2019
Tri Mësime mbi Dashurinë, Gëzimin dhe Paqen
Prill 2019


Tri Mësime mbi Dashurinë, Gëzimin dhe Paqen

Nga një fjalim në një takim shpirtëror, “Happiness, Deceit, and Small Things” [“Lumturia, Mashtrimi dhe Gjëra të Vogla”], dhënë në Universitetin “Brigam Jang”, më 15 dhjetor 2017.

Ndjekja e këtyre tri hapave mund të sjellë një ndryshim të madh në jetën tuaj dhe mund t’ju ndihmojë të ndieni frytet e Shpirtit.

Pamja
bowl of fruit

Kur isha student kolegji, mendoja shumë për të ardhmen time. Sapo e nisa të ardhmen – që nënkupton jetën pas kolegjit – mësova tri mësime vendimtare që sollën një ndryshim të madh në jetën time. Dua t’ia u tregoj këto mësime juve me shpresën se nuk do t’ju duhet aq kohë sa mua për t’i mësuar. Ato mund t’ju ndihmojnë të gjeni gëzim më të madh në jetë – dhe përfundimisht të merrni ekzaltimin me Atin tuaj Qiellor.

1. Kërkoni Lumturi, Paqe dhe Frymën e Shenjtë

E takova bashkëshorten time, Melindën, gjatë vitit të dytë të kolegjit, rreth gjashtë muaj pasi isha kthyer nga misioni. E kuptova menjëherë se doja të martohesha me Melindën. Megjithatë, Melinda nuk pati të njëjtën përshtypje. Ndodhi vetëm pesë vjet më vonë, që ajo më në fund mori një përgjigje se do të ishte “mirë” nëse martohej me mua.

Gjatë atyre pesë viteve, unë pata një nga sprovat më të vështira të jetës sime. E dija se me kë duhej të martohesha dhe Shpirti më nxiti të vazhdoja të përpiqesha të martohesha me të, por dukej se nuk po e arrija dot këtë qëllim.

Pak pasi u diplomova, Melinda vendosi të shkonte në mision – pjesërisht, jam i bindur, që të largohej prej meje. Ndërkohë që ajo ishte në mision, kishte raste kur ndihesha i mjeruar sepse u përqendrova tek ajo që nuk kisha. Megjithatë, po i studioja shkrimet e shenjta dhe po lutesha çdo ditë, po shërbeja në Kishë dhe po përpiqesha fort të bëja gjërat që sillnin Frymën e Shenjtë në jetën time.

Një mëngjes herët, në një ditë të diele shumë të ftohtë, në Mineapolis, në Minesota të SHBA-së, ndërsa po ngisja makinën për të shkuar në një mbledhje të Kishës, mendova: “Tani duhet të jem me të vërtetë i mjeruar. Asgjë nuk duket se po shkon ashtu si dua. Por nuk jam i mjeruar. Çuditërisht ndihem i lumtur!”

Tani, si mund të isha i lumtur nëse po kaloja nëpër atë që, për mua, ishte një sprovë e vështirë?

Përgjigjja gjendet te Galatasve 5:22–23: “Fryti i Frymës është: dashuria, gëzimi, paqja, durimi, mirëdashja, mirësia, besimi, zemërbutësia, vetëkontrolli”.

Për shkak se po bëja gjërat që sillnin Shpirtin në jetën time, e ndjeva dashurinë e Perëndisë. Ndjeva gëzim dhe paqe. Mund të vuaja shumë dhe prapëseprapë të isha i lumtur.

Të pasurit e dashurisë, gëzimit dhe paqes në jetën tonë, në familjet tona dhe në martesat tona nuk vjen nga të pasurit e një shtëpie të madhe, e makinave të mira, e veshjeve të fundit, e suksesit në karrierë apo e ndonjë prej gjërave të tjera që bota thotë se sjellin lumturi. Në fakt, për shkak se ndjenjat e dashurisë, gëzimit dhe paqes vijnë nga Shpirti, të ndjerit e tyre nuk ka pse të lidhet aspak me rrethanat tona të përkohshme.

