Seminari
1 Korintasve 6


1 Korintasve 6

“Trupi Juaj Është Tempulli i Frymës së Shenjtë”

Pamja
Paraguai. Një e re dhe dy të rinj në rrethinat e Tempullit të Asunsionit në Paraguai.

Ndonjëherë mund të duket sikur pamoralshmëria dhe mëkati seksual i përhapur janë probleme unike për kohën tonë. Megjithatë, në letrën e tij shkruar rreth 2 000 vjet më parë, Pali dha mësim dhe paralajmëroi për po të njëjtat mëkate. Mësimet e fuqishme të Palit i forcuan dhe korrigjuan shenjtorët në Korint, duke i drejtuar ata sërish në shtegun besëlidhjeve. Ky mësim ka për qëllim të të ndihmojë ta kuptosh më mirë rëndësinë e trupit tënd fizik dhe rëndësinë e të qëndruarit i pastër nga ana seksuale.

Pastërtia seksuale

Lexo thëniet vijuese rreth pastërtisë seksuale. Vlerësoje çdo thënie në një shkallë nga 1 deri në 5 (1=aspak dakord, 2=nuk jam dakord, 3=neutral, 4=dakord, 5=plotësisht dakord).

  • Ne jetojmë në një botë ku njerëzit kanë ide të ndryshme për atë se cilat qëndrime dhe veprime seksuale janë të pranueshme.

  • E kuptoj standardin e Zotit për pastërtinë seksuale (i njohur edhe si ligji i dëlirësisë).

  • Kam dëshirën ta jetoj standardin e Zotit për pastërtinë seksuale.

  • E dalloj se si standardi i Zotit për pastërtinë seksuale e bekon jetën time.

  • Kam pyetje rreth standardit të Zotit për pastërtinë seksuale.

Merre parasysh të shkruash në ditarin tënd të studimit atë që di dhe beson rreth standardit të Zotit për pastërtinë seksuale si edhe çdo pyetje që ke rreth tij. Teksa e studion këtë mësim, kërkoji Atit Qiellor të të udhërrëfejë nëpërmjet Frymës së Shenjtë. Përpiqu fort t’i dallosh dhe mësosh të vërtetat që mund të të ndihmojnë ta kuptosh më mirë dhe të dëshirosh ta jetosh standardin e Zotit për pastërtinë seksuale dhe që do të të ndihmojnë t’u përgjigjesh pyetjeve dhe shqetësimeve të tua.

Pali jep mësim ligjin e Zotit për dëlirësinë

Qyteti i Korintit ishte një qytet i madh, i pasur dhe i larmishëm ku mëkati seksual ishte i përhapur. Pali renditi kurvërinë (marrëdhëniet seksuale jashtë martese), shkeljen e kurorës dhe homoseksualitetin si disa nga mëkatet e zakonshme mes korintasve (shih te 1 Korintasve 6:9–10).

Lexoji mësimet e Palit te 1 Korintasve 6:18–20 dhe merre parasysh t’i shenjosh fjalët ose frazat që përmbajnë mësimet e Perëndisë rreth pastërtisë seksuale dhe natyrës së shenjtë të trupit të njeriut.

1 Korintasve 6:19–20 është një fragment i zotërimit doktrinor. Merr parasysh t’i shenjosh fragmentet e zotërimit doktrinor në mënyrë të dallueshme që të mund t’i gjesh me lehtësi. Do të mësosh më shumë për këtë fragment të zotërimit doktrinor në mësimin e ardhshëm.

  • Çfarë të vërtetash ndien se Zoti do të dëshironte që të kuptosh nga këto vargje? Si mendon, përse Zoti dëshiron që t’i kuptosh ato të vërteta?

  • Si mund të ndikojnë këto të vërteta në mënyrën se si e sheh ligjin e Zotit për dëlirësinë?

Një e vërtetë që mësojmë nga këto vargje, është se trupat tanë janë tempujt e Perëndisë ku Shpirti mund të banojë.

1. Plotësoje veprimtarinë vijuese në ditarin tënd të studimit:

Në mes të një faqeje në ditarin tënd të studimit, krijo shkurtimisht një vizatim të thjeshtë të një personi që qëndron pranë një tempulli. Rreth vizatimit rendit ngjashmëritë ndërmjet një trupi fizik dhe një tempulli. Përcakto arsyet pse ky krahasim mund të të ndihmojë ta kuptosh ligjin e dëlirësisë. Pyetjet vijuese mund të të ndihmojnë ta bësh këtë krahasim:

  • Si mund të ndikojë të menduarit e trupave tanë si tempuj në mënyrën se si e trajtojmë trupin tonë?

  • Si mund të ndikojë kjo analogji e trupave tanë si tempuj në mendimet dhe veprimet tona në lidhje me pastërtinë seksuale?

  • Çfarë të vërtetash rreth Frymës së Shenjtë janë të rëndësishme për t’u kuptuar në këtë fragment? Përse?

