2018
Një Mrekulli në Shtëpinë e Zotit në Kiev
Tetor 2018


Një Mrekulli në Shtëpinë e Zotit në Kiev

Doru Vasili

Bukuresht, Rumani

Pamja
President Monson greeting members in the temple

Ilustrimi nga Allen Garns

Unë dhe familja ime ishim të entuziazmuar që do të udhëtonim me makinë nga Rumania për në Kiev të Ukrainës, për përkushtimin e tempullit në gusht të 2010-ës. Duke e ditur se ky do të ishte tempulli për shenjtorët në Misionin e Moldavisë në Rumani, ne udhëtuam 14 orë vetëm për të qenë atje. Kur mbërritëm, takuam një grup tjetër që kishte udhëtuar gjithashtu nga Rumania. Të gjithë ishim të gëzuar që ishim në Kiev për këtë ngjarje të shenjtë.

Në ditën e përkushtimit, grupi ynë nga Rumania u caktua ta shihte përkushtimin me anë të transmetimit satelitor në një dhomë në katin përdhes të tempullit. Disa filluan të shprehnin zhgënjimin e tyre. Ata kishin shpresuar të merrnin pjesë në përkushtim me profetin në dhomën çelestiale. Disa madje thanë që mund të kishin qëndruar në shtëpi e ta kishin parë transmetimin nga godina e tyre kishtare në Rumani.

Në zemrën time fillova të lutesha: “Atë Qiellor, si mund t’i ndihmojmë këta anëtarë nga Rumania që të kenë një përvojë të paharrueshme në shtëpinë Tënde?”

Nuk e kisha marrë ende një përgjigje kur filloi sesioni i përkushtimit. Shpejt, morëm vesh se profeti, Presidenti Tomas S. Monson (1927–2018), do të zbriste poshtë dhe ta vendoste gurin e qoshes në vend. Ndoshta kjo ishte përgjigjja jonë! U luta për një mënyrë që profeti të vinte dhe t’i përshëndeste shenjtorët rumunë.

“Këtë nuk e kërkova për vete”, u luta, “por për vëllezërit dhe motrat e mia.”

Pas ceremonisë së gurit të qoshes, Presidenti Monson eci në drejtim të dhomës sonë kur po kthehej për në dhomën çelestiale. Befas, në zemër ndjeva se duhet të ngrihesha dhe ta ftoja që të hynte në dhomën tonë.

Unë u ngrita dhe thashë: “Profeti ynë! Ejani e na vizitoni. Ne jemi nga Rumania.”

U duk sikur nuk më dëgjoi. Pastaj, pas një çasti, ai u kthye. “Rumania!” tha ai dhe hyri në dhomë.

Ai na përshëndeti të gjithëve dhe tha se na donte shumë. Zemra ime ishte plot ndërsa po i shihja fytyrat e gëzuara të anëtarëve tanë të dashur. U luta: “Faleminderit, Atë i dashur për këtë mrekulli në shtëpinë Tënde”.

Kur profeti u largua nga dhoma, asnjëri nuk ishte më i trishtuar. Unë ndjeva se ishim në dhomën më të bekuar në tempull. Ishte një përvojë që nuk do ta harroj kurrë.