2019
Djali Ynë Është Bir i Atit Qiellor
Prill 2019


Shtëpitë Tona, Familjet Tona

Djali Ynë Është Bir i Atit Qiellor

Autorja jeton në Arizonë, SHBA.

Fjalë që nuk ishin të miat hynë në mendjen time: “A mendon se e do atë më shumë sesa e dua unë?”

Pamja
mother and son

Fotografi e autores dhe birit të saj

Djali ynë i dashur, Hejdeni, erdhi në këtë botë me ngjyrë blu, duke mos marrë frymë dhe duke luftuar për jetën. Nuk qante. Nuk lëvizte.

Ndërsa mjekët dhe infermieret nxituan përreth dhomës së spitalit, e dija se diçka po shkonte tmerrësisht keq. Bashkëshorti im dhe babai im i dhanë me të shpejtë një bekim priftërie Hejdenit, dhe Hejdeni u çua me shpejtësi në kujdesin intensiv. Ai shpejt u diagnostikua me një keqfunksionim të rrallë të zemrës. Brenda disa ditësh iu nënshtrua disa operacioneve të zemrës.

Nëpërmjet fuqisë mrekullibërëse të bekimeve të priftërisë, agjërimit dhe lutjeve, Hejdeni i kaloi të gjitha pritshmëritë dhe mbijetoi. Ne ishim tepër të gëzuar që ta sillnim djalin tonë në shtëpi dhe të fillonim së bashku jetën tonë të re.

Hejdeni solli gëzim të pafund në jetën tonë. E donim fort dhe e adhuronim. Por me kalimin e kohës, fillova të shqetësohem se ai nuk po përparonte siç pritej. Megjithëse specialistët na siguruan se përfundimisht ai do të zhvillohej, ankthet shqetësuese vazhduan teksa luftoja për ta ndihmuar tim bir.

Unë dhe bashkëshorti im studiuam për të mësuar gjithçka që mundeshim për sëmundjen e Hejdenit. Bëmë gjithçka që mjekët na thanë të bënim. Prapëseprapë nuk po përparonte.

Fillova të lodhesha dhe të acarohesha. Iu përgjërova Atit tim në Qiell që të më ndihmonte të gjeja dikë që mund ta ndihmonte Hejdenin, por nuk gjeta asnjë ndihmë. Gjendja e Hejdenit u përkeqësua. Ai filloi të kishte kriza. Ishim të frikësuar. Menduam se po e humbnim.

Një natë, isha zgjuar deri natën vonë në kërkim të përgjigjeve. I shkrova një letër Hejdenit. I tregova se sa shumë e doja dhe sa shumë po përpiqesha që ta bëja jetën e tij më të lehtë. I premtova se do ta kaloja pjesën tjetër të jetës sime duke u përpjekur që t’i jepja ndihmën që i nevojitej.

Acarimi dhe pasiguria momentalisht më mposhtën. U gjunjëzova dhe e pyeta Atin tim në Qiell: “Pse?” Mendova se Ai e kishte dërguar Hejdenin tek unë, ngaqë Ai e dinte se unë kurrë nuk do të hiqja dorë nga përpjekja për ta ndihmuar tim bir. Pra, përse nuk mund të gjeja ndonjë përgjigje? Pse çdo mjek i ri dhe çdo trajtim i ri çonin drejt një pengese tjetër? A nuk e donte Ati Qiellor Hejdenin?

Nuk do ta harroj kurrë atë çast. Papritmas më rrethoi një ndjenjë drithëruese dashurie. Fjalë që nuk ishin të miat hynë në mendjen time: ‘Xherlin, a mendon se e do atë më shumë sesa e dua unë?”

Ngriva. Koha ndaloi. Lotët rrodhën në fytyrë – jo nga acarimi si më parë, por nga shpresa, mirëkuptimi dhe dashuria.

Në atë çast, gjithçka ndryshoi. Zemra ime u zbut. Pyetjet e mia ndryshuan. Tani e kuptoj se Ati im në Qiell e do Hejdenin me një dashuri të përsosur. Hejdeni u dërgua këtu në një trup që është i përshtatshëm për nevojat e tij dhe mundësitë e tij për rritje dhe mësim. Ai ka grupin e vet unik të aftësive dhe sfidave, ashtu si secili prej nesh. Kam arritur të kuptoj se fëmijët me aftësi të kufizuar janë fëmijë të çmuar dhe të dashur për Atin Qiellor, të cilët kanë një mision të veçantë këtu në këtë tokë.

Unë dhe bashkëshorti im vazhdimisht marrim përgjigje dhe bekime, por ato vijnë në kohën e Zotit, jo në kohën tonë. Jemi drejtuar për te librat, terapitë, shkollat dhe mësuesit e duhur për ta ndihmuar Hejdenin që t’ia dalë mbanë në jetën e tij në vdekshmëri. Ne përpiqemi fort të kërkojmë shtegun që Ati ynë në Qiell ka caktuar për Hejdenin, në vend të shtegut që ne donim që ai të merrte. Ne po bëjmë gjithçka që mundemi për ta ndihmuar Hejdenin të arrijë potencialin e tij hyjnor dhe të jetojë jetën që Ati i tij Qiellor ka caktuar për të. Të kuptuarit nga ana jonë e planit të Atit Qiellor ka qenë shumë më i qartë tani që ne e kuptojmë se Hejdeni ishte i Tiji përpara se Hejdeni të ishte yni.