Seminari
Jakob 1


Jakob 1

“Le të Kërkojë nga Perëndia”

Pamja
Një e re që lutet pranë shtratit.

A e ndien se mund t’i kërkosh Perëndisë ndihmë kur ke pyetje që nuk kanë marrë përgjigje ose të duhet urtësia e Tij për marrjen e vendimeve të rëndësishme? Jakobi shpalli se kushdo që i mungon urtësia, mund “të kërkojë nga Perëndia, që u jep të gjithëve pa kursim … dhe atij do t’i jepet” (Jakob [Bibël] 1:5). Ky mësim ka për qëllim ta forcojë dëshminë tënde që Ati Qiellor do të të japë urtësi si përgjigje ndaj lutjeve të tua.

Përgjigje të rëndësishme

Shihe secilën prej pyetjeve vijuese dhe përsiat këto gjëra për secilën: 1) A kam marrë një përgjigje nga Perëndia? 2) A po kërkoj një përgjigje nga Perëndia të cilën nuk e kam marrë ende? 3) A nuk jam ende i interesuar për kërkimin e një përgjigjeje?

  • A është Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme Kisha e vërtetë?

  • A është Jezu Krishti me të vërtetë Shpëtimtari im?

  • Ku duhet të përqendrohem për të qenë një ndjekës/e më i/e mirë i/e Jezu Krishtit?

Teksa studion fjalët e Apostullit Jakob te Jakob [Bibël] 1, kërko parime që mund të të ndihmojnë të gjesh përgjigje për pyetjet e rëndësishme në jetën tënde.

Lexoje informacionin vijues rreth Jakobit. Mendo për pyetjet për të cilat ai mund të ketë kërkuar përgjigje gjatë gjithë jetës së tij.

  1. Me gjasë ai ishte gjysmëvëllai i Jezu Krishtit (shih tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Jakob, Vëlla i Zotit”, ChurchofJesusChrist.org).

  2. Ashtu si gjysmëvëllezërit e tjerë të Zotit, ai mund të mos ketë besuar në fillim se Jezusi ishte Krishti (shih te Gjoni 7:3–5).

  3. Më vonë Ai u bë Apostull dhe, sipas autorëve të hershëm të krishterë, peshkopi i parë i Kishës në Jerusalem (shih te Veprat e Apostujve 12:16–17; 21:17–18; Galatasve 1:18–19; 2:9).

Lexo te Jakob [Bibël] 1:1 për të përcaktuar se kujt po i shkruante Jakobi.

Plaku Brus R. Mek-Konki (1915–1985), i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi se “Jakobi iu drejtua … njerëzve që nuk ishin mbledhur ende, që nuk e kishin marrë ende ungjillin, që nuk kishin ardhur ende në tufën e Krishtit” (Doctrinal New Testament Commentary [1973], 3:243).

  • Cilat janë disa pyetje që mund të kenë njerëzit të cilët nuk e kanë marrë ende ungjillin?

Lexo te Jakob [Bibël] 1:5–6, duke kërkuar të vërtetat që Jakobi dha mësim, që mund të na ndihmojnë kur kemi pyetje të rëndësishme dhe mund t’i ndihmojnë ata që po kërkojnë të vërtetat e ungjillit. (Mund të jetë e dobishme të dish se qortuar do të thotë të gjesh faj ose t’i heqësh veshin dikujt.)

Jakob [Bibël] 1:5–6 është një fragment i zotërimit doktrinor. Merre parasysh t’i shenjosh fragmentet e zotërimit doktrinor në mënyrë të dallueshme që të mund t’i gjesh me lehtësi.

  • Çfarë gjete?

  • Çfarë mëson rreth Atit Qiellor nga ky fragment?

Një e vërtetë që gjendet në këtë fragment, është se Perëndia do të na bekojë me urtësi nëse ia kërkojmë me besim.

  • Çfarë mendon se do të thotë të “kërko[sh] me besim, pa dyshuar”? (Jakob [Bibël] 1:6.)

  • Si mendon, përse Ati Qiellor dëshiron që ti të drejtohesh tek Ai për përgjigje?

Teksa vazhdon studimin tënd, mendo për mendimet, ndjenjat dhe përvojat që ke pasur kur i ke kërkuar Perëndisë urtësi ose përgjigje për pyetjet e tua.

Shembulli i Jozef Smithit

Pamja
Jozef Smith i Riu paraqitet i gjunjëzuar në Korijen e Shenjtë gjatë Vegimit të Parë. Një rreze drite mund të shihet duke zbritur nga qielli përmes pemëve drejt Jozefit.

Mund të jetë e dobishme të përsiatësh një shembull të parimit që Perëndia do të na bekojë me urtësi nëse ia kërkojmë me besim. Kërkimi i urtësisë nga Perëndia pati një ndikim të thellë te Jozef Smithi.

Shih materialin filmik “Joseph Smith: The Prophet of the Restoration” [“Jozef Smithi: Profeti i Rivendosjes”] nga kodi kohor 5:07 deri në 8:42, në dispozicion në ChurchofJesusChrist.org, duke kërkuar si ndikoi kjo e vërtetë në jetën e Jozefit.