  • Cilat janë disa arsye që ti mendon se ia vlen përpjekja për ta pasur Frymën e Shenjtë që të banojë në ty?

Po sikur dikush të mos i bindet ligjit të dëlirësisë? Ndërkohë që u jepte mësim korintasve, Pali vuri re që disa nga anëtarët korintas kishin kryer mëkate seksuale në të kaluarën (shih te 1 Korintasve 6:9–11). Por kur u penduan dhe u pagëzuan, ata u pastruan nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit.

Lexoje vargun te 1 Korintasve 6:11 dhe merre parasysh t’i shenjosh fjalët ose frazat që përdori Pali, për t’i ndihmuar korintasit ta kuptonin fuqinë pastruese të Shlyerjes së Jezu Krishtit, që është në dispozicion për të gjithë individët.

  • Përse është thelbësore të dish që Jezu Krishti mund të na pastrojë nga mëkati seksual?

Kujtoni që “viktimat e abuzimit seksual nuk janë fajtorë për mëkatin dhe nuk kanë nevojë të pendohen. Nëse keni qenë viktimë e abuzimit, dijeni se jeni të pafajshëm dhe se Perëndia ju do. Flisni me prindërit tuaj ose një të rritur tjetër të besuar dhe kërkoni menjëherë këshillën e peshkopit tuaj. Ata mund t’ju mbështesin shpirtërisht dhe t’ju ndihmojnë për të marrë mbrojtjen dhe ndihmën që ju nevojitet” (“Pastërtia Seksuale”, Për Forcën e Rinisë [broshurë, 2011], f. 36).

Lexo sërish te 1 Korintasve 6:19–20, duke kërkuar se çfarë mësimi tjetër dha Pali rreth Jezu Krishtit dhe Shlyerjes së Tij.

  • Si mendon, çfarë nënkuptoi Pali kur tha se “nuk i përkitni vetvetes” dhe se “u bletë me një çmim”?

  • Si ndikon flijimi i Shpëtimtarit te mënyra se si ti mendon dhe e trajton trupin tënd fizik?

Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, theksoi marrëdhënien ndërmjet dëlirësisë dhe flijimit të Jezu Krishtit.

Pamja
Portreti Zyrtar i Plakut Xhefri R. Holland. Fotografuar në janar 2018.

“Trupi është një pjesë thelbësore e shpirtit. Kjo doktrinë e dallueshme dhe shumë e rëndësishme e shenjtorëve të ditëve të mëvonshme nënvizon arsyen përse mëkati seksual është kaq i rëndë. … Duke shfrytëzuar trupin e tjetrit – që do të thotë të shfrytëzosh shpirtin e tij apo të saj – një person përdhos Shlyerjen e Krishtit, që e shpëtoi atë shpirt dhe që bën të mundur dhuratën e jetës së përjetshme. …

Ju lutem, mos thoni kurrë: ‘E kë do të lëndoj? Përse të mos kem pak liri? Mund ta bëj shkeljen tani dhe të pendohem më vonë.’ Ju lutem, mos u bëni kaq të marrë dhe kaq mizorë. Ju nuk mund ta ‘kryqëzo[ni] përsëri [Krishtin]’ pa u ndëshkuar [shih te Hebrenjve 6:6]. ‘Largohuni nga kurvëria’ [1 Korintasve 6:18], thërret Pali dhe largohuni nga ‘diçka [e] ngjashme’ [Doktrina e Besëlidhje 59:6; theksimi i shtuar], shtohet te Doktrina e Besëlidhje. Përse? Epo, një arsye është për shkak të vuajtjes së pallogaritshme si në trup dhe në shpirt, të duruar nga Shpëtimtari i botës, në mënyrë që ne të mund të largohemi [shih veçanërisht te Doktrina e Besëlidhje 19:15–20]. Ne i detyrohemi Atij diçka për këtë. Në të vërtetë, ne i detyrohemi Atij gjithçka për këtë.”

(Jeffrey R. Holland, “Personal Purity”, Ensign, nëntor 1998, f. 76)

2. Përgjigju për pyetjet vijuese në ditarin tënd të studimit:

  • Çfarë të ndihmon të kuptosh rreth Shpëtimtarit njohuria që Ai vuajti për ty nëpërmjet derdhjes së gjakut të Tij? Si mundet kuptimi i marrë për këtë ta rritë dëshirën dhe aftësinë tënde për t’iu bindur Atij?

Ashtu si Pali iu drejtua shenjtorëve në Korint, shërbëtorët e Zotit në kohën tonë kanë siguruar këshillë të rëndësishme rreth standardit të Zotit për pastërtinë seksuale dhe fuqinë që Shpëtimtari ka për të na falur dhe për të na pastruar. Lexo temën “Pastërtia Seksuale”, Për Forcën e Rinisë (broshura, 2011), f. 35–37, në dispozicion në ChurchofJesusChrist.org ose te programi kompjuterik Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit], duke kërkuar të vërtetat që mund të të forcojnë dhe t’u japin përgjigje pyetjeve të tua.

