2020
Ju i Doni, Ai i Shpëton
Korrik 2020


Ju i Doni, Ai i Shpëton

Autorja jeton në Jutë, SHBA.

Ne u lutëm që zemrat e fëmijëve tanë të ndryshonin. Më pas erdhi një kuptueshmëri e sikletshme (dhe çliruese).

Pamja
smiling family

Bashkëshorti im dhe unë i rritëm fëmijët tanë në ungjill. Ne bënim studim të shkrimeve të shenjta si familje çdo mëngjes, lutje familjare dhe mbrëmje familjare të përjavshme. Ne shkonim në kishë, e hanim darkën se bashku dhe shkonim me pushime si një familje. Fëmijët tanë merrnin pjesë rregullisht në tempull për të kryer pagëzime për të vdekurit, ata u diplomuan në seminar dhe dy prej tyre shërbyen në misione.

Dhe më pas, në moshë madhore, ata filluan të shqyrtonin shtigje dhe ide që ishin të ndryshme nga gjërat që u kishim mësuar ne. Një nga një, fëmijët tanë ndaluan së marri pjesë në Kishë, derisa vetëm një nga pesë fëmijët tanë zgjodhi të vazhdonte të vinte. Ne derdhëm shumë lot për fëmijët tanë dhe pyetnim veten a kishim dështuar si prindër ose a kishte diçka që mund ta kishim bërë ndryshe.

Për një kohë të gjatë, ne iu lutëm Zotit që t’ua ndryshonte zemrat dhe më në fund, Zoti iu përgjigj lutjeve tona. Por jo në mënyrën që prisnim.

Në vend që thjesht t’ua ndryshonte zemrat fëmijëve tanë, Ai na tregoi se ne duhej ta fillonim duke ndryshuar vetë zemrat tona. Ndërkohë që prindërit luajnë një rol të rëndësishëm në mësimdhënien ndaj fëmijëve të tyre, Ai na kujtoi se Jezu Krishti është Shpëtimtari dhe Gjykatësi i tyre.

Nga vendosmëria ime për t’i shpëtuar fëmijët e mi, kisha kaluar shumë orë duke u lutur, duke lexuar shkrimet e shenjta dhe duke shkuar në tempull, duke menduar se nëse do të bëja të gjitha gjërat e duhura, unë do të kualifikohesha për ndërhyrjen e Perëndisë – sikur në njëfarë mënyre veprimet e mia do ta shtynin Perëndinë ta nëpërkëmbte lirinë e tyre të zgjedhjes dhe t’i detyronte të besonin sikurse besoj unë.

Unë dhe bashkëshorti im dëshironim kaq shumë që t’i shpëtonim ata, por varianti ynë i shpëtimit dukej më shumë si bërje morali, bezdisje ose si shfaqje mosmiratimi ndaj zgjedhjeve të tyre, që përfundimisht çuan drejt grindjes. Ne e kuptuam që nga dëshpërimi ynë për t’i sjellë fëmijët tanë sërish [në kishë], ne në të vërtetë po i largonim ata. Sa më shumë që ata e ndienin gjykimin dhe zhgënjimin tonë, aq më shumë na shmangeshin.

Lutjet e mia u ndryshuan në një përgjërim që vetë zemra ime të ndryshonte. E kuptova se arsyet për të cilat dëshiroja që fëmijët e mi të ndryshonin, vinin nga vendi i gabuar. U luta për më shumë dashuri. Unë gjithashtu u luta për t’i mposhtur ndjenjat e mia të turpit dhe të sikletit për arsye se familja ime nuk dukej si familjet e përsosura që miqtë e mi shfaqnin më mediat shoqërore me foto nga martesat e fëmijëve të tyre në tempull ose pagëzimet e nipërve dhe mbesave të tyre.

Teksa iu ktheva Shpëtimtarit për shërim, zemra ime filloi të zbutej kundrejt fëmijëve të mi. E kuptova që t’i doja ata ashtu siç Ai i do, nënkuptonte se duheshin bërë disa ndryshime. Për Të, dashuria nuk ishte një metodë – ishte shtysa që drejtoi gjithçka që Ai bëri. Ai tha se Ai “nuk bën asgjë që nuk është për të mirën e botës; pasi ai e do botën” (2 Nefi 26:24).

Mirëbesimi në aftësinë e Shpëtimtarit për të bërë punën e Tij (shih 2 Nefi 27:20) më lejoi që të përqendrohesha te dhënia e dashurisë ndaj fëmijëve të mi dhe t’ia lija sërish Zotit shpëtimin në dorë. Kjo nuk nënkuptonte se hoqa dorë nga përpjekja për t’i ndihmuar ata, por kur dashuria për ta u bë forca shtytëse pas ndërveprimeve të mia me ta, ajo e ndryshoi mënyrën se si unë ndërveproja.

Unë fillova t’i shoh ata nga një këndvështrim tjetër. Fillova të përqendrohesha te pikat e tyre të forta dhe talentet e tyre dhe fillova të shihja se sa njerëz dashamirës, bujarë, inteligjentë dhe të mirë ishin.

Bashkëshorti im dhe unë dëgjuam më shumë dhe folëm më pak. Ne iu bëmë pyetje rreth jetës dhe interesave të tyre. Në vend të gjykimit ne treguam kureshtje. E zëvendësuam kritikën dhe zhgënjimin me shprehje të dashurisë dhe fëmijët tanë mund ta ndienin se ajo dashuri ishte e çiltër.

Shtëpia jonë u bë një vend ku ata mund të ndienin dashuri dhe pranim. Ata reshtën së fshehuri gjëra nga ne dhe filluan të ishin të ndershëm dhe të hapur për atë çka po ndodhte realisht në jetën e tyre. Ne u afruam më shumë.

Familja jonë është ende një punë në përparim e sipër, por tani fëmijëve tanë u pëlqen të vijnë në shtëpinë tonë dhe të kalojnë kohë me ne. Ata ndihen të sigurt në praninë tonë dhe, nëpërmjet dashurisë sonë, unë shpresoj që ata të mund ta ndiejnë dashurinë e Perëndisë për ta. Nuk e di nëse në këtë jetë ata do të rikthehen te gjërat që morën mësim kur ishin fëmijë, por unë e di se ata janë në duart e Shpëtimtarit.