1. Përgjigju për pyetjet vijuese:

  • Çfarë të preku në veçanti nga përvoja e Jozef Smithit?

  • Si ndikoi në jetën e Jozefit përgjigjja e Perëndisë e cila erdhi në Vegimin e Parë? Si ka ndikuar ajo në botë? Si ka ndikuar tek ti?

Përvoja jote

2. Bëj sa vijon në ditarin tënd të studimit:

Shkruaji mendimet, ndjenjat dhe përvojat që ke pasur ndërkohë që kërkoje urtësi nga Perëndia. Merre parasysh të përfshish disa nga pikat në vijim:

  • Mendimet dhe ndjenjat e tua rreth gatishmërisë së Perëndisë për t’iu dhënë përgjigje pyetjeve të tua (shih te Jakob [Bibël] 1:5–6).

  • Mendimet dhe ndjenjat e tua rreth përvojës së Jozef Smithit që i kërkon Perëndisë urtësi.

  • Përvojat që ke pasur ose po kalon duke kërkuar urtësi nga Perëndia dhe duke marrë përgjigje. (Këto përvoja mund të përfshijnë kërkimin e përgjigjeve për pyetjet në fillim të mësimit.)

  • Mënyrat se si do të doje të kërkoje urtësi nga Perëndia tani ose në të ardhmen.

  • Përshtypjet që ke marrë nga Fryma e Shenjtë gjatë këtij mësimi, të cilat mund të të ndihmojnë.

Mendo për zakonet e tua vetjake të lutjes dhe kërkimit të urtësisë dhe përgjigjeve nga Perëndia. Kur ishte hera e fundit kur ti i kërkove Atit tënd Qiellor urtësi ose përgjigje për pyetjet e tua? Çfarë mund të bësh sot për të filluar që të bësh pyetje më të sinqerta dhe më të shpeshta? Mbaje shënim në ditarin tënd atë që ndien se Ati Qiellor do të donte që ti të bëje për shkak të asaj që studiove sot.

Fakultative: Dëshiron të Mësosh më Shumë?

Përse është e rëndësishme të marr urtësi nga Perëndia dhe të fitoj dëshminë time vetjake prej Tij?

Mendo rreth pyetjes paraprirëse ndërsa sheh materialin filmik “Origin” [“Origjina”] (4:57), në dispozicion në ChurchofJesusChrist.org.

Presidenti Rasëll M. Nelson dha mësim:

Pamja
Portreti zyrtar i Presidentit Rasëll M. Nelson, i bërë në janar 2018

“A do Perëndia vërtet të flasë me ju? Po! …

Nuk keni përse ta pyetni veten se çfarë është e vërtetë [shih te Moroni 10:5]. Nuk keni përse ta pyesni veten se kujt mund t’i mirëbesoni me siguri. Nëpërmjet zbulesës vetjake, ju mund të merrni vetë dëshminë tuaj se Libri i Mormonit është fjala e Perëndisë, se Jozef Smithi është një profet dhe se kjo është Kisha e Zotit. Pavarësisht nga ajo që mund të thonë ose bëjnë të tjerët, askush nuk mund ta largojë asnjëherë një dëshmi të lindur në zemrën dhe mendjen tuaj për atë që është e vërtetë. …

Ne jemi pasues të Jezu Krishtit. E vërteta më e rëndësishme që Fryma e Shenjtë do t’ju dëshmojë ndonjëherë, është se Jezusi është Krishti, Biri i Perëndisë së gjallë. Ai jeton!”

(Rasëll M. Nelson, “Zbulesë për Kishën, Zbulesë për Jetën Tonë”, Liahona, maj 2018, f. 95, 96)

Jakob [Bibël] 1:6. Çfarë do të thotë të “kërko[sh] me besim”?

Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, iu referua vargjeve te Jakob [Bibël] 1:5–6 dhe shpjegoi:

Pamja
Portreti zyrtar i Plakut Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, i vitit 2020.

“Vini re kërkesën për të kërkuar duke patur besim, që unë mendoj se nënkupton nevojën që jo vetëm të shprehësh por të bësh, detyrën e dyfishtë që edhe të lutesh edhe të bësh, kërkesën që të komunikosh dhe të veprosh. …

Pyetjet e Jozefit përqendroheshin jo thjesht në çfarë kishte nevojë të dinte, por gjithashtu në çfarë duhej bërë! Lutja e tij nuk ishte thjesht, ‘Cila kishë është e drejtë?’ Pyetja e tij ishte, ‘Me cilën kishë duhet të bashkohem?’ Jozefi shkoi në korije të pyeste me besim dhe ai ishte i vendosur të vepronte.

Besimi i vërtetë përqendrohet te dhe mbi Zotin Jezu Krisht dhe gjithnjë çon në veprim të drejtë. … Ne shkojmë përpara dhe këmbëngulim në punën e përkushtuar të lutjes, pasi themi ‘amen’ duke vepruar mbi gjërat që ne i kemi shprehur Atit Qiellor.

Të kërkosh me besim kërkon ndershmëri, përpjekje, angazhim dhe këmbëngulje.”

(Dejvid A. Bednar, “Kërkoni me Besim”, Liahona, maj 2008, f. 94–95)