Konferenca e Përgjithshme
Gëzohu në Zemrën Tënde e Ngazëllehu
konferenca e përgjithshme e prillit 2022


Gëzohu në Zemrën Tënde e Ngazëllehu

Ne u lindëm në këtë kohë për një qëllim hyjnor, mbledhjen e Izraelit.

Duke i folur Tomas B. Marshit, një i kthyer në besim së fundmi, Zoti tha me inkurajim: “Gëzohu në zemrën tënde e ngazëllehu, pasi ora e misionit tënd ka ardhur” (Doktrina e Besëlidhje 31:3).

Besoj se kjo ftesë mund të shërbejë si frymëzim për të gjithë anëtarët e Kishës. Në fund të fundit, secili prej nesh e ka marrë nga Ati ynë Qiellor misionin e mbledhjes së Izraelit në të dyja anët e velit.

“Ajo mbledhje”, ka thënë Presidenti Rasëll M. Nelson, “është gjëja më e rëndësishme që po ndodh në tokë sot. Asgjë tjetër nuk krahasohet për nga madhësia, asgjë tjetër nuk krahasohet për nga rëndësia, asgjë tjetër nuk krahasohet për nga madhështia.”1

Sigurisht, ka shumë kauza të denja në botë. Është e pamundur t’i përmend të gjitha ato. Por a nuk do t’ju pëlqente të merrnit pjesë në një kauzë të madhe që mund ta përmbushni dhe ku ndihmesa juaj sjell një ndryshim jetik? Mbledhja sjell një ndryshim të përjetshëm për të gjithë. Njerëz të të gjitha moshave mund të marrin pjesë në këtë kauzë pavarësisht nga rrethanat e tyre dhe vendi ku jetojnë. Nuk ka asnjë kauzë tjetër më përfshirëse në botë.

Duke u folur veçanërisht të rinjve, Presidenti Nelson tha se “Ati ynë Qiellor ka ruajtur shumë nga shpirtrat e Tij më fisnikë, ndoshta … skuadrën e Tij më të mirë, për këtë fazë përfundimtare. Ata shpirtra fisnikë, ata lojtarë më të mirë, ata heronj, jeni ju!”2

Po, ju jeni përgatitur që përpara kësaj jete dhe u lindët tani për të marrë pjesë në veprën madhështore të mbledhjes së Izraelit në të dyja anët e velit në këto ditë të mëvonshme (shih Doktrina e Besëlidhje 138:53–56).

Përse është kjo kauzë kaq e rëndësishme? Sepse “vlera e shpirtrave është e madhe në sytë e Perëndisë” (Doktrina e Besëlidhje 18:10). Dhe sepse “kushdo që beson në [Jezu Krishtin] dhe pagëzohet, po ai do të shpëtojë; dhe … do të trashëgoj[ë] mbretërinë e Perëndisë” (3 Nefi 11:33). Për më tepër, “gjithçka që Ati … ka, do t’[u] jepet” atyre që i marrin ordinancat e Tij dhe i mbajnë besëlidhjet e Tij (Doktrina e Besëlidhje 84:38). Përveç këtyre, “punëtorë[t] janë pak” (Lluka 10:2).

Vetëm në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme gjejmë fuqinë, autoritetin dhe mënyrën për t’u ofruar një bekim të tillë të tjerëve, qoftë të gjallë apo të vdekur.

Siç tha Presidenti Nelson: “Në çfarëdo kohe që bëni çfarëdo gjëje që e ndihmon cilindo – në çdonjërën prej anëve të velit – të hedhë një hap drejt bërjes së besëlidhjeve jetike me Perëndinë dhe marrjes së ordinancave të veta thelbësore të pagëzimit dhe tempullit, ju po ndihmoni që Izraeli të mblidhet. Kaq e thjeshtë është.”3

Ndërkohë që ka shumë mënyra për të ndihmuar në mbledhjen, do të doja të flisja për një në veçanti: shërbimin si një misionar/e kohëplotë. Për shumë prej jush, kjo do të thotë të jeni një misionar/e që jep mësim. Për shumë të tjerë, do të thotë të jeni një misionar/e me shërbim. Por bota përpiqet ta shpërqendrojë rininë nga kjo përgjegjësi që është më e shenjta, duke përdorur frikën dhe pasiguritë.

