Konferenca e Përgjithshme
Natyra Juaj Hyjnore dhe Fati Juaj i Përjetshëm
konferenca e përgjithshme e prillit 2022


Natyra Juaj Hyjnore dhe Fati Juaj i Përjetshëm

Ju ftoj ta qendërzoni jetën tuaj te Jezu Krishti dhe të mbani mend të vërtetat themelore në temën e Të Rejave.

Të dashura motra, faleminderit që jeni këtu. Jam i nderuar që marr pjesë në këtë sesion të grave në konferencën e përgjithshme. Me raste kam pasur privilegjin të frekuentoj klasa të Të Rejave. Por më lejoni të përmend atë që është e dukshme – nuk jam i ri dhe nuk jam grua! Megjithatë mësova se ndihem më pak i papërshtatshëm nëse mund të them përmendsh temën e Të Rejave së bashku me të rejat. Doktrina themelore, e dhënë mësim në temën e Të Rejave1, është e rëndësishme për të rejat, por gjen zbatim për të gjithë, përfshirë ne që nuk jemi vajza të reja.

Tema e Të Rejave fillon me fjalët: “Unë jam një bijë e dashur e prindërve qiellorë, me një natyrë hyjnore dhe fat të përjetshëm”2. Kjo thënie përfshin katër të vërteta të rëndësishme. E para, ju jeni një bijë e dashur. Asgjë që bëni ose që nuk e bëni, nuk mund ta ndryshojë këtë gjë. Perëndia ju do sepse jeni bija e Tij shpirtërore. Nganjëherë mund të mos e ndiejmë dashurinë e Tij, por ajo është gjithmonë e pranishme. Dashuria e Perëndisë është e përsosur.3 Aftësia jonë për të pasur ndjesi të asaj dashurie nuk është e përsosur.

Shpirti luan një rol shumë të rëndësishëm për të na e komunikuar dashurinë e Perëndisë.4 Prapëseprapë, ndikimi i Frymës së Shenjtë mund të pengohet “nga emocione të forta, të tilla si zemërimi, urrejtja … [ose] frika … siç ndodh kur përpiqemi të shijojmë shijen delikate të një kokrre rrushi ndërkohë që po hamë një halapenjo. … [Njëra shije] tërësisht e mposht tjetrën.”5 Po kështu, sjelljet që na largojnë nga Fryma e Shenjtë, përfshirë mëkati6, e bëjnë të vështirë që ne ta kuptojmë dashurinë e Perëndisë për ne.

Në mënyrë të ngjashme, ndjesia jonë për dashurinë e Perëndisë mund të topitet nga rrethana sfiduese dhe sëmundje fizike ose mendore, mes gjërave të tjera. Në të gjitha këto raste, këshilla e udhëheqësve ose ekspertëve të mirëbesuar shpesh mund të jetë dobiprurëse. Gjithashtu mund të përpiqemi ta përmirësojmë aftësinë tonë për ta kuptuar dashurinë e Perëndisë duke pyetur veten: “A është e vazhdueshme dashuria ime për Perëndinë apo e dua Atë kur kam ditë të mira, por nuk e dua dhe aq kur kam ditë të këqija?”

E vërteta e dytë është se ne kemi prindër qiellorë, një atë dhe një nënë.7 Doktrina e një Nëne Qiellore vjen nga zbulesa dhe është një besim dallues që e kanë shenjtorët e ditëve të mëvonshme. Presidenti Dallin H. Ouks e shpjegoi rëndësinë e kësaj të vërtete: “Teologjia jonë fillon me prindër qiellorë. Aspirata jonë më e lartë është të jemi si ata.”8

Shumë pak është zbuluar rreth Nënës në Qiell, por ajo që dimë vërtet, përmblidhet në një temë të ungjillit që gjendet në programin tonë elektronik Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].9 Pasi ta keni lexuar atë që është atje, do të dini gjithçka që unë di rreth kësaj teme. Do të doja të dija më shumë. Edhe ju mund të keni ende pyetje dhe dëshironi të gjeni më shumë përgjigje. Kërkimi i një kuptueshmërie më të madhe është pjesë e rëndësishme e zhvillimit tonë shpirtëror, por ju lutem, jini të kujdesshme. Arsyetimi nuk mund ta zëvendësojë zbulesën.

