2018
Sa i Mëshirshëm Ka Qenë Zoti
Tetor 2018


Sa i Mëshirshëm Ka Qenë Zoti

Historia e re e Kishës me shumë vëllime do të na ndihmojë t’i mbajmë besëlidhjet tona duke na e zgjeruar kujtesën për ato që Shpëtimtari ka bërë për ne.

Pamja
holding Saints book

Për herë të parë në afro njëqind vjet, po botohet një histori e re e Kishës me shumë vëllime nën drejtimin e Presidencës së Parë dhe Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Me titull Shenjtorët: Historia e Kishës së Jezu Krishtit në Ditët e Mëvonshme, kjo histori me tregime tregon historinë e vërtetë të njerëzve të zakonshëm që u bënë shenjtorë nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit (shih Mosia 3:19). Vëllimi i parë, Standardi i së Vërtetës, 1815–1846, tani ka përfunduar dhe është përkthyer në 14 gjuhë për shpërndarje në shumë zona të botës.

Shenjtorët është historia e mënyrës se si Perëndia e rivendosi besëlidhjen e Tij të përjetshme për shkak të dashurisë së Tij për fëmijët e Vet. Ajo dëfton mënyrën se si Zoti e rivendosi ungjillin e Tij për të siguruar shpresë e paqe në kohë trazirash, sprovash e vuajtjesh. Ajo gjithashtu dëfton se si besëlidhjet e rivendosura çojnë në ekzaltim nëpërmjet Jezu Krishtit.

Mund të prisni që historia të fillojë me Jozef Smithin, por historia Shenjtorët fillon në vitin 1815 me shpërthimin e një vullkani në Indonezi, i cili gjithandej shkaktoi vdekje, sëmundje e shkatërrim. Kjo pikë fillimi u zgjodh, duke u nisur, nga ajo që Zoti zbuloi rreth mënyrës se si Ai i rivendosi besëlidhjet që na lidhin me Shpëtimtarin dhe na aftësojnë që t’i kapërcejmë të gjitha problemet e jetës:

“Unë, Zoti, duke e ditur fatkeqësinë që do të vinte mbi banorët e tokës, thirra shërbëtorin tim, Joseph Smith të Riun dhe i fola atij nga qielli e i dhashë urdhërime; …

Që besëlidhja ime e përjetshme të mund të themelohet” (DeB 1:17, 22).

Nga skena e parë deri te shpërndarja e saj në mbarë botën, historia Shenjtorët u jep fëmijëve të Perëndisë anembanë sinjalin se ajo është historia e besëlidhjes së tyre me Perëndinë, I Cili i di vështirësitë e tyre. Nëpërmjet profetit të Tij, Perëndia i përtëriu besëlidhjet që nuk e zhdukin të keqen, pikëllimin, vuajtjen dhe ndarjen prej vdekjes, por vërtet premtojnë shërim nëpërmjet Shlyerjes së Shpëtimtarit, na e shenjtërojnë jetën dhe i dhurojnë asaj kuptim më të lartë dhe na sigurojnë se marrëdhëniet që janë të shtrenjta për ne këtu në tokë mund të zgjatin në përjetësi, “do të je[n]ë me lavdi të përjetshme” (shih DeB 130:2).

Tetë kapitujt e parë të pjesës Standardi i së Vërtetës janë botuar në numrat e kësaj reviste gjatë gjithë vitit. Numri i këtij muaji e mbyll serinë e kapitujve të librit Shenjtorët, por historia vazhdon te shenjtorë.lds.org, në programin kompjuterik Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit] dhe e shtypur si libër (porositeni në store.lds.org). Ju ftoj të vazhdoni ta lexoni atë në cilindo prej këtyre kanaleve.

Një Model dhe Plan Hyjnor

Libri Shenjtorët vazhdon një model hyjnor në të cilin profetët, si pjesë e shërbesës së tyre, e përdorin të shkuarën për të na ndihmuar të mësojmë cilët jemi dhe t’i shohim qëllimet e Perëndisë në jetën tonë. Në shkrimet e shenjta, shumë profetë e nisin mësimdhënien e tyre duke treguar histori mbi mëshirën e Zotit për paraardhësit e tyre.1 Moroni u bëri thirrje lexuesve të Librit të Mormonit që të “kujto[jnë] sa i mëshirshëm ka qenë Zoti” gjatë gjithë historisë “dhe t’i medito[jnë] në zemrat [e tyre]” (Moroni 10:3). Reflektimi mbi mirësinë e Perëndisë na përgatit të marrim dëshmimin nga Shpirti, i cili na mëson “për gjëra ashtu siç janë në të vërtetë dhe për gjëra ashtu siç do të jenë në të vërtetë” (Jakobi [LiM] 4:13; shih edhe Moroni 10:4–5).

