Konferenca e Përgjithshme
T’ua Mësojmë Fëmijëve dhe Rinisë Mbështetjen te Vetja
konferenca e përgjithshme e prillit 2022


T’ua Mësojmë Fëmijëve dhe Rinisë Mbështetjen te Vetja

Le të ndjekim Shpëtimtarin tonë, Jezu Krishtin, dhe ungjillin e Tij, duke u bërë të mbështetur te vetja gjatë gjithë jetës sonë dhe duke ua mësuar këtë fëmijëve dhe rinisë sonë.

Do të flas për mbështetjen te vetja dhe se si ajo mund t’u mësohet fëmijëve dhe rinisë. Mbështetja te vetja mund të perceptohet si një temë për të rriturit. Kam arritur të di se të rriturit mund të qëndrojnë më së miri në shtegun drejt mbështetjes te vetja kur u është mësuar ungjilli i Jezu Krishtit dhe e kanë ushtruar doktrinën dhe parimet e tij që nga fëmijëria dhe gjatë rinisë në shtëpi.

Ilustrimi më i mirë është një shembull i shkëlqyer nga jeta reale. Uillfrid Veni, shtatë vëllezërit e motrat e tij, dhe nëna e tij u bashkuan me Kishën në Abixhan, në Bregun e Fildishtë, kur ai ishte gjashtë vjeç. Ai u pagëzua në moshën 8‑vjeçare. Babai i tij, siguruesi kryesor i të ardhurave në familje, vdiq kur Uillfridi ishte njëmbëdhjetë vjeç.

Ndonëse i trishtuar nga situata familjare, Uillfridi vendosi ta vazhdonte shkollën me inkurajimin e nënës së tij dhe me përkrahjen e Kishës. Ai mori diplomën e shkollës së mesme dhe shërbeu në një mision kohëplotë në Misionin e Ganës, Bregu i Kepit, ku mësoi gjuhën angleze. Pas misionit të tij, ai shkoi në universitet dhe mori një diplomë në kontabilitet dhe financë. Ndonëse ishte e vështirë të zinte një vend pune në këtë fushë, ai gjeti punë në industrinë e hoteleri‑turizmit.

E filloi si kamerier në një hotel me pesë yje, por pasioni i tij për t’u përmirësuar e shtyu të mësonte më shumë, derisa atje u bë një recepsionist dygjuhësh. Kur u hap një hotel i ri, ai u punësua si kontrollor financiar i turnit të natës. Më vonë, ai u regjistrua në programin UBJ–Pathway Connect dhe aktualisht po ndjek një kurs për të marrë një certifikatë në administrimin e hoteleri‑turizmit. Dëshira e tij është që një ditë të bëhet përgjegjës i një hoteli të nivelit të lartë. Uillfridi mund të sigurojë të ardhura për shoqen e tij të përjetshme dhe dy fëmijët, si dhe të ndihmojë nënën e tij dhe vëllezërit e motrat e tij. Ai aktualisht shërben në Kishë si anëtar i këshillit të lartë të kunjit.

Mbështetja te vetja përkufizohet si “aftësia, zotimi dhe përpjekja për të siguruar nevojat shpirtërore dhe materiale të jetës për vete dhe familjen”1. Përpjekja fort për të qenë të mbështetur te vetja është pjesë e punës sonë gjatë shtegut që na kthen sërish tek Ati Qiellor dhe Biri i Tij, Jezu Krishti. Do të na e forcojë besimin te Jezu Krishti dhe do të na lidhë gëzueshëm me Të nëpërmjet besëlidhjeve dhe ordinancave të shpëtimit dhe ekzaltimit. Mbështetja te vetja është një doktrinë e ungjillit të Jezu Krishtit, jo një program. Është një proces që zgjat një jetë të tërë, jo një ndodhi.