Disa shpërqendrime të tjera mund të jenë përjetimi i një pandemie, lënia e një pune të mirë, shtyrja për më vonë e arsimimit apo të qenit veçanërisht të interesuar në mënyrë romantike për dikë. Çdo njeri do të ketë grupin e vet të sfidave. Disa shpërqendrime mund të dalin pikërisht në kohën e nisjes së shërbimit ndaj Zotit dhe zgjedhjet që duken të qarta më vonë nuk janë gjithmonë aq të lehta në atë çast.

E di nga përvoja ime mendjen e shqetësuar të një personi të tillë të ri në moshë. Kur po përgatitesha për të shkuar në misionin tim, disa forca të habitshme u përpoqën të më shkurajonin. Njëri ishte dentisti im. Kur e kuptoi se takimi im qe që të mund të isha misionar, ai u përpoq të ma ndërronte mendjen lidhur me shërbimin. Nuk kisha pasur as idenë më të vogël që dentisti im ishte kundër Kishës.

Ndërprerja e arsimimit tim ishte gjithashtu e ndërlikuar. Kur kërkova një leje dyvjeçare mungese nga programi im universitar, u njoftova se nuk ishte e mundur. Do ta humbisja vendin tim në universitet nëse nuk kthehesha pas një viti. Në Brazil, kjo ishte diçka serioze ngaqë kriteri i vetëm për pranim në një program universiteti ishte një provim shumë i vështirë dhe konkurrues.

Pas këmbënguljeve të vazhdueshme, u informova me ngurrim se pasi të mungoja për një vit, mund të bëja kërkesë për një përjashtim për arsye të jashtëzakonshme. Mund të miratohej ose jo. Isha i tmerruar nga ideja që ta kryeja sërish atë provim të vështirë pranimi pas dy vjetësh larg studimeve.

Gjithashtu isha veçanërisht i interesuar për një vajzë. Disa nga shokët e mi kishin të njëjtin interes për të. I thashë vetes: “Po të shkoj në mision, do të rrezikoj”.

Por Zoti Jezu Krisht ishte frymëzimi im më i madh që të mos kisha frikë për të ardhmen teksa përpiqesha t’i shërbeja Atij me gjithë zemrën time.

Ai gjithashtu kishte një mision për të përmbushur. Me fjalët e Tij, Ai shpjegoi: “Sepse unë kam zbritur nga qielli jo për të bërë vullnetin tim, por vullnetin e atij që më ka dërguar” (Gjoni 6:38). Dhe a ishte i lehtë misioni i Tij? Natyrisht që jo. Vuajtja e Tij, që ishte pjesë thelbësore e misionit të Tij, e bëri Atë, “madje Perëndi[në], më [të] madhi[n e] të gjithëve, të dridhe[t] për shkak të dhembjes e [t’i] dalë gjak nga çdo por dhe të vuaj[ë] si në trup e në shpirt – dhe të dëshiroj[ë] që të mos e pi[jë] kupën e hidhur e të mpake[t] –

Megjithatë, lavdi i qoftë Atit dhe [Ai] mor[i] pjesë e i mbaro[i] përgatitjet e [Tij] për fëmijët e njerëzve” (Doktrina e Besëlidhje 19:18–19).

Shërbimi në një mision kohëplotë mund të na duket i vështirë. Ndoshta kërkon që të heqim dorë nga gjëra të rëndësishme për një çast. Zoti sigurisht që e di këtë dhe Ai gjithmonë do të jetë përkrah nesh.

Në fakt, në mesazhin e tyre drejtuar misionarëve në manualin Predikoni Ungjillin Tim, Presidenca e Parë premton: “Zoti do t’jua shpërblejë dhe do t’ju bekojë së tepërmi ndërsa i shërbeni Atij me përulësi e plot lutje”4. Është e vërtetë që të gjithë fëmijët e Perëndisë bekohen në një mënyrë ose tjetër, por ka dallim midis të qenit të bekuar dhe të qenit të bekuar së tepërmi në shërbim të Tij.

I mbani mend sfidat që mendova se po i hasja përpara misionit tim? Dentisti im? Gjeta një tjetër. Universiteti im? Ata bënë një përjashtim për mua. E mbani mend të renë? Ajo u martua me një nga shokët e mi të mirë.

Por Perëndia më bekoi vërtet së tepërmi. Dhe mësova se bekimet e Zotit mund të vijnë në mënyra të ndryshme nga sa i presim. Në fund të fundit, mendimet e Tij nuk janë mendimet tona (shih Isaia 55:8–9).

