Konferenca e Përgjithshme
Ai Është Ngritur me Shërim në Krahët e Tij: Ne Mund të Jemi më Shumë se Fitimtarë
konferenca e përgjithshme e prillit 2022


Ai Është Ngritur me Shërim në Krahët e Tij:

Ne Mund të Jemi më Shumë se Fitimtarë

Jezusi i ka mposhtur keqtrajtimet e kësaj bote për t’ju dhënë fuqi jo vetëm që të mbijetoni, por që një ditë, nëpërmjet Tij, t’i mposhtni dhe madje të dilni fitimtarë.

Merën, jam Plaku Holland dhe gjërat pas pak do të marrin të tatëpjetën.

Ne Jemi më Shumë se Fitimtarë

Të gjithëve na ngjallet kureshtja nga historitë e mbijetesës. Dëgjojmë tregime për eksplorues të patrembur dhe për njerëz të zakonshëm po ashtu, të cilët arrijnë ta mbajnë veten gjallë kundër të gjitha gjasave e pritshmërive, dhe ne nuk rrimë dot pa pyetur veten: “A do ta kisha bërë unë dot atë gjë?”

Mendoj menjëherë për eksploruesin britanik Ernest Shakeltonin dhe ekuipazhin e anijes së tij HMS Endurance, të cilëve iu mbyt anija në akullin e Antarktikës dhe më pas ngecën në një ishull të shkretë për gati dy vjet. Udhëheqja e jashtëzakonshme dhe vendosmëria e paepur e Shakeltonit ua shpëtuan jetën njerëzve të tij, pavarësisht nga kushtet shumë të vështira.

Pastaj mendoj për ekuipazhin e Apollo 13‑ës duke lëvizur me shpejtësi nëpër hapësirë për të zbarkuar në hënë! Por fatkeqësia ndodhi kur një cisternë oksigjeni shpërtheu dhe misioni duhej të ndërpritej. Në mungesë të oksigjenit, ekuipazhi dhe drejtuesit e misionit improvizuan në mënyrë gjeniale dhe i kthyen të tre astronautët të sigurt përsëri në tokë.

Mrekullohem nga mbijetesa mahnitëse e individëve dhe familjeve që janë viktima të luftës, që janë burgosur në kampe dhe ata që bëhen refugjatë të cilët me heroizëm dhe guxim mbajnë gjallë flakën e shpresës për bashkëvuajtësit, që i përgjigjen me mirësi vrazhdësisë dhe që disi arrijnë t’i ndihmojnë të tjerët të durojnë thjesht një ditë më shumë.

A mund të mbijetojmë unë ose ju në ndonjërën nga këto rrethana të skajshme?

Ndoshta disa prej jush, gjithsesi, i merrni parasysh rrëfimet e të mbijetuarve dhe shpirti juaj thërret se ju jeni duke jetuar një histori mbijetese pikërisht tani, si viktimë e keqtrajtimit, lënies pas dore, bullizmit, dhunës në familje apo çfarëdo vuajtjeje të këtij lloji. Ju jeni në mes të orvatjes suaj të dëshpëruar për t’i mbijetuar një situate që duket shumë si një mbytje shkatërrimtare e anijes ose një mision premtues që është ndërprerë papritur. A do të shpëtoheni ndonjëherë; a do t’ia dilni mbanë vetë historisë suaj të mbijetesës?

Përgjigjja është po. Ju mund të mbijetoni. Ju në fakt jeni çliruar tashmë; ju jeni shpëtuar tashmë – nga i Vetmi që e ka vuajtur pikërisht torturën që po vuani dhe ka duruar pikërisht agoninë që po duroni ju.1 Jezusi i ka mposhtur keqtrajtimet e kësaj bote2 për t’ju dhënë fuqi jo vetëm që të mbijetoni, por një ditë, nëpërmjet Tij, t’i mposhtni dhe madje të dilni fitimtarë – të ngriheni plotësisht mbi dhembjen, mjerimin, ankthin dhe t’i shihni ato të zëvendësohen nga paqja.

Apostulli Pal pyet:

“Kush do të na ndajë nga dashuria e Krishtit? Pikëllimi, a ngushtica, a përndjekja, a uria, a të zhveshurit, a rreziku, a shpata? …

Por në të gjitha këto gjëra ne jemi më shumë se fitimtarë për hir të atij që na deshi.”3

Premtimet për Izraelin Besëlidhës

Duhet t’ju kujtohet kur Presidenti Rasëll M. Nelson bëri ftesën vijuese në konferencën e përgjithshme. Ai tha: “Ndërkohë që i studioni shkrimet tuaja të shenjta … , ju nxit të bëni një listë të gjithçkaje që Zoti ka premtuar se do ta bëjë për Izraelin besëlidhës. Mendoj se do të mahniteni!”4

