Konferenca e Përgjithshme
Shërbimi Misionar e Bekoi Jetën Time Përgjithmonë
konferenca e përgjithshme e prillit 2022


Shërbimi Misionar e Bekoi Jetën Time Përgjithmonë

Lutem që ju të rinj e të reja dhe prindërit tuaj do ta kuptoni dhe dini se si shërbimi misionar do ta bekojë jetën tuaj përgjithmonë!

Faleminderit, Presidenti Nelson, që na e dhe sërish atë këshillë lidhur me shërbimin misionar.

Vëllezër e motra, disa vjet më parë, ndërsa po flisja në konferencën e përgjithshme, shikimi në syrin tim të majtë papritur u prek nga diçka që quhet degradim makular, i cili më pas u përkeqësua dhe më ka lënë pa shikimin e dobishëm në atë sy.

Ndërsa jam përballur me këtë sfidë, jam gjithnjë e më shumë mirënjohës për llojet e tjera të shikimit, përfshirë edhe shikimin në të shkuarën. Ndërsa kam vështruar pas në jetën time, kam qenë në gjendje të shoh disa përvoja që kanë sjellë ndryshim të rëndësishëm. Një nga këto përvoja është ajo se si shërbimi im misionar kohëplotë kur isha djalë i ri në Angli, ma bekoi jetën dhe i dha formën fatit tim shpirtëror.

Kam reflektuar mbi mënyrën se si sfidat ekonomike që lidheshin me Depresionin e Madh në vitet 1930, çuan në një kthesë fatkeqe për prindërit e mi dhe familjen tonë. Babai im u përfshi aq shumë në shpëtimin e biznesit të tij të shitjes së makinave dhe mbajtjen e familjes gjatë kësaj periudhe të vështirë, saqë për njëfarë kohe prindërit e mi nuk e frekuentuan Kishën.

Ndonëse nuk i frekuentonim shërbesat kishtare si familje, kjo nuk më pengoi që të merrja pjesë herë pas here me shokët e mi.

Në ato kohë, vajtjen në mision e mendoja më të rrallë, por nuk ishte diçka për të cilën flisja me prindërit e mi.

Ndërsa frekuentoja kolegjin, bashkë me disa shokë vendosëm të shërbenim në misione. U takova me peshkopin tim dhe plotësova kërkesën për të qenë misionar ndërkohë që prindërit e mi nuk ishin në qytet. Kur prindërit u kthyen, i habita me lajmin se isha thirrur të shërbeja në Britaninë e Madhe. Jam mirënjohës për përkrahjen e tyre entuziaste për këtë vendim dhe për miqtë e mirë që më ndihmuan të vendosja të shërbeja.

Shërbimi misionar më përgatiti të jem një bashkëshort dhe baba më i mirë dhe të jem i suksesshëm në biznes. Më përgatiti gjithashtu për një jetë të tërë shërbimi ndaj Zotit në Kishën e Tij.

Në konferencën e përgjithshme të prillit 1985, u caktova të flisja në një sesion priftërie. Ua drejtova fjalët e mia të rinjve. Fola për përgatitjen për të shërbyer si misionar. Unë thashë: “Nga gjithë trajnimi që kam marrë në detyrat e mia në Kishë, asnjëri nuk ka qenë më i rëndësishëm për mua sesa trajnimi që mora kur isha një misionar duke shërbyer në një mision kohëplotë”1.

Zoti ju njeh. Kur të jeni duke shërbyer në misionin tuaj, do të keni përvoja që do t’ju ndihmojnë të arrini ta njihni Atë më mirë. Do të rriteni shpirtërisht duke i shërbyer Atij. Në emrin e Tij, do t’ju dërgojnë në detyra për t’u shërbyer të tjerëve. Ai do t’ju japë përvoja me nxitjet nga Fryma e Shenjtë. Zoti do t’ju autorizojë të jepni mësim në emrin e Tij. Ju mund t’i tregoni Atij se Ai mund të ketë mirëbesim te ju dhe mund të mbështetet te ju.