Mes shumë bekimeve të çmuara që Ai m’i ka dhënë ngaqë shërbeva për Të si misionar kohëplotë, janë edhe një besim më i madh te Jezu Krishti dhe Shlyerja e Tij, dhe një njohuri e dëshmi më e fortë për mësimet e Tij, kështu që unë nuk ndikohem nga “çdo erë doktrineje” (Efesianëve 4:14). E humba frikën time për të dhënë mësim. U shtua aftësia ime për t’i përballuar sfidat me optimizëm. Duke vëzhguar individët dhe familjet që takova dhe u dhashë mësim si misionar, mësova se mësimet e Perëndisë janë të vërteta kur Ai thotë se mëkati nuk sjell lumturi të vërtetë dhe se bindja ndaj urdhërimeve të Perëndisë na ndihmon të përparojmë si materialisht ashtu edhe shpirtërisht (shih Mosia 2:41; Alma 41:10). Dhe mësova për veten time se Perëndia është një Perëndi mrekullish (shih Mormoni 9).

Të gjitha këto gjëra ishin të dobishme në përgatitjen time për jetën si i rritur, përfshirë martesën e mundshme dhe të qenit prind, shërbimin në Kishë dhe jetën profesionale e në komunitet.

Pas misionit tim, më solli dobi guximi im më i madh për ta paraqitur veten si pasues besnik i Jezu Krishtit dhe Kishës së Tij në të gjitha rrethanat dhe tek të gjithë njerëzit, madje duke e ndarë ungjillin me një grua të bukur e cila do të bëhej shoqja ime e përjetshme, e virtytshme, e mençur, argëtuese dhe e dashur, drita e jetës sime.

Po, Perëndia më ka bekuar së tepërmi, përtej asaj që përfytyrova, ashtu siç do t’i bekojë të gjithë ata që “i shërbe[jnë] Atij me përulësi e plot lutje”. I jam përjetësisht mirënjohës Perëndisë për mirësinë e Tij.

Misioni im i dha formë tërësisht jetës sime. Mësova se ia vlen përpjekja për të mirëbesuar te Perëndia, për të mirëbesuar tek urtësia dhe mëshira e Tij dhe te premtimet e Tij. Në fund të fundit, Ai është Ati ynë dhe pa asnjë dyshim, Ai dëshiron më të mirën për ne.

Të rinj e të reja të dashura anekënd botës, unë ju bëj të njëjtën ftesë që profeti ynë, Presidenti Nelson, ua ka bërë të gjithëve ju që të “rekrutohe[ni] në batalionin e rinisë së Zotit për të ndihmuar që Izraeli të mblidhet”. Presidenti Nelson tha:

“Nuk ka asgjë me pasoja më të mëdha se ajo. Absolutisht asgjë.

Kjo mbledhje duhet të jetë gjithçka për ju. Ky është misioni për të cilin u dërguat në tokë.”5

Ne u lindëm në këtë kohë për një qëllim hyjnor, mbledhjen e Izraelit. Kur shërbejmë si misionarë kohëplotë, ne do të sfidohemi herë pas here, por Zoti Vetë është shembulli dhe udhërrëfyesi ynë i madh në rrethana të tilla. Ai e kupton se çfarë është një mision i vështirë. Me ndihmën e Tij, ne mund të bëjmë gjëra të vështira. Ai do të jetë përkrah nesh (shih Doktrina e Besëlidhje 84:88) dhe do të na bekojë shumë kur t’i shërbejmë Atij me përulësi.

Për të gjitha këto arsye nuk habitem që Zoti i tha Tomas B. Marshit dhe ne të gjithëve: “Gëzohu në zemrën tënde e ngazëllehu, pasi ora e misionit tënd ka ardhur”. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Rasëll M. Nelson, “Shpresa e Izraelit” (takim shpirtëror mbarëbotëror për rininë, 3 qershor 2018), HopeofIsrael.ChurchofJesusChrist.org.

  2. Rasëll M. Nelson, “Shpresa e Izraelit”.

  3. Rasëll M. Nelson, “Shpresa e Izraelit”.

  4. Predikoni Ungjillin Tim: Një Udhëzues për Shërbimin Misionar (2005), f. 50.

  5. Rasëll M. Nelson, “Shpresa e Izraelit”.