Këtu janë vetëm disa nga premtimet e fuqishme dhe ngushëlluese që ka gjetur familja jonë. Përfytyrojeni Zotin duke jua thënë këto fjalë juve – juve që po mbijetoni – sepse ato janë për ju:

Mos kini frikë.5

Unë i di pikëllimet tuaja dhe kam ardhur t’ju çliroj.6

Nuk do t’ju lë vetëm.7

Emri im është mbi ju dhe engjëjt e mi kanë përgjegjësi për ju.8

Do të bëj mrekulli midis jush.9

Ecni me mua; mësoni nga unë; do t’ju jap çlodhje.10

Unë jam në mes tuaj.11

Ju jeni të mitë.12

Atyre që po Mbijetojnë

Duke pasur fuqishëm në mendje këto siguri, unë dua t’u flas drejtpërdrejt atyre që mendojnë se nuk ka rrugëdalje nga historia e tyre vetjake e mbijetesës për shkak të traumës të shkaktuar nga veprimet mizore të të tjerëve. Nëse kjo është historia juaj e mbijetesës, ne vajtojmë me ju. Ne dëshirojmë fort që ju t’i mposhtni pështjellimin, turpin dhe frikën, dhe duam shumë që ju, nëpërmjet Jezu Krishtit, të dilni fitimtarë.

Nga Viktimë tek I Mbijetuar dhe te Fitimtar

Nëse keni përjetuar ndonjë lloj keqtrajtimi, dhune ose shtypjeje, mund t’ju mbetet në mendje ideja se këto ngjarje ishin disi faji juaj dhe se ju e meritoni të mbartni turpin dhe fajin që ndieni. Ju mund të keni mendime të tilla si:

  • Mund ta kisha parandaluar këtë.

  • Perëndia nuk më do më.

  • Askush nuk do të më dojë ndonjëherë.

  • Jam dëmtuar përtej çdo riparimi.

  • Shlyerja e Shpëtimtarit gjen zbatim për të tjerët, por jo për mua.

Këto mendime dhe ndjenja të gabuara mund të kenë qenë pengesë për të kërkuar ndihmë nga familja, miqtë, udhëheqësit ose profesionistët, dhe kështu ju keni luftuar vetëm. Nëse keni kërkuar ndihmë prej atyre të cilëve u mirëbesoni, mund të jeni ende duke u ndeshur me idetë e turpit dhe madje të urrejtjes ndaj vetes. Ndikimi i këtyre ngjarjeve mund të mbetet për shumë vite. Ju shpresoni se një ditë do të ndiheni më mirë, por në njëfarë mënyre ajo ditë nuk ka ardhur ende.

Keqtrajtimi nuk ishte, nuk është dhe nuk do të jetë kurrë faji juaj, pavarësisht se keqtrajtuesi apo dikush tjetër mund të ketë thënë të kundërtën. Kur keni qenë viktimë e mizorisë, incestit ose e çfarëdo mbrapshtie tjetër, nuk jeni ju personi që ka nevojë të pendohet; nuk mbani ju përgjegjësi.

Nuk jeni më pak të denjë, më pak të vlefshëm apo më pak të dashur si qenie njerëzore, apo si bijë apo bir i Perëndisë, për shkak të asaj që dikush tjetër ju ka bërë juve.

Perëndia nuk ju sheh tani, as nuk ju ka parë ndonjëherë si dikush që duhet të përbuzet. Çfarëdo gjëje që ju ka ndodhur, Ai nuk ka turp për ju dhe nuk është i zhgënjyer nga ju. Ai ju do në një mënyrë që ju ende duhet ta zbuloni. Dhe ju do ta zbuloni atë ndërsa mirëbesoni te premtimet e Tij dhe ndërsa mësoni ta besoni Atë kur Ai thotë se jeni të “çmuar në sytë e [Tij]”13.

Ju nuk përcaktoheni nga këto gjëra të tmerrshme që ju janë bërë. Ju, në të vërtetën e lavdishme, përcaktoheni nga identiteti juaj i përjetshëm ekzistues si bir ose bijë e Perëndisë dhe nga dashuria e përsosur, e pafundme e Krijuesit tuaj dhe ftesa për shërim tërësor dhe të plotë.

Megjithëse mund të duket i pamundur, të ndihet i pamundur, shërimi mund të vijë nëpërmjet mrekullisë së fuqisë shëlbuese të Shlyerjes së Jezu Krishtit, i cili u ringjall “me shërimin në krahët e tij”14.

