2020
Familja Ime Krejt e Re dhe e Vjetër
Korrik 2020


Familja Ime Krejt e Re dhe e Vjetër

Autori tani jeton në Jutë, SHBA.

Nëse ju ia lejoni, nuk ka gjë që ungjilli nuk mund ta ndryshojë.

Pamja
boy looking at family photo

Ilustrimi nga Lobo

Misionarët treguan një fotografi. “Çfarë sheh?”, pyetën ata.

“Një familje të lumtur”, iu përgjigja.

“A janë të gjitha familjet të lumtura?”

Mohova me kokë. “Ju e keni parë familjen time”, iu shpjegova.

Isha një 16–vjeçar që jetonte në Brazil, ku kisha jetuar gjithë jetën time. Misionarët po më jepnin mësim prej disa javësh, por askush në familjen time nuk donte të dëgjonte. Gjatë asaj kohe, misionarët e kishin parë shpesh familjen time të grindej dhe të debatonte. Familja ime dhe familja buzagaz në fotografi nuk kishin asgjë të përbashkët.

Njëri nga misionarët tha: “Epo, ndoshta familja jote e tanishme nuk është e tillë. Por ti mund ta krijosh ndryshe familjen tënde të ardhshme.”

Kur e mbaruam vizitën, ata më ftuan sërish të lutesha rreth asaj që kishim studiuar. Si gjithmonë, nuk është se premtova se do të veproja kështu. I gëzohesha faktit se si ndihesha kur më vizitonin misionarët dhe ungjilli kishte kuptim për mua. Por kisha frikë nga përgjigjja që mund të merrja. Nëse ungjilli ishte i vërtetë, do të më duhej të bëja shumë ndryshime.

Një Zgjedhje e Re

Pasi misionarët u larguan, nuk më hiqeshin nga mendja familjet e lumtura. Familja jonë as që u afrohej. Babai nuk ishte i pranishëm në jetën time. Marrëdhënia ime me nënën nuk ishte shumë e mirë. Gjyshja ishte njeriu i vetëm që kujdesej për ne, por askush nga ne nuk sillej si familje sipas mënyrës që na mësonin misionarët. Askush nga ne nuk i shprehte dashuri njëri-tjetrit apo madje të kalonim kohë së bashku.

Gjatë gjithë jetës sime, i premtova vetes se një ditë do të isha një baba i mirë. Do të isha prindi që nuk e pata kurrë. Gjithsesi, teksa misionarët më jepnin mësim, fillova të kuptoja se po bëja të njëjtat gjëra që bënë prindërit e mi në moshën time. Rrija natën deri vonë, bëja atë që kisha dëshirë dhe jetoja si rebel. Pa dashur, unë po përsëritja të njëjtën histori.

Ishte koha të pyesja Perëndinë.

Kur u luta më në fund, mora përgjigjen që e kisha pritur për shumë kohë. Kisha është e vërtetë! Tani ishte koha që të bëja një zgjedhje.

Unë si një Njeri i Ri

Gjyshja duhet të më jepte leje përpara se të pagëzohesha. Ajo nuk ishte dakord, por unë këmbëngula.

“Gjyshe, cilin Leonardo parapëlqen?”, e pyeta. “Atë që rrinte jashtë duke pirë e tymosur dhe që vinte natën vonë? Apo parapëlqen atë që jam tani? Këto ndryshime janë për shkak të ungjillit.”

Më në fund gjyshja pranoi dhe unë u pagëzova dhe u konfirmova. Që nga ai çast, diçka interesante filloi të ndodhte në familjen time – diçka që nuk e kisha kuptuar plotësisht deri disa vjet më vonë.

Pamja
happy family

Një Familje e Re

Përpara se të largohesha për në mision në Brazilin jugor, gjyshja merrte pjesë në konferencat e kunjit me mua. Pas kësaj zhvillonim një mbledhje të vogël dëshmish me familjarë dhe miq. Për habinë time, gjyshja dëshironte të thoshte diçka.

“Qëkurse Leonardoja u bashkua me Kishën tuaj, familja ime filloi të bëhej një familje e vërtetë”, tha ajo. Më pas ajo renditi mënyra se si familja ime ishte bërë më e bashkuar: Tani kalojmë kohë së bashku. Ne filluam t’i themi “të dua” njëri-tjetrit, gjë të cilën nuk e kishim bërë më parë. Zënkat dhe debatet u shuan. Ndërmjet të gjithëve ne u krijuan miqësi të vërteta. Kishim më shumë ushqim dhe u bekuam me bollëk në fusha të tjera.

Edhe unë i kisha vërë re këto ndryshime, por nuk e kisha kuptuar që koha kishte pasur lidhje me periudhën kur u pagëzova.

“Unë mund të mos jem një anëtare e Kishës suaj”, tha ajo, “por jam një mikeshë e Kishës suaj. Dhe e di se familja jonë është bekuar për shkak të zgjedhjes së Leonardos.”

Një Kuptueshmëri e Re

Nuk më besohej! Dhe sidoqoftë, ndërsa gjyshja po fliste se si familja jonë ishte bërë më e bashkuar, befas m’u kujtua fotografia që më kishin treguar misionarët vite më parë. Në atë kohë, mendoja që e vetmja mënyrë për të pasur një familje të lumtur ishte familja ime e ardhshme.

Por e kisha gabim. Familja ime e tanishme ishte e lumtur! Ne mësuam ta donim njëri-tjetrin.

Ndoshta asnjë nga pjesëtarët e familjes sime nuk do të bashkohet me Kishën në këtë jetë. Por edhe sikur mos ta bëjnë, unë e di se Perëndia na ka bekuar tashmë në shumë mënyra. Ungjilli i Jezu Krishtit na tregon se si t’i përmirësojmë familjet tona, pavarësisht se si është situata jonë familjare.