Pamja
dad holding children

Dijenia se Prindërit tanë Qiellorë bënë plane për lumturinë dhe ekzaltimin tonë përfundimtar na siguron perspektivë, na jep identitet si fëmijë të dashur të prindërve hyjnore dhe na e shton sigurinë që kemi te Zoti, madje edhe në kohë fatkeqësish. Kur e kujtojmë mirësinë e Zotit, mund të mbrohemi edhe nga krenaria dhe rreziqet e begatisë. Mormoni shkroi rreth një kohe kur nefitët “filluan të bëheshin jashtëzakonisht të pasur”. Por ndryshe nga periudha të tjera në Librin e Mormonit, kur njerëzit lejuan që krenaria dhe pasuria t’u sillnin shkatërrimin e vet, ata ndoqën një shteg të ndryshëm këtë herë: “Por, me gjithë pasuritë e tyre, ose fuqinë e tyre, ose begatinë e tyre, ata nuk u ngritën në krenarinë e syve të tyre; as nuk qenë të ngadalshëm, që të kujtonin Zotin, Perëndinë e tyre; por u përulën jashtëzakonisht para tij”. Ata i mbajtën besëlidhjet dhe mbetën të drejtë sepse “ata nuk harruan sesa gjëra të mëdha kishte bërë Zoti për ta” (shih Alma 62:48–50).

Libri Shenjtorët na jep mësime si këto e shumë të tjera. Ai do t’ju ndihmojë ta shihni dorën e Zotit në jetën tuaj teksa i përjetoni tërthorazi sprovat e besimit, brengat dhe gëzimet, zbulesat dhe vendosmërinë e njerëzve të papërsosur që e donin Zotin dhe e ndien dashurinë e Tij.

Teksa lexoni, do të zbuloni ide dhe domethënie të reja edhe në historitë që i keni dëgjuar më parë. Asnjë skenë në historinë e Kishës nuk është më e mirënjohur se Vegimi i Parë i Jozef Smithit, por libri Shenjtorët na ndihmon ta kuptojmë më mirë se çfarë hoqi Jozefi për ta përputhur atë që ndiente në zemër me atë që kishte në mendje.

Dëshira e tij e përzemërt për ta ndier faljen e Shpëtimtarit kishte mbetur e paplotësuar sepse ai vërejti se asnjëra nga kishat ekzistuese nuk e jepte mësim “ungjillin e Jezu Krishtit si shënohej në Dhiatën e Re”2. Në mendje, Jozefi përsiati se cila kishë ishte e drejtë ose a ishin të gjitha të gabuara. Në zemër, ai shpresonte dëshpërimisht që njëra prej tyre të ishte e drejtë që ai të mund ta gjente paqen që kërkonte. Me mendjen dhe zemrën që po përlesheshin, Jozefi zbuloi se mund të pyeste Perëndinë. Ai shkoi në pyll për t’u lutur. Atje pa Atin dhe Birin, Të Cilët e falën dhe e zgjidhën mëdyshjen e tij në një mënyrë që nuk e kishte përfytyruar kurrë.3

Jozefi, familja e tij dhe shumë njerëz të tjerë, që e përqafuan besëlidhjen e rivendosur të Zotit dëshironin ta ndienin dashurinë e Perëndisë për ta, mësuan si të mund t’i afroheshin më shumë Atij dhe t’i shëronin marrëdhëniet me njerëzit e tyre të dashur. Libri Shenjtorët tregon historitë e tyre.