Ju lutem, kuptojeni që nuk po them se ne gjithmonë do të jemi të lumtur apo që rrethanat tona të përkohshme nuk ndikojnë kurrë në lumturinë tonë. Në fakt, nëse nuk e shijojmë të hidhurën, nuk mund ta njohim ëmbëlsinë (shih Doktrina e Besëlidhje 29:39; shih edhe Moisiu 6:55).

Ndonjëherë ne duhet të hasim vështirësi. Për më tepër, disa kushte fizike dhe emocionale mund të na shkaktojnë vuajtje të mëdha dhe ta bëjnë shumë të vështirë që ne ta ndiejmë Shpirtin. Por në qoftë se po përpiqemi fort ta kemi Shpirtin në jetën tonë dhe i mirëbesojmë Perëndisë, në përgjithësi, ne mund të jemi të lumtur.

Unë dëshmoj nga përvoja vetjake se kjo është e vërtetë. Që nga [ajo] përvojë ndërkohë që Melinda ishte në mision, kam vënë re që nëse po bëj gjërat që e sjellin Shpirtin në jetën time, përfshirë zgjedhjen për të besuar dhe pranuar se gjërat do të funksionojnë ashtu siç synon Perëndia, unë jam zakonisht i lumtur (shih Jakobi [LiM] 3:2).1

2. Mos Bini Pre e Ndjenjave të Rreme

Pamja
bowl of fake fruit

Satani ofron alternativa të rreme ndaj gjithçkaje që bën Perëndia, në përpjekje për të na pështjelluar e për të na mashtruar. Pavarësisht nga përpjekjet e Satanit për të na bindur për të kundërtën, Shpëtimtari na mëson se “një pemë e prishur [nuk mund] të japë frut të mirë” (3 Nefi 14:18). Për shkak se Satani është një pemë e prishur, ai nuk mund të na bëjë të ndiejmë “dashuri, gëzim, paq[e], durim, mirëdashj[e], mirësi, besim, zemërbutësi [dhe] vetëkontroll” (Galatasve 5:22–23). Përkundrazi, Satani do që të na bëjë të mjeruar (shih 2 Nefi 2:27).

Pra, çfarë bën Satani? Ai përpiqet të na mashtrojë.

Një shoqja ime, një nga të zgjedhurat, u mashtrua. Shoqja ime shërbeu në një mision dhe ishte një misionare e dalluar. Kur u kthye në shtëpi nga misioni, ajo synonte të bënte të gjitha gjërat e vogla që kishin sjellë Shpirtin në jetën e saj dhe e kishin forcuar në misionin e saj. Dhe për njëfarë kohe, ajo e bëri këtë.

Megjithatë, ajo pa miq, shumë prej të cilëve ishin misionarë të kthyer, që vinin në kishë çdo të diel, por jashtë kishës jetonin ashtu siç jeton bota. Dukeshin të lumtur. Po bënin gjëra “argëtuese”. Dhe mënyra e tyre e jetesës nuk dukej se kërkonte aq punë sa e saja.

Dalëngadalë ajo ndaloi t’i bënte gjërat e vogla që i kishin sjellë forcë shpirtërore në misionin e saj. Ajo prapëseprapë kishte një dëshmi, por më tha se kishte arritur në përfundimin: “Nëse po merrja pjesë në mbledhjet e mia të Kishës, isha në rregull – isha në rrugë të mbarë”. Megjithatë, ajo tha: “Shpirtërisht, unë isha joaktive”2. Ndërsa jetonte ashtu siç jeton bota, një zgjedhje e keqe çoi në një tjetër, dhe së shpejti ajo mbeti shtatzënë.

Zgjedhjet e saj të padrejta përfundimisht lanë pasoja. Ajo nuk ishte e lumtur dhe e dinte këtë. Për fat të mirë, shoqja ime e kuptoi se ishte mashtruar dhe u pendua.