Spekulimi nuk do të çojë në njohuri më të madhe shpirtërore, por mund të çojë në mashtrim ose mund ta largojë përqendrimin tonë nga ajo që është zbuluar.10 Për shembull, Shpëtimtari u dha mësim dishepujve të Tij: “Lut[ju]ni gjithmonë Atit në emrin tim”11. Ne e ndjekim këtë model dhe e drejtojmë adhurimin tonë tek Ati ynë Qiellor në emrin e Jezu Krishtit dhe nuk i lutemi Nënës Qiellore.12

Që nga koha kur Perëndia caktoi profetë, ata janë autorizuar të flasin në emër të Tij. Por ata nuk shpallin doktrina të fabrikuara “me kokën [e tyre]”13 ose nuk japin mësim atë që nuk është zbuluar. Merrini parasysh fjalët e profetit të Dhiatës së Vjetër, Balaamit, të cilit iu ofrua ryshfet që t’i mallkonte izraelitët në përfitim të Moabit. Balaami tha: “Edhe sikur [mbreti i Moabit] të më jepte shtëpinë e tij të mbushur me argjend dhe me ar, nuk mund të shkel urdhrin e Zotit, Perëndisë tim, për të kryer veprime të vogla apo të mëdha”14. Profetët e ditëve të mëvonshme kanë po të njëjtat kufizime. Të kërkosh zbulesë nga Perëndia është diçka arrogante si edhe e padobishme. Përkundrazi, ne presim Zotin dhe kohën e Tij për të na i zbuluar të vërtetat e Tij nëpërmjet mjeteve që Ai ka krijuar.15

E vërteta e tretë në paragrafin e hapjes të temës së Të Rejave është se ne kemi “një natyrë hyjnore”. Kjo është thelbësore për identitetin tonë. Është shpirtërisht “gjenetike”, e trashëguar nga prindërit tanë qiellorë16 dhe nuk do asnjë përpjekje nga ana jonë. Ky është identiteti ynë më i rëndësishëm, pavarësisht nga çfarëdo mënyre tjetër që zgjedhim për ta përcaktuar veten tonë. Të kuptuarit e kësaj të vërtete themelore është i rëndësishëm për çdo njeri, por veçanërisht për individët që u përkasin grupeve që historikisht janë lënë mënjanë, janë shtypur ose nënshtruar. Mbajeni mend se identiteti juaj më i rëndësishëm lidhet me natyrën tuaj hyjnore si fëmijë i Perëndisë.

E vërteta e katërt është që ne kemi një “fat të përjetshëm”. Një fat i tillë nuk do të na jepet me detyrim. Pas vdekjes, ne do të marrim atë për të cilën jemi kualifikuar dhe do të “gëz[ojmë vetëm] atë që j[emi] të gatshëm të marri[m]”17. Të kuptuarit e fatit tonë të përjetshëm është i varur nga zgjedhjet tona. Ai kërkon bërjen dhe mbajtjen e besëlidhjeve të shenjta. Ky shteg besëlidhjesh është udha se si vijmë te Krishti dhe bazohet në të vërtetën absolute dhe ligjin e përjetshëm, të pandryshueshëm. Ne nuk mund të krijojmë një shteg tonin dhe të presim rezultatet e premtuara nga Perëndia. Të presim bekimet e Tij ndërkohë që nuk i ndjekim ligjet e përjetshme mbi të cilat ato bazohen18, është e gabuar, sikur të mendojmë se mund të prekim një sobë të nxehtë dhe të “marrim vendimin” që nuk do të digjemi.