Për informacion tjetër rreth ligjit të dëlirësisë dhe për shembuj nga ditët e sotme të të rinjve që e jetojnë atë, merr parasysh të shohësh materialin filmik “I Choose to Be Pure” [“Zgjedh të Jem i/e Dëlirë”] (4:19) ose “Chastity: What Are the Limits” [“Dëlirësia: Cilët Janë Kufijtë”] (3:59) në dispozicion në ChurchofJesusChrist.org.

3. Përgjigju për pyetjet vijuese në ditarin tënd të studimit:

  • Çfarë parimesh mësove nga vargjet te 1 Korintasve 6 dhe fjalët e profetëve të ditëve të sotme që të ndihmuan ta kuptosh më mirë standardin e Zotit për pastërtinë seksuale?

  • Ku mund të drejtohesh nëse ke pyetje ose shqetësime rreth pastërtisë seksuale, të cilat nuk morën përgjigje në këtë mësim?

Gjej një çast për të përsiatur çdo nxitje nga Fryma e Shenjtë rreth veprimeve që Zoti mund të dojë që ti t’i ndërmarrësh për shkak të përvojave të tua sot.

Fakultative: Dëshiron të Mësosh më Shumë?

1 Korintasve 6:19. Përse është e rëndësishme nëse e shoh trupin tim si “tempulli[n e] Frymës së Shenjtë”?

Presidenti Rasëll M. Nelson dha mësim se si të parit e trupit tonë si një tempull i Perëndisë mund të ndikojë në jetën tonë.

Pamja
Portreti zyrtar i Presidentit Rasëll M. Nelson, i bërë në janar 2018

“Meqë trupi juaj është një pjesë kaq jetike e planit të Perëndisë, nuk është çudi që Apostulli Pal e cilësoi atë ‘tempulli i Perëndisë’ [1 Korintasve 3:16; shih edhe 6:19]. Sa herë që shikoheni në pasqyrë, shiheni trupin si tempullin tuaj. Kjo e vërtetë – e përtërirë me mirënjohje përditë – mund të ndikojë pozitivisht në vendimet tuaja për mënyrën se si do të kujdeseni për trupin tuaj e si do ta përdorni atë.”

(Rasëll M. Nelson, “Vendime Përjetësie”, Liahona, nëntor 2013, f. 107)

Si na tundon Satani që ta keqpërdorim trupin tonë?

Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, na mësoi rreth shtrembërimeve të Satanit dhe rëndësisë së trupit.

Pamja
Portreti zyrtar i Plakut Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, i vitit 2020.

“Për shkak se një trup fizik është kaq qendror për planin e Atit për lumturinë dhe zhvillimin tonë shpirtëror, Luciferi kërkon ta prishë përparimin tonë duke na tunduar t’i përdorim në mënyrë të gabuar trupat tanë. …

Shkelja e ligjit të dëlirësisë është një mëkat i rëndë dhe një keqpërdorim i tabernakujve tanë fizikë. Për ata që e njohin dhe e kuptojnë planin e shpëtimit, përdhosja e trupit është një vepër rebelimi (shih [te] Mosia 2:36–37; [Doktrina e Besëlidhje] 64:34–35) dhe një mohim i identitetit tonë të vërtetë si bij e bija të Perëndisë. Teksa shohim përtej vdekshmërisë dhe në brendësi të përjetësisë, është e lehtë të dallojmë se shoqërimi i shtirë, i mbrojtur nga kundërshtari është i përkohshëm dhe i zbrazët.”

(Dejvid A. Bednar, “Ne Besojmë në Qenien të Dëlirë”, Liahona, maj 2013, f. 43)

Suzan W. Taner, ish‑Presidente e Përgjithshme e Të Rejave, trajtoi disa nga mënyrat se si kundërshtari na tundon që ta keqpërdorim trupin tonë fizik.

Pamja
Portreti zyrtar i Suzan W. Tanerit, ish-presidente e përgjithshme e Të Rejave, i vitit 2003. Publikuar në prill 2008.

“[Satani] tundon shumë veta për ta njollosur këtë dhuratë të madhe të trupit nëpërmjet padëlirësisë, jomodestisë, vetëkënaqësisë dhe varësive. Ai i josh disa që ta përçmojnë trupin e tyre; të tjerët ai i tundon ta adhurojnë trupin e tyre. Në secilin rast, ai e josh botën që ta shohë trupin thjesht si një objekt. Përballë kaq shumë gënjeshtrave satanike për trupin, unë dua që ta ngre zërin tim sot në mbështetje të shenjtërisë së trupit. Unë dëshmoj se trupi është një dhuratë që duhet trajtuar me mirënjohje e respekt.”

(Suzan W. Taner, “Shenjtëria e Trupit”, Liahona, nëntor 2005, f. 13; Konferenca e Përgjithshme, tetor 2005, f. 18)