Historia e saj thekson që edhe më të mirët prej nesh mund të mashtrohen. Për më tepër, historia e saj vë në dukje se ne duhet të ruhemi vazhdimisht nga mashtrimi. Ne e kryejmë këtë duke bërë gjërat e vogla që sjellin Shpirtin në jetën tonë.

Jam i lumtur të raportoj se sot shoqja ime është e lumtur, po përpiqet fort t’i mbajë urdhërimet dhe është fizikisht e shpirtërisht aktive në ungjill.

Mashtrimet e Satanit vijnë në shumë mënyra. Do të përmend vetëm disa.

Satani përpiqet të na bindë që t’i japim përparësi gjërave të përkohshme më shumë se gjërave shpirtërore. Ne mund ta kuptojmë nëse përparësitë tona nuk janë në drejtimin e duhur duke vënë re se sa shpesh themi: “Jam shumë i zënë ose shumë i lodhur tani _________”. Plotësojini vendet bosh: për të frekuentuar tempullin, për të dhënë shërbesë, për t’i studiuar dhe përsiatur shkrimet e shenjta, për ta plotësuar thirrjen time ose madje për t’i bërë lutjet e mia.

Një arsye që ne ndihemi kaq të zënë me punë është se Satani punon shumë për të na shpërqendruar. Ai përdor telefonin inteligjent në dorën tonë, radion në makinën tonë, televizorët në shtëpinë tonë dhe një mori gjërash të tjera për të na mbajtur të shpërqendruar pothuajse gjatë gjithë kohës. Si rrjedhojë, ne ndihemi më të zënë sesa jemi në fakt.

Një rrjedhojë tjetër e këtij shpërqendrimi është se ne po përsiatim gjithnjë e më pak. Satani punon për të na shpërqendruar sepse ai e di që të përsiaturit, veçanërisht i shkrimeve të shenjta, çon në një kthim më të madh në besim dhe në një zbulesë më të madhe.

Një mashtrim tjetër i Satanit vjen nëpërmjet idesë se veprimet tona të jashtme kanë më shumë rëndësi sesa shtysat tona të brendshme. Kur na mungon shtysa e duhur për të bërë gjëra shpirtërore, ne nuk arrijmë ta përjetojmë gëzimin e ungjillit. Si rrjedhojë, zbatimi i urdhërimeve fillon të ndihet si angari, dhe Satani e di që, nëse ai arrin të na bëjë të ndihemi kështu, ka të ngjarë të mos e bëjmë atë që e dimë se duhet ta bëjmë.

Satani gjithashtu na mashtron duke na bërë të besojmë se gëzimi dhe lumturia vijnë nga të pasurit e një jete të lehtë ose thjesht nga zbavitja gjatë gjithë kohës. Ato nuk vijnë kështu. E vërteta është se nuk ka gëzim apo lumturi pa u mposhtur diçka (shih 2 Nefi 2:11, 23).

Mashtrimi i fundit i Satanit që unë do të përmend, është se ai përpiqet të na bindë se ligësia, me kënaqësitë e saj të përkohshme, në të vërtetë është lumturi. Satani e di që, të paktën në çast, disa ndjenja ose emocione mund 1) të na bëjnë të mendojmë se po i ndiejmë frytet e Shpirtit, 2) ta errësojnë dëshirën tonë për ato fryte ose 3) të ndiejmë sikur janë zëvendësuese të pranueshme.

Për shembull, Satani mund të na tundojë të kërkojmë epsh në vend të dashurisë. Ai mund të na joshë me ngazëllim në vend të një gëzimi të qëndrueshëm. Ai përpiqet të na shpërqendrojë në vend që të na japë paqe. Ai do të na bëjë të vetëkënaqur, të zellshëm dhe politikisht të saktë, në vend që të jemi vetëmohues, vazhdimisht të bindur dhe të përqendruar shpirtërisht siç duhet. Tundimet e tij mund të na bëjnë që të jemi të pështjelluar, gjë e cila më vonë na çon drejt mendimit se shkelja e urdhërimeve do të sjellë lumturi.