Ju mund ta dini që unë trajtoja pacientë me mosfunksionim të mjaftueshëm të zemrës. Rezultatet e tyre më të mira fitoheshin duke ndjekur plane trajtimi të vendosura tashmë, të bazuara te faktet. Pavarësisht se e dinin këtë gjë, disa pacientë u përpoqën të diskutonin një plan të ndryshëm trajtimi. Ata thoshin: “Nuk dua të marr kaq shumë mjekime” ose “Nuk dua t’u nënshtrohem kaq shumë analizave për të ndjekur ecurinë”. Sigurisht, pacientët ishin të lirë t’i merrnin vetë vendimet e tyre, por nëse largoheshin nga planet më të mira të trajtimit, rezultatet e tyre çalonin. Pacientët me mosfunksionim të mjaftueshëm të zemrës nuk mund të zgjedhin një metodë trajtimi më të lehtë dhe pastaj t’ia hedhin fajin kardiologut për rezultatet e tyre më të ulëta.

E njëjta gjë është e vërtetë për ne. Shtegu i hartuar nga Ati Qiellor çon në rezultatet e përjetshme më të mira. Ne jemi të lirë të zgjedhim, por nuk mund t’i zgjedhim pasojat e mosndjekjes së shtegut të zbuluar.19 Zoti ka thënë: “Çfarë thyen një ligj dhe nuk përputhet me ligjin, por kërkon të bëhet ligj në vetvete …, nuk mund të shenjtërohet me anë të ligjit, as me anë të mëshirës, drejtësisë, as gjykimit”20. Ne nuk mund të largohemi nga udha e Atit Qiellor dhe pastaj t’ia hedhim fajin Atij për rezultate më të ulëta.

Paragrafi i dytë i temës së Të Rejave thotë: “Si dishepulle e Jezu Krishtit, unë përpiqem fort të bëhem si Ai. Unë kërkoj dhe veproj sipas zbulesës vetjake dhe u jap shërbesë të tjerëve në emrin e Tij të shenjtë.” Ne mund të zhvillojmë një dëshmi për Jezu Krishtin duke vepruar me besim.21 Mund të themi se kemi dhuratën shpirtërore që “të di[m]ë se Jezu Krishti është Biri i Perëndisë dhe se ai u kryqëzua për mëkatet e botës”. Ose mund të marrim dhuratën që të besojmë në fjalët e atyre që e dinë këtë gjë22, derisa ta dimë edhe vetë. Ne mund të ndjekim mësimet e Shpëtimtarit dhe t’i ndihmojmë të tjerët të vijnë tek Ai. Në këtë mënyrë, ne bashkohemi me Të në punën e Tij.23

Tema e Të Rejave vazhdon: “Unë do të qëndroj si dëshmitare e Perëndisë në të gjitha kohërat dhe në të gjitha gjërat, dhe në të gjitha vendet”. Të gjithë anëtarët e Kishës janë të nevojshëm si dëshmitarë të Perëndisë24, edhe pse Apostujt dhe Të Shtatëdhjetët kanë marrë porosinë të jenë dëshmitarë të veçantë të emrit të Krishtit25. Përfytyrojeni një ndeshje futbolli në të cilën vetëm portieri e mbron portën. Pa ndihmën e lojtarëve të tjerë të skuadrës, portieri nuk do të jetë në gjendje ta mbrojë siç duhet portën dhe skuadra gjithmonë do të humbasë. Po kështu, çdo njeri nevojitet në skuadrën e Zotit.26