Ne bëhemi të mbështetur te vetja gjatë gjithë jetës sonë duke u rritur në forcë shpirtërore, duke përmirësuar shëndetin tonë fizik dhe emocional, duke synuar arsimimin dhe punësimin tonë, dhe duke qenë të përgatitur nga ana materiale.2 A mbaron vallë ndonjëherë kjo detyrë gjatë jetës sonë? Jo, është një proces mësimi, rritjeje dhe pune që zgjat gjithë jetën. Nuk mbaron kurrë; është një proces i vazhdueshëm, i përditshëm.

Si mund t’ua mësojmë doktrinën dhe parimet e mbështetjes te vetja fëmijëve dhe rinisë sonë? Një mënyrë e rëndësishme është të zbatohen rregullisht parimet nga programi Fëmijët dhe Rinia. Prindërit dhe fëmijët mësojnë për ungjillin e Jezu Krishtit, marrin pjesë në shërbime e aktivitete dhe punojnë së bashku në katër fushat e zhvillimit vetjak që janë unike për çdo fëmijë. Nuk është më i njëjti program i përshkruar për të gjithë.

Libri Udhëzues për Fëmijët thotë: “Kur Jezusi ishte në moshën tënde, Ai mësoi dhe u rrit. Edhe ti po mëson dhe po rritesh gjithashtu. Shkrimi i shenjtë thotë: ‘Jezusi rritej në dituri, në shtat dhe në hir përpara Perëndisë dhe njerëzve’ (Lluka 2:52).”3 Ky shkrim i shenjtë i referohet rritjes dhe të mësuarit në aspektin shpirtëror, [të gjesh] hir përpara Perëndisë; në aspektin shoqëror, [të gëzosh] respektin e njerëzve; në aspektin fizik, shtatin; dhe në aspektin intelektual, diturinë. Këto fusha zhvillimi gjejnë zbatim për të gjithë ne, pavarësisht nga mosha jonë. Kur i japim mësim ato? Te Ligji i Përtërirë 6:6–7 lexojmë:

“Dhe këto fjalë që sot po të urdhëroj do të mbeten në zemrën tënde;

do t’ua ngulitësh bijve të tu, do të flasësh për to kur rri ulur në shtëpinë tënde, kur ecën rrugës, kur ke rënë në shtrat dhe kur çohesh”.

Ne ua mësojmë këto gjëra fëmijëve me anë të shembullit tonë të mirë, duke punuar e duke shërbyer me ta, duke studiuar shkrimet e shenjta dhe duke ndjekur mësimet e Jezu Krishtit, siç na mësohen nga profetët.

Kam përmendur se në programin Fëmijët dhe Rinia, fëmijët zgjedhin synime të ndryshme për secilën nga katër fushat e zhvillimit. Është e rëndësishme që ata të krijojnë synimet e tyre vetjake për secilën fushë. Prindërit dhe udhëheqësit mund të japin mësim, këshilla dhe përkrahje.

Për shembull, mbesa jonë, Miranda, është shumë e motivuar për t’u rritur shpirtërisht duke marrë pjesë në klasat e përditshme të seminarit herët në mëngjes. Asaj iu ngjall interesi duke dëgjuar komente pozitive nga nxënës të tjerë të seminarit në lagjen e vet. Nuk është nevoja që nëna e saj ta zgjojë për orën e seminarit. Ajo zgjohet vetë dhe lidhet me videokonferencë në orën e caktuar, në 06:20 të mëngjesit, sepse ka zhvilluar zakone të mira që e ndihmojnë të veprojë kështu. Prindërit e mi më thanë së fundmi se Miranda tani flet më shumë kur i viziton ata, ngaqë është rritur në vetëbesim. Këto janë mësime për jetën dhe rritjen me rezultate të dukshme.