3. Bëni Gjërat e Vogla

Zakonisht janë gjëra të vogla që sjellin Shpirtin në jetën tonë, nuk na lënë të mashtrohemi dhe përfundimisht na ndihmojnë që të marrim forcën për t’i zbatuar urdhërimet dhe për të fituar jetën e përjetshme. Shpëtimtari ua mësoi këtë parim pleqve të Kishës në Kirtland të Ohajos: “Prandaj, mos u lodhni së bëri mirë, sepse ju po ngrini themelin e një vepre të madhe. Dhe nga gjëra të vogla vjen ajo që është e madhe” (Doktrina e Besëlidhje 64:33).

Përse janë gjërat e vogla kaq të rëndësishme? Në vargun e mëposhtëm, Shpëtimtari shpjegoi se “Zoti kërkon zemrën dhe një mendje të gatshme” (Doktrina e Besëlidhje 64:34). Përse e lidhi Shpëtimtari bërjen e gjërave të vogla me zemrën dhe një mendje të gatshme? Sepse duke bërë në vazhdimësi gjëra të vogla, ne ia japim zemrën dhe mendjen tonë Perëndisë, i cili na pastron dhe na shenjtëron (shih Helamani 3:35).

Ky pastrim dhe shenjtërim ndryshon vetë natyrën tonë, pak nga pak, që të bëhemi gjithnjë e më shumë si Shpëtimtari. Kjo gjithashtu na bën që të jemi më pranues ndaj nxitjeve të Frymës së Shenjtë, të cilat na bëjnë të kemi më pak gjasa për t’u mashtruar.

Në vitin e fundit të shkollës së mesme, babai im më bëri seminar në shtëpi. Për shkak se tema atë vit ishte Librit i Mormonit, babai vendosi që ta lexonim së bashku, varg pas vargu dhe të diskutonim për atë që mësonim. Teksa lexonim, babai do të bënte pyetje që më bënin të mendohesha rreth asaj që po lexonim dhe ai do të shpjegonte gjëra që nuk i kuptoja. Ende më kujtohet kur mësova për Shpëtimtarin dhe kuptova se Ai me të vërtetë i vizitoi nefitët dhe se unë me të vërtetë mund të falesha për mëkatet e mia për shkak të Shlyerjes së Tij.

Themelin tim te shkrimet e shenjta e formova në ato sesione që unë dhe babai bëmë së bashku. Ndërsa lexonim, ndjeva diçka. Dhe ndoshta më e rëndësishmja, dëshirat, shtysat dhe veprimet e mia ndryshuan. Dëshiroja të isha më i mirë. Fillova të shihja se ku isha duke u mashtruar. Pendohesha më shpesh. Deri në fund të vitit të parë të kolegjit tim, unë i lexoja shkrimet e shenjta çdo ditë.

Rreth kësaj kohe, Presidenti Ezra Taft Benson (1899–1994), u kërkoi anëtarëve të Kishës ta lexonin Librin e Mormonit çdo ditë dhe ta zbatonin atë që mësonin.3 Pra, përveç gjërave të tjera që lexoja, të paktën lexoja diçka nga Libri i Mormonit.

Pamja
fruit and scriptures

Në misionin tim kam mësuar se si t’i studioj vërtet shkrimet e shenjta dhe të ushqehem me bollëk me to. Jo vetëm që e ndieja Frymën e Shenjtë teksa lexoja, por gjithashtu fillova të ndieja gëzim ndërsa i hulumtoja shkrimet e shenjta për të gjetur përgjigje për problemet e mia dhe ato të kërkuesve të mi.

Pas misionit, vazhdova të ushqehesha me bollëk me shkrimet e shenjta çdo ditë. Për shkak se kjo praktikë e ftoi Frymën e Shenjtë në jetën time, mora udhëzimin e Tij për të më ndihmuar që ta shfrytëzoja kohën në mënyrë më të efektshme. Si rrjedhojë, isha më mirë në shkollë dhe, më vonë, në punë. U bë më e lehtë për të marrë vendime të mira. Lutesha më shumë dhe isha më i zellshëm në përmbushjen e thirrjeve të mia. Të ushqyerit me bollëk me shkrimet e shenjta çdo ditë nuk i zgjidhi të gjitha problemet e mia, por jeta ishte më e lehtë.