Paragrafi i fundit i temës së Të Rejave fillon: “Teksa përpiqem fort që të kualifikohem për ekzaltimin, unë e vlerësoj pa masë dhuratën e pendimit dhe përpiqem të përmirësohem çdo ditë”. Për shkak të flijimit shlyes të Shpëtimtarit, ne mund të pendohemi, të mësojmë nga gabimet tona dhe të mos dënohemi prej tyre. Presidenti Rasëll M. Nelson dha mësim: “Shumë njerëz e konsiderojnë pendimin si ndëshkim. … Por kjo ndjenjë e të qenit i ndëshkuar shkaktohet nga Satani. Ai përpiqet të na e pengojë vështrimin drejt Jezu Krishtit, i cili qëndron krahëhapur, duke shpresuar dhe i gatshëm të na shërojë, falë, pastrojë, forcojë, të na bëjë të kulluar dhe të na shenjtërojë.”27

Kur pendohemi me sinqeritet, nuk ngelet asnjë vrajë shpirtërore, pavarësisht nga ajo që kemi bërë, pavarësisht sa e rëndë ishte ajo ose sa herë e përsëritëm atë.28 Sa herë që pendohemi dhe kërkojmë falje me dëshirë të sinqertë, mund të marrim falje.29 Ç’dhuratë e mrekullueshme nga Shpëtimtari ynë, Jezu Krishti!30 Fryma e Shenjtë mund të na sigurojë se jemi falur. Kur kemi ndjesi gëzimi dhe paqeje31, fajësia jonë fshihet32 dhe ne nuk torturohemi më nga mëkati ynë33.

Sidoqoftë, edhe pas pendimit të sinqertë, ne mund të pengohemi. Të pengohesh nuk do të thotë që pendimi ishte i papërshtatshëm, por thjesht mund të pasqyrojë dobësinë njerëzore. Sa ngushëlluese është të dimë se “Zoti i sheh dobësitë ndryshe nga mënyra se si e sheh rebelimin”. Nuk duhet të dyshojmë në aftësinë e Shpëtimtarit për të na ndihmuar për dobësitë tona, sepse “kur Zoti flet për dobësitë, flet gjithmonë me mëshirë”34.

Tema e Të Rejave përfundon: “Me besim, unë do ta forcoj shtëpinë dhe familjen time, do të bëj e do të mbaj besëlidhje të shenjta dhe do të marr ordinancat dhe bekimet e tempullit të shenjtë”. Forcimi i shtëpisë dhe familjes mund të nënkuptojë farkëtimin e hallkës së parë në një zinxhir besnikërie, vazhdimin e një trashëgimie besimi ose rivendosjen e asaj trashëgimie.35 Sidoqoftë, vjen forcë nëpërmjet besimit te Jezu Krishti dhe nëpërmjet bërjes së besëlidhjeve të shenjta.

Në tempull mësojmë se kush jemi dhe ku kemi qenë. Filozofi romak, Ciceroni, tha: “Të jesh injorant për atë që ndodhi përpara se të lindeshe, është të mbetesh gjithmonë një fëmijë”36. Ai, sigurisht, po i drejtohej historisë laike, por vëzhgimi i tij i mprehtë mund të përdoret më gjerë. Ne jetojmë si fëmijë të përhershëm nëse jemi të paditur për këndvështrimin e përjetshëm që fitohet në tempuj. Atje ne rritemi në Zotin, “marri[m] plotësi të Frymës së Shenjtë”37 dhe bëhemi më plotësisht të zotuar si dishepuj të Shpëtimtarit38. Kur i mbajmë besëlidhjet tona, marrim fuqinë e Perëndisë në jetën tonë.39

Ju ftoj ta qendërzoni jetën tuaj te Jezu Krishti dhe të mbani mend të vërtetat themelore në temën e Të Rejave. Nëse jeni të gatshme, Fryma e Shenjtë do t’ju udhërrëfejë. Ati ynë Qiellor dëshiron që ju të bëheni trashëgimtaret e Tij dhe të merrni gjithçka që Ai ka.40 Ai nuk mund t’ju ofrojë më shumë se kaq. Ai nuk mund t’ju premtojë më shumë se kaq. Ai ju do më shumë nga sa e dini dhe dëshiron që ju të jeni të lumtura në këtë jetë dhe në jetën që do të vijë. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.