Prindërit, gjyshërit, udhëheqësit dhe miqtë ndihmojnë në rritjen dhe zhvillimin e fëmijëve. Vëllezërit dhe motrat shërbestare që janë plotësisht të angazhuara, së bashku me priftërinë dhe udhëheqësit/et e organizatave të lagjeve, ofrojnë përkrahje. Dokumenti “Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës” thotë: “Nëpërmjet planit hyjnor, etërit duhet të kryesojnë familjet e tyre me dashuri e drejtësi dhe janë përgjegjës për të siguruar gjërat e nevojshme për jetën dhe mbrojtjen për familjet e tyre. Nënat janë kryesisht përgjegjëse për edukimin e fëmijëve të tyre. Në këto përgjegjësi të shenjta, etërit dhe nënat kanë detyrim të ndihmojnë njëri-tjetrin si partnerë të barabartë. … Të afërm të tjerë duhet të ndihmojnë kur është e nevojshme.”4 Ai rresht i fundit u referohet gjyshërve, midis të tjerëve.

Ndërsa shërbejmë në Afrikën Perëndimore, bashkëshortja ime, Nuria, ka bërë një punë të jashtëzakonshme duke dhënë shërbesë dhe duke mbajtur lidhjet me familjen dhe nipërit e mbesat tona përtej oqeanit. Këtë ajo e bën duke përdorur teknologjinë. U lexon libra nipërve e mbesave në moshë më të vogël. Ajo u mëson mbesave më të rritura tema si historia e familjes sonë, tema shkencore, historinë e Porto‑Rikos, Nenet e Besimit dhe ungjillin e Jezu Krishtit. Sot, largësitë nuk e kufizojnë lidhjen, përkatësinë, dhënien e shërbesës dhe mësimdhënien ndaj brezit të ri të familjeve tona. Unë i bashkohem gjithashtu Nurias kur mundem, për t’u dhënë mësim nipërve e mbesave tona të vyera, për t’i dashur ata, përkëdhelur dhe për t’i bërë të qeshin.

Duhet t’i vini re ngjashmëritë e frymëzuara ndërmjet programit Fëmijët dhe Rinia dhe [programit] për ngritjen e mbështetjes te vetja. Të katra fushat e zhvillimit te secili prej tyre janë shumë të ngjashme. Forca shpirtërore te mbështetja te vetja lidhet me fushën shpirtërore te programi Fëmijët dhe Rinia. Shëndeti fizik dhe emocional te mbështetja te vetja lidhet me fushën fizike dhe shoqërore te programi Fëmijët dhe Rinia. Arsimimi, punësimi dhe përgatitja materiale te mbështetja te vetja janë të ngjashme me fushën intelektuale te programi Fëmijët dhe Rinia.

Në mbyllje, le të ndjekim Shpëtimtarin tonë, Jezu Krishtin, dhe ungjillin e Tij duke u bërë të mbështetur te vetja gjatë gjithë jetës sonë, dhe duke ua mësuar këtë fëmijëve dhe rinisë sonë. Këtë mund ta bëjmë më së miri:

  1. duke qenë shembuj të mirë shërbimi ndaj të tjerëve,

  2. duke i jetuar dhe dhënë mësim doktrinën dhe parimet e mbështetjes te vetja, dhe

  3. duke iu bindur urdhërimeve për të ngritur mbështetjen te vetja si pjesë të ungjillit të Jezu Krishtit.

Doktrina e Besëlidhje 104:15–16 thotë:

“Është qëllimi im për të siguruar për shenjtorët e mi, sepse gjithë gjërat janë të miat.

Por duhet të bëhet sipas mënyrës sime; dhe vini re kjo është mënyra që unë, Zoti, kam shpallur për të siguruar për shenjtorët e mi, që të varfërit do të lartësohen, në atë që të pasurit do të përulen.”

Kjo është Kisha e Jezu Krishtit. Ungjilli i Tij i bekon familjet këtu në tokë dhe gjatë gjithë përjetësive. Ai na udhërrëfen në jetën tonë teksa përpiqemi të bëhemi familje të përjetshme. E di që kjo është e vërtetë. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.