Në gusht 2005, Presidenti Gordon B. Hinkli (1910–2008) dha një sfidë për ta lexuar ose rilexuar Librin e Mormonit para fundit të vitit.44 Meqë po lexoja çdo ditë nga Libri i Mormonit, unë isha tashmë tek Ethëri ose Moroni. Rrjedhimisht, pasi e mbarova pas një apo dy javësh, arrita në përfundimin se e kisha përmbushur sfidën e Presidentit Hinkli.

Por pastaj një mësues besnik erdhi në shtëpi për të vizituar familjen tonë. Ai më pyeti se çfarë po bëja me ftesën e Presidentit Hinkli.

I thashë se pata fatin e mirë që e kisha filluar Librin e Mormonit përpara sfidës së Presidentit Hinkli. Pastaj, me një lloj vetëkënaqësie, e njoftova se e kisha përmbushur detyrën.

Për fat të mirë, mësuesi im i shtëpisë i pa gjërat ndryshe. Ndërsa më korrigjoi butësisht, Shpirti më pëshpëriti se mësuesi im i shtëpisë kishte të drejtë.

Tani më duhej të lexoja dy kapituj në ditë për ta përfunduar sërish deri në fund të vitit. Ndërsa e shtova sasinë e asaj që lexoja në Librin e Mormonit, vura re që edhe më shumë fuqi erdhi në jetën time. Kisha më shumë gëzim. I shihja gjërat më qartë. Pendohesha edhe më shpesh. Doja të jepja shërbesë dhe të shpëtoja të tjerët. Isha më pak i prekshëm nga mashtrimet dhe tundimet e Satanit. E desha më shumë Shpëtimtarin.

Atë nëntor, unë u thirra të isha peshkopi i lagjes sonë. Përmbushja e sfidës së Presidentit Hinkli më përgatiti për atë thirrje. Që prej asaj kohe, kam vërejtur se sa më i zënë të jem në punë apo në kishë, aq më shumë duhet t’i studioj shkrimet e shenjta, veçanërisht Librin e Mormonit.

Ju mund të keni të njëjtat bekime dhe fuqi në jetën tuaj, në qoftë se edhe ju do të ushqeheni me bollëk me shkrimet e shenjta çdo ditë. Ju premtoj që në qoftë se ju do të ushqeheni me bollëk me shkrimet e shenjta çdo ditë, veçanërisht me Librin e Mormonit, ju do ta ftoni Shpirtin në jetën tuaj dhe do të luteni natyrshëm çdo ditë, do të pendoheni më shpesh dhe do ta keni më të lehtë ta frekuentoni kishën dhe të merrni pjesë në sakrament çdo javë.

Dëshmoj që teksa i bëni gjërat e vogla dhe i mirëbesoni Zotit, ju mund të gjeni dashuri, gëzim, paqe dhe lumturi pavarësisht nga rrethanat tuaja. Gjithashtu dëshmoj se kjo është bërë e mundur për shkak të sakrificës së Jezu Krishtit. Të gjitha gjërat e mira vijnë për shkak të Tij (shih Moroni 7:22, 24).

Shënime

  1. Kur jemi të vendosur në besimin në Krisht, ne mund të ushqehemi me bollëk me dashurinë e Perëndisë pavarësisht nga rrethanat tona.

  2. Shënimet dhe skenari i intervistës janë në pronësi të autorit.

  3. Shih Ezra Taft Benson, “A Sacred Responsibility”, Ensign, maj 1986, f. 77–78; shih edhe “The Book of Mormon – Keystone of Our Religion”, Ensign, nëntor 1986, f. 4–7.

  4. Shih Gordon B. Hinckley, “First Presidency Message: A Testimony Vibrant and True”, Ensign, gusht 2005, f. 2–6.