Mirëbesimi te Zoti gjatë Sprovave

Vëllimi 1 i Librit Shenjtorët përfshin historinë zemërkëputëse të Amanda Barnes Smithit dhe familjes së saj, që iu bindën urdhërimeve të Zotit dhe po bënin vullnetin e Tij.4 Bashkëshorti i Amandës dhe një prej bijve të saj u vranë mizorisht së bashku me 15 shenjtorë të tjerë të ditëve të mëvonshme që kishin zënë vend në një koloni të vogël në Shoul-Krik të Misurit. Zoti e mbajti Amandën gjatë përvojës së tmerrshme, iu përgjigj lutjeve të saj, i dha zemër dhe i mundësoi që ta shëronte të birin e plagosur rëndë.5

Libri Shenjtorët dëfton se si Amanda mësoi të mirëbesonte te Zoti gjatë fatkeqësisë së skajshme. Ai tregon edhe ato që mësoi Jozef Smithi rreth mirësisë së Perëndisë madje edhe në kohë vuajtjeje. Ai dëfton se dijenia për mënyrat e veprimit të Zotit na jep perspektivë përjetësie, na ndihmon t’i shohim gjërat ashtu siç janë dhe do të jenë në të vërtetë dhe na ndihmon të ushtrojmë besim që Zoti do të na shohë gjatë kohëve të vështira.

Kur Profeti Jozef mësoi për atë që i kishte ndodhur familjes së Amandës dhe të tjerëve në Shoul-Krik, ai ndjeu se më mirë do të ishte të shkonte në burg ose t’i merrnin jetën sesa të lejonte që shenjtorët të masakroheshin. Të nesërmen ai u orvat të bënte marrëveshje për një zgjidhje paqësore me milicinë e Misurit, e cila qe bërë gati për të sulmuar vendosjen kryesore të shenjtorëve në Far Uest. Në vend të sulmit, Jozefi u zu rob dhe u mbajt si i burgosur.

Rreth pesë muaj më vonë, Jozefi qëndroi i arrestuar, i mbyllur në një qeli të ftohtë e të ngushtë nëntokësore në Liberti të Misurit. Ai pyeste veten, ku po fshihej Perëndia, dhe sa kohë do të mund të duronte Ai duke dëgjuar britmat e të vejave dhe jetimëve. Ai u lut: “O Zot, për sa kohë do t’i vuajnë ata këto gabime dhe shtypje të paligjshme, përpara se zemra jote të zbutet ndaj tyre dhe brendësia jote të nxitet me pasion kundrejt tyre?” (DeB 121:3.)

Libri Shenjtorët na mëson se fatkeqësia nuk është provë për mosmiratim nga Zoti, as një tërheqje mbrapsht e bekimeve të Tij. Kundërshtimi është pjesë e planit të Perëndisë për të na përmirësuar e përgatitur për një vendmbërritje të përjetshme e çelestiale (shih 2 Nefi 2:11). Jozefi mësoi se vuajtja e pafundme e Shpëtimtarit i mundëson Atij të na vijë në ndihmë kur vuajmë dhe përfundimisht të na ekzaltojë (shih Alma 7:11–13). Si përgjigje ndaj thirrjes lënguese të Jozefit, Zoti i renditi të gjitha llojet e sfidave përpara se ta mbyllte duke thënë:

“Në qoftë se edhe grykat e ferrit do ta shqyejnë gojën për ty, dije, biri im, se gjithë këto gjëra do të të japin përvojë dhe do të jenë për të mirën tënde.

Biri i Njeriut ka zbritur nën këto të gjitha. A je ti më i madh se ai?” (DeB 122:7–8)

Përjetimi i këtyre gjërave vetë mund të na dhurojë mirëkuptim të ngjashëm me të Krishtit për ata që kanë hidhërime. “[Z]emra ime do të jetë gjithmonë e më e butë pas kësaj”, kuptoi Jozefi ndërsa ishte në burg. Ai dëshironte të mund të ishte me shenjtorët për t’i qetësuar dhe ngushëlluar. “Nuk do të mund të isha ndier kurrë siç ndihem tani”, shpjegoi ai, “nëse nuk do të kisha vuajtur padrejtësitë që kam vuajtur”6.

Pamja
woman reading Saints book

Një arsye pse Presidenca e Parë dhe Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve e autorizoi dhe e miratoi librin Shenjtorët është se ai mund ta ndihmojë secilin prej nesh t’i përjetojë këto gjëra nëpërmjet historive të të tjerëve. Ne mund të mësojmë nga Amanda se edhe kur Perëndia e sheh të përshtatshme në urtësinë e Tij të pafundme që të mos e parandalojë të keqen ose vuajtjen, Ai na do dhe kujdeset për ne. Ai i dëgjon lutjet tona dhe është i mëshirshëm e dashamirës.