Pak më shumë se pesë muaj më parë, Plaku Xhefri R. Holland dhe Plaku Kuentin L. Kuk, që edhe ata kishin shërbyer si misionarë në Ishujt Britanikë, m’u bashkuan për t’u takuar me anëtarët dhe misionarët në atë vend të bukur. Ndërsa isha atje, reflektova për përvojat e mia kur isha misionar në moshë të re. Unë dëshmoj se misioni im është vendi ku arrita të dija se Ati im Qiellor dhe Shpëtimtari im, Jezu Krishti, më njohin dhe më duan.

Isha i bekuar që kisha dy presidentë të mrekullueshëm misioni, Selvoi J. Bojerin dhe Steiner Riçardsin, bashkë me shoqet e tyre të përkushtuara të jetës Gledis Bojerin dhe Xhejn Riçardsin. Duke hedhur vështrimin pas, mund të shoh edhe më qartë se ata më mirëbesuan dhe më deshën. Ata më mësuan ungjillin. Ata prisnin shumë nga unë. Më dhanë shumë detyra sfiduese dhe mundësi udhëheqjeje për të më ndihmuar të rritesha dhe të përgatitesha për një jetë shërbimi.

Gjithashtu kam reflektuar për thirrjen që mora nga Presidenti Spenser W. Kimball për të kryesuar në Misionin e Kanadasë në Toronto me gruan time të dashur, Barbarën, dhe fëmijët tanë pranë nesh. Presidenti Kimball na thirri për të shërbyer në prill të vitit 1974, pak pasi dha mesazhin e tij të frymëzuar për misionarët me titullin “When the World Will Be Converted” [“Kur Bota të Kthehet në Besim”]2. Në atë mesazh, Presidenti Kimball shpjegoi largpamësinë e tij për mënyrën se si ungjilli do t’i çohej mbarë botës. Ai bëri thirrje për shumë më tepër misionarë nga e gjithë bota. Ai na kujtoi për pritshmërinë e Zotit “që çdokush [duhet] … të ngrejë një zë paralajmërues për banorët e tokës”3. Mësimi i Presidentit Kimball rreth pritshmërisë që të rinjtë të shërbenin në një mision, u bë temë bisede në shtëpitë anembanë botës. Ajo pritshmëri nuk ka ndryshuar. Jam mirënjohës që këtë mëngjes edhe Presidenti Nelson e ripohoi pritshmërinë e Zotit.

Kanë kaluar thuajse 10 vjet që nga koha kur Presidenti Tomas S. Monson lajmëroi uljen e moshës misionare për të rinjtë dhe të rejat.4 Sipas këndvështrimit tim, arsyeja kryesore për këtë ndryshim ishte që t’u jepej më shumë prej të rinjve dhe të rejave tona mundësia jetëndryshuese për të shërbyer si misionar/e.

Si një Apostull i Zotit Jezu Krisht, unë tani ju bëj thirrje ju të rinjve dhe atyre të rejave që dëshirojnë të shërbejnë në një mision, që të filloni pikërisht tani të flisni me prindërit tuaj rreth shërbimit në një mision. Gjithashtu ju ftoj të flisni me shokët tuaj rreth shërbimit në mision dhe nëse njëri nga shokët tuaj nuk është i sigurt për shërbimin, nxiteni të flasë me peshkopin e vet.

Zotohuni ndaj vetes dhe ndaj Atit tuaj Qiellor se do të shërbeni në mision dhe se nga kjo kohë e tutje do të përpiqeni fort për t’i mbajtur zemrën, duart dhe mendjen të pastra dhe të denja. Unë ju ftoj të fitoni një dëshmi të patundur për ungjillin e rivendosur të Jezu Krishtit.

