkencore’ nuk është tërësia e jetës. Ata që nuk mësojnë ‘me anë të studimit dhe gjithashtu me anë të besimit’ (Doktrina e Besëlidhje 88:118), e kufizojnë kuptueshmërinë e tyre për të vërtetën në atë që mund ta vërtetojnë nëpërmjet mjeteve shkencore. Kjo vendos kufizime artificiale në kërkimin e tyre për të vërtetën.”

(Dallin H. Ouks, “E Vërteta dhe Plani”, Liahona, nëntor 2018, f. 25)

Si mund të ma komunikojë Fryma e Shenjtë të vërtetën?

Plaku Riçard G. Skot (1928–2015), i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, pohoi:

Pamja
Portreti i fundit zyrtar i Plakut Riçard G. Skot, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, i vitit 2004. Ndërroi jetë më 22 shtator 2015.

“Ju mund të mësoni gjëra të rëndësishme jetike nga ajo që dëgjoni dhe shikoni dhe, edhe më tepër, nga ajo që ndieni, siç nxiteni nga Fryma e Shenjtë. Shumë individë e kufizojnë të mësuarit e tyre kryesisht tek ajo që dëgjojnë ose lexojnë. Jini të zgjuar! Zhvillojeni gjithashtu aftësinë për të mësuar nga ajo që shihni dhe veçanërisht nga ajo që Fryma e Shenjtë ju nxit të ndieni. Kërkoni në mënyrë të ndërgjegjshme dhe të vazhdueshme të mësoni nga ajo që ndieni. Kapaciteti juaj për ta bërë këtë gjë do të zgjerohet nëpërmjet ushtrimit të përsëritur. Kërkohet besim dhe përpjekje e konsiderueshme për të mësuar nga ajo që ndieni nga Shpirti. Kërkojeni me besim këtë lloj ndihme. Jetoni në atë mënyrë që të jeni të denjë për udhërrëfim të tillë.”

(Richard G. Scott, “How to Learn by the Spirit”, New Era, shtator 2014, f. 48)