Bekimet e Rivendosura të Tempullit

Askund më mirë se në tempull nuk na shfaqet ajo mëshirë e dashamirësi. Në thelbin e vet, libri Shenjtorët është historia e bekimeve të rivendosura të tempullit. Vëllimi i parë mbaron kur mijëra shenjtorë të ditëve të mëvonshme marrin ordinancat e shenjta në Tempullin e Navusë në vitin 1846. Vëllimi i dytë do të arrijë kulmin me përkushtimin e Tempullit të Solt-Lejkut dhe me shenjtorët që fillojnë t’i marrin ordinancat atje në vitin 1893. Vëllimi i tretë do të mbyllet me shenjtorët europianë që fillojnë të mblidhen në tempullin e Zvicrës në vitin 1955. Vëllimi i katërt do ta sjellë historinë deri në të tashmen, kur tempujt e pikëzojnë tokën dhe shenjtorët nga i gjithë globi i marrin ordinancat e ekzaltimit, sikurse e parashikuan profetët kohë më parë.

Në shtëpinë e Zotit ne bëjmë besëlidhje dhe na dhurohet fuqia për t’i mposhtur pasojat e Rënies, përfshirë të keqen dhe vuajtjen në këtë botë. Ne marrim mbrojtje dhe përfundimisht fuqi për t’u ngritur në Ringjallje, të vulosur me njerëzit tanë të dashur përgjithmonë.

Libri Shenjtorët do të na ndihmojë t’i mbajmë besëlidhjet duke na e zgjeruar kujtesën në mënyra më të shenjta. Ai do të na ndihmojë ta kujtojmë gjithmonë atë që Shpëtimtari ka bërë për ne. Pa anale të veprimeve të Perëndisë në të kaluarën, ne nuk do të mund të “kujtoni[m] sa i mëshirshëm ka qenë Zoti ndaj fëmijëve të njerëzve” (Moroni 10:3). Për këto arsye, jemi në borxh me Zotin dhe me shenjtorët që i mbajtën shënim përvojat e tyre me dashurinë e Tij për ta. Zoti e urdhëroi Jozef Smithin që t’i mbante shënim përvojat e tij (shih DeB 21:1). Ai i urdhëroi një historiani të Kishës, që po punonte nën drejtimin e Jozefit, që të “mba[nte] analin dhe historinë e kishës vazhdimisht” (DeB 47:3). Ai urdhëroi që historia të përfshinte “të gjitha gjërat që do jenë për të mirën e kishës dhe për brezat në rritje” (DeB 69:8).

Me këto zbulesa dhe me premtimin besëlidhës për ta kujtuar gjithmonë Shpëtimtarin ndër mend, Presidenca e Parë dhe Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve filloi ta planifikonte librin Shenjtorët 10 vjet më parë. Tani ju nxitim që ta lexoni atë, duke mirëbesuar se do t’ju vijë në ndihmë për ta kuptuar planin e Perëndisë, për ta parë sa i mëshirshëm ka qenë Zoti, për të bërë durim me besnikëri në kohë të mira e të këqija, për të fituar me të tjerët aftësinë e mirëkuptimit të ngjashëm me të Krishtit dhe për t’i mbajtur besëlidhjet që ju udhëheqin drejt ekzaltimit.

Shënime

  1. Shembujt përfshijnë Nefin (1 Nefi 17:23–43), Mbretin Beniamin (Mosia 1), Limhin (Mosia 7), një engjëll të Zotit për Almën (Mosia 27), Almën (Alma 9:10), Mormonin (Mormoni 3:17–22) dhe Moisiun (Eksodi 13:3).

  2. Joseph Smith, në “History, circa Summer 1832”, f. 2, josephsmithpapers.org.

  3. Shih “History, 1838–1856, vëllimi A-1 [23 dhjetor 1805–30 gusht 1834]”, f. 3, josephsmithpapers.org.

  4. Shih “Revelation, 12 January 1838–C”, [1], josephsmithpapers.org.

  5. Shih Shenjtorët, vëllimi 1, kapitulli 30, “Fight Like Angels”.

  6. “Letter to Presendia Huntington Buell, 15 March 1839”, [1], josephsmithpapers.org.