Etër dhe nëna të këtyre të rinjve të mrekullueshëm, ju keni një rol jetik në këtë proces përgatitjeje. Filloni sot të flisni me fëmijët tuaj rreth shërbimit misionar. Ne e dimë se familja është ndikimi më i thellë për t’i ndihmuar të rinjtë dhe të rejat tona të përgatiten.

Nëse jeni ende në kufijtë e moshës për shërbim misionar, por nuk keni shërbyer ende për shkak të pandemisë ose për arsye të tjera, ju ftoj të shërbeni tani. Flisni me peshkopin tuaj dhe përgatituni për t’i shërbyer Zotit.

Ju inkurajoj ju peshkopë që t’i ndihmoni të gjithë të rinjtë dhe të rejat që janë afër moshës misionare, që të përgatiten për të shërbyer dhe gjithashtu ju inkurajoj ju peshkopë t’i identifikoni ata që janë në moshë për mision, por që ende nuk kanë shërbyer. Ftojeni çdo të ri të bëhet misionar, si edhe çdo të re që dëshiron të shërbejë.

I falënderojmë misionarët/et që aktualisht po shërbejnë. Misioni juaj ka qenë gjatë një pandemie mbarëbotërore. Si pasojë, përvoja juaj e misionit ka qenë ndryshe nga përvoja ime e misionit apo nga përvojat e misionarëve që shërbyen para vitit 2020. E di që nuk ka qenë e lehtë. Por edhe gjatë këtyre kohëve të vështira, Zoti ka pasur një punë për t’u bërë prej jush dhe ju e keni bërë atë jashtëzakonisht mirë. Për shembull, ju e keni përdorur teknologjinë në mënyra të reja për të gjetur ata që janë gati të mësojnë për Rivendosjen e ungjillit të Jezu Krishtit. Ndërsa keni shërbyer me zell dhe sipas aftësive tuaja, unë e di se Zoti është i kënaqur me përpjekjen tuaj. E di që shërbimi juaj do t’jua bekojë jetën.

Kur të liroheni nga misioni, mos harroni se nuk liroheni nga aktivizimi në Kishë. Ndërtoni mbi zakonet e mira që mësuat në misionin tuaj, vazhdoni ta forconi dëshminë tuaj, punoni fort, lutuni dhe jini të bindur ndaj Zotit. Nderojini besëlidhjet që keni bërë. Vazhdoni t’i bekoni të tjerët dhe t’u shërbeni atyre.

Lutem që ju të rinj e të reja dhe prindërit tuaj do ta kuptoni dhe dini se si shërbimi misionar do ta bekojë jetën tuaj përgjithmonë! E ditshi në mendjet tuaja dhe e ndiefshi në zemrat tuaja fuqinë e ftesës që Zoti u bëri bijve të shkëlqyer misionarë të Mosias! Ai tha: “Shkoni … vendosni fjalën time; por duhet të jeni këmbëngulës në durim dhe në hidhërime, që ju të mund t[ë] tregoni shembuj të mirë në mua, dhe unë do t’ju bëj një mjet në duart e mia për shpëtimin e shumë shpirtrave”5.

Perëndia e bekoftë rininë e Kishës që të dëshirojë të përgatitet dhe t’i shërbejë Atij, është lutja ime e përulur, të cilën e bëj këtë mëngjes, në emrin e shenjtë të Zotit Jezu Krisht, amen.

Shënime

  1. M. Russell Ballard, “Prepare to Serve”, Ensign, maj 1985, f. 41.

  2. Shih Spencer W. Kimball, “When the World Will Be Converted”, Ensign, tetor 1974, f. 2–14. Kjo bisedë u mbajt më 4 prill 1974, në një seminar me përfaqësuesit krahinorë.

  3. Doktrina e Besëlidhje 63:37.

  4. Shih Tomas S. Monson, “Mirësevini në Konferencë”, Liahona, nëntor 2012, f. 4–5.

  5. Alma 17:11.