Shpëtimtari ynë mëshirëplotë, fitimtar mbi errësirën dhe shthurjen, ka fuqi për t’i ndrequr të gjitha gabimet, një e vërtetë jetëdhënëse për ata ndaj të cilëve është bërë padrejtësi nga të tjerët.15

Ju lutem, dijeni se Shpëtimtari ka zbritur nën të gjitha gjërat, madje edhe nën atë që ju ka ndodhur juve. Për shkak të kësaj, Ai e di saktësisht ndjesinë që të jep tmerri dhe turpi i vërtetë dhe se si ndihesh kur je i braktisur dhe i shkatërruar.16 Nga thellësia e vuajtjes së Tij shlyese, Shpëtimtari ju jep shpresën që mendonit se e kishit humbur përgjithmonë, forcën që besonit se nuk mund ta zotëronit kurrë dhe shërimin që nuk mund ta përfytyronit se ishte i mundur.

Sjellja Keqtrajtuese Dënohet Qartësisht nga Zoti dhe nga Profetët e Tij

Nuk ka vend për asnjë lloj keqtrajtimi – fizik, seksual, emocional apo verbal – në asnjë shtëpi, në asnjë vend ose në asnjë kulturë. Asgjë që një bashkëshorte, fëmijë apo bashkëshort mund të bëjë ose thotë nuk e bën atë të “meritojë” që të rrihet. Askush, në asnjë vend apo kulturë, nuk e “kërkon vetë” kurrë agresionin ose dhunën nga dikush tjetër me autoritet apo nga dikush që është më i madh dhe më i fortë.

Ata që keqtrajtojnë dhe që kërkojnë t’i fshehin mëkatet e tyre të rënda, mund të mbeten të pandëshkuar për njëfarë kohe. Por Zoti, që i sheh të gjitha, i njeh veprimet, mendimet dhe synimet e zemrës.17 Ai është një Perëndi i drejtësisë dhe drejtësia e Tij hyjnore do të shërbehet.18

Në mënyrë mrekullibërëse, Zoti është gjithashtu një Perëndi i mëshirës për ata që pendohen me të vërtetë. Keqtrajtuesit, përfshirë ata që dikur u keqtrajtuan vetë, të cilët e rrëfejnë dhe braktisin mëkatin e tyre dhe bëjnë gjithçka që është në fuqinë e tyre për të bërë zhdëmtimin dhe dëmshpërblimin, kanë të drejtë të përdorin faljen nëpërmjet mrekullisë së Shlyerjes së Krishtit.

Për ata që akuzohen në mënyrë të rreme, serioziteti i papërshkrueshëm i këtyre akuzave është purgatori vetë. Por edhe ata bekohen nga vuajtja mëkëmbëse e Shpëtimtarit për ta dhe nga njohuria se përfundimisht e vërteta do të triumfojë.

Por keqtrajtuesit e papenduar do të qëndrojnë përpara Zotit për të dhënë llogari për krimet e tyre të neveritshme.

Vetë Zoti është tepër i qartë në dënimin nga ana e Tij të keqtrajtimit të çdo lloji: “Por ai që do të skandalizojë një prej këtyre të vegjëlve …, do të jetë më mirë për atë t’i varet në qafë një gur mulliri (që e sjell rrotull gomari) dhe të zhytet në thellësi të detit”19.

Përfundimi

Të dashur miq e mikesha që jeni plagosur në mënyrë kaq të tmerrshme dhe në fakt kushdo që ka duruar padrejtësitë e jetës, ju mund të keni një fillim të ri dhe një nisje të re. Në Gjetseman dhe në Kalvar, Jezusi “mori mbi Vete … gjithë ankthin dhe vuajtjen që u përjetua ndonjëherë nga ju dhe unë”20, dhe Ai i ka mposhtur të gjitha! Me krahët e shtrirë, Shpëtimtari ju ofron dhuratën e shërimit. Me kurajë, durim dhe përqendrim besnik tek Ai, pa kaluar shumë kohë ju mund të arrini ta pranoni plotësisht këtë dhuratë. Ju mund ta lejoni dhembjen tuaj të largohet dhe ta lini atë në këmbët e Tij.

Shpëtimtari juaj i butë shpalli: “Vjedhësi nuk vjen veçse për të vjedhur, për të vrarë e për të shkatërruar; por unë kam ardhur që [ju] të ken[i] jetë e [që ju] ta ken[i] me bollëk”21. Ju jeni një i/e mbijetuar, ju mund të shëroheni dhe mund të mirëbesoni se me fuqinë dhe hirin e Jezu Krishtit, do t’i kapërceni gjërat dhe do të fitoni.

Jezusi është i specializuar për të pamundurën në dukje. Ai erdhi këtu për ta bërë të pamundurën të mundur, të pashëlbueshmen të shëlbueshme, për të shëruar të pashërueshmen, për të ndrequr të padrejtën, për të premtuar të papremtueshmen.22 Dhe Ai është vërtet i zoti në këtë gjë. Në fakt, Ai është i përsosur në këtë gjë. Në emrin e Jezu Krishtit, Shëruesit tonë, amen.

Për më tepër informacion dhe burime, shih “Abuse” [“Keqtrajtimi”] te pjesa Ndihma për Jetën në ChurchofJesusChrist.